Letra e dytë drejtuar korintasve 5:1-21

  • “Të veshim” banesën tonë qiellore (1-10)

  • Shërbimi i pajtimit (11-21)

    • Një krijesë e re (17)

    • Ambasadorë të Krishtit (20)

5  Ne e dimë në fakt se shtëpia* jonë në tokë, kjo tendë, do të shembet,*+ dhe se Perëndia do të na japë në qiej një shtëpi të përhershme që nuk e kanë bërë duart e njeriut.+ 2  Për sa kohë banojmë në këtë shtëpi,* ne rënkojmë dhe dëshirojmë me zjarr “të veshim” atë që është përgatitur për ne në qiell,*+ 3  që, kur të vijë koha për ta veshur, të mos jemi lakuriq. 4  Faktikisht, ne që jemi në këtë tendë, rënkojmë dhe jemi të rënduar, jo ngaqë duam të zhveshim këtë tendë, por ngaqë duam të veshim tjetrën,+ me qëllim që jeta të përpijë trupat tanë të vdekshëm.+ 5  Tani, ai që na përgatiti pikërisht për këtë gjë, është Perëndia,+ i cili na dha frymën e tij si kapar* të trashëgimisë sonë.+ 6  Prandaj, edhe pse jemi larg Zotërisë+ ndërkohë që banojmë në këtë shtëpi prej mishi e gjaku, ne ndihemi plotësisht të sigurt, 7  sepse po ecim me anë të besimit dhe jo me anë të asaj që shihet. 8  Po, nuk kemi pikë dyshimi dhe preferojmë të jemi larg kësaj shtëpie prej mishi e gjaku e të banojmë me Zotërinë.+ 9  Kështu, edhe nëse banojmë me të, edhe nëse jemi larg tij, synojmë të jemi të pranueshëm për të, 10  sepse të gjithë ne duhet të paraqitemi* përpara fronit të gjykimit të Krishtit, që secili të marrë shpërblimin e vet për gjërat që ka bërë kur ishte prej mishi e gjaku, të mira a të këqija* qofshin.+ 11  Prandaj, meqë nderojmë thellësisht Zotërinë,* ne vazhdojmë t’i bindim njerëzit për atë që predikojmë. Gjithsesi, për Perëndinë është e qartë ç’lloj njerëzish jemi,* dhe shpresoj që kjo të jetë e qartë* edhe për ndërgjegjen tuaj. 12  Nuk po jua rekomandojmë përsëri veten, por po ju japim shkas të krenoheni me ne, që të mund t’u përgjigjeni atyre që krenohen me pamjen e jashtme+ dhe jo me atë që kanë në zemër. 13  Tani, nëse ishim të dalë mendsh,+ ishim për Perëndinë, e nëse jemi me mend në kokë, jemi për ju. 14  Vërtet, dashuria që ka Krishti, na motivon,* sepse kemi kuptuar fare qartë se një njeri i vetëm vdiq për të gjithë,+ meqë të gjithë ishin të vdekur. 15  Prandaj ai vdiq për të gjithë, me qëllim që ata që jetojnë, të mos jetojnë më për veten,*+ por për atë që vdiq për ta dhe u ngrit nga të vdekurit. 16  Kështu, që tani e tutje nuk e shohim më askënd sipas kritereve njerëzore.*+ Edhe pse dikur e shihnim Krishtin sipas këtyre kritereve, sigurisht që tani nuk e shohim më kështu.+ 17  Prandaj, nëse dikush është në unitet me Krishtin, është një krijesë e re;+ gjërat e vjetra shkuan dhe gjëra të reja kanë ardhur në jetë. 18  Por të gjitha këto vijnë nga Perëndia, që na pajtoi me veten nëpërmjet Krishtit+ dhe na besoi shërbimin e pajtimit:+ 19  me fjalë të tjera, Perëndia pajtoi botën me veten nëpërmjet Krishtit,+ duke mos ia llogaritur fajet,+ kurse neve na besoi mesazhin e pajtimit.+ 20  Prandaj, ne jemi ambasadorë+ në vend të Krishtit,+ sikur Perëndia të përgjërohej nëpërmjet nesh. Në emër të Krishtit, lutemi: «Pajtohuni me Perëndinë.» 21  Atë që nuk njohu mëkat,+ Perëndia e paraqiti si blatim për mëkatet tona,* që me anë të tij, të bëhemi të drejtë në sytë e Perëndisë.+

Shënimet

Ose «do të shpërbëhet».
Fjalët «shtëpi» dhe «banesë» përdoren në kuptim të figurshëm për t’iu referuar trupit si krijesë prej mishi e gjaku ose si krijesë qiellore.
Ose «banesë».
Ose «në banesën tonë qiellore».
Ose «parapagesë (paradhënie); garanci (peng)».
Ose «duhet të shfaqemi».
Ose «të poshtra».
Ose «të jemi shfaqur».
Fjalë për fjalë «i frikësohemi Zotërisë».
Ose «ne vetë jemi shfaqur para Perëndisë».
Ose «na nxit; na detyron».
Ose «për të kënaqur veten».
Fjalë për fjalë «sipas mishit».
Fjalë për fjalë «e bëri mëkat për ne».