Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 27

«Shpreso te Jehovai!»

«Shpreso te Jehovai!»

«Shpreso te Jehovai! Qofsh guximtar e me zemër të fortë!»—PSAL. 27:14.

KËNGA 128 Qëndro deri në fund

PËRMBLEDHJE *

1. (a) Çfarë shprese na ka dhënë Jehovai? (b) Ç’do të thotë ‘të shpresojmë te Jehovai’? (Shih «Shpjegimi i fjalës».)

 TË GJITHË atyre që e duan, Jehovai u ka dhënë një shpresë të bukur. Së shpejti, ai do t’u japë fund sëmundjeve, hidhërimit dhe vdekjes. (Zbul. 21:3, 4) «Zemërbutët» që shpresojnë tek ai do t’i ndihmojë ta kthejnë tokën në parajsë. (Psal. 37:9-11) Gjithashtu do të bëjë të mundur të kemi një miqësi të ngushtë e të ngrohtë me të, e cila do të jetë akoma më e mrekullueshme se miqësia që gëzojmë tani. Çfarë shprese fantastike! Por, ku e bazojmë besimin tonë se premtimet e Perëndisë do të bëhen realitet? Jehovai nuk e shkel kurrë një premtim. Prandaj kemi arsye të forta ‘të shpresojmë te Jehovai’. * (Psal. 27:14) Kur shpresojmë te Perëndia ynë, presim me durim dhe gëzim të përmbushë qëllimin e tij.—Isa. 55:10, 11.

2. Çfarë provash kemi se Jehovai i mban premtimet?

2 Jehovai ka dhënë prova se i mban premtimet. Të marrim vetëm një shembull mbresëlënës. Në librin e Zbulesës, Jehovai premtoi se në ditët tona do të mblidhte njerëz nga çdo komb, fis e gjuhë dhe do t’i bashkonte në adhurimin e pastër. Sot ky grup unik njihet si ‘shumica e madhe’. (Zbul. 7:9, 10) Ndonëse përbëhet nga burra, gra e fëmijë të racave, gjuhëve a prejardhjeve të ndryshme, ky grup i larmishëm është një familje mbarëbotërore ku lulëzon paqja dhe uniteti. (Psal. 133:1; Gjoni 10:16) Veç kësaj, pjesëtarët e shumicës së madhe predikojnë me zell lajmin e mirë. Ata janë gjithnjë gati t’i flasin rreth shpresës së tyre për një botë më të mirë kujtdo që dëshiron të dëgjojë. (Mat. 28:19, 20; Zbul. 14:6, 7; 22:17) Nëse je pjesë e shumicës së madhe, pa dyshim shpresa për një të ardhme të shkëlqyer është shumë e çmuar për ty.

3. Cili është synimi i Satanait?

3 Djalli dëshiron të ta grabitë shpresën. Synimi i tij është të të shtyjë të besosh se Jehovait nuk i bëhet vonë për ty dhe se nuk do t’i mbajë premtimet. Nëse Satanai ia del të na grabitë shpresën, do të na lëshojë zemra, e si pasojë mund të mos i shërbejmë më Jehovait. Siç do ta shohim, Djalli u përpoq t’i grabiste Jobit shpresën, e kështu ta detyronte të mos e adhuronte më Jehovain.

4. Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull? (Jobi 1:9-12)

4 Në këtë artikull do të ndalemi te taktikat që përdori Satanai kur u orvat t’i thyente integritetin Jobit. (Lexo Jobin 1:9-12.) Do të shohim edhe çfarë mund të mësojmë nga shembulli i Jobit dhe pse duhet të kujtojmë gjithmonë se Perëndia na do e se do t’i përmbushë premtimet e Tij.

SATANAI U PËRPOQ T’I GRABITË SHPRESËN JOBIT

5-6. Çfarë i ndodhi Jobit brenda një periudhe të shkurtër?

