Danieli 2:1-49

  • Mbreti Nabukodonosor shikon një ëndërr që e shqetëson (1-4)

  • Asnjë i mençur nuk është në gjendje të tregojë ëndrrën (5-13)

  • Danieli i kërkon ndihmë Perëndisë (14-18)

  • Lëvdon Perëndinë ngaqë i zbulon të fshehtën (19-23)

  • Danieli i tregon ëndrrën mbretit (24-35)

  • Interpretimi i ëndrrës (36-45)

    • Guri i Mbretërisë do të thërrmojë shëmbëlltyrën (44, 45)

  • Mbreti e nderon Danielin (46-49)

2  Vitin e dytë të mbretërimit të tij, Nabukodonosori pa disa ëndrra, dhe u trazua* aq shumë,+ sa i iku gjumi.  Prandaj mbreti dha urdhër të thirreshin priftërinjtë që merreshin me magji, ndjellësit e frymërave, shtriganët dhe kaldeasit,* që t’i tregonin ç’ëndrra kishte parë; ata erdhën dhe qëndruan para mbretit.+  Pastaj u tha: «Kam parë një ëndërr dhe ndihem* i trazuar, ngaqë dua të di çfarë pashë në ëndërr.»  Kaldeasit iu përgjigjën mbretit në gjuhën aramaike:*+ «Jetofsh përjetë, o mbret! Tregojua ëndrrën shërbëtorëve të tu, dhe ne do të themi interpretimin e saj.»  Mbreti u tha: «Ky është vendimi im i prerë: nëse nuk ma tregoni ëndrrën dhe interpretimin e saj, do të gjymtoheni, kurse shtëpitë tuaja do të kthehen në nevojtore publike.*  Por, nëse do të më tregoni ëndrrën dhe interpretimin e saj, do t’ju jap dhurata, do t’ju shpërblej mirë e do t’ju nderoj shumë.+ Prandaj më tregoni ëndrrën dhe interpretimin e saj.»  Ata i thanë për herë të dytë: «Le t’ua tregojë mbreti ëndrrën shërbëtorëve të tij, dhe ne do të themi interpretimin e saj.»  Mbreti ua ktheu: «Unë e di fare mirë se po përpiqeni të fitoni kohë, ngaqë e keni kuptuar cili është vendimi im i prerë.  Nëse nuk ma tregoni ëndrrën, të gjithëve ju pret i njëjti ndëshkim. Por ju keni rënë dakord të më gënjeni e të më mashtroni me shpresë se mos ndërroj mendje. Prandaj ma tregoni ëndrrën, e kështu do të kuptoj se mund të më shpjegoni interpretimin e saj.» 10  Kaldeasit iu përgjigjën mbretit: «S’ka njeri në tokë që të jetë në gjendje të bëjë këtë që kërkon mbreti. Në fakt, asnjë mbret i madh a guvernator nuk ka kërkuar një gjë të tillë nga ndonjë prift që merret me magji, nga ndonjë ndjellës frymërash a kaldeas. 11  Kjo që po kërkon mbreti është e vështirë dhe s’ka njeri që të mund t’ia tregojë mbretit, përveç perëndive, të cilat nuk banojnë mes vdekatarëve.»* 12  Atëherë mbretit iu ndez një zemërim i zjarrtë e dha urdhër të vriteshin gjithë të mençurit e Babilonisë.+ 13  Prandaj, me të dalë urdhri, ata po bëheshin gati të vritnin të mençurit, e ndërkohë kërkonin edhe Danielin me shokët e tij që t’i vritnin. 14  Kështu, me maturi e me kujdes, Danieli foli me Ariokun, kreun e truprojës së mbretit, i cili kishte dalë të vriste të mençurit e Babilonisë. 15  Ai e pyeti Ariokun, oficerin e mbretit: «Pse ka nxjerrë mbreti një urdhër kaq të ashpër?» Atëherë Arioku i tregoi Danielit si ishte puna.+ 16  Prandaj, Danieli shkoi dhe i kërkoi mbretit t’i jepte kohë, që t’i thoshte interpretimin. 17  Pastaj shkoi në shtëpi dhe u tregoi gjithçka shokëve të tij, Hananiahut, Mishaelit dhe Azariahut. 