Libri i dytë i Samuelit 3:1-39

  • Shtëpia e Davidit bëhet më e fortë (1)

  • Djemtë e Davidit (2-5)

  • Abneri kalon në anën e Davidit (6-21)

  • Joabi vret Abnerin (22-30)

  • Davidi vajton për Abnerin (31-39)

3  Lufta mes shtëpisë së Saulit dhe shtëpisë së Davidit zgjati shumë. Davidi bëhej gjithnjë e më i fortë,+ kurse shtëpia e Saulit dobësohej gjithnjë e më shumë.+  Ndërkohë Davidit i lindën disa bij në Hebron.+ I parëlinduri i tij ishte Amnoni+ nga jezrelitja Ahinoam,+  i dyti ishte Kileabi nga Abigaila,+ vejusha e karmelitit Nabal, i treti ishte Absalomi,+ biri i Makahës, bijës së Talmait,+ mbretit të Geshurit,  i katërti ishte Adonijahu,+ biri i Hagitës, i pesti ishte Shefatiahu, biri i Abitalës,  i gjashti ishte Ithreami nga Egla, gruaja e Davidit. Këta ishin djemtë që i lindën Davidit në Hebron.  Ndërsa vazhdonte lufta mes shtëpisë së Saulit dhe shtëpisë së Davidit, Abneri+ forconte gjithnjë e më shumë pozitën e tij në shtëpinë e Saulit.  Tani, Sauli kishte pasur një konkubinë* që quhej Rizpa,+ bijë e Ajahut. Një ditë, Ish-Boshethi+ i tha Abnerit: «Pse pate marrëdhënie me konkubinën e babait tim?»+  Abneri u zemërua shumë nga fjalët e Ish-Boshethit dhe i tha: «Mos jam ndonjë qen* nga Juda unë?! Deri më sot kam treguar dashuri besnike ndaj shtëpisë së Saulit, atit tënd, vëllezërve e miqve të tij, dhe nuk të dorëzova në duart e Davidit. E sot ti më kërkon llogari për gabimin që bëra me një grua?  Perëndia më ndëshkoftë ashpër, në qoftë se nuk bëj për Davidin, ashtu siç iu betua Jehovai:+ 10  do ta kaloj mbretërinë nga shtëpia e Saulit te Davidi, fronin e të cilit do ta vendos në Izrael dhe Judë, nga Dani në Ber-Shebë.»+ 11  Ai nuk mundi t’i thoshte as edhe një fjalë më tepër Abnerit, sepse ia kishte frikën.+ 12  Menjëherë Abneri i dërgoi Davidit lajmëtarë dhe i tha: «Kujt i përket vendi?» Pastaj shtoi: «Bëj një besëlidhje me mua dhe unë do të bëj gjithë sa mundem* për ta kthyer tërë Izraelin në anën tënde.»+ 13  Davidi iu përgjigj: «Mirë! Do ta bëj besëlidhjen me ty, vetëm me një kusht: kur të vish të më takosh, mos më dil para po nuk më solle më parë Mikalën,+ vajzën e Saulit.» 14  Pastaj Davidi i dërgoi lajmëtarë Ish-Boshethit,+ birit të Saulit, dhe i tha: «Më jep gruan time, Mikalën, me të cilën u fejova për 100 lafsha filistinësh.»+ 15  Kështu Ish-Boshethi dërgoi njerëz që ta merrnin nga i shoqi, Paltieli,+ biri i Laishit. 16  Por i shoqi i shkoi nga pas dhe e ndoqi duke qarë deri në Bahurim,+ ku Abneri i tha: «Kthehu!» Atëherë ai u kthye. 17  Ndërkohë Abneri u dërgoi fjalë pleqve të Izraelit dhe u tha: «Ka kohë që doni ta keni Davidin si mbretin tuaj. 18  Tani është koha për të vepruar, sepse Jehovai tha për Davidin: ‘Nëpërmjet dorës së shërbëtorit tim, Davidit,+ do ta shpëtoj popullin tim, Izraelin, nga dora e filistinëve dhe nga dora e gjithë armiqve të tij.’» 19  Pastaj Abneri i foli popullit të Beniaminit.+ Gjithashtu shkoi të fliste veçmas me Davidin në Hebron që t’i tregonte për çfarë kishin rënë dakord Izraeli dhe tërë shtëpia e Beniaminit. 20  Kur Abneri bashkë me 20 burra vajti te Davidi në Hebron, Davidi shtroi një gosti për ta. 21  Pastaj Abneri i tha Davidit: «Zotëria im mbret, më lejo të iki e të mbledh gjithë Izraelin pranë teje, që të bëjnë një besëlidhje me ty, dhe ti ke për t’u bërë mbret mbi gjithçka që dëshiron.»