Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A është përulësia dobësi apo forcë karakteri?

A është përulësia dobësi apo forcë karakteri?

Pikëpamja e Biblës

A është përulësia dobësi apo forcë karakteri?

SHPESH, sipas botës, njerëzit që duhen imituar janë krenarët dhe ata që janë tepër të sigurt në vetvete. Të përulurit dhe të butët, në përgjithësi shihen si të dobët, frikacakë ose servilë. Por a është përulësia e sinqertë vërtet një dobësi? Dhe, a është krenaria forcë karakteri? Çfarë thotë Bibla?

Në fillim duhet thënë se Bibla flet mirë për disa lloje krenarie. Për shembull, të krishterët duhet të jenë krenarë se Jehovai është Perëndia i tyre dhe se i njeh ata. (Psalmi 47:4; Jeremia 9:24; 2 Selanikasve 1:3, 4) Prindërit mund të jenë krenarë për fëmijët e tyre kur këta lënë një shembull të shkëlqyer me sjelljen e krishterë dhe qëndrojnë të patundur me guxim në adhurimin e vërtetë. (Proverbat 27:11) Megjithatë, krenaria ka edhe një anë të errët.

Një shqyrtim më i thellë i krenarisë dhe i përulësisë

Sipas një përkufizimi, krenaria është vlerësim i tepruar për veten. Kush ka këtë lloj krenarie, në mënyrë të papërshtatshme e mendon veten tepër të rëndësishëm dhe ndihet më lart se të tjerët, ndoshta për shkak të bukurisë, racës, pozitës, talentit ose pasurisë. (Jakovi 4:13-16) Bibla flet për njerëz që janë «të krekosur». (2 Timoteut 3:4) Me fjalë të tjera, ata kanë një vlerësim të ekzagjeruar për veten, që nuk bazohet në arsye të vlefshme.

Nga ana tjetër, të përulurit përpiqen ta shohin veten me ndershmëri dhe me realizëm, duke pranuar të metat e tyre dhe pozitën e ulët që kanë para Perëndisë. (1 Pjetrit 5:6) Për më tepër, e pranojnë, e madje gëzohen kur të tjerët shfaqin cilësi më të mira se ata. (Filipianëve 2:3) Prandaj, nuk i vreros zilia dhe nuk i mposht xhelozia. (Galatasve 5:26) Kuptohet që përulësia e sinqertë, sjell marrëdhënie të mira me të tjerët dhe të ndihmon të jesh i qetë dhe i qëndrueshëm emocionalisht.

Të marrim rastin e Jezuit. Para se të vinte në tokë, ai ishte një krijesë e fuqishme frymore në qiell. Por edhe kur erdhi në tokë, ishte njeri i përsosur dhe pa mëkat. (Gjoni 17:5; 1 Pjetrit 2:21, 22) Kishte aftësi, inteligjencë dhe njohuri të pakrahasueshme. Megjithatë, kurrë nuk u kapardis, por gjithnjë u tregua i përulur. (Filipianëve 2:6) Madje një herë, u lau këmbët apostujve; gjithashtu, tregoi interes të sinqertë për fëmijët. (Luka 18:15, 16; Gjoni 13:4, 5) Në një rast, kur kishte pranë një fëmijë, Jezui tha: «Kushdo që përulet dhe bëhet si ky fëmijë i vogël, do të jetë më i madhi në mbretërinë e qiejve.» (Mateu 18:2-4) Po, në sytë e Jezuit dhe të Atit të tij, madhështia e vërtetë vjen nga përulësia, jo nga krenaria.​—Jakovi 4:10.

Përulësia tregon forcë karakteri

Ndonëse ishte një model i përulësisë, Jezui nuk ishte aspak njeri i dobët, servil ose frikacak. Ai foli me guxim për të vërtetën dhe nuk kishte fare frikë nga njerëzit. (Mateu 23:1-33; Gjoni 8:13, 44-47; 19:10, 11) Prandaj, fitoi edhe respektin e disa kundërshtarëve të tij. (Marku 12:13, 17; 15:5) Por Jezui kurrë nuk donte të dilte mbi të tjerët. Përkundrazi, me anë të përulësisë, mirëdashjes dhe dashurisë, i bënte për vete të tjerët me ngrohtësi, dhe kështu ua fitonte zemrën në një mënyrë që njeriu krenar nuk e arrin dot kurrë. (Mateu 11:28-30; Gjoni 13:1; 2 Korintasve 5:14, 15) Edhe sot e kësaj dite, miliona veta i nënshtrohen me besnikëri Krishtit, nga dashuria e sinqertë dhe respekti i thellë që kanë për të.​—Zbulesa 7:9, 10.

