Veprat e Apostujve 13:1-52

  • Barnabën dhe Saulin i dërgojnë si misionarë (1-3)

  • Shërbimi në Qipro (4-12)

  • Fjalimi i Pavlit në Antioki të Pisidisë (13-41)

  • Urdhri profetik për të shkuar te kombet (42-52)

13  Në Antioki, profetë dhe mësues në kongregacionin vendës+ ishin: Barnaba, Simioni që quhej Niger, Luçi nga Kirena, Manaeni që ishte arsimuar me Herodin, sundimtarin e krahinës, dhe Sauli. 2  Ndërsa i shërbenin Jehovait* dhe agjëronin, fryma e shenjtë tha: «Më ndani veç Barnabën dhe Saulin+ që të bëjnë veprën për të cilën i kam thirrur.»+ 3  Atëherë, pasi agjëruan e u lutën, ata vunë duart mbi ta* dhe i nisën. 4  Kështu, këta burra të dërguar nga fryma e shenjtë, zbritën në Seleuki dhe nga atje lundruan për në Qipro. 5  Kur mbërritën në Salaminë, nisën të shpallnin fjalën e Perëndisë në sinagogat e judenjve. Me vete kishin edhe Gjonin si ndihmës.+ 6  Pasi përshkuan gjithë ishullin deri në Pafo, takuan një burrë jude me emrin Bar-Jezu, që ishte magjistar e profet i rremë. 7  Ai ishte me prokonsullin* Sergj Pal, një burrë i zgjuar. Ky thirri pranë vetes Barnabën e Saulin dhe kërkoi me ngulm të dëgjonte fjalën e Perëndisë. 8  Por Elimi, pra magjistari (sepse kështu përkthehet emri i tij), iu kundërvu atyre e u orvat ta pengonte prokonsullin që të mos besonte. 9  Atëherë Sauli, që quhej edhe Pavël, i mbushur me frymë të shenjtë, e pa ngultas 10  dhe i tha: «O njeri i mbushur me çdo lloj mashtrimi e poshtërsie, ti, bir i Djallit+ e armik i çdo gjëje të drejtë, pse i shtrembëron mësimet e drejta të Jehovait?!* 11  E pra, tani, dora e Jehovait* është kundër teje, dhe ti do të jesh i verbër e nuk do ta shohësh për njëfarë kohe dritën e diellit.» Mjegull e dendur dhe errësirë ra në çast mbi të, dhe ai shkonte rreth e përqark duke kërkuar ndonjë që ta merrte për dore. 12  Atëherë, kur pa se ç’ndodhi, prokonsulli u bë besimtar, pasi u mahnit nga mësimi i Jehovait.* 13  Tani, Pavli bashkë me shokët e tij, nisën lundrimin nga Páfoja dhe mbërritën në Pergë të Pamfilisë. Por Gjoni+ i la dhe u kthye në Jerusalem.+ 14  Megjithatë ata vazhduan rrugën nga Perga dhe arritën në Antioki të Pisidisë. Ditën e Sabatit hynë në sinagogë+ dhe u ulën. 15  Pasi u lexua Ligji+ dhe Profetët, të parët e sinagogës u çuan fjalë: «Burra, vëllezër, nëse keni ndonjë fjalë inkurajimi për popullin, thuajeni!» 16  Kështu, Pavli u ngrit, bëri shenjë me dorë dhe tha: «Burra, izraelitë dhe ju të tjerë që e nderoni thellësisht Perëndinë,* dëgjoni! 17  Perëndia i këtij populli, i Izraelit, zgjodhi paraardhësit tanë dhe, kur populli banonte në dhé të huaj, në Egjipt, e lartësoi dhe e nxori që andej me krah të fortë.*+ 18  Për rreth 40 vjet, i duroi në shkretëtirë.+ 19  Pasi shkatërroi shtatë kombe në vendin e Kananit, ua dha vendin e tyre si trashëgimi etërve tanë.+ 20  E gjithë kjo ndodhi për rreth 450 vjet. Më pas dha gjykatës deri në kohën e profetit Samuel.+ 21  Por atëherë ata kërkuan një mbret,+ dhe Perëndia u dha Saulin, birin e Kishit, një burrë nga fisi i Beniaminit,+ që të mbretëronte mbi ta për 40 vjet. 22  Pasi e hoqi atë, ai bëri mbret Davidin,+ për të cilin dha dëshmi dhe tha: ‘Gjeta Davidin, birin e Jeseut,+ një njeri siç ma do zemra;+ ai do të bëjë gjithçka që dëshiroj.’ 23  Nga pasardhësit* e këtij njeriu, sipas premtimit, Perëndia i solli Izraelit një shpëtimtar, Jezuin.+ 24  Para se të vinte ai, Gjoni i kishte predikuar gjithë popullit të Izraelit pagëzimin si simbol të pendimit.+ 25  Por, nga fundi i shërbimit të tij, Gjoni thoshte: ‘Unë nuk jam ai që prisni. Pas meje po vjen ai, të cilit s’jam i denjë t’i zgjidh sandalet e këmbëve.’