Levitiku 12:1-8

  • Pastrimi i grave pas lindjes (1-8)

12  Jehovai i tha akoma Moisiut:  «Thuaju izraelitëve: ‘Nëse një grua mbetet shtatzënë dhe lind djalë, do të jetë e papastër për shtatë ditë, si në ditët kur është me menstruacionet.+  Ditën e tetë djali duhet rrethprerë.*+  Gruaja do të vazhdojë të pastrohet nga gjaku edhe për 33 ditë të tjera; ajo nuk duhet të prekë asgjë të shenjtë dhe nuk duhet të hyjë në vendin e shenjtë derisa të mbushë ditët e pastrimit.  Por nëse lind vajzë, do të jetë e papastër për 14 ditë, si në ditët kur është me menstruacionet dhe do të vazhdojë të pastrohet nga gjaku edhe për 66 ditë të tjera.  Pasi të ketë mbushur ditët e pastrimit për djalin a për vajzën, do t’i çojë priftit në hyrje të tendës së takimit një qengj njëvjeçar* si blatim të djegur+ dhe një zog pëllumbi ose një turtull si blatim për mëkatin.  Ai do t’ia paraqitë Jehovait dhe do të bëjë shlyerjen për të, e kështu ajo do të jetë e pastër nga gjakrrjedhja. Ky është ligji për gruan që lind një djalë a një vajzë.  Por nëse nuk i ka mundësitë të sjellë një qengj, le të sjellë dy turtuj ose dy zogj pëllumbash,+ njërin si blatim të djegur dhe tjetrin si blatim për mëkatin. Prifti do të bëjë shlyerjen për të, dhe ajo do të jetë e pastër.’»

Shënime në fund të faqes

Fjalë për fjalë «djalit i duhet rrethprerë mishi i lafshës».
Ose «motak».