Letra e tretë e Gjonit 1:1-14

  • Përshëndetje dhe lutje (1-4)

  • Lavdërim për Gajin (5-8)

  • Diotrefi ambicioz (9, 10)

  • Për Dhimitrin flasin mirë (11, 12)

  • Planifikon t’u shkojë për vizitë; përshëndetje (13, 14)

1  Plaku,* drejtuar Gajit të dashur, të cilin e dua vërtet. 2  I dashur, lutem që të kesh mbarësi në çdo gjë dhe shëndet të mirë, ashtu siç ke mbarësi tani. 3  Vërtet, u gëzova shumë kur vëllezërit erdhën e më treguan për besnikërinë tënde ndaj së vërtetës, e faktikisht ti po vazhdon të ecësh në të vërtetën.+ 4  Më bëhet zemra mal* kur dëgjoj që fëmijët e mi vazhdojnë të ecin në të vërtetën.+ 5  I dashur, ti po tregohesh besnik* në gjithçka që bën për vëllezërit, edhe pse për ty janë të panjohur,+ 6  dhe ata kanë folur për dashurinë tënde para gjithë kongregacionit.* Të lutem, përcilli këta për rrugë siç është e denjë për Perëndinë,+ 7  sepse kanë dalë që të predikojnë për hir të emrit të tij, pa pretenduar asgjë+ nga njerëzit e botës.* 8  Prandaj ne e kemi për detyrë t’i mirëpresim njerëz të tillë,+ që të bëhemi bashkëpunëtorë për të përhapur të vërtetën.+ 9  I shkrova diçka kongregacionit, por Diotrefi, të cilit i pëlqen të jetë i pari mes tyre,+ nuk pranon asgjë nga ne me respekt.+ 10  Prandaj, nëse vij, s’do t’i lë pa përmendur ato që bën ai, duke përhapur fjalë keqdashëse për ne.*+ E sikur të mos i mjaftonte kjo, ai nuk i mirëpret vëllezërit+ me respekt, e madje mundohet të pengojë e të flakë jashtë kongregacionit edhe ata që dëshirojnë t’i mirëpresin. 11  I dashur, mos imito të keqen, por të mirën.+ Kush bën të mirën, vjen nga Perëndia.+ Kush bën të keqen, nuk e ka parë Perëndinë.+ 12  Për Dhimitrin flasin mirë të gjithë, madje dëshmon edhe vetë e vërteta. Faktikisht, edhe ne flasim mirë për të, dhe ti e di se ajo që themi ne, është e vërtetë. 13  Kisha shumë gjëra për të të shkruar, mirëpo nuk dëshiroj të vazhdoj t’i shkruaj me bojë e me penë. 14  Por shpresoj të të shoh së shpejti dhe të flasim sy për sy. Paqja qoftë me ty! Miqtë të dërgojnë të fala. Dërgoju të falat e mia miqve një për një.

Shënimet

^ Ose «I moshuari».
^ Një mundësi tjetër «Nuk kam arsye më të madhe për të qenë mirënjohës».
^ Ose «i besueshëm».
^ Fjalë për fjalë «e kombeve». Shih Fjalorthin.
^ Fjalë për fjalë «duke llomotitur fjalë të liga për ne».