18  Ai u kërkoi që t’i luteshin për mëshirë Perëndisë së qiellit për këtë të fshehtë, që Danieli dhe shokët e tij, bashkë me burrat e tjerë të mençur të Babilonisë, të mos vriteshin. 19  Kështu e fshehta iu zbulua Danielit në një vegim,* natën.+ Prandaj ai lëvdoi Perëndinë e qiellit. 20  Danieli tha: «Lëvduar qoftë emri i Perëndisë për gjithë përjetësinë,*sepse vetëm atij i përkasin mençuria dhe fuqia!+ 21  Ai ndryshon kohët dhe stinët,+heq një mbret e vë një tjetër,+u jep mençuri të mençurve e njohuri njerëzve me aftësi dalluese.+ 22  Ai zbulon gjërat e thella dhe gjërat e fshehura,+di çfarë ka në errësirë,+ sepse me të banon drita.+ 23  Ty, o Perëndi i paraardhësve të mi, të falënderoj dhe të lëvdoj,sepse më ke dhënë mençuri dhe fuqi! E tani më bëre të njohur atë që të kërkuam;na bëre të njohur çështjen që e shqetësonte mbretin.»+ 24  Pastaj Danieli shkoi tek Arioku, të cilin mbreti e kishte caktuar të vriste të mençurit e Babilonisë,+ dhe i tha: «Mos vrit asnjë nga të mençurit e Babilonisë. Më ço te mbreti dhe unë do t’i them interpretimin e ëndrrës.» 25  Arioku e çoi me nxitim Danielin te mbreti dhe i tha: «Kam gjetur një njeri nga të mërguarit e Judës,+ i cili mund t’ia tregojë interpretimin mbretit.» 26  Mbreti i tha Danielit, emri i të cilit ishte Belteshazar:+ «Vërtet mund të ma tregosh ëndrrën që pashë dhe interpretimin e saj?»+ 27  Danieli iu përgjigj mbretit: «Asnjë nga burrat e mençur, ndjellësit e frymërave, priftërinjtë që merren me magji dhe astrologët nuk mund t’ia tregojnë mbretit të fshehtën që po kërkon.+ 28  Por ka një Perëndi në qiej që është Zbulues i të fshehtave+ dhe ai ia ka bërë të njohur mbretit Nabukodonosor çfarë do të ndodhë në ditët e fundit. Kjo është ëndrra dhe vegimet që pe ndërsa ishe në gjumë:* 29  Ndërsa ishe në shtrat, o mbret, ty të erdhën mendime për atë që do të ndodhë në të ardhmen, dhe Zbuluesi i të fshehtave të ka bërë të njohur çfarë do të ndodhë. 30  Kjo e fshehtë nuk m’u zbulua mua ngaqë jam më i mençur se gjithë të gjallët. Përkundrazi m’u zbulua që t’ia tregoj interpretimin mbretit, me qëllim që të dish ç’mendime të kaluan nëpër mend.*+ 31  Ndërsa po shihje, o mbret, ty t’u shfaq një shëmbëlltyrë* tejet e madhe. Ajo shëmbëlltyrë e madhe dhe jashtëzakonisht e shndritshme qëndronte përballë teje, dhe pamja e saj ishte e tmerrshme. 32  Koka e shëmbëlltyrës ishte prej ari të kulluar,+ kraharori dhe krahët ishin prej argjendi,+ barku dhe kofshët ishin prej bakri,+ 33  kërcinjtë ishin prej hekuri,+ dhe këmbët nga kyçet e poshtë ishin pjesërisht prej hekuri e pjesërisht prej argjile.*+ 34  Ndërsa po shikoje, një gur u shkëput, pa e prekur kush me dorë, dhe e goditi shëmbëlltyrën në pjesën e këmbëve nga kyçet e poshtë, që ishin prej hekuri e argjile, dhe i thërrmoi.+ 35  Atëherë, hekuri, argjila, bakri, argjendi dhe ari, të gjitha bashkë, u thërrmuan dhe u bënë si byku i lëmit* në verë; era i çoi tutje që të mos gjendej asnjë gjurmë e tyre. Kurse guri që goditi shëmbëlltyrën, u bë një mal i madh dhe mbushi tërë tokën. 