Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 25

Jehovai i bekon ata që falin

Jehovai i bekon ata që falin

«Ashtu si Jehovai ju fali bujarisht, po kështu bëni edhe ju.»—KOLOS. 3:13.

KËNGA 130 Le ta falim njëri-tjetrin

PËRMBLEDHJE *

1. Çfarë premtimi sigurues u bën Jehovai mëkatarëve të penduar?

 NDËRKOHË që është Krijuesi, Ligjdhënësi dhe Gjykatësi ynë, Jehovai është edhe Ati ynë i dashur. (Psal. 100:3; Isa. 33:22) Kur mëkatojmë kundër tij dhe pendohemi sinqerisht, ai jo vetëm ka autoritetin të na falë, por ka edhe dëshirë të madhe ta bëjë këtë. (Psal. 86:5) Nëpërmjet profetit Isaia, Jehovai na ka siguruar me dashuri: «Edhe pse mëkatet tuaja janë të kuqe flakë, do të bëhen të bardha si bora.»—Isa. 1:18.

2. Ç’duhet të bëjmë që të kemi marrëdhënie paqësore me të tjerët?

2 Si të papërsosur, të gjithë themi e bëjmë gjëra që i ofendojnë të tjerët. (Jak. 3:2) Por kjo nuk nënkupton se është e pamundur të gëzojmë miqësi të ngushta me njëri-tjetrin. Është e mundur, nëse mësojmë të falim. (Prov. 17:9; 19:11; Mat. 18:21, 22) Kur dikush thotë a bën diçka të vogël që na lëndon, Jehovai dëshiron ta falim. (Kolos. 3:13) Kemi arsye të forta për ta bërë këtë. Fundja Jehovai na fal bujarisht, «në masë të madhe».—Isa. 55:7, shën.

3. Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?

3 Në këtë artikull do të shohim në ç’mënyrë mund ta imitojmë Jehovain kur falim, ndonëse jemi të papërsosur. Për cilat mëkate duhet të flasim me pleqtë? Pse Jehovai na inkurajon t’i falim të tjerët? Ç’mund të mësojmë nga disa vëllezër e motra që kanë vuajtur shumë për shkak të mëkateve të të tjerëve?

KUR NJË ADHURUES I JEHOVAIT BËN NJË MËKAT SERIOZ

4. (a) Çfarë duhet të bëjë një shërbëtor i Jehovait nëse kryen një mëkat serioz? (b) Çfarë përgjegjësie kanë pleqtë kur takohen me dikë që ka mëkatuar?

4 Për mëkatet serioze duhet të flasim me pleqtë. Shembuj të mëkateve të tilla jepen te 1 Korintasve 6:9, 10. Mëkatet serioze janë shkelje të rënda të ligjit të Perëndisë. Nëse një shërbëtor i Jehovait bën një mëkat të tillë, duhet t’i kërkojë falje në lutje Perëndisë Jehova dhe duhet të flasë me pleqtë e kongregacionit. (Psal. 32:5; Jak. 5:14) Çfarë roli luajnë pleqtë? Vetëm Jehovai ka autoritetin t’i falë plotësisht mëkatet, e këtë e bën në bazë të flijimit shpërblyes. * Megjithatë, Jehovai ua ka besuar pleqve përgjegjësinë që të përcaktojnë nga Shkrimet nëse mëkatari mund të qëndrojë në kongregacion. (1 Kor. 5:12) Prandaj, ndër të tjera, ata do të përpiqen të gjejnë përgjigjet e këtyre pyetjeve: a mëkatoi me dashje ky person? A planifikoi që më parë ta bënte atë mëkat? A vazhdoi të mëkatonte për një periudhë të gjatë? Ç’është më e rëndësishmja, a ka dëshmi të qarta se është penduar sinqerisht? A ka prova se Jehovai e ka falur?—Vep. 3:19.

5. Cilat dobi vijnë nga puna që bëjnë pleqtë?

5 Kur takohen me atë që ka mëkatuar, synimi i pleqve është që në tokë të merret i njëjti vendim që është marrë tashmë në qiell. (Mat. 18:18) Si nxjerr dobi kongregacioni nga kjo masë? Ajo është një mbrojtje, pasi siguron të mos qëndrojnë në kongregacion mëkatarët e papenduar që mund t’i dëmtojnë delet e dashura të Jehovait. (1 Kor. 5:6, 7, 11-13; Titit 3:10, 11) Gjithashtu mund të ndihmojë që mëkatari të pendohet e Jehovai ta falë. (Luka 5:32) Pleqtë luten për të penduarin dhe i kërkojnë Jehovait ta ndihmojë të ndreqë marrëdhënien me Të.—Jak. 5:15.

