Sipas Markut 11:1-33

  • Hyrja triumfuese e Jezuit në Jerusalem (1-11)

  • Mallkohet fiku (12-14)

  • Jezui pastron tempullin (15-18)

  • Mësim nga fiku i tharë (19-26)

  • Sfidohet autoriteti i Jezuit (27-33)

11  Tani po i afroheshin Jerusalemit dhe, kur mbërritën afër Betfagës e Betanisë,+ në Malin e Ullinjve, ai dërgoi dy nga dishepujt e tij+ 2  dhe u tha: «Shkoni në fshatin përballë dhe, sapo të hyni atje, do të gjeni një kërriç të lidhur, mbi të cilin nuk ka hipur ende njeri. Zgjidheni dhe silleni. 3  Nëse dikush ju pyet: ‘Pse po e zgjidhni kërriçin?’, i thoni: ‘I duhet Zotërisë, por do ta kthejë shpejt.’» 4  Kështu ata ikën, e gjetën kërriçin të lidhur jashtë te dera, në anë të rrugës, dhe e zgjidhën.+ 5  Por disa njerëz që po rrinin atje, i pyetën: «Ç’po bëni? Pse po e zgjidhni kërriçin?» 6  Dishepujt iu përgjigjën ashtu siç u kishte thënë Jezui, dhe ata i lanë të iknin. 7  Atëherë ia çuan kërriçin+ Jezuit, vunë mbi të mantelet e tyre, dhe ai hipi në të.+ 8  Gjithashtu shumë veta shtruan mantelet në rrugë, kurse të tjerë shtruan degët me gjethe që kishin prerë fushave.+ 9  Edhe ata që ecnin përpara, edhe ata që vinin pas, brohoritnin: «Shpëtoje, të lutemi!*+ I bekuar është ai që vjen në emër të Jehovait!*+ 10  E bekuar është Mbretëria që po vjen, e atit tonë David!+ Shpëtoje, të lutemi ty atje lart në qiell!» 11  Ai hyri në Jerusalem dhe shkoi në tempull; hodhi sytë rreth e rrotull, por, meqë ishte bërë vonë, iku në Betani bashkë me të Dymbëdhjetët.+ 12  Të nesërmen, kur po iknin nga Betania, Jezuin e mori uria.+ 13  Nga larg vuri re një fik që kishte gjethe, edhe pse nuk ishte stina e fiqve. Prandaj shkoi të shihte se mos gjente gjë, por, kur iu afrua, nuk gjeti gjë veç gjetheve. 14  Ja pse tha: «Mos ngrëntë njeri kurrë më fryt prej teje!»+ Dishepujt po e dëgjonin. 15  Kështu mbërritën në Jerusalem. Ai hyri në tempull, filloi të flakte jashtë njerëzit që shitnin e blinin atje, përmbysi tryezat e këmbyesve të parave dhe stolat e atyre që shitnin pëllumba,+ 16  dhe nuk lejoi askënd të mbartte ndonjë pajisje përmes tempullit. 17  Ai po i mësonte dhe po u thoshte: «A nuk është shkruar: ‘Shtëpia ime do të quhet shtëpi lutjesh për të gjitha kombet.’+ Kurse ju e keni bërë shpellë kusarësh.»+ 18  Krerët e priftërinjve me skribët e dëgjuan këtë dhe filluan të kërkonin ndonjë mënyrë si ta vritnin;+ faktikisht kishin frikë nga ai, ngaqë e gjithë turma mahnitej me mësimet e tij.+ 19  Në mbrëmje, Jezui dhe dishepujt dolën nga qyteti. 20  Pastaj, kur zbardhi dita, ndërsa po ecnin, panë që fiku tashmë ishte tharë që nga rrënjët.+ 21  Pjetrit iu kujtua dhe i tha: «Rabi, shiko! Fiku që mallkove, është tharë.»+ 22  Jezui u përgjigj: «Kini besim te Perëndia. 23  Vërtet po ju them se kushdo që i thotë këtij mali: ‘Ngrihu dhe hidhu në det’ e s’ka pikë dyshimi në zemër, por ka besim se ajo që thotë, do të ndodhë, ashtu do të bëhet.+ 24  Prandaj po ju them: për gjithçka që luteni dhe kërkoni, kini besim sikur ta keni marrë tashmë, dhe do ta merrni.+ 25  E, kur luteni në këmbë, nëse keni diçka kundër dikujt, faleni, që edhe Ati juaj që është në qiej, t’ju falë shkeljet.»*+ 26  *—— 27  Ata vajtën përsëri në Jerusalem. Ndërsa ai ecte në tempull, krerët e priftërinjve, skribët dhe pleqtë iu afruan 28  dhe nisën ta pyetnin: «Me ç’autoritet i bën këto gjëra? E kush ta dha këtë autoritet?»+ 29  Jezui iu përgjigj: «Do t’ju bëj vetëm një pyetje. Po m’u përgjigjët, edhe unë do t’ju them me ç’autoritet i bëj këto gjëra. 30  Pagëzimi që bënte Gjoni,+ ishte nga qielli apo nga njerëzit? M’u përgjigjni.»+ 31  Atëherë ata filluan të arsyetonin me njëri-tjetrin: «Po të themi ‘nga qielli’, do të na thotë: ‘Pse, pra, nuk i besuat?’ 32  Por, a guxojmë të themi ‘nga njerëzit’?» Ata kishin frikë nga turma, sepse të gjithë mendonin se Gjoni kishte qenë vërtet profet.+ 33  Prandaj iu përgjigjën Jezuit: «Nuk e dimë.» Edhe Jezui u tha: «As unë nuk ju them me ç’autoritet i bëj këto gjëra.»

Shënimet

Greqisht hosanna. Një kërkesë drejtuar Perëndisë për të sjellë shpëtim, që përdoret edhe si shprehje gëzimi.
Ose «fajet».