Estera 8:1-17
8 Po atë ditë mbreti Asuer i dha mbretëreshës Ester shtëpinë e Hamanit,+ armikut të judenjve.+ Mordekai u paraqit te mbreti, sepse Estera i kishte treguar se e kishte të afërm.+
2 Atëherë mbreti hoqi unazën me vulë+ që ia mori Hamanit dhe ia dha Mordekait, kurse Estera e caktoi Mordekain të drejtonte shtëpinë e Hamanit.+
3 Veç kësaj, Estera foli përsëri me mbretin. Ajo ra në këmbët e tij, qau dhe iu lut që të ndalonte planin e lig që kishte thurur kundër judenjve Hamani, agagiti.+
4 Mbreti shtriu skeptrin prej ari drejt Esterës+ dhe ajo u ngrit e qëndroi në këmbë para tij.
5 Ajo tha: «Nëse mbretit i duket e udhës dhe nëse gëzoj pëlqimin e tij, nëse mbretit i duket e drejtë dhe nëse kam miratimin e tij, le të shkruhet një urdhër që të anulojë dokumentet e intrigantit Haman,+ birit të Hamedatit, agagitit,+ që shkroi për të shfarosur judenjtë në tërë provincat e mbretit!
6 Si mund të shoh të keqen që do të bjerë mbi popullin tim? E si mund të duroj shfarosjen e të afërmve të mi?»
7 Kështu mbreti Asuer i tha mbretëreshës Ester dhe Mordekait, judeut: «Ja, shtëpinë e Hamanit ia kam dhënë Esterës+ dhe dhashë urdhrin që atë ta varnin në shtyllë,+ ngaqë komplotoi për të sulmuar* judenjtë.
8 Ju mund të shkruani një dokument në emër të mbretit, çfarëdo që t’ju duket e përshtatshme për judenjtë, dhe vuloseni me unazën me vulë të mbretit, sepse një dekret i shkruar në emër të mbretit dhe i vulosur me unazën e tij nuk mund të shfuqizohet.»+
9 Kështu, në atë kohë, ditën e 23-të të muajit të 3-të, domethënë në muajin sivan,* u thirrën sekretarët e mbretit. Ata shkruan të gjitha ato që Mordekai urdhëroi për judenjtë, si edhe për satrapët,*+ guvernatorët dhe princat e 127 provincave+ nga India deri në Etiopi. Ato iu dërguan çdo province sipas shkrimit të vet, çdo populli në gjuhën e vet dhe judenjve sipas shkrimit dhe gjuhës së tyre.
10 Ai shkroi dokumente në emër të mbretit Asuer dhe i vulosi me unazën me vulë të mbretit.+ Pastaj i nisi ato nëpërmjet korrierëve që kalëronin kuaj poste të shpejtë, kuaj race për shërbim në oborrin mbretëror.
11 Në këto dokumente mbreti i lejonte judenjtë e të gjitha qyteteve të mblidheshin e të mbronin jetën e tyre dhe të shfarosnin, të vritnin, të zhduknin çdo njeri të armatosur të çdo populli e province që do t’i sulmonte, përfshirë gra e fëmijë, dhe t’u plaçkitnin zotërimet.+
12 Kjo do të ndodhte në të njëjtën ditë në tërë provincat e mbretit Asuer, ditën e 13-të të muajit të 12-të, domethënë në muajin adar.*+
13 Teksti* i dokumentit duhej nxjerrë si ligj në tërë provincat dhe u duhej shpallur tërë popujve, që atë ditë judenjtë të ishin gati për t’u hakmarrë kundër armiqve të tyre.+
14 Korrierët që kalëronin kuaj poste, që përdoreshin për shërbim në oborrin mbretëror, dolën urgjentisht dhe pa vonesë sipas urdhrit të mbretit. Ky ligj u shpall edhe në kështjellën e Shushanit.*+
15 Tani Mordekai doli nga prania e mbretit me veshjen mbretërore blu e të bardhë, me një kurorë të madhe ari dhe me një mantel prej pëlhure cilësore prej leshi ngjyrë të purpurt.*+ Dhe qyteti i Shushanit brohoriste nga gëzimi.
16 Për judenjtë kishte shpresë,* gëzim e ngazëllim, dhe populli i nderonte.
17 Në tërë provincat dhe qytetet, kudo ku arrinte dekreti i mbretit dhe ligji i tij, për judenjtë kishte gëzim, ngazëllim, gosti dhe festë. Shumë nga popujt e vendit e shpallnin veten judenj,+ sepse i kishte zënë tmerri nga ata.
Shënimet
^ Fjalë për fjalë «ngaqë shtriu dorën kundër».
^ Shih Fjalorthin.
^ Shih Shtojcën B15.
^ Shih Shtojcën B15.
^ Ose «Një kopje».
^ Ose «pallatin mbretëror të Suzës; citadelën e Suzës».
^ Ose «vjollcë». Shih Fjalorthin.
^ Fjalë për fjalë «dritë».