5 Jobit po i shkonte jeta për bukuri. Gëzonte një miqësi të ngushtë me Jehovain. Kishte një familje të madhe, të lidhur fort me njëri-tjetrin, si edhe ishte goxha i pasur. (Jobi 1:1-5) Mirëpo brenda një dite të vetme, Jobi humbi thuajse gjithçka. Në fillim humbi pasurinë. (Jobi 1:13-17) Pastaj i vdiqën të gjithë fëmijët e tij të dashur. Mendo një moment për këtë tragjedi. Prindërve u helmohet shpirti kur u vdes një fëmijë. Imagjino, pra, tronditjen, hidhërimin dhe dëshpërimin që provuan Jobi dhe gruaja e tij kur morën vesh se të dhjetë fëmijët u kishin vdekur nën rrënoja. Nuk habitemi që Jobi shqeu rrobat nga pikëllimi i thellë dhe u shemb përtokë!—Jobi 1:18-20.

6 Pastaj, Satanai e goditi Jobin me një sëmundje tepër të dhimbshme që t’i ulte dinjitetin. (Jobi 2:6-8; 7:5) Më parë, Jobi kishte qenë goxha i respektuar nga të gjithë. Njerëzit shkonin tek ai për këshilla e drejtim. (Jobi 29:7, 8, 21) Kurse tani e mënjanonin. I kishin kthyer kurrizin e i rrinin larg vëllezërit, shokët e ngushtë, e madje edhe shërbëtorët e tij.—Jobi 19:13, 14, 16.

Shumë Dëshmitarë sot kanë provuar ndjenja të ngjashme me ato që provoi Jobi kur i ranë gjëma (Shih paragrafin 7) *

7. (a) Cila mendoi Jobi se ishte arsyeja e gjëmave që i ranë, por çfarë nuk pranoi të bënte? (b) Çfarë sprove e ngjashme me atë që tregohet në figurë mund t’i bjerë sot një adhuruesi të Jehovait?

7 Satanai donte që Jobi të besonte se po vuante ngaqë kishte humbur miratimin e Jehovait. Për ta arritur këtë, Satanai përdori një erë të furishme që të shembte shtëpinë ku të dhjetë fëmijët e Jobit po shijonin një vakt së bashku. (Jobi 1:18, 19) Gjithashtu bëri të binte nga qielli një zjarr që përpiu jo vetëm kopetë e Jobit, por edhe shërbëtorët që po kujdeseshin për to. (Jobi 1:16) Meqë era dhe zjarri erdhën nga një burim i mbinatyrshëm, Jobi nxori përfundimin se ai Burim duhej të ishte Perëndia Jehova. Si pasojë, mendoi se duhej të kishte bërë ndonjë gjë që e kish zemëruar Jehovain. Prapëseprapë, Jobi nuk pranoi ta mallkonte Atin e tij qiellor. Ai e dinte mirë se gjatë gjithë jetës së tij kishte marrë plot dhurata nga Jehovai. Prandaj arsyetoi se përderisa i kishte pranuar me kënaqësi të mirat, duhej të ishte i gatshëm të pranonte edhe të këqijat. Ai tha: «Qoftë përherë i lëvduar emri i Jehovait!» (Jobi 1:20, 21; 2:10) Deri në atë pikë, Jobi kishte përballuar i palëkundur sprova të rënda ekonomike, emocionale dhe fizike. Por Satanai s’kishte mbaruar punë me të.

8. Çfarë taktike tjetër përdori Satanai kundër Jobit?

8 Satanai përdori edhe një taktikë tjetër kundër Jobit. Ai nxiti tre miq të rremë që t’i gërryenin vlerësimin për veten. Ata burra i thanë Jobit se po vuante ngaqë kishte bërë gjëra të liga. (Jobi 22:5-9) Gjithashtu u përpoqën ta bindnin se, edhe në rast se ishte njeri i drejtë, çdo përpjekje që bënte për ta kënaqur Perëndinë s’kishte pikë vlere. (Jobi 4:18; 22:2, 3; 25:4) Me fjalët e tyre po orvateshin t’i ngjallnin dyshime nëse Perëndia e donte, nëse do të kujdesej për të dhe nëse ia vlente t’i shërbente Atij. Si pasojë, Jobi mund të jetë ndier sikur situata e tij ishte e pashpresë.

