Letra e dytë e Pjetrit 3:1-18

  • Tallësit shpërfillin gjykimin e ardhshëm (1-7)

  • Jehovai nuk vonon (8-10)

  • Mendoni ç’lloj personash duhet të jeni (11-16)

    • Qiej të rinj e një tokë e re (13)

  • Ruhuni që të mos mashtroheni (17, 18)

3  Të dashur, kjo është letra e dytë që po ju shkruaj, në të cilën, ashtu si në të parën, po ju nxis me anë të një përkujtuesi+ ta keni mendjen të kthjellët, 2  që të kujtoni fjalët që thanë më parë* profetët e shenjtë dhe urdhërimin që ju dha Zotëria e Shpëtimtari ynë nëpërmjet apostujve tuaj. 3  Së pari, mbani parasysh se në ditët e fundit do të ketë tallës që do të rendin pas dëshirave të veta,+ do të tallen 4  e do të thonë: «Ku është kjo prania* e tij e premtuar?!+ Se ja, që nga dita që paraardhësit tanë ranë në gjumin e vdekjes, të gjitha gjërat po vazhdojnë tamam siç ishin që në fillim të krijimit.»+ 5  Mirëpo qëllimisht ata e shpërfillin faktin se, shumë kohë më parë, me anë të fjalës së Perëndisë,* u bënë qiejt dhe një tokë që qëndronte e patundur mbi ujë e në mes të ujit,+ 6  dhe me anë të këtyre bota e asaj kohe u shkatërrua kur u përmbyt.+ 7  E po me anë të fjalës së Perëndisë, qiejt dhe toka që ekzistojnë tani, janë rezervuar për zjarrin, dhe për këtë do të ruhen deri në ditën e gjykimit e të shkatërrimit të njerëzve që shpërfillin Perëndinë.+ 8  Gjithsesi, të mos ju shpëtojë pa vënë re kjo, o të dashur, se për Jehovain* një ditë është si një mijë vjet, dhe një mijë vjet, si një ditë.+ 9  Jehovai* nuk vonon të plotësojë premtimin e tij,+ siç mendojnë disa, por është i duruar me ju, sepse nuk dëshiron që të shkatërrohet ndonjë, por dëshiron që të gjithë të pendohen.+ 10  E megjithatë, dita e Jehovait*+ do të vijë si një hajdut,+ në të cilën qiejt do të zhduken+ duke gjëmuar,* çdo element do të shkrihet nga nxehtësia tejet e madhe dhe toka e veprat e saj do të jenë të ekspozuara.*+ 11  Meqë të gjitha këto gjëra do të shpërbëhen në këtë mënyrë, mendoni ç’lloj personash duhet të jeni: të shenjtë në gjithë sjelljen tuaj dhe të përkushtuar ndaj Perëndisë në çdo gjë që bëni, 12  ndërsa prisni dhe mbani gjithnjë në mend* praninë e ditës së Jehovait,*+ nëpërmjet së cilës qiejt do të shkatërrohen+ mes flakëve dhe elementët do të shkrihen nga nxehtësia tejet e madhe! 13  Mirëpo, sipas premtimit të tij, ne presim qiej të rinj e një tokë të re,+ ku do të mbretërojë* drejtësia.+ 14  Prandaj, o të dashur, meqenëse pritni këto gjëra, bëni çmos që në fund ai t’ju gjejë të panjollë, të patëmetë e në paqe.+ 15  Veç kësaj, konsiderojeni durimin e Zotërisë tonë si shpëtim, sikurse ju shkroi edhe vëllai ynë i dashur Pavël sipas mençurisë që iu dha.+ 16  Ai ju ka folur për këto gjëra, siç bën në gjithë letrat e tij, edhe pse në to ka gjëra të vështira për t’u kuptuar, të cilat njerëzit e paditur* dhe të lëkundur në besim po i shtrembërojnë, siç bëjnë edhe me pjesën tjetër të Shkrimeve, dhe për këtë i pret shkatërrimi. 17  Prandaj, ju, o të dashur, duke pasur paraprakisht këtë njohuri, ruhuni që të mos mashtroheni nga mësimet e rreme të këtyre njerëzve të ligj dhe të mos humbitni qëndrimin tuaj të palëkundur.*+ 18  Përkundrazi, vazhdoni të merrni gjithnjë e më shumë mirësi të pamerituar dhe njohuri për Zotërinë dhe Shpëtimtarin tonë Jezu Krisht. Atij i qoftë lavdia tani dhe në përjetësi! Amin!

Shënimet

^ Ose «gjërat që parathanë».
^ Ose «me urdhër të Perëndisë».
^ Domethënë, të ekspozuara ndaj zjarrit.
^ Ose «duke ushtuar».
^ Ose «dëshironi me zjarr». Fjalë për fjalë «shpejtoni».
^ Fjalë për fjalë «do të banojë».
^ Ose «e pamësuar».
^ Ose «qëndrueshmërinë».