+ 26  Burra, vëllezër, ju pasardhës të familjes së Abrahamit dhe ju të tjerë që e nderoni thellësisht Perëndinë! Fjala e këtij shpëtimi na është dërguar neve,+ 27  sepse banorët e Jerusalemit dhe krerët e tyre nuk e pranuan, përkundrazi me gjykimin e tyre përmbushën ato që kishin shprehur Profetët+ e që lexohen me zë çdo sabat. 28  Ndonëse nuk gjetën asnjë arsye që ai të meritonte vdekjen,+ i kërkuan Pilatit që të ekzekutohej.+ 29  Pasi përmbushën çdo gjë që ishte shkruar për të, e zbritën nga shtylla* dhe e vunë në varr.*+ 30  Por Perëndia e ngriti nga të vdekurit+ 31  dhe, për shumë ditë, ai iu shfaq dishepujve që kishin shkuar me të nga Galilea në Jerusalem. Tani këta japin dëshmi për të para popullit.+ 32  Ja pse po ju shpallim lajmin e mirë për premtimin që iu bë paraardhësve tanë, 33  që Perëndia e ka përmbushur plotësisht për të mirën tonë, për ne që jemi fëmijët e tyre, duke e ringjallur Jezuin,+ siç shkruhet edhe në psalmin e dytë: ‘Ti je biri im, sot unë jam bërë ati yt.’+ 34  Faktin që e ringjalli Jezuin nga të vdekurit e i dha një trup të pashkatërrueshëm, Perëndia e kishte konfirmuar me këto fjalë: ‘Do t’ju tregoj po atë dashuri besnike që i premtova Davidit, dhe ky premtim është i besueshëm.’+ 35  Gjithashtu, në një psalm tjetër ai thotë: ‘Ti nuk do të lejosh që besniku yt të kalbet.’*+ 36  Por, pasi i shërbeu Perëndisë* gjatë gjithë jetës, Davidi ra në gjumin e vdekjes, u preh me paraardhësit e tij dhe trupi iu kalb.*+ 37  Kurse trupi i atij që e ngriti Perëndia, nuk u kalb.*+ 38  Dijeni, vëllezër, se nëpërmjet tij ju është shpallur falja e mëkateve+ 39  dhe se me anë të tij, kushdo që beson, shpallet i pafaj nga gjithçka që Ligji i Moisiut+ nuk mund ta shpallte të pafaj.+ 40  Kini kujdes, pra, të mos ju ndodhë ajo që është thënë te Profetët: 41  ‘Shihni o përbuzës, ju do të çuditeni dhe nuk do të jeni më, sepse në ditët tuaja po bëj një vepër, të cilën nuk do ta besoni kurrsesi, edhe sikur ndokush t’jua tregojë me hollësi.’»+ 42  Kur po dilnin, populli iu përgjërua që t’u flitnin për këto gjëra edhe Sabatin tjetër. 43  Kështu, pasi njerëzit u larguan nga sinagoga, shumë judenj dhe prozelitë që adhuronin Perëndinë, ndoqën Pavlin dhe Barnabën, të cilët me fjalët e tyre i nxitnin të qëndronin në mirësinë e pamerituar të Perëndisë.+ 44  Sabatin tjetër, pothuajse i gjithë qyteti u mblodh të dëgjonte fjalën e Jehovait.* 45  Kur panë turmat, judenjtë vlonin nga smira* dhe nisën t’u kundërviheshin me fjalë blasfemuese* gjërave që thoshte Pavli.+ 46  Atëherë, Pavli dhe Barnaba thanë me guxim: «Fjala e Perëndisë duhej t’ju thuhej më parë juve.+ Por, meqë po e hidhni poshtë dhe po tregoheni të padenjë për jetën e përhershme, ja, ne po shkojmë te kombet,+ 47  sepse Jehovai* na urdhëroi me këto fjalë: ‘Të kam caktuar si dritë të kombeve, që të çosh shpëtimin deri në skajet e tokës.’»*+ 48  Kur e dëgjuan këtë, njerëzit e kombeve* gëzuan e i dhanë lavdi fjalës së Jehovait.* Të gjithë ata që ishin të prirur për jetën e përhershme, u bënë besimtarë. 49  Veç kësaj, fjala e Jehovait* përhapej në mbarë vendin. 50  Por judenjtë shtynë gratë e shquara, të cilat ishin shumë fetare, dhe të parët e qytetit që të nxitnin përndjekje+ kundër Pavlit dhe Barnabës, dhe i flakën jashtë kufijve të qytetit. 51  Kështu, këta shkundën pluhurin e këmbëve si dëshmi kundër tyre dhe shkuan në Ikoni.+ 52  E dishepujt ishin plot gëzim+ dhe frymë të shenjtë.

Shënimet

^ Shih Fjalorthin, «Vënia e duarve».
^ Guvernatori romak i një province. Shih Fjalorthin.
^ Fjalë për fjalë «i frikësoheni Perëndisë». Shih Fjalorthin.
^ Fjalë për fjalë «krah të ngritur».
^ Fjalë për fjalë «fara».
^ Ose «varr përkujtimor».
^ Ose «druri».
^ Ose «të shkatërrohet».
^ Ose «i shërbeu vullnetit të Perëndisë».
^ Ose «iu shkatërrua».
^ Ose «nuk u shkatërrua».
^ Ose «xhelozia».
^ Ka të ngjarë që Pavli t’i zbatojë këto fjalë edhe për dishepujt e Jezuit.