Fjala e Perëndisë na nxit të jemi të përulur, sepse ata që kanë zemër të përulur i pranojnë me gatishmëri këshillat dhe është një kënaqësi t’i mësosh. (Luka 10:21; Kolosianëve 3:10, 12) Ashtu si Apoli, njeri gojëtar dhe mësues i hershëm i krishterë, ata janë gati ta ndreqin pikëpamjen e tyre kur vihen përballë fakteve të reja e të sakta. (Veprat 18:24-26) Veç kësaj, nuk ngurrojnë të bëjnë pyetje, kurse krenarët shpesh nuk pyesin nga frika se mos tregohen injorantë.

Shqyrtoni shembullin e eunukut etiopas në shekullin e parë, i cili nuk e kuptonte një fragment nga Shkrimet. Filipi, një dishepull i krishterë, e pyeti: «A e kupton vërtet atë që po lexon?» Etiopasi iu përgjigj: «E si do të mundja, nëse dikush nuk më drejton?» Çfarë përulësie, sidomos duke mbajtur parasysh se në vendin e tij, eunuku ishte njeri i shquar! Falë përulësisë, ai fitoi gjykim të thellë për Shkrimet.​—Veprat 8:26-38.

Etiopasi ndryshonte shumë nga skribët dhe farisenjtë judenj, që e mbanin veten si elita fetare e kohës së tyre. (Mateu 23:5-7) Në vend që t’i dëgjonin me përulësi Jezuin dhe dishepujt e tij, ata i përçmuan dhe u përpoqën t’u gjenin të meta. Kështu, krenaria i mbajti në padije lidhur me vullnetin dhe qëllimet e Perëndisë.​—Gjoni 7:32, 47-49; Veprat 5:29-33.

Je si argjila e butë apo si argjila e fortë?

Bibla e krahason Jehovain me një poçar, kurse njerëzit me argjilën. (Isaia 64:8) Përulësia e ndihmon njeriun të jetë si argjila e butë në duart e Perëndisë, pra të jetë një njeri të cilit Perëndia mund t’i japë formën e një ene të pëlqyeshme; kurse krenarët janë si argjila e thatë dhe e fortë, që s’ke ç’i bën tjetër, veçse ta shtypësh. Një shembull famëkeq i krenarëve është faraoni fodull i Egjiptit të lashtë që e kundërshtoi Jehovain, derisa kjo i kushtoi jetën. (Dalja 5:2; 9:17; Psalmi 136:15) Vdekja e faraonit e ilustron më së miri proverbin: «Krenaria vjen para rrëzimit dhe fryma e fodullëkut para pengimit.»​—Proverbat 16:18.

Çka thamë më sipër nuk nënkupton se shërbëtorët e Perëndisë nuk luftojnë kurrë me krenarinë. Për shembull, apostujt e Jezuit shpesh debatuan se kush ndër ta ishte më i madhi. (Luka 22:24-27) Megjithatë, ata nuk u mposhtën nga krenaria, por e dëgjuan Jezuin dhe me kohë ndryshuan pikëpamje.

Solomoni shkroi: «Fryti i përulësisë dhe frika nga Jehovai është pasuri, lavdi dhe jetë.» (Proverbat 22:4) Sa arsye të forta kemi për të kultivuar përulësinë! Ajo jo vetëm që është një cilësi tërheqëse e që tregon forcë karakteri, por edhe na ndihmon të fitojmë miratimin e Perëndisë dhe shpërblimin e jetës së përhershme.​—2 Samuelit 22:28; Jakovi 4:10.

A DONI TË DINI?

A është e gabuar çdo lloj krenarie?​—2 Selanikasve 1:3, 4.

Në ç’mënyrë përulësia na ndihmon të mësojmë?​—Veprat 8:26-38.

A kanë nevojë shërbëtorët e Perëndisë ta kultivojnë përulësinë?​—Luka 22:24-27.

Ç’e ardhme i pret të përulurit?​—Proverbat 22:4.

[Figura në faqet 20, 21]

Jezui i bënte për vete fëmijët, sepse ishte i përulur