* Prandaj Davidi e la të ikte Abnerin, dhe ai u largua në paqe. 22  Pikërisht në atë kohë, shërbëtorët e Davidit dhe Joabi u kthyen nga një sulm dhe sollën plaçkë me bollëk. Abneri nuk ishte më në Hebron me Davidin, sepse ky e kishte lënë të shkonte në paqe. 23  Kur Joabi+ arriti bashkë me gjithë ushtrinë që kishte me vete, atij i treguan: «Abneri,+ biri i Nerit,+ erdhi te mbreti dhe ai e la të ikte në paqe.» 24  Atëherë Joabi hyri te mbreti dhe i tha: «Ç’bëre kështu? Abneri erdhi te ti, dhe ti e le të ikte pa problem?! 25  Ti e njeh Abnerin, birin e Nerit! Ai erdhi këtu që të ta hedhë, të marrë vesh të gjitha lëvizjet e tua dhe të dijë gjithçka që po bën.» 26  Atëherë Joabi iku nga Davidi dhe dërgoi lajmëtarë pas Abnerit, të cilët e arritën te sterna* e Sirahut dhe e kthyen mbrapsht; por Davidi nuk dinte gjë. 27  Kur Abneri u kthye në Hebron,+ Joabi e mori mënjanë brenda portës së qytetit që të flitnin vetëm për vetëm. Por aty i nguli shpatën në bark, dhe ai vdiq.+ Kështu mori hak për vdekjen* e të vëllait, Asahelit.+ 28  Kur dëgjoi më vonë për këtë, Davidi tha: «Unë dhe mbretëria ime jemi përjetë të pafajshëm para Jehovait për gjakun+ e Abnerit, birit të Nerit. 29  Ky gjak rëntë mbi kokën e Joabit+ dhe mbi tërë shtëpinë e babait të tij! Pastë gjithmonë në shtëpinë e Joabit burra që vuajnë nga rrjedhja,*+ të lebrosur,+ që tjerrin në furkë,* që bien të vdekur nga shpata ose që s’kanë bukë të hanë!»+ 30  Kështu Joabi dhe Abishai,+ vëllai i tij, e vranë Abnerin,+ sepse ai u kishte vrarë të vëllanë, Asahelin, në betejën+ e Gibeonit. 31  Pastaj Davidi i tha Joabit dhe njerëzve që ishin me të: «Shqyeni rrobat, vishuni me copë thesi* dhe vajtoni për Abnerin.» Vetë mbreti David ecte pas vigut* të varrimit. 32  Abnerin e varrosën në Hebron dhe mbreti ia dha të qarit te varri i Abnerit. Mbarë populli shpërtheu në lot. 33  Mbreti ia mori një kënge të përvajshme për Abnerin e tha: «A duhej të vdiste Abneri si vdes një i pamend? 34  Duart e tua nuk u lidhën,këmbët e tua në vargonj* nuk u vunë. Ti re si ai që bie nga kriminelët.»*+ Atëherë populli qau përsëri për të. 35  Më vonë gjithë populli erdhi që ta bindte Davidin të hante* sa s’kishte mbaruar ende dita, por Davidi u betua: «Perëndia më ndëshkoftë ashpër, nëse ha bukë a gjë tjetër para se të perëndojë dielli!»+ 36  Të gjithë popullit i bëri përshtypje kjo, dhe i pëlqeu. Si çdo gjë që bënte mbreti, edhe kjo i pëlqeu popullit. 37  Kështu atë ditë, mbarë Juda dhe Izraeli e kuptoi se mbreti nuk ishte përgjegjës për vdekjen e Abnerit, birit të Nerit.+ 38  Atëherë mbreti u tha shërbëtorëve të tij: «Nuk e dini vallë se sot në Izrael ka rënë një princ dhe një njeri i madh?+ 39  Edhe pse i mirosur* si mbret,+ sot nuk jam aq i fuqishëm sa t’u kundërvihem këtyre burrave, djemve të Zerujasë,+ sepse janë tepër të dhunshëm.+ Jehovai ia ktheftë atij që bën keq sipas së keqes së vet!»+

Shënime në fund të faqes

Fjalë për fjalë «koka e ndonjë qeni».
Ose «dhe dora ime do të jetë me ty».
Ose «që të dëshiron shpirti».
Domethënë, depoja e nëndheshme për të mbledhur ujë.
Fjalë për fjalë «gjakun».
Ose «nga sekrecione të organit gjinor».
Ndoshta i referohet një burri të gjymtuar që i duhej të bënte punë grash.
Ose «shtratit portativ».
Fjalë për fjalë «në bakër».
Fjalë për fjalë «nga bijtë e padrejtësisë».
Ose «që t’i jepte Davidit bukën e ngushëllimit (e zisë)».