Veprat e Apostujve 2:1-47

  • Fryma e shenjtë derdhet në Festën e Ditës së Pesëdhjetë (1-13)

  • Fjalimi i Pjetrit (14-36)

  • Turma reagon ndaj fjalimit të Pjetrit (37-41)

    • 3.000 të pagëzuar (41)

  • Shoqëria e krishterë (42-47)

2  Tani, gjatë Festës së Ditës së Pesëdhjetë,+ ishin të gjithë së bashku në të njëjtin vend. 2  Befas nga qielli u dëgjua një zhurmë, si ajo e një ere të furishme, që mbushi gjithë shtëpinë ku po rrinin.+ 3  Atyre iu shfaqën ca si gjuhë zjarri, të cilat u shpërndanë e qëndruan mbi secilin, 4  dhe të gjithë u mbushën me frymë të shenjtë+ e nisën të flitnin gjuhë të ndryshme, ashtu si fryma i bënte të flitnin.+ 5  Në atë kohë, në Jerusalem kishin ardhur judenj të devotshëm nga të gjitha kombet e tokës.*+ 6  Kështu, kur u dëgjua kjo zhurmë, u mblodh një turmë njerëzish, të cilët ishin të hutuar, sepse gjithsecili i dëgjonte të flitnin në gjuhën e vet. 7  Vërtet, u mahnitën shumë dhe thanë: «A nuk janë galileas+ të gjithë këta që po flasin? 8  Si ka mundësi atëherë që secili prej nesh po i dëgjon të flasin në gjuhën e nënës?* 9  Jemi partë, medë,+ elamitë+ dhe banorë të Mesopotamisë, të Judesë, të Kapadokisë, të Pontit, të provincës së Azisë,+ 10  të Frigjisë, të Pamfilisë, të Egjiptit e të rajoneve të Libisë, që janë afër Kirenës, si dhe banorë të përkohshëm nga Roma, judenj e prozelitë bashkë,+ 11  kretas e arabë, e i dëgjojmë të flasin në gjuhët tona për gjërat madhështore të Perëndisë.» 12  Po, të gjithë ishin të befasuar e të hutuar dhe i thoshin njëri-tjetrit: «Çfarë po ndodh kështu?» 13  Mirëpo të tjerë i vinin në lojë e thoshin: «Janë dehur me verë të ëmbël!»* 14  Por Pjetri u çua bashkë me të Njëmbëdhjetët+ dhe tha me zë të lartë: «Burra të Judesë dhe të gjithë ju banorë të Jerusalemit, dëgjojini me kujdes fjalët e mia. 15  Në fakt, këta nuk janë të dehur, siç mendoni ju, sepse është ora e tretë e ditës.* 16  Përkundrazi, po ndodh ajo që ishte thënë nëpërmjet profetit Joel: 17  ‘Në ditët e fundit—thotë Perëndia,—do të derdh frymën time* mbi çdo njeri,* dhe djemtë e vajzat tuaja do të profetizojnë. Të rinjtë do të shohin vegime* dhe të moshuarit do të shohin ëndrra.+ 18  Ato ditë do të derdh frymën time madje edhe mbi skllevërit e mi dhe skllavet e mia, dhe ata do të profetizojnë.+ 19  Do të bëj mrekulli* lart në qiell e shenja poshtë në tokë. Do të ketë gjak, zjarr dhe re tymi. 20  Dielli do të errësohet dhe hëna do të kthehet në gjak para se të vijë dita e madhe dhe e lavdishme e Jehovait.* 21  E kushdo që thërret emrin e Jehovait,* do të shpëtojë.’+ 22  Burra të Izraelit, dëgjojini këto fjalë: Perëndia ju tregoi hapur se Jezuin, nazareasin, e dërgoi ai, e kjo u duk nga veprat e fuqishme, mrekullitë* dhe shenjat që Perëndia bëri mes jush nëpërmjet tij,+ siç e dini edhe vetë. 23  Pikërisht këtë njeri, që e dorëzuan sipas vullnetit* të përcaktuar dhe paranjohjes* së Perëndisë,+ ju e mbërthyet në një shtyllë me duart e të paligjshmëve* dhe e vratë.+ 24  Por Perëndia e ringjalli,+ duke e çliruar nga vargonjtë* e vdekjes, pasi ajo nuk mund ta mbante të lidhur.+ 25  Në fakt, për të Davidi thotë: ‘E mbaj Jehovain* gjithnjë para syve.* Ai është në të djathtën time, që të mos lëkundem kurrë. 26  Prandaj zemra m’u mbush me hare dhe fola gjithë gëzim. Do të jetoj* me shpresë, 27  sepse ti nuk do të më lësh* në Varr,* nuk do të lejosh që besniku yt të kalbet.*+ 28  Ti më ke treguar udhët e jetës, dhe kur jam pranë teje,* mbushem me gëzim.’+ 29  Burra, vëllezër, juve mund t’ju flasim hapur për patriarkun David, i cili vdiq e u varros,+ dhe varri i tij gjendet mes nesh deri më sot. 30  Meqë ishte profet dhe e dinte se Perëndia i ishte betuar që në fronin e tij do të vendoste një nga pasardhësit e vet,*+ 31  e dinte që më përpara se Krishti do të ringjallej dhe tha për të se nuk u braktis në Varr* dhe se trupi i tij nuk u kalb.*+ 32  Perëndia e ringjalli këtë Jezu, dhe për këtë jemi të gjithë dëshmitarë.+ 33  Prandaj, meqë ai u lartësua në të djathtën e Perëndisë+ dhe mori frymën e shenjtë të premtuar nga Ati,+ e derdhi mbi ne, siç po shihni e dëgjoni. 34  Në fakt Davidi nuk u ngjit në qiej, por ai vetë thotë: “Jehovai* i tha Zotërisë tim: ‘Ulu në të djathtën time 35  derisa t’i vë armiqtë e tu si stol për këmbët e tua.’”+ 36  Prandaj, e gjithë shtëpia e Izraelit ta dijë me siguri se këtë Jezu, të cilin ju e ekzekutuat në shtyllë,+ Perëndia e bëri edhe Zotëri,+ edhe Krisht.» 37  Kur i dëgjuan këto, atyre u theri në zemër dhe i thanë Pjetrit e apostujve të tjerë: «Burra, vëllezër, çfarë të bëjmë?» 38  Pjetri u tha: «Pendohuni,+ e secili nga ju të pagëzohet+ në emër të Jezu Krishtit, që t’ju falen mëkatet.+ Atëherë do të merrni dhuratën* e frymës së shenjtë, 39  sepse premtimi+ është për ju, për fëmijët tuaj dhe për të gjithë ata që janë larg, pra për të gjithë ata që Jehovai,* Perëndia ynë, do të thërrasë pranë vetes.»+ 40  Dhe, me shumë fjalë të tjera, ai dha dëshmi të plotë dhe i nxiste: «Shpëtoni nga ky brez dredharak!»+ 41  Kështu, ata që i pranuan me gëzim fjalët e tij, u pagëzuan,+ dhe atë ditë u shtuan rreth 3.000 veta.+ 42  Ata i kushtonin vazhdimisht vëmendje mësimit që jepnin apostujt, shoqëroheshin me njëri-tjetrin,* hanin+ dhe luteshin.+ 43  Në fakt, të gjithë u mbushën me frikë* e nderim, dhe apostujt filluan të bënin shumë shenja dhe mrekulli.*+ 44  Të gjithë ata që u bënë besimtarë, mblidheshin së bashku, dhe gjithçka e kishin të përbashkët. 45  Shitnin pronat e zotërimet,+ dhe të ardhurat ia shpërndanin gjithkujt sipas nevojës.+ 46  Ditë për ditë, ata ishin vazhdimisht në tempull së bashku, shkonin për të ngrënë në shtëpi të ndryshme dhe e ndanin ushqimin plot gëzim e me zemër të çiltër. 47  Lëvdonin Perëndinë dhe gëzonin pëlqimin e të gjithë njerëzve. Ndërkohë, çdo ditë, Jehovai* bashkonte me besimtarët ata që hynin në rrugën e shpëtimit.+