36  Kjo është ëndrra, dhe tani do t’i themi mbretit interpretimin e saj. 37  Ti, o mbret​—mbret i mbretërve, që Perëndia i qiellit të dha mbretërinë,+ fuqinë, forcën e lavdinë, 38  që të dha në dorë njerëzit, kudo ku banojnë, si edhe kafshët e fushës dhe zogjtë e qiellit, dhe që të bëri sundimtar mbi të gjitha ato+—​ti vetë je koka prej ari.+ 39  Por pas teje do të ngrihet një mbretëri+ që qëndron më poshtë se jotja; pastaj një mbretëri tjetër, një e tretë, prej bakri, e cila do të sundojë mbi tërë tokën.+ 40  Kurse mbretëria e katërt do të jetë e fortë si hekuri.+ Ashtu si hekuri që thërrmon e bën pluhur e hi çdo gjë, po, si hekuri që copëton, ajo do t’i thërrmojë e do t’i copëtojë të gjitha këto.+ 41  Ashtu siç pe që këmbët nga kyçet e poshtë dhe gishtat e këmbëve ishin pjesërisht prej argjile* e pjesërisht prej hekuri, edhe mbretëria do të jetë e përçarë. Mirëpo do të ketë njëfarë fortësie si hekuri, ashtu siç pe hekurin të përzier me argjilë të butë. 42  Ashtu siç gishtat e këmbëve ishin pjesërisht prej hekuri dhe pjesërisht prej argjile, edhe mbretëria do të jetë pjesërisht e fortë dhe pjesërisht e brishtë. 43  Ashtu siç pe që hekuri ishte përzier me argjilë të butë, edhe disa pjesë të kësaj mbretërie do të përzihen me njerëzit;* por nuk do të ngjiten bashkë, njëra me tjetrën, ashtu si hekuri nuk ngjitet me argjilën. 44  Në ditët e këtyre mbretërve, Perëndia i qiellit do të vendosë një mbretëri+ që nuk do të shkatërrohet kurrë;+ kjo mbretëri nuk do t’i kalojë asnjë populli tjetër.+ Ajo do të thërrmojë e do t’u japë fund të gjitha këtyre mbretërive,+ dhe vetëm ajo do të qëndrojë përgjithmonë,+ 45  njësoj siç pe që nga mali u shkëput një gur, pa e prekur kush me dorë, dhe thërrmoi hekurin, bakrin, argjilën, argjendin dhe arin.+ Perëndia i Madh i ka bërë të njohur mbretit çfarë do të ndodhë në të ardhmen.+ Ëndrra është e vërtetë dhe interpretimi i saj është i besueshëm.» 46  Atëherë mbreti Nabukodonosor u përkul me fytyrë përtokë para Danielit, i bëri nderime e dha urdhër t’i jepnin një dhuratë e të digjnin temjan për të. 47  Mbreti i tha Danielit: «Vërtet, Perëndia juaj është Perëndi i perëndive, Zot i mbretërve dhe Zbulues i të fshehtave, përderisa ti ishe në gjendje ta zbuloje këtë të fshehtë.»+ 48  Pastaj mbreti e ngriti në pozitë Danielin, i dha shumë dhurata të çmueshme dhe e bëri sundimtar mbi gjithë provincën e Babilonisë+ e kryeprefekt të të gjithë të mençurve të Babilonisë. 49  E me kërkesë të Danielit, mbreti emëroi Shadrakun, Meshakun dhe Abednegon+ në krye të administratës së provincës së Babilonisë, kurse Danieli shërbeu në oborrin e mbretit.

Shënime në fund të faqes

Fjalë për fjalë «fryma e tij u trazua».
Domethënë, një grup i zotë për astrologjinë dhe hedhjen e fallit.
Fjalë për fjalë «fryma ime është».
Dn 2:4b deri te 7:28 u shkrua në fillim në aramaisht.
Një mundësi tjetër «vend plehrash; pirg bajgash».
Fjalë për fjalë «me mishin».
Ose «jetë e mot».
Fjalë për fjalë «në shtrat».
Fjalë për fjalë «zemër».
Ose «statujë».
Ose «prej argjile të pjekur (të modeluar)».
Fjalë për fjalë «prej argjile poçari».
Ose «pasardhësit e njerëzve», pra, njerëzit e thjeshtë.