Naumi 3:1-19

  • «Mjerë qyteti gjakatar!» (1-19)

    • Arsyet për gjykimin e Ninevisë (1-7)

    • Ninevia do të bjerë si No-Amoni (8-12)

    • Rënia e Ninevisë është e pashmangshme (13-19)

3  Mjerë qyteti gjakatar! Ai është i mbushur me mashtrim e grabitje,dhe preja nuk i mungon kurrë.  2  Dëgjohet fshikullima e kamxhikut, kërcëllima e rrotave,kuajt që turren, karrocat që hovin;  3  kalorësit që kalërojnë, shpatat që flakërojnë, heshtat që vetëtijnë. Ka mori të vrarësh, grumbuj kufomash—të vdekur pa fund. Njerëzit pengohen nëpër trupat e vdekur.  4  Të gjitha këto prej prostitucionit të saj të papërmbajtur. Ajo është tërheqëse e plot nur, mjeshtre për shtrigëri;i zë në lak kombet me prostitucionin e saj dhe popujt me shtrigëritë e saj.  5  Jehovai i ushtrive thotë: «Ja, unë jam kundër teje,*+do të ta ngre fundin deri në fytyrë,dhe kombet do të shohin lakuriqësinë tënde,kurse mbretëritë çnderimin tënd.  6  Do të të mbuloj me fëlliqësiraaq sa të ngjallësh përbuzje. Po, do të të bëj teatër për botën.+  7  Të gjithë ata që do të të shohin, do t’ia mbathin nga ti+ e do të thonë: ‘Ninevia është shkretuar! Kush do t’ia qajë hallin?’ Ku të kërkoj ngushëllues për ty?  8  Mos je ti më e mirë se No-Amoni*+ që ulej këmbëkryq buzë kanaleve të Nilit?!+ Ujërat e rrethonin,deti e pasuronte dhe si mur e mbronte.  9  Etiopia me Egjiptin ishin burimi i fuqisë së tij të pakufishme. Puti+ dhe libianët i vinin në ndihmë.+ 10  Por edhe ai vajti në dhé të huaj,përfundoi në robëri;+edhe fëmijët ia bënë copë-copë në qoshet e rrugëve.* Për parinë e tij hodhën short;tërë njerëzit e shquar ia vunë nën vargonj. 11  Edhe ty do të të merren këmbët nga dehja.+Do të kërkosh një vend ku të futesh;do të përpiqesh të mbrohesh nga armiku. 12  Të gjitha fortifikatat e tua janë si fiqtë e hershëm;mjafton t’i shkundësh e ata bien në gojën e gllabëruesve. 13  Ja, trupat e tua ushtarake janë si gratë mes teje. Portat e vendit tënd do të hapen krejt para armiqve të tu. Shulat e portave të tua do t’i përpijë zjarri. 14  Nxirr ujë e bëhu gati për rrethimin!+ Forcoji fortifikatat! Hyr në llucë, ngjishe argjilën,merre kallëpin dhe bëj tulla. 15  Por prapë do të të shuajë zjarri. Shpata do të të shfarosë+ e do të të përpijë si larvat e karkalecave.+ Shtohu si larvat e karkalecave,po, po, shtohu si karkalecat! 16  I ke shtuar tregtarët e tu më shumë se yjet e qiellit,por larvat e karkalecave ndërrojnë lëkurë e pastaj fluturojnë tutje. 17  Rojat e tua janë si karkalecat,oficerët e tu si mori karkalecash. Në një ditë të ftohtë ndalen e zënë vend në vatha prej guri,por sapo shkëlqen dielli, ikin tutjedhe s’dihet ku venë. 18  Barinjtë e tu janë përgjumur, o mbret i Asirisë;fisnikët e tu rrinë të qetë në banesat e tyre. Kurse populli yt është shpërndarë malevee s’ka kush ta mbledhë.+ 19  S’ka lehtësim për katastrofën tënde. S’ka shërim për plagën tënde. Kur të dëgjojnë lajmin për ty, të gjithë do të shpërthejnë në duartrokitje,+sepse, kush nuk e provoi mizorinë tënde të pamëshirshme?!»+

Shënimet

^ Domethënë, Ninevisë.
^ Domethënë, Teba.
^ Fjalë për fjalë «në krye të çdo rruge».