Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI I SHTATËMBËDHJETË

Afroju Perëndisë me anë të lutjes

Afroju Perëndisë me anë të lutjes
  • Pse duhet t’i lutemi Perëndisë?

  • Çfarë duhet të bëjmë që Perëndia të na i dëgjojë lutjet?

  • Si u përgjigjet Perëndia lutjeve tona?

‘Bërësi i qiellit dhe i tokës’ dëshiron t’i dëgjojë lutjet tona

1, 2. Pse duhet ta shohim si një privilegj të madh lutjen, dhe pse duhet të dimë çfarë mëson Bibla për të?

NË KRAHASIM me universin e paanë, Toka është shumë, shumë e vogël. Madje, për Jehovain, që është ‘Bërësi i qiellit dhe i tokës’, kombet janë si një pikë e vogël uji në një kovë. (Psalmi 115:15; Isaia 40:15) E megjithatë, Bibla thotë: «Jehovai u rri pranë tërë atyre që e thërrasin, po, tërë atyre që e thërrasin me të vërtetë. Ai do t’ua plotësojë dëshirën atyre që i frikësohen. Do t’i dëgjojë kur ta thërrasin për ndihmë.» (Psalmi 145:18, 19) Mendo se çfarë do të thotë kjo. Krijuesi i plotfuqishëm na rri pranë dhe, në qoftë se ‘e thërrasim me të vërtetë’, do të na dëgjojë. Sa privilegj të madh që kemi, t’i lutemi Perëndisë!

2 Por, në qoftë se duam që Jehovai të na i dëgjojë lutjet, duhet t’i lutemi në mënyrën që miraton ai. Si mund ta bëjmë këtë, po nuk kuptuam se çfarë mëson Bibla për lutjen?! Është thelbësore të dimë se çfarë thonë Shkrimet për këtë argument, sepse lutjet do të na ndihmojnë t’i afrohemi më shumë Jehovait.

PSE DUHET T’I LUTEMI JEHOVAIT?

3. Cila është një arsye e rëndësishme pse duhet t’i lutemi Jehovait?

3 Një arsye e rëndësishme pse duhet t’i lutemi Jehovait, është se ai vetë na fton të veprojmë kështu. Fjala e tij na inkurajon: «Mos jini në ankth për asgjë, por për çdo gjë, bëjani të njohura Perëndisë kërkesat tuaja me lutje, përgjërime dhe falënderime. Kështu paqja e Perëndisë, që kapërcen çdo mendim, do të ruajë zemrën dhe fuqitë tuaja mendore me anë të Krishtit Jezu.» (Filipianëve 4:6, 7) Natyrisht që nuk duam ta shpërfillim këtë mundësi që na ka dhënë me dashamirësi Sovrani i Madh i universit!

4. Si na ndihmojnë lutjet e rregullta për të forcuar marrëdhënien që kemi me Jehovain?

4 Një arsye tjetër pse duhet të lutemi është se lutjet e rregullta janë një mënyrë për të forcuar marrëdhënien që kemi me Jehovain. Miqtë e ngushtë nuk flasin me njëri-tjetrin vetëm kur kanë nevojë për ndonjë gjë. Ata interesohen për njëri-tjetrin, dhe miqësia e tyre forcohet edhe më shumë kur i shprehin hapur mendimet, shqetësimet dhe ndjenjat e tyre. Në disa aspekte, ndodh po njësoj me marrëdhënien tonë me Perëndinë Jehova. Me ndihmën e këtij libri, ti ke kuptuar shumë rreth asaj që mëson Bibla për Jehovain, për personalitetin dhe për qëllimet e tij. Ke arritur ta njohësh si një person real. Lutjet të japin mundësi t’i shprehësh Atit tënd qiellor mendimet dhe ndjenjat e tua më të thella. Kur lutesh, afrohesh më shumë me Jehovain.Jakovi 4:8.

ÇFARË KËRKESASH DUHET TË PLOTËSOJMË?

5. Si e kuptojmë që Jehovai nuk i dëgjon të gjitha lutjet?

5 A i dëgjon të gjitha lutjet Jehovai? Shiko çfarë u tha ai izraelitëve rebelë që jetonin në kohën e profetit Isaia: «Edhe pse lutjet tuaja janë të shumta, unë nuk i dëgjoj. Duart tuaja janë tërë gjak.» (Isaia 1:15) Pra, disa nga veprimet tona mund të bëjnë që Perëndia të mos