6. Nëse dikush përjashtohet, a ekziston akoma mundësia që Jehovai ta falë? Shpjegoni.

6 Po nëse mëkatari nuk është i penduar kur pleqtë takohen me të? Atëherë do të përjashtohet nga kongregacioni. Në rast se ka shkelur ligjet e shtetit, pleqtë nuk do ta mbrojnë nga pasojat. Jehovai lejon që autoritetet qeveritare të gjykojnë e të ndëshkojnë këdo që shkel ligjin—pavarësisht nëse është penduar apo jo. (Rom. 13:4) Gjithsesi, nëse më vonë vjen në vete dhe pendohet sinqerisht e kthehet, Jehovai është i gatshëm ta falë. (Luka 15:17-24) Ai është gati ta falë edhe nëse mëkatet që bëri ishin shumë serioze.—2 Kron. 33:9, 12, 13; 1 Tim. 1:15.

7. Në ç’kuptim mund ta falim dikë që ka mëkatuar ndaj nesh?

7 Është shumë lehtësuese që nuk na takon ne të vendosim nëse Jehovai do ta falë një mëkatar. Gjithsesi na takon të vendosim diçka tjetër. Çfarë? Në disa raste, dikush që ka bërë një mëkat ndaj nesh, ndoshta edhe një mëkat të rëndë, mund të vijë e të na kërkojë falje. Në raste të tjera, ai që na ka lënduar mund të mos kërkojë falje. Prapëseprapë mund të vendosim ta falim në kuptimin që të mos ushqejmë më në zemër mëri e inat. Për të qenë realistë, kjo mund të kërkojë kohë dhe përpjekje, sidomos nëse jemi lënduar thellë. Kulla e Rojës e 15 janarit 1995 thoshte: «Kur ke falur një mëkatar, nuk do të thotë se ke falur mëkatin. Për të krishterët, falja nënkupton lënien me besim të plotë të çështjes në duart e Jehovait. Ai është Gjykatësi i drejtë i gjithë universit dhe do të zbatojë drejtësinë në kohën e duhur.» Pse Jehovai na inkurajon të falim e ta lëmë çështjen në duart e tij—të Atij që i takon të vërë në vend drejtësinë?

PSE JEHOVAI NA INKURAJON TË FALIM

8. Pse kur falim po i shprehim mirënjohje Jehovait për mëshirën e tij?

8 Kur falim, tregojmë mirënjohje për mëshirën e Jehovait. Në një ilustrim, Jezui e krahasoi Jehovain me një zotëri që i fali një skllavi të tij një borxh të stërmadh që nuk e shlyente dot. Mirëpo, pasi zotëria e fali, ai skllav nuk tregoi mëshirë për një skllav tjetër që i kishte borxh një shumë parash goxha më të vogël. (Mat. 18:23-35) Çfarë po na mësonte Jezui? Nëse jemi vërtet mirënjohës për mëshirën e madhe që na tregon Jehovai, zemra do të na shtyjë t’i falim të tjerët. (Psal. 103:9) Vite më parë Kulla e Rojës thoshte: «Sado herë t’i falim të tjerët, falja jonë nuk matet dot kurrë me faljen dhe mëshirën që na tregon Perëndia nëpërmjet Krishtit.»

9. Kujt u tregon mëshirë Jehovai? (Mateu 6:14, 15)

9 Jehovai i fal ata që falin. Jehovai tregon mëshirë për ata që janë të mëshirshëm. (Mat. 5:7; Jak. 2:13) Jezui e bëri të qartë këtë kur i mësoi dishepujt si të luteshin. (Lexo Mateun 6:14, 15.) E Jehovai vetë na dha një mësim të ngjashëm nëpërmjet shembullit të Jobit. Ai besnik ishte lënduar thellë nga fjalët therëse të tri burrave: Elifazit, Bildadit dhe Zofarit. Jehovai e udhëzoi Jobin të lutej për ta. Pasi e bëri këtë, Jehovai e bekoi.—Jobi 42:8-10.

10. Pse i bëjmë dëm vetes kur ushqejmë mëri? (Efesianëve 4:31, 32)

10 Kur ushqen mëri, dëmton veten. Jehovai dëshiron të provojmë lehtësimin që vjen kur flakim tej barrën e mërisë. (Lexo Efesianëve 4:31, 32.) Ai na nxit ‘ta lëmë zemërimin dhe të largohemi nga tërbimi’. (Psal. 37:8) Është gjë e mençur t’ia vëmë veshin kësaj këshille. Kur ushqejmë mëri, kjo mund të na dëmtojë shëndetin fizik dhe mendor. (Prov. 14:30) Ndërkohë ai që na ka lënduar nuk do të dëmtohet aspak nga mëria që ushqejmë në zemër, ashtu siç nuk do të helmohej sikur ne të pinim helm. Prandaj kur falim të tjerët, po i bëjmë një dhuratë vetes. (Prov. 11:17) Ndiejmë sërish paqe në mendje e në zemër dhe jemi në gjendje të ecim përpara në shërbim të Jehovait.