9. Çfarë i dha guxim dhe forcë Jobit?

9 Imagjino pak: Jobi është ulur në hi e dhimbjet nuk i pushojnë asnjë çast. (Jobi 2:8) Shokët e tij e sulmojnë mizorisht me fjalë duke e paraqitur si njeri të pavlerë dhe përpiqen t’i shkatërrojnë reputacionin. Sprovat i rëndojnë si gur në zemër, ndërsa vdekja e fëmijëve ia ka bërë shpirtin copë e çikë. Në fillim, Jobi rri i heshtur. (Jobi 2:13–3:1) Nëse shokët e Jobit e interpretojnë heshtjen e tij si një shenjë se do t’i kthejë shpinën Krijuesit, gabohen rëndë. Në një moment—ndoshta pasi ngre kokën dhe i sheh drejt e në sy ata shokë të rremë—Jobi thotë: «Nga integriteti im nuk do të heq dorë derisa të vdes!» (Jobi 27:5) Çfarë i dha Jobit aq shumë guxim e forcë përballë gjithë atyre vuajtjeve? Edhe në momentet më të rënda të jetës, ai nuk e humbi kurrë shpresën se Perëndia i tij i dashur do t’i sillte lehtësim. E dinte se, edhe sikur të vdiste, Jehovai do ta kthente sërish në jetë.—Jobi 14:13-15.

SI MUND TA IMITOJMË JOBIN?

10. Çfarë na mëson historia e Jobit?

10 Historia e Jobit na mëson se Satanai s’na detyron dot t’i kthejmë shpinën Perëndisë tonë dhe se Jehovai di fare mirë çdo gjë që kalojmë. Historia e tij mund të na ndihmojë edhe të kuptojmë më qartë çështjet e përfshira në një sprovë. Të ndalemi te disa mësime që mund të nxjerrim nga shembulli i Jobit.

11. Për çfarë mund të jemi të sigurt nëse vazhdojmë të mbështetemi me besim te Jehovai? (Jakovi 4:7)

11 Shembulli i Jobit tregon se po të vazhdojmë të mbështetemi me besim te Jehovai, do t’ia dalim të përballojmë çdo sprovë dhe t’i kundërvihemi Satanait. Cili do të jetë rezultati? Shkrimet na sigurojnë se Djalli do të ikë nga ne.—Lexo Jakovin 4:7.

12. Si e ndihmoi Jobin shpresa e ringjalljes?

12 Duhet ta mbajmë të rrënjosur thellë në zemër shpresën e ringjalljes. Siç e pamë në artikullin e kaluar, Satanai e përdor shpesh frikën e vdekjes si një armë që të na detyrojë të heqim dorë nga integriteti. Në rastin e Jobit, Satanai tha se për të shpëtuar jetën, Jobi do të ishte i gatshëm të sakrifikonte çdo gjë, madje edhe integritetin e tij. Por e kishte shumë gabim. Edhe në ditët më të errëta të jetës, atëherë kur vdekja dukej e pashmangshme, Jobi nuk bëri kompromis. Besimi te mirësia e Jehovait dhe shpresa e patundur se me kohë Ai do të ndreqte çdo gjë, e ndihmuan të qëndronte i paepur. Jobi kishte besim se, edhe po të mos e ndreqte situatën gjatë jetës së tij, Jehovai do ta ringjallte në të ardhmen. Shpresa e ringjalljes ishte reale për Jobin. Nëse kjo shpresë është reale edhe për ne, as kërcënimi i vdekjes nuk do të na e thyejë dot integritetin.

