Ezdra 7:1-28

  • Ezdra mbërrin në Jerusalem (1-10)

  • Letra e Artakserksit drejtuar Ezdrës (11-26)

  • Ezdra lëvdon Jehovain (27, 28)

7  Pas këtyre gjërave, gjatë mbretërimit të Artakserksit,+ mbretit të Persisë, Ezdra*+ u kthye. Ai ishte bir i Serajahut,+ bir i Azariahut, bir i Hilkiahut,+ 2  bir i Shalumit, bir i Sadokut, bir i Ahitubit, 3  bir i Amariahut, bir i Azariahut,+ bir i Merajotit, 4  bir i Zerahiahut, bir i Uzit, bir i Bukit, 5  bir i Abishuait, bir i Finehasit,+ bir i Eleazarit,+ bir i Aronit,+ kreut të priftërinjve. 6  Ky ishte Ezdra që erdhi nga Babilonia. Ai ishte një kopist* që e njihte mirë Ligjin e Moisiut,*+ të cilin e kishte dhënë Jehovai, Perëndia i Izraelit. Mbreti i dha çdo gjë që kërkoi, sepse me të ishte dora e Jehovait, Perëndisë së tij. 7  Disa izraelitë, priftërinj, levitë,+ këngëtarë,+ derëtarë+ dhe shërbëtorë të tempullit*+ shkuan në Jerusalem vitin e shtatë të mbretit Artakserks, 8  dhe Ezdra shkoi në Jerusalem muajin e pestë, vitin e shtatë të mbretërimit. 9  Ai nisi udhëtimin nga Babilonia ditën e parë të muajit të parë dhe mbërriti në Jerusalem ditën e parë të muajit të pestë, sepse dora e Perëndisë së tij ishte me të.+ 10  Ezdra e kishte përgatitur zemrën* për t’u konsultuar me Ligjin e Jehovait,* për ta zbatuar atë+ dhe për të mësuar në Izrael rregullat dhe vendimet gjyqësore.+ 11  Kjo është një kopje e letrës që mbreti Artakserks i dha priftit dhe kopistit* Ezdra, ekspert në studimin* e urdhërimeve dhe të rregullave të Jehovait për Izraelin: 12  * «Artakserksi,+ mbret i mbretërve, priftit Ezdra, kopistit të Ligjit të Perëndisë së qiejve: Paqja qoftë me ty! 13  Unë kam nxjerrë një urdhër që gjithsecili në mbretërinë time, nga populli i Izraelit dhe nga priftërinjtë e levitët e tyre, që dëshiron të vijë me ty në Jerusalem, le të vijë.+ 14  Faktikisht, mbreti dhe shtatë këshilltarët e tij po të dërgojnë për të hetuar nëse Ligji i Perëndisë tënd, që është me ty,* po zbatohet në Judë e në Jerusalem 15  dhe për të çuar argjendin dhe arin që mbreti e këshilltarët e tij ia kanë dhënë vullnetarisht Perëndisë së Izraelit, vendbanimi i të cilit është në Jerusalem, 16  bashkë me tërë argjendin dhe arin që të japin* në gjithë provincën e Babilonisë, si edhe dhuratën që populli e priftërinjtë po i japin vullnetarisht shtëpisë së Perëndisë së tyre, e cila është në Jerusalem.+ 17  Me këto pará do të blesh pa vonuar dema,+ desh,+ qengja+ dhe ç’të nevojitet për blatimet në drithë+ e për blatimet në pije+ dhe do t’i paraqitësh mbi altarin e shtëpisë së Perëndisë tënd në Jerusalem. 18  Me pjesën tjetër të argjendit e të arit, ti dhe vëllezërit e tu, bëni si ta shihni të udhës në përputhje me vullnetin e Perëndisë tuaj. 19  Të gjitha enët që të janë dhënë për shërbimin në shtëpinë e Perëndisë tënd dorëzoji para Perëndisë në Jerusalem.+ 20  Pjesën tjetër të gjërave të nevojshme që duhet të japësh për shtëpinë e Perëndisë tënd, do t’i japësh nga thesari mbretëror.+ 21  Unë, mbreti Artakserks, u kam dhënë urdhër të gjithë nëpunësve të thesarit në rajonin Përtej Lumit,* që të bëjnë pa vonuar çdo gjë që t’u kërkojë prifti Ezdra,+ kopisti i Ligjit të Perëndisë së qiejve, 22  duke i dhënë deri në 100 talenta* argjendi, 100 korë* grurë, 100 bato* verë,+ 100 bato vaj+ dhe kripë+ pa kursim. 23  Gjithçka që ka urdhëruar Perëndia i qiejve, le të bëhet me zell për shtëpinë e këtij Perëndie,+ që të mos zemërohet kundër mbretërisë së mbretit dhe bijve të tij.+ 24  Për më tepër, ju bëj të ditur që për priftërinjtë, levitët, muzikantët,+ derëtarët, shërbëtorët e tempullit+ dhe punëtorët e shtëpisë së Perëndisë, nuk lejohet të vihet asnjë taksë, haraç+ ose taksë kalimi. 25  Dhe ti Ezdra, në përputhje me mençurinë që të ka dhënë Perëndia, cakto gjykatës dhe magjistratë* që të gjykojnë të gjithë njerëzit në rajonin Përtej Lumit, të gjithë ata që njohin ligjet e Perëndisë tënd; dhe kujtdo që nuk i njeh ato, duhet t’ia mësosh.+ 26  Mbi atë që nuk zbaton Ligjin e Perëndisë tënd dhe ligjin e mbretit, duhet të ekzekutohet menjëherë gjykimi, qoftë me vdekje, dëbim, gjobë a burgim.» 27  Qoftë i lëvduar Jehovai, Perëndia i paraardhësve tanë, që i vuri në zemër mbretit dëshirën për të stolisur shtëpinë e Jehovait në Jerusalem!+ 28  Nga dashuria e tij besnike, ai më dha pëlqimin e mbretit,+ të këshilltarëve të tij+ dhe të të gjithë princave të fuqishëm të mbretit. Meqë mbi mua ishte dora e Jehovait, Perëndisë tim, mora zemër* dhe mblodha prijës* nga Izraeli që të vinin me mua.

Shënimet

^ Do të thotë «ndihmë».
^ Ose «skrib».
^ Ose «një kopist i zoti i Ligjit të Moisiut».
^ Ose «nethinimë». Fjalë për fjalë «të dhuruarit».
^ Ose «kishte vendosur në zemër».
^ Ose «për të kërkuar drejtim në Ligjin e Jehovait».
^ Ose «skribit».
^ Ose «i cili kopjonte fjalët».
^ Ezd 7:12 deri te 7:26 u shkrua në fillim në aramaisht.
^ Fjalë për fjalë «në dorën tënde».
^ Fjalë për fjalë «që gjen».
^ Ose «Përtej Eufratit».
^ Një korë ishte 220 l. Shih Shtojcën B14.
^ Një bato ishte 22 l. Shih Shtojcën B14.
^ Një talent ishte 34,2 kg. Shih Shtojcën B14.
^ Ose «i dhashë forca vetes».
^ Fjalë për fjalë «krerë».