Filipianëve 3:1-21

  • «Nuk e mbështetim sigurinë te gjërat njerëzore» (1-11)

    • Çdo gjë e konsideroj si humbje për hir të Krishtit (7-9)

  • Po synoj drejt qëllimit (12-21)

    • Qytetaria në qiej (20)

3  Së fundi, vëllezërit e mi, vazhdoni të gëzoni në unitet me Zotërinë.+ Nuk më rëndon t’ju shkruaj për të njëjtat gjëra, por kjo është mbrojtje për ju. 2  Ruhuni nga njerëzit e neveritshëm,* ruhuni nga ata që bëjnë të këqija, ruhuni nga ata që gjymtojnë trupin,*+ 3  sepse të rrethprerët e vërtetë jemi ne,+ ne që bëjmë shërbim të shenjtë me anë të frymës së Perëndisë, që krenohemi me Krishtin Jezu+ e që nuk e mbështetim sigurinë te gjërat njerëzore,* 4  edhe pse unë, më shumë se kushdo tjetër, kam arsye të ndihem i sigurt falë këtyre gjërave. Nëse ndonjë tjetër mendon se ka arsye ta mbështetë sigurinë te këto gjëra, unë kam edhe më shumë: 5  i rrethprerë ditën e tetë,+ nga kombi i Izraelit, nga fisi i Beniaminit, hebre i lindur nga hebrenj;+ për sa i përket ligjit, farise;+ 6  për sa i përket zellit, përndjekës i kongregacionit;*+ për sa i përket drejtësisë që bazohet te ligji, njeri që tregoi se ishte i paqortueshëm. 7  Megjithatë, ato që për mua ishin fitim, i kam konsideruar si humbje* për hir të Krishtit.+ 8  Madje, çdo gjë e konsideroj humbje për hir të vlerës së shkëlqyer të njohurisë për Krishtin Jezu, Zotërinë tim. Për hir të tij pranova të humb çdo gjë dhe i konsideroj sikur të jenë shumë plehra,* që të fitoj Krishtin 9  dhe të jem në unitet me të, jo falë drejtësisë sime ngaqë zbatoj ligjin, por falë drejtësisë që vjen nga besimi+ te Krishti,+ drejtësisë që buron nga Perëndia dhe bazohet te besimi.+ 10  Synoj që ta njoh atë dhe fuqinë e ringjalljes së tij,+ si dhe të heq të njëjtat vuajtje si të tijat,+ duke iu nënshtruar një vdekjeje si e tija,+ 11  që, po të jetë e mundur, të jem mes atyre që do të kthehen në jetë në ringjalljen e parë.+ 12  Jo se e kam marrë tashmë çmimin ose jam bërë tashmë i përsosur, por po bëj çmos+ që të marr atë për të cilën më zgjodhi Krishti Jezu.+ 13  Vëllezër, nuk e konsideroj veten sikur tashmë e kam marrë atë, por një gjë është e sigurt: po i harroj gjërat që lashë pas,+ po synoj drejt atyre që kam përpara,+ 14  e po sulem me zjarr drejt qëllimit, që, me anë të Krishtit Jezu, të marr çmimin+ e thirrjes qiellore+ të Perëndisë. 15  Prandaj, të gjithë ne që jemi të pjekur,+ le të kemi këtë prirje mendore, por, nëse prireni të mendoni ndryshe për ndonjë aspekt, Perëndia do t’jua tregojë prirjen e duhur. 16  Sidoqoftë, nga këtu ku kemi përparuar, le të vazhdojmë të ecim me rregull në të njëjtën udhë.* 17  Vëllezër, bëhuni të gjithë së bashku imituesit e mi+ dhe mbajini sytë tek ata që ecin sipas shembullit që ju lamë ne, 18  sepse ka shumë nga ata që unë i përmendja shpesh, por që tani i përmend duke qarë, të cilët ecin si armiq të shtyllës së torturës* të Krishtit. 19  Fundi i tyre është shkatërrimi, perëndia i tyre është barku,* lavdia e tyre është në të vërtetë turpi i tyre dhe mendjen e kanë te gjërat e kësaj bote.+ 20  Kurse ne e kemi qytetarinë+ në qiej,+ dhe prej andej po presim me zjarr një shpëtimtar, Zotërinë Jezu Krisht,+ 21  i cili do ta transformojë trupin tonë të përulur, që të bëhet si trupi i tij i lavdishëm,+ nëpërmjet fuqisë së tij të madhe, me të cilën nënshtron çdo gjë.+

Shënimet

^ Fjalë për fjalë «qentë».
^ Fjalë për fjalë «mishin». Shih Fjalorthin.
^ Fjalë për fjalë «mishi». Shih Fjalorthin.
^ Një mundësi tjetër «i kam braktisur me dëshirë».
^ Ose «mbeturina».
^ Ose «drejtim».
^ Ose «dëshirat e trupit».