Shënimet

^ Fjalë për fjalë «të gjitha kombet nën qiell».
^ Ose «gjuhën amtare?»
^ Ose «musht!»
^ Domethënë, rreth orës 9 të paradites.
^ Ose «ca nga fryma ime». Fjalë për fjalë «nga fryma ime».
^ Fjalë për fjalë «çdo mish».
^ Ose «çudira».
^ Ose «çudirat».
^ Ose «e të ligjve».
^ Ose «këshillës».
^ Një mundësi tjetër «kordonët». Fjalë për fjalë «dhembjet therëse».
^ Ose «para meje».
^ Fjalë për fjalë «Mishi im do të prehet».
^ Ose «të shkatërrohet».
^ Ose «nuk do ta lësh shpirtin tim».
^ Ose «Hades», pra, në varrin e përbashkët të njerëzimit. Shih Fjalorthin.
^ Ose «para fytyrës sate».
^ Fjalë për fjalë «një fryt të ijëve të veta».
^ Ose «Hades», pra, në varrin e përbashkët të njerëzimit. Shih Fjalorthin.
^ Ose «mishi i tij nuk u shkatërrua».
^ Ose «dhuratën falas».
^ Ose «ndanin gjithçka me njëri-tjetrin».
^ Shih Fjalorthin, «Frika nga Perëndia».
^ Ose «çudira».