Jonai 1:1-17

  • Jonai përpiqet t’ia mbathë larg Jehovait (1-3)

  • Jehovai shkakton një furtunë të madhe (4-6)

  • Jonai, shkaku i telasheve (7-13)

  • Jonain e hedhin në detin e stuhishëm (14-16)

  • Jonain e gëlltit një peshk i stërmadh (17)

1  Fjala e Jehovait iu drejtua Jonait,*+ birit të Amitait: 2  «Ngrihu, shko në Ninevi,+ në qytetin e madh, dhe shpall gjykimin kundër tyre, sepse e kam vënë re ligësinë e tyre.» 3  Por Jonai u ngrit që t’ia mbathte në Tarshish, larg Jehovait; zbriti në Jopë dhe gjeti një anije që shkonte atje. Pagoi çmimin e udhëtimit dhe hipi në anije që të shkonte me ta në Tarshish, larg Jehovait. 4  Atëherë Jehovai ngriti një erë të fortë dhe një furtunë kaq të madhe në det, sa anija gati sa s’u shkatërrua. 5  Marinarët u frikësuan kaq shumë, sa filluan secili të thërriste perëndinë e vet për ndihmë dhe nisën të hidhnin në det ngarkesën e anijes, që ta lehtësonin.+ Kurse Jonai ishte strukur në fund të anijes,* ku ishte shtrirë e po bënte një gjumë të rëndë. 6  Kapiteni i anijes iu afrua dhe i tha: «Ç’bën more gjumash? Ngrihu dhe thirri perëndisë tënd! Ndoshta Perëndia i vërtetë do të na tregojë mëshirë, dhe ne nuk vdesim.»+ 7  Pastaj i thanë njëri-tjetrit: «Hajdeni të hedhim short+ që të marrim vesh nga na vjen kjo e keqe.» Hodhën short, dhe shorti i ra Jonait.+ 8  Prandaj i thanë: «Të lutemi, na thuaj, nga kush na vjen kjo e keqe? Ç’punë bën dhe nga vjen? Nga ç’vend je dhe prej cilit popull?» 9  Ai u tha: «Jam hebre dhe adhuroj* Jehovain, Perëndinë e qiejve, Atë që bëri detin dhe tokën.» 10  Atëherë ata burra u trembën edhe më shumë dhe i thanë: «Ç’na bëre kështu?!» (Ata e kishin marrë vesh që ai po ia mbathte larg Jehovait, ngaqë ai vetë ua kishte thënë.) 11  Pastaj i thanë: «Ç’duhet të bëjmë me ty që deti të qetësohet?», sepse deti po bëhej edhe më i stuhishëm. 12  Ai u tha: «Më merrni dhe më hidhni në det, dhe deti do të qetësohet; sepse e di mirë që kjo furtunë e madhe erdhi kundër jush për shkakun tim.» 13  Por ata vozitnin fort* që ta çonin anijen në tokë të thatë. Megjithatë nuk mundën, sepse deti po bëhej edhe më i stuhishëm. 14  Kështu i thirrën Jehovait dhe i thanë: «O Jehova, të lutemi, mos lejo të vdesim ne për shkak të këtij njeriu! Mos na ngarko me gjak të pafajshëm, o Jehova, sepse e gjithë kjo po ndodh falë vullnetit tënd.» 15  Pastaj e morën Jonain dhe e hodhën në det; kështu detit iu fashit tërbimi. 16  Atëherë, ata burra patën shumë frikë nga Jehovai,+ prandaj i bënë një flijim Jehovait dhe u zotuan para tij. 17  Ndërkaq, Jehovai dërgoi një peshk të stërmadh që ta gëlltiste Jonain, dhe Jonai qëndroi në barkun e peshkut tri ditë e tri net.+

Shënimet

Do të thotë «pëllumb».
Ose «të anijes me kuvertë».
Ose «i frikësohem». Shih Fjalorthin, «Frika nga Perëndia».
Ose «përpiqeshin të çanin përmes detit».