11. Çfarë thotë Bibla për hakmarrjen? (Romakëve 12:19-21)

11 Hakmarrja i përket Jehovait. Nëse dikush mëkaton ndaj nesh, Jehovai nuk na ka autorizuar të hakmerremi. (Lexo Romakëve 12:19-21.) Me këndvështrimin tonë të kufizuar e të papërsosur, nuk jemi në gjendje t’i gjykojmë gjërat drejt ashtu si Perëndia. (Hebr. 4:13) E hera-herës lejojmë që ndjenjat të na e turbullojnë gjykimin. Jehovai e frymëzoi Jakovin të shkruante: «Zemërimi i njeriut nuk sjell drejtësinë e Perëndisë.» (Jak. 1:20) Mund të kemi besim absolut se Jehovai do të bëjë gjënë e duhur dhe do të sigurohet që drejtësia të vihet në vend.

Hidhi pas krahëve inatin e mërinë. Lëri gjërat në dorë të Perëndisë. Ai do të fshijë gjithë dëmin e shkaktuar nga mëkati (Shih paragrafin 12)

12. Si mund të tregojmë se kemi besim te drejtësia e Jehovait?

12 Kur falim, tregojmë se kemi besim te drejtësia e Jehovait. Kur i lëmë gjërat në duart e Jehovait, tregojmë se kemi besim që ai do të fshijë gjithë dëmin e shkaktuar nga mëkati. Në botën e tij të re, plagët e dhimbshme emocionale «nuk do të vijnë më në mendje dhe as do të zgjohen më në zemër», kurrë më! (Isa. 65:17) Po në rast se jemi lënduar thellë, a është e mundur t’i hedhim pas krahëve inatin e mërinë që mund të kemi në zemër? Të shohim si kanë arritur ta bëjnë këtë disa vëllezër e motra.

BEKIMET QË VIJNË KUR FALIM

13-14. Çfarë mësove për faljen nga përvoja e Tonit dhe Hosesë?

13 Shumë vëllezër e motra vendosën të falnin, paçka se ishin lënduar thellë nga veprimet e të tjerëve. Çfarë bekimesh u solli kjo?

14 Shumë kohë para se të njihte të vërtetën, Toni, * që jeton në Filipine, zbuloi se një nga vëllezërit e tij e kishte vrarë një burrë që quhej Hosé. Në atë kohë Toni ishte tip goxha agresiv e i dhunshëm dhe donte të hakmerrej. Hosenë e arrestuan dhe e burgosën për krimin që kishte bërë. Më vonë, kur u lirua nga burgu, Toni u betua se do ta gjente e do ta vriste dhe bleu një armë për këtë. Ndërkaq Toni filloi të studionte Biblën me Dëshmitarët e Jehovait. Ai thotë: «Nga studimi mësova se duhej të ndryshoja, e kjo përfshinte të mos mbaja përbrenda zemërim.» Me kohë, Toni u pagëzua dhe më pas u emërua plak kongregacioni. Imagjino sa u habit kur mori vesh që edhe Hoseja ishte bërë shërbëtor i pagëzuar i Jehovait! Kur u takuan, e përqafuan me ngrohtësi njëri-tjetrin, dhe Toni i tha Hosesë se e kishte falur. Toni thotë se ndjeu një gëzim aq të thellë në shpirt kur e fali Hosenë, sa nuk gjen fjalë ta përshkruajë atë ndjesi të mrekullueshme. E pra, Jehovai e bekoi gatishmërinë e Tonit për të falur.

Shembulli i Piterit dhe Susë tregon se mund t’i hedhim pas krahëve inatin dhe mërinë (Shih paragrafët 15-16)

15-16. Çfarë mësove për faljen nga shembulli i çiftit Shulc?

15 Në vitin 1985, Piteri dhe Suja po ndiqnin një mbledhje në Sallën e Mbretërisë, kur befas ndodhi një shpërthim i madh. Dikush kishte vënë një bombë brenda Sallës së Mbretërisë. Suja u plagos rëndë, e si pasojë iu dëmtuan keq shikimi e dëgjimi dhe humbi shqisën e të nuhaturit. * Si çift, shpesh vrisnin mendjen: «Ç’njeri është ai që mund të bënte një gjë kaq të ligë?!» Shumë vite më vonë fajtori, që nuk ishte një shërbëtor i Jehovait, u arrestua dhe u dënua me burgim të përjetshëm. Kur i pyetën nëse e kishin falur atë burrë, Piteri dhe Suja thanë: «Jehovai na mëson se po të mbajmë në zemër inat e mëri, mund të dëmtojmë veten fizikisht, emocionalisht dhe mendërisht. Prandaj, që në fillim i kërkuam Jehovait të na ndihmonte t’i hidhnim pas krahëve inatin e mërinë dhe të vazhdonim jetën.»