13. Pse duhet t’u kushtojmë shumë vëmendje taktikave që përdori Satanai kundër Jobit?

13 Duhet t’i kushtojmë shumë vëmendje taktikave që përdori Satanai kundër Jobit, sepse sot ai po përdor taktika të ngjashme kundër nesh. Ja akuza që ngriti Satanai: «Njeriu [jo vetëm Jobi] jep çdo gjë që ka për jetën e vet.» (Jobi 2:4, 5) Me fjalë të tjera, Satanai thotë se ne nuk e duam vërtet Perëndinë Jehova dhe se po të vijë puna për të shpëtuar jetën tonë, do t’i kthejmë shpinën. Veç kësaj thotë se Perëndia nuk na do dhe se nuk i hyjnë në sy përpjekjet tona për ta kënaqur. Ne që shpresojmë te Jehovai, i njohim qëllimet e Satanait, prandaj nuk biem në grackën e taktikave të tij.

14. Çfarë mund të nxjerrin në pah sprovat? Ilustrojeni.

14 Sprovat duhet t’i shohim si një mundësi për të njohur më mirë veten. Sprovat që hasi, e ndihmuan Jobin të dallonte disa pika të dobëta e t’i ndreqte. Për shembull, ai kuptoi se duhej të zhvillonte më shumë përulësi. (Jobi 42:3) Edhe ne mund të mësojmë shumë për veten kur përballojmë ndonjë sprovë. Një vëlla që quhet Nikolaj, * të cilin e futën në burg ndonëse vuan nga disa sëmundje të rënda, thotë: «Burgu është si një skaner; nxjerr në pah cilësitë e brendshme të një të krishteri.» Kur i diktojmë pikat tona të dobëta, mund të punojmë për t’i ndrequr.

15. Kujt duhet t’i vëmë veshin, dhe pse?

15 Duhet t’i vëmë veshin Jehovait, jo armiqve tanë. Jobi dëgjoi tërë sy e veshë kur i foli Jehovai. Ndërsa arsyetonte me Jobin, Perëndia në thelb i tha: «A e sheh fuqinë time që shpaloset te krijimi? Unë di me hollësi çdo gjë që po kalon. A mendon se nuk kujdesem dot për ty?!» Pas kësaj, Jobi tregoi përulësi dhe mirënjohje të thellë për mirësinë e Jehovait. Ai tha: «Veç kisha dëgjuar të flitej për ty, por tani të shoh me sytë e mi.» (Jobi 42:5) Kur tha këto fjalë, ka të ngjarë që Jobi të ishte akoma i ulur në hi, me trupin tërë plagë dhe me zemrën copë për fëmijët e vdekur. Gjithsesi, Jehovai e siguroi se e donte dhe se kishte miratimin e Tij.—Jobi 42:7, 8.

16. Siç tregon Isaia 49:15, 16, çfarë duhet të mbajmë parasysh kur hasim sprova?

16 Edhe sot, njerëzit mund të na fyejnë dhe mund të na trajtojnë sikur s’kemi pikë vlere. Mund të përpiqen të na prishin reputacionin si individë e si organizatë, si edhe «thonë lloj-lloj gënjeshtrash të liga kundër» nesh. (Mat. 5:11) Nga historia e Jobit mësojmë se Jehovai ka besim që do t’i qëndrojmë besnikë përballë sprovave. Ati ynë na do dhe s’ka për t’i braktisur kurrë ata që shpresojnë tek ai. (Lexo Isainë 49:15, 16.) Mos ia vër veshin asnjëherë shpifjeve që përhapin armiqtë e Perëndisë! Xhejmsi, një vëlla nga Turqia, familja e të cilit ka hasur sprova të rënda, thotë: «Kuptuam se po t’ua vinim veshin gënjeshtrave për popullin e Perëndisë, do të shkurajoheshim. Ndaj u përqendruam te shpresa e Mbretërisë dhe vazhduam t’i shërbenim me zell Jehovait. Kështu, arritëm të ruanim gëzimin.» Njësoj si Jobi, ne ia vëmë veshin Jehovait. Gënjeshtrat e armiqve tanë nuk na e shuajnë shpresën!

