Letra e Jakovit 2:1-26

  • Mbajtja me hatër—një mëkat (1-13)

    • Dashuria—ligji mbretëror (8)

  • Besimi pa vepra është i vdekur (14-26)

    • Demonët e besojnë dhe dridhen nga frika (19)

    • Abrahami u quajt mik i Jehovait (23)

2  Vëllezërit e mi, mos vallë po tregoni besim te Zotëria ynë i lavdishëm, Jezu Krisht, e ndërkohë po mbani me hatër?+  Nëse në mbledhjen tuaj hyn një njeri me unaza floriri në gishta e me rroba luksoze, por hyn edhe një i varfër me rroba të fëlliqura,  mos vallë favorizoni atë me veshje luksoze dhe i thoni: «Ulu këtu, te ky vend nderi!», kurse të varfrit i thoni: «Rri në këmbë!» ose: «Ulu atje poshtë, afër stolit të këmbëve të mia!»+  Në qoftë kështu, a nuk keni mes jush dallime klasore?+ A nuk jeni bërë gjykatës që japin vendime të padrejta?*+  Dëgjoni, vëllezërit e mi të dashur. A nuk i zgjodhi Perëndia ata që janë të varfër për botën, që të jenë të pasur në besim+ dhe trashëgimtarë të Mbretërisë, të cilën ua premtoi atyre që e duan?+  Por ju i keni poshtëruar të varfrit. A nuk janë të pasurit ata që ju shtypin+ dhe ju tërheqin zvarrë përpara gjykatave?  A nuk janë ata që blasfemojnë* kundër emrit të shkëlqyer që ju është dhënë?  Tani, nëse zbatoni ligjin mbretëror sipas shkrimit: «Duaje të afërmin tënd* si veten»,+ bëni shumë mirë.  Por nëse vazhdoni të mbani me hatër,+ bëni mëkat, dhe ligji ju dënon* si shkelës.+ 10  Vërtet, kush i bindet gjithë Ligjit, por hedh një hap të gabuar vetëm në një pikë, bëhet fajtor kundër gjithë Ligjit,+ 11  sepse ai që tha: «Mos kryej kurorëshkelje»,*+ tha edhe: «Mos vrit.»+ Tani, nëse nuk kryen kurorëshkelje, por ama vret, bëhesh shkelës i Ligjit. 12  Vazhdoni, pra, të flitni dhe të silleni si ata që do të gjykohen nga ligji i një populli të lirë,*+ 13  sepse ai që nuk tregon mëshirë, pa mëshirë do të gjykohet.+ Mëshira triumfon mbi gjykimin. 14  Ç’dobi ka, vëllezërit e mi, nëse dikush thotë se ka besim, por nuk bën vepra?+ A e shpëton dot ai besim?+ 15  Nëse një vëlla a motër nuk ka rroba* dhe ushqimin e nevojshëm çdo ditë, 16  e megjithatë një nga ju i thotë: «Shko në paqe! Rri ngrohtë dhe ngopu!», por nuk i jep çka i nevojitet për të jetuar, ç’dobi ka?+ 17  Kështu, edhe besimi në vetvete, pa vepra, është i vdekur.+ 18  Megjithatë dikush mund të thotë: «Ti ke besim, por unë kam vepra. Ma trego besimin tënd pa vepra dhe unë do të ta tregoj besimin tim me anë të veprave.» 19  Ti beson se ka një Perëndi të vetëm, apo jo? Shumë mirë bën. Edhe demonët e besojnë këtë dhe dridhen nga frika.+ 20  O i pamend, nuk e kupton se besimi pa vepra është i kotë? 21  Abrahami, ati ynë, a nuk u shpall i drejtë nga veprat pasi e paraqiti Isakun, të birin, në altar?+ 22  Ti e sheh që besimi i tij shoqërohej me vepra dhe, me anë të veprave, besimi+ iu përsos.* 23  Kështu u përmbush shkrimi që thotë: «Abrahami tregoi besim te Jehovai,* dhe për këtë u konsiderua i drejtë»*+ e u quajt mik i Jehovait.*+ 24  Ju e shihni se njeriu shpallet i drejtë nga veprat dhe jo vetëm nga besimi. 25  Po njësoj, a nuk u shpall e drejtë nga veprat edhe Rahaba, prostituta, pasi i mirëpriti vëzhguesit dhe i nisi nga një udhë tjetër?+ 26  Vërtet, ashtu si trupi pa frymë është i vdekur,+ edhe besimi pa vepra është i vdekur.+

Shënime në fund të faqes

Fjalë për fjalë «të liga».
Ose «tjetrin». Shih Fjalorthin.
Ose «ju qorton».
Ose «tradhti bashkëshortore».
Fjalë për fjalë «ligji i lirisë».
Fjalë për fjalë «është lakuriq».
Ose «iu bë i plotë».
Ose «dhe kjo iu llogarit si drejtësi?!» Domethënë, u konsiderua i drejtë në kuptimin relativ.