Letra e dytë drejtuar Timoteut 1:1-18

  • Përshëndetje (1, 2)

  • Pavli falënderon Perëndinë për besimin e Timoteut (3-5)

  • Mbaje të ndezur si zjarr dhuratën e Perëndisë (6-11)

  • Vazhdo t’u përmbahesh fjalëve të dobishme (12-14)

  • Armiqtë dhe miqtë e Pavlit (15-18)

1  Pavli, apostull i Krishtit Jezu falë vullnetit të Perëndisë, në përputhje me premtimin e jetës që vjen përmes Krishtit Jezu,+  drejtuar Timoteut, një biri të dashur:+ Mirësia e pamerituar,* mëshira dhe paqja nga Perëndia, Ati, si edhe nga Krishti Jezu, Zotëria ynë, qofshin me ty!  I jam mirënjohës Perëndisë, të cilit po i bëj shërbim të shenjtë si paraardhësit e mi dhe me ndërgjegje të pastër, ndërsa të kujtoj pa pushim në përgjërimet e mia natë e ditë.  Sa herë kujtoj lotët e tu, më pushton malli që të të shoh e të më mbushet zemra me gëzim,  sepse sjell ndër mend besimin tënd pa hipokrizi,+ që në fillim e kishte gjyshja jote Loida dhe nëna jote Eunika, e që jam i sigurt se e ke edhe ti.  Për këtë arsye të kujtoj ta mbash të ndezur si zjarr dhuratën e Perëndisë, e cila t’u dha kur vura duart mbi ty,*+  sepse Perëndia nuk na dha frymën e frikacakëve,+ por të fuqisë,+ të dashurisë dhe të mendjes së shëndoshë.  Prandaj, të mos të vijë turp as nga dëshmia për Zotërinë tonë,+ as nga unë, i burgosur për hir të tij, por ji gati të vuash edhe ti+ për lajmin e mirë, duke u mbështetur te fuqia e Perëndisë.+  Ai na shpëtoi dhe na thirri me një thirrje të shenjtë,+ jo falë veprave tona, por falë qëllimit dhe mirësisë së tij të pamerituar.+ Kjo mirësi na u dha shumë kohë më parë nëpërmjet Krishtit Jezu, 10  por tani është bërë qartësisht e dukshme nëpërmjet shfaqjes së Shpëtimtarit tonë, Krishtit Jezu,+ i cili ka shfuqizuar vdekjen+ dhe na ka treguar nëpërmjet lajmit të mirë+ si të kemi jetë+ e një trup që nuk shkatërrohet.+ 11  E për këtë lajm unë u emërova predikues, apostull dhe mësues.+ 12  Pikërisht për këtë arsye po i vuaj këto gjëra,+ por nuk më vjen turp,+ sepse e njoh Perëndinë* të cilit i kam besuar dhe jam i sigurt se ai është në gjendje ta ruajë atë që i kam lënë nën kujdes deri në ditën e caktuar.+ 13  Vazhdo t’i përmbahesh modelit* të fjalëve të dobishme*+ që dëgjove nga unë, ndërsa tregon atë besim e dashuri që vjen kur je në unitet me Krishtin Jezu. 14  Këtë gjë të shkëlqyer që të është besuar, ruaje nëpërmjet frymës së shenjtë që është te ne.+ 15  Ti e di se të gjithë njerëzit në provincën e Azisë+ më kanë kthyer krahët, ndër ta edhe Figeli e Hermogeni. 16  Zotëria u dhëntë mëshirë atyre të shtëpisë së Onesiforit,+ sepse ai më ka sjellë shpeshherë freskim dhe nuk i ka ardhur turp për vargonjtë e mi. 17  Përkundrazi, kur ishte në Romë, më kërkoi me ngulm dhe më gjeti. 18  Zotëria Jehova* i dhëntë mëshirë ditën e caktuar! E ti e di fare mirë sa shumë më shërbeu kur isha në Efes.

Shënime në fund të faqes

Ose «Dashamirësia e pamerituar». Shih Fjalorthin.
Shih Fjalorthin, «Vënia e duarve».
Fjalë për fjalë «Atë».
Ose «standardit».
Fjalë për fjalë «të shëndosha».