SHPRESA DO TË JETË BURIM FORCE PËR TY

Jobi u bekua për integritetin e tij. Bashkë me të shoqen, ai gëzoi bekimet e Jehovait për vite të tëra (Shih paragrafin 17) *

17. Çfarë të mëson shembulli i besnikëve të përmendur te kapitulli 11 i Hebrenjve?

17 Jobi është vetëm një nga shërbëtorët e Jehovait që nuk e humbën kurajën dhe qëndruan të fortë përballë sprovave të rënda. Në letrën që u shkroi hebrenjve, apostulli Pavël përmend shumë shembuj të ngjashëm dhe i quan ‘një re e madhe dëshmitarësh’. (Hebr. 12:1) Të gjithë kaluan sprova të rënda; por sot ndrijnë si pishtarë për ne se i qëndruan besnikë Jehovait gjatë gjithë jetës. (Hebr. 11:36-40) A ishin të kota qëndrueshmëria dhe mundi i tyre? Aspak! Ndonëse sa ishin gjallë nuk e panë plotësimin e të gjitha premtimeve të Perëndisë, vazhduan të shpresonin te Jehovai. Dhe ngaqë kishin bindjen se Jehovai i miratonte, ishin të sigurt se do ta shihnin me sytë e vet kur ato premtime të bëheshin realitet. (Hebr. 11:4, 5) Shembulli i tyre mund të na forcojë vendosmërinë që të vazhdojmë të shpresojmë te Jehovai.

18. Çfarë je i vendosur të bësh? (Hebrenjve 11:6)

18 Jetojmë në një botë që po katandiset keq e më keq. (2 Tim. 3:13) Satanai vazhdon t’i godasë me sprova shërbëtorët e Perëndisë. Çfarëdo vështirësish të kemi para, qofshim të vendosur të përpiqemi fort për Jehovain, të sigurt se «e kemi varur shpresën tonë te një Perëndi i gjallë»! (1 Tim. 4:10) Të mos harrojmë se Jehovai e shpërbleu Jobin, e kjo tregon se Ai «është shumë i dhembshur e i mëshirshëm». (Jak. 5:11) I qëndrofshim edhe ne besnikë Jehovait, të bindur se Ai shpërblen këdo ‘që e kërkon me ngulm’!—Lexo Hebrenjve 11:6.

KËNGA 150 Jehovai të premton çlirim

^ Kur mendojmë për dikë që ka hequr sprova të rënda, shpesh na shkon mendja te Jobi. Çfarë na mëson shembulli i këtij burri besnik? Na mëson se Satanai nuk na detyron dot t’i kthejmë shpinën Jehovait. Gjithashtu na mëson se Jehovai di fare mirë çdo gjë që kalojmë. E ashtu siç u dha fund sprovave të Jobit, Jehovai do t’u japë fund një ditë edhe të gjitha vuajtjeve tona. Nëse me veprimet tona tregojmë se jemi plotësisht të bindur për këto fakte, atëherë jemi mes atyre që ‘shpresojnë te Jehovai’.

^ SHPJEGIMI I FJALËS: Fjala hebraike e përkthyer ‘të shpresosh’, në thelb do të thotë ‘të presësh’ me padurim diçka. Mund të përcjellë edhe idenë që të besosh te dikush ose të mbështetesh pa rezerva tek ai.—Psal. 25:2, 3; 62:5.

^ Disa emra janë ndryshuar.

^ PËRSHKRIMI I FIGURËS: Jobi dhe gruaja e tij të tronditur nga humbja tragjike e fëmijëve.

^ PËRSHKRIMI I FIGURËS: Jobi i përballoi me qëndrueshmëri sprovat deri në fund. Ai dhe e shoqja meditojnë për bekimet që ka derdhur Jehovai mbi ta dhe familjen e tyre.