Letra e dytë drejtuar Timoteut 3:1-17

  • Kohë kritike në ditët e fundit (1-7)

  • Të ndjekim hap pas hapi shembullin e Pavlit (8-13)

  • «Vazhdo në gjërat që mësove» (14-17)

    • I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia (16)

3  Por dije se në ditët e fundit do të ketë kohë kritike,+ të vështira për t’u përballuar. 2  Njerëzit do të jenë të dashuruar me veten,* lakmues parash,* mburravecë, fodullë, blasfemues,* të pabindur ndaj prindërve, mosmirënjohës, të pabesë, 3  pa përzemërsi të natyrshme, nuk do të jenë të gatshëm për asnjë marrëveshje, shpifës, pa vetëkontroll, të egër, pa dashuri për mirësinë, 4  tradhtarë, kokëkrisur, të krekosur, që duan kënaqësitë dhe jo Perëndinë, 5  që duket sikur janë të përkushtuar ndaj Perëndisë, por fuqia e këtij përkushtimi nuk ndikon në jetën e tyre.+ Nga këta largohu. 6  Nga mesi i këtyre dalin ata njerëz që futen dhelpërisht nëpër familje dhe bëjnë për vete gra të dobëta, të ngarkuara me mëkate, që e lënë veten në dorë të dëshirave të ndryshme, 7  të cilat mësojnë vazhdimisht, e prapëseprapë nuk janë kurrë në gjendje të fitojnë njohurinë e saktë për të vërtetën. 8  Ashtu si Janesi dhe Jambresi iu kundërvunë Moisiut, edhe këta vazhdojnë t’i kundërvihen së vërtetës. Këta janë njerëz me mendje krejt të korruptuar dhe të pamiratuar për sa i përket besimit. 9  Sidoqoftë, ata nuk do t’ia dalin mbanë, sepse marrëzia e tyre* do të duket fare qartë për të gjithë, si në rastin e atyre dy njerëzve.+ 10  Kurse ti ke ndjekur hap pas hapi mësimin tim, mënyrën time të të jetuarit,+ qëllimin tim, besimin tim, durimin tim, dashurinë time, qëndrueshmërinë time, 11  përndjekjet dhe vuajtjet e mia, si ato që hoqa në Antioki,+ në Ikoni+ e në Listër.+ U bëra ballë këtyre përndjekjeve, e Zotëria më çliroi nga të gjitha.+ 12  Në të vërtetë, të gjithë ata që dëshirojnë të jetojnë me përkushtim ndaj Perëndisë* në unitet me Krishtin Jezu, do të përndiqen.+ 13  Kurse njerëzit e ligj dhe mashtrues do të shkojnë keq e më keq, duke mashtruar të tjerët e duke u mashtruar edhe vetë.+ 14  Mirëpo ti vazhdo në gjërat që mësove dhe u binde të besoje,+ duke ditur se prej kujt i mësove 15  dhe se që nga foshnjëria+ i ke njohur shkrimet e shenjta,+ të cilat janë në gjendje të të bëjnë të mençur e të sjellin shpëtimin nëpërmjet besimit në Krishtin Jezu.+ 16  I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia+ dhe i dobishëm për të mësuar,+ për të korrigjuar, për të ndrequr* dhe për të disiplinuar* në drejtësi,+ 17  që njeriu i Perëndisë të jetë krejtësisht i zoti, plotësisht i pajisur për çdo vepër të mirë.

Shënimet

Ose «egoistë».
Ose «të dashuruar pas parave».
Ose «budallallëku i tyre».
Ose «përkushtim hyjnor». Shih Fjalorthin.
Ose «për të vënë gjërat në vijë».