Malakia 3:1-18

  • Zotëria i vërtetë vjen për të pastruar tempullin e tij (1-5)

    • Lajmëtari i besëlidhjes (1)

  • Inkurajim për t’u kthyer te Jehovai (6-12)

    • Jehovai nuk ndryshon (6)

    • «Kthehuni tek unë, dhe unë do të kthehem te ju» (7)

    • ‘Sillni gjithë të dhjetat, dhe Jehovai do t’ju derdhë bekime’ (10)

  • I drejti dhe i ligu (13-18)

    • Një libër kujtimi shkruhet para Perëndisë (16)

    • Dallimi mes të drejtit dhe të ligut (18)

3  «Ja, unë po dërgoj lajmëtarin tim dhe ai do të përgatitë* përpara meje një udhë.+ Befas në tempullin tim*+ do të vijë Zotëria i vërtetë,* që ju po e kërkoni, dhe lajmëtari i besëlidhjes me të cilin kënaqeni. Ja, do të vijë me siguri,​—thotë Jehovai i ushtrive.» 2  «Por, kush mund t’i bëjë ballë në ditën e ardhjes së tij dhe kush mund të qëndrojë në këmbë kur të shfaqet ai? Se ai do të jetë si zjarri i rafinuesit dhe si finja*+ e rrobalarësit. 3  Ai do të ulet si rafinues e si pastrues i argjendit+ dhe do të pastrojë bijtë e Levit. Do t’i rafinojë* si arin dhe argjendin, e me siguri do të bëhen për Jehovain një popull që paraqit blatim me drejtësi. 4  Blatimi i Judës dhe i Jerusalemit ka për t’i pëlqyer Jehovait, si në ditët e shkuara, si në vitet e lashtësisë.»+ 5  «Unë do të vij për t’ju gjykuar dhe do të dëshmoj pa vonesë kundër magjistarëve,+ kundër kurorëshkelësve,* kundër atyre që bëjnë be të rreme,+ kundër atyre që zhvatin pagën e punëtorit,+ vejushën e jetimin*+ dhe kundër atyre që nuk pranojnë të ndihmojnë të ardhurin.*+ Këta nuk më kanë nderuar thellësisht,*​—thotë Jehovai i ushtrive. 6  Se unë jam Jehovai dhe unë nuk ndryshoj.*+ Ju jeni bij të Jakobit, prandaj s’jeni shfarosur ende. 7  Që nga ditët e paraardhësve tuaj jeni larguar nga rregullat e mia dhe nuk i keni zbatuar.+ Kthehuni tek unë, dhe unë do të kthehem te ju,+​—thotë Jehovai i ushtrive.» Por ju pyesni: «E si të kthehemi?» 8  «A do ta grabiste njeriu Perëndinë? Kurse ju po më grabitni.» Dhe thoni: «Çfarë të kemi grabitur?» «Të dhjetat* dhe kontributet. 9  Pa dyshim, jeni të mallkuar* ngaqë më grabitni​—po, krejt kombi po më grabit. 10  Sillni gjithë të dhjetat në depo,+ që të ketë ushqim në shtëpinë time. Pastaj, ju lutem, më vini në provë+ për këtë,​—thotë Jehovai i ushtrive,—​dhe shihni po s’ju hapa portat e qiejve+ e po s’ju derdha një bekim të tillë, sa të mos keni më nevojë.+ 11  Do të qortoj për ju gllabëruesin* e ai nuk do t’jua prishë frytin e tokës dhe hardhia e fushës nuk do të jetë e pafrytshme,+​—thotë Jehovai i ushtrive. 12  Të gjitha kombet kanë për t’ju quajtur të lumtur,+ sepse do të bëheni një vend kënaqësie,​—thotë Jehovai i ushtrive. 13  Keni thënë fjalë të forta kundër meje,​—thotë Jehovai i ushtrive.» Ju thoni: «Si kemi folur me njëri-tjetrin kundër teje?»+ 14  «Thoni: ‘S’ia vlen t’i shërbesh Perëndisë.+ Ç’kemi fituar që i përmbushëm detyrimet që kemi ndaj tij dhe ecëm me fytyra të ngrysura para Jehovait të ushtrive? 15  Prandaj i konsiderojmë të lumtur ata që i kalojnë caqet me arrogancë. Edhe ata që s’heqin dorë nga ligësia kanë sukses.+ Ata guxojnë ta vënë në provë Perëndinë dhe dalin pa u lagur.’» 16  Në atë kohë, ata që e nderonin thellësisht Jehovain,* flitnin me njëri-tjetrin, secili me shokun e tij. Jehovai u kushtonte vëmendje dhe i dëgjonte. Një libër kujtimi u shkrua para tij+ për ata që e nderojnë thellësisht Jehovain dhe për ata që meditojnë për* emrin e tij.+ 17  «Ata do të jenë të mitë,+​—thotë Jehovai i ushtrive,—​ditën kur t’i bëj pronën time të veçantë.*+ Unë do t’u tregoj dhembshuri, ashtu sikurse një njeri i tregon dhembshuri të birit që i shërben.+ 18  Atëherë do ta shihni përsëri dallimin mes të drejtit dhe të ligut,+ mes atij që i shërben Perëndisë dhe atij që nuk i shërben.

Shënimet

^ Shprehja i referohet Jehovait të ushtrive.
^ Fjalë për fjalë «e Tij».
^ Ose «do të hapë».
^ Ose «sapuni».
^ Ose «Do t’i kullojë».
^ Fjalë për fjalë «nuk më janë frikësuar». Shih Fjalorthin, «Frika nga Perëndia».
^ Ose «që ia mohojnë të drejtat të ardhurit».
^ Ose «fëmijën pa baba».
^ Ose «kundër atyre që kryejnë tradhti bashkëshortore».
^ Ose «nuk kam ndryshuar».
^ Një mundësi tjetër «Me një mallkim po më mallkoni».
^ Me sa duket u referohet tufave të insekteve.
^ Fjalë për fjalë «që i frikësoheshin Jehovait». Shih Fjalorthin.
^ Ose «mendojnë thellë për». Një mundësi tjetër «e çmojnë».
^ Ose «zotërimin tim të çmuar».