Letra drejtuar hebrenjve 9:1-28

  • Shërbimi i shenjtë në shenjtëroren tokësore (1-10)

  • Krishti hyn në qiell me gjakun e vet (11-28)

    • Ndërmjetës i një besëlidhjeje të re (15)

9  Besëlidhja e mëparshme kishte rregulla për shërbimin e shenjtë, si edhe një vend të shenjtë*+ në tokë.  Në ndarjen e parë të kësaj tende, të quajtur e Shenjta,+ ishin shandani,+ tryeza dhe bukët e paraqitjes.*+  Kurse prapa perdes* së dytë,+ ishte ndarja e dytë e tendës, e quajtur Më e Shenjta.+  Atje ishte një temjanicë ari+ dhe arka e besëlidhjes,+ e gjitha e veshur me ar,+ brenda së cilës ndodheshin shkopi i Aronit që kishte nxjerrë sythe,+ pllakat+ e besëlidhjes dhe qypi i artë ku mbahej mana.+  Kurse mbi të ndodheshin dy kerubinët e lavdishëm, që me krahët e tyre i bënin hije kapakut të pajtuesit.*+ Megjithatë, tani nuk është koha për të folur me hollësi për këto gjëra.  Kështu, pasi çdo gjë u ndërtua në këtë mënyrë, priftërinjtë hynin rregullisht në ndarjen e parë të tendës që të kryenin shërbim të shenjtë.+  Kurse në ndarjen e dytë të tendës hynte vetëm kryeprifti, një herë në vit,+ sigurisht jo pa gjak,+ të cilin e paraqiste për veten+ dhe për mëkatet që populli+ i bënte nga padija.  Me këto, fryma e shenjtë e tregon qartë se, kur ekzistonte tenda e parë, udha për në vendin e shenjtë* nuk ishte hapur ende.+  Kjo tendë është një ilustrim për gjërat që po ndodhin tani,+ dhe sipas këtij organizimi paraqiten dhurata e flijime.+ Megjithatë, këto nuk mund t’i japin një ndërgjegje të përsosur atij që i paraqet*+ 10  dhe kanë të bëjnë vetëm me ushqime, pije e pastrime të ndryshme ceremoniale.*+ Po, ishin veçse kërkesa të Ligjit në lidhje me trupin,+ që duheshin zbatuar derisa të vinte koha e caktuar për t’i vënë gjërat në vijë. 11  Por, kur erdhi si kryeprift për të sjellë gjërat e mira që tashmë kemi provuar, Krishti hyri në tendën më të rëndësishme dhe më të përsosur, jo të bërë nga duart e njeriut, domethënë, që nuk i përket këtij krijimi. 12  Ai hyri në vendin e shenjtë* një herë e mirë, jo me gjakun e cjepve dhe të demave të rinj, por me gjakun e vet,+ dhe na siguroi çlirim* të përhershëm.+ 13  Faktikisht, nëse gjaku i cjepve dhe i demave,+ si dhe hiri i një mëshqerre, me të cilin spërkaten ata që janë ndotur, shenjtëron dhe pastron trupin,*+ 14  aq më shumë gjaku i Krishtit+—i cili nëpërmjet frymës së shenjtë,* ia paraqiti veten Perëndisë si një flijim të patëmetë—do t’i pastrojë ndërgjegjet tona nga veprat e vdekura,+ që t’i bëjmë shërbim të shenjtë Perëndisë së gjallë.+ 15  Prandaj ai është ndërmjetës i një besëlidhjeje të re,+ me qëllim që ata që janë thirrur, të marrin premtimin e trashëgimisë së përhershme,+ sepse ai vdiq si shpërblesë për t’i çliruar+ nga fajet që kryen nën besëlidhjen e mëparshme. 16  Tani, kur bëhet një besëlidhje me Perëndinë, është e nevojshme të vdesë njeriu që e bën besëlidhjen,* 17  sepse një besëlidhje bëhet e vlefshme me anë të vdekjes dhe s’hyn në fuqi ndërkohë që njeriu që bën besëlidhjen është gjallë. 18  Prandaj, edhe besëlidhja e mëparshme nuk hyri në fuqi* pa gjak, 19  sepse, pasi i tha popullit gjithë urdhërimet e Ligjit, Moisiu mori gjakun e cjepve dhe të demave të rinj, si edhe ujë, lesh në të kuqe të ndezur dhe hisop,* spërkati rrotullën* dhe gjithë popullin, 20  e tha: «Ky është gjaku i besëlidhjes që Perëndia ju ka urdhëruar të respektoni.»+ 21  Po njësoj, spërkati me gjak tendën dhe të gjitha enët e shërbimit të shenjtë.*+ 22  Po, sipas Ligjit, thuajse të gjitha gjërat pastrohen me gjak+ dhe, nëse nuk derdhet gjak, nuk ka falje.+ 23  Kështu, ishte e nevojshme që gjërat që pasqyronin+ realitetet qiellore, të pastroheshin me anë të flijimeve në kafshë.+ Kurse vetë gjërat qiellore pastrohen me flijime shumë më të mira, 24  sepse Krishti nuk hyri në një vend të shenjtë* të bërë nga duart e njeriut,+ i cili është kopje e realitetit,+ por në vetë qiellin,+ që tani të paraqitet përpara* Perëndisë për ne.+ 25  E këtë nuk e bëri që ta flijojë veten shumë herë, siç hyn vit për vit kryeprifti në vendin e shenjtë*+ me gjak që nuk është i veti. 26  Përndryshe do t’i duhej të vuante shumë herë që nga themelimi i botës. Por ai është shfaqur një herë të vetme tani, në përfundim të këtyre sistemeve,* që të heqë mëkatin duke flijuar veten.+ 27  Sikurse njerëzit i pret vdekja një herë të vetme dhe pas kësaj, gjykimi, 28  kështu edhe Krishti u flijua një herë të vetme për të mbartur mëkatet e shumë vetave.+ Herën e dytë që do të shfaqet, nuk do të vijë për mëkatin,* dhe ata që e kërkojnë me ngulm për shpëtimin e tyre,+ do ta shohin.

Shënime në fund të faqes

Ose «tendë adhurimi; tabernakull».
Ose «vendit të shlyerjes». Shih Fjalorthin, «Kapaku i pajtuesit».
Ose «Më të Shenjtën».
Ose «atij që kryen shërbim të shenjtë».
Fjalë për fjalë «pagëzime të ndryshme».
Ose «Më të Shenjtën».
Fjalë për fjalë «shpërblesë; shpengim». Shih Fjalorthin.
Fjalë për fjalë «mishin».
Fjalë për fjalë «një fryme të përhershme».
Ose «të vdesë flijimi ndërmjetësues».
Fjalë për fjalë «nuk u përurua».
Ose «librin».
Ose «e shërbimit publik».
Ose «Më të Shenjtën».
Fjalë për fjalë «përpara fytyrës».
Ose «Më të Shenjtën».
Ose «të këtyre kohëve». Shih Fjalorthin.
Fjalë për fjalë «do të jetë veçmas mëkatit».