Malakia 2:1-17

  • Priftërinjtë nuk e mësojnë popullin siç duhet (1-9)

    • Buzët e priftit duhet ta ruajnë njohurinë (7)

  • Populli është fajtor për divorce të padrejta (10-17)

    • «‘Unë e urrej divorcin’,—thotë Jehovai» (16)

2  «Tani, o priftërinj, ky urdhërim është për ju.+ 2  Po të mos dëgjoni dhe po të mos e lëvdoni me gjithë zemër emrin tim,​—thotë Jehovai i ushtrive,—​do të dërgoj mbi ju mallkimin+ dhe do t’i kthej bekimet tuaja në mallkime.+ Po, i kam kthyer bekimet në mallkime, sepse nuk po e lëvdoni me gjithë zemër emrin tim. 3  Ja, për shkakun tuaj do ta prish* farën që keni mbjellë+ dhe do t’ju hedh bajgë mbi fytyrë, bajgën e festave tuaja; dhe do t’ju heqin bashkë me to.* 4  Atëherë do ta kuptoni se jua kam dhënë këtë urdhërim me qëllim që besëlidhja ime me Levin të vazhdojë,+​—thotë Jehovai i ushtrive. 5  Besëlidhja ime me të ishte një besëlidhje jete e paqeje, të cilën ia dhashë që të më nderonte thellësisht.* Ai më nderonte, po, kishte respekt të thellë për emrin tim. 6  Ligji* i së vërtetës ishte në gojën e tij+ dhe në buzët e tij nuk gjendej asnjë padrejtësi. Eci me mua në paqe e në drejtësi+ dhe ktheu nga rruga e keqe shumë veta, 7  sepse buzët e priftit duhet ta ruajnë njohurinë dhe populli duhet ta kërkojë ligjin* nga goja e tij,+ pasi ai është lajmëtari i Jehovait të ushtrive. 8  Por ju vetë jeni larguar nga udha. Keni bërë që shumë veta të largohen* nga ligji.*+ E keni prishur besëlidhjen e Levit,+​—thotë Jehovai i ushtrive.—​ 9  Prandaj do t’ju bëj të përbuzur dhe do t’ju poshtëroj para gjithë popullit, ngaqë nuk ndoqët udhët e mia, por e zbatuat ligjin me anshmëri.»+ 10  «A nuk kemi të gjithë një atë të vetëm?+ A nuk na ka krijuar një Perëndi i vetëm? Pse, pra, tregohemi të pabesë me njëri-tjetrin,+ duke përdhosur besëlidhjen e paraardhësve tanë? 11  Populli i Judës është treguar i pabesë, dhe një gjë e neveritshme është kryer në Izrael e në Jerusalem; sepse populli i Judës e ka përdhosur shenjtërinë* e Jehovait,+ që Ai e do, dhe ata kanë marrë për nuse bijat e një perëndie të huaj.+ 12  Jehovai do të shfarosë nga tendat e Jakobit këdo që bën kështu, cilido qoftë,* ndonëse i paraqet një blatim Jehovait të ushtrive.»+ 13  «Bëni edhe një gjë tjetër* nga e cila altari i Jehovait mbulohet me lot, me të qara e psherëtima, aq sa ai nuk u kushton më vëmendje blatimeve tuaja dhe nuk miraton asgjë nga duart tuaja.+ 14  Ju thoni: ‘Për ç’arsye?’ Ngaqë Jehovai ka qenë dëshmitar mes teje dhe gruas së rinisë sate, me të cilën ti je treguar i pabesë edhe pse ajo është shoqja jote dhe gruaja me të cilën ke lidhur besën.*+ 15  Megjithatë njëri nuk veproi kështu, sepse kishte atë që mbeti nga fryma e shenjtë e Perëndisë. Dhe çfarë kishte në mendje ai? Pasardhësit* e Perëndisë. Prandaj tregoni kujdes për frymën* tuaj dhe mos jini të pabesë me gruan e rinisë suaj, 16  sepse unë e urrej* divorcin,+​—thotë Jehovai, Perëndia i Izraelit,—​si dhe atë që e mbulon me dhunë rrobën e tij,*​—thotë Jehovai i ushtrive. Tregoni kujdes për frymën* tuaj dhe mos jini të pabesë.+ 17  E keni lodhur Jehovain me fjalët tuaja.+ Por ju pyesni: ‘Si e kemi lodhur?’ Duke thënë: ‘Kushdo që bën keq është i mirë në sytë e Jehovait dhe ai kënaqet me ta’+ ose duke pyetur: ‘Ku është Perëndia i drejtësisë?’»

Shënimet

^ Fjalë për fjalë «do ta qortoj».
^ Domethënë, bashkë me bajgat e kafshëve të flijimeve.
^ Fjalë për fjalë «të më frikësohej». Shih Fjalorthin, «Frika nga Perëndia».
^ Ose «Udhëzimi».
^ Ose «udhëzimin».
^ Fjalë për fjalë «të pengohen».
^ Një mundësi tjetër «nga udhëzimi yt».
^ Një mundësi tjetër «shenjtëroren».
^ Fjalë për fjalë «atë që është zgjuar dhe atë që përgjigjet».
^ Fjalë për fjalë «të dytë».
^ Ose «gruaja jote e ligjshme».
^ Fjalë për fjalë «Farën».
^ Fjalë për fjalë «ai e urren».
^ Ose «atë që ushtron dhunë».