16 A e kanë pasur të lehtë të falin? Jo gjithmonë. Ata tregojnë: «Herë pas here ndiejmë në jetë pasojat e dëmtimeve që pësoi Su, e na mbërthen prapë zemërimi. Por nuk e mbajmë mendjen aty, prandaj këto ndjenja shuhen shpejt. Në fakt, mund të themi me gjithë zemër se në qoftë se ai që vuri bombën bëhet një ditë vëllai ynë, do ta presim krahëhapur. Kjo përvojë na ka mësuar se parimet e Biblës na çlirojnë vërtet, madje në aq shumë mënyra sa s’na e merr mendja! Gjithashtu na e ngroh zemrën siguria se së shpejti Jehovai do t’i fshijë krejtësisht të gjitha dëmet që kemi pësuar.»

17. Çfarë mësove për faljen nga shembulli i Majrës?

17 Majra e njohu të vërtetën kur ishte e martuar dhe kishte dy fëmijë të vegjël. I shoqi nuk e pranoi të vërtetën. Më vonë, ai kreu kurorëshkelje dhe e braktisi familjen. Majra thotë: «Kur burri më la me dy fëmijë të vegjël, më mbytën ato ndjenja që provojnë shumë veta pasi i tradhton një njeri i dashur—tronditje, mosbesim, pikëllim, keqardhje, ndjenja faji dhe zemërim.» Ndonëse martesa mori fund, ajo vazhdonte të ndiente dhimbjen e tradhtisë. Majra shton: «Ato ndjenja më torturuan për muaj të tërë dhe e kuptova se po ndikonin për keq te marrëdhënia ime me Jehovain e me të tjerët.» Majra thotë se tani nuk ka më në zemër aspak inat e keqdashje ndaj ish-burrit të saj dhe shpreson që një ditë ai të afrohet me Jehovain. Sot ajo arrin t’i mbajë sytë tek e ardhmja. Si nënë e vetme, u ushqeu të dy fëmijëve dëshirën për t’i shërbyer Jehovait. Tani, Majra i shërben Jehovait plot gëzim bashkë me fëmijët dhe familjet e tyre.

DREJTËSIA E PËRSOSUR E JEHOVAIT

18. Çfarë jemi të sigurt se do të bëjë Jehovai, Gjykatësi Suprem?

18 Sa të lehtësuar ndihemi që nuk kemi përgjegjësinë të vendosim si duhet gjykuar dikush! Kjo detyrë e rëndësishme i takon Jehovait, Gjykatësit Suprem. (Rom. 14:10-12) Mund të kemi besim absolut se ai do të gjykojë gjithmonë në harmoni me standardet e tij të përsosura për të drejtën e të gabuarën. (Zan. 18:25; 1 Mbret. 8:32) Jehovai nuk do të bëjë kurrën e kurrës diçka të padrejtë!

19. Çfarë do të realizohet falë drejtësisë së përsosur të Jehovait?

19 E presim me zjarr atë ditë kur Jehovai do t’i ndreqë plotësisht të gjitha dëmet që kanë sjellë papërsosmëria njerëzore dhe mëkati. Në atë kohë, të gjitha plagët tona fizike dhe emocionale do të shërohen një herë e mirë. (Psal. 72:12-14; Zbul. 21:3, 4) Ato plagë të dhimbshme do të harrohen përgjithmonë. Ndërsa presim të vijë ajo kohë fantastike, i jemi mirënjohës pa fund Jehovait që na ka dhuruar aftësinë të imitojmë atë duke i falur të tjerët.

KËNGA 18 Përjetë mirënjohës për shpërblesën

^ Jehovai do me gjithë zemër t’i falë mëkatarët e penduar. Si adhurues të tij, duam ta imitojmë kur dikush na fyen. Në këtë artikull do të shohim cilat mëkate mund t’i falim dhe për cilat mëkate duhet të flasim me pleqtë. Do të shqyrtojmë edhe përse Jehovai dëshiron ta falim njëri-tjetrin dhe si nxjerrim dobi kur e bëjmë këtë.

^ Shih «Pyetje nga lexuesit» në Kullën e Rojës të 15 prillit 1996.

^ Disa emra janë ndryshuar.

^ Shih videon Çifti Shulc: Një traumë mund të kapërcehet në JW Broadcasting®. Shih edhe Zgjohuni! të 8 janarit 1992, f. 9-13, anglisht.