Letra e parë e Gjonit 3:1-24

  • Ne jemi fëmijë të Perëndisë (1-3)

  • Fëmijët e Perëndisë kundrejt fëmijëve të Djallit (4-12)

    • Jezui do të zhbëjë veprat e Djallit (8)

  • Të duam njëri-tjetrin (13-18)

  • Perëndia është më i madh se zemra jonë (19-24)

3  Shihni sa e madhe është dashuria e Atit për ne,+ i cili na lejon të quhemi fëmijë të Perëndisë,+ dhe të tillë jemi. Ja pse bota nuk na njeh,+ sepse nuk ka arritur ta njohë atë.+  Të dashur, tani ne jemi fëmijë të Perëndisë,+ por ende nuk është treguar qartë ç’do të jemi në të ardhmen.+ Dimë vetëm se, kur ai të shfaqet, ne do të jemi si ai, sepse do ta shohim ashtu siç është.  E kushdo që shpreson tek ai,* pastrohet+ sepse ai është i pastër.  Kush ecën në udhën e mëkatit, shkel edhe ligjin, sepse mëkati është paligjshmëri.*  Ju e dini gjithashtu, se ai u shfaq për të hequr mëkatet tona,+ dhe tek ai nuk ka mëkat.  Kush qëndron në unitet me të, nuk ecën në udhën e mëkatit;+ kush ecën në udhën e mëkatit, as e ka parë e as ka arritur ta njohë atë.  Fëmijët e mi të vegjël, askush të mos ju mashtrojë; kush ecën në udhën e drejtësisë, është i drejtë, siç është i drejtë edhe ai.  Kush ecën në udhën e mëkatit, vjen nga Djalli, sepse Djalli ka mëkatuar që nga fillimi.*+ Për këtë qëllim u shfaq Biri i Perëndisë, për të zhbërë* veprat e Djallit.+  Kush ka lindur nga Perëndia, nuk ecën në udhën e mëkatit,+ sepse fryma* e Perëndisë qëndron tek ai; ai s’mund të ecë në udhën e mëkatit, sepse ka lindur nga Perëndia.*+ 10  Nga kjo duken fëmijët e Perëndisë dhe fëmijët e Djallit: ai që nuk ecën në udhën e drejtësisë, nuk vjen nga Perëndia, dhe as ai që nuk e do vëllanë e vet,+ 11  sepse lajmi që dëgjuat që nga fillimi, është që ta duam njëri-tjetrin+ 12  e të mos jemi si Kaini që vinte nga i Ligu dhe vrau vëllanë e vet.+ E për çfarë e vrau? Ngaqë veprat e veta ishin të liga,+ kurse ato të vëllait të vet ishin të drejta.+ 13  Vëllezër, mos u çuditni që bota ju urren.+ 14  Ne e dimë se kemi kaluar nga vdekja në jetë,+ sepse i duam vëllezërit.+ Ai që nuk ka dashuri, mbetet në kthetrat e vdekjes.+ 15  Ai që urren vëllanë e vet është vrasës,+ dhe ju e dini se tek asnjë vrasës nuk mbetet shpresa e jetës së përhershme.+ 16  Nga kjo e kemi njohur ç’është dashuria, nga fakti që ai dha jetën* për ne.+ Prandaj edhe ne e kemi për detyrë të japim jetën* për vëllezërit tanë.+ 17  Por si mund ta dojë Perëndinë ai që ka gjithë të mirat e kësaj bote, e megjithatë, kur sheh vëllanë e vet në nevojë, e mbyll zemrën e nuk i tregon dhembshuri?+ 18  Fëmijët e mi të vegjël, le të mos duam veç me fjalë e me gojë të ëmbël,+ por me vepra+ e me të vërtetë.*+ 19  Nga kjo dashuri do ta dimë se vijmë nga e vërteta dhe do të sigurojmë* zemrën tonë para tij 20  për gjithçka që zemra mund të na dënojë, sepse Perëndia është më i madh se zemra jonë dhe di gjithçka.+ 21  Të dashur, nëse zemra nuk na dënon, mund të flasim pa ndrojtje me Perëndinë,+ 22  dhe marrim nga ai çdo gjë që i kërkojmë,+ sepse zbatojmë urdhërimet e tij dhe bëjmë atë që është e pëlqyeshme në sytë e tij. 23  Vërtet, urdhërimi i tij është ky: të kemi besim në emrin e Birit të tij, Jezu Krishtit,+ dhe të duam njëri-tjetrin,+ ashtu si na urdhëroi ai. 24  Veç kësaj, kush zbaton urdhërimet e tij, qëndron në unitet me të, dhe ky në unitet me atë.+ Falë frymës së shenjtë që ai na dha, e kuptojmë se ai qëndron në unitet me ne.+

Shënime në fund të faqes

Ose «që ka këtë shpresë».
Kjo fjalë shpesh nënkupton shpërfillje ndaj ligjeve të Perëndisë.
Ose «që kur filloi udhën e tij». Domethënë, që kur filloi udhën e tij të mbrapshtë.
Ose «për të asgjësuar».
Fjalë për fjalë «fara». Domethënë, një farë që jep fryt.
Ose «është bërë fëmijë i Perëndisë».
Ose «shpirtin».
Ose «shpirtin».
Ose «e me sinqeritet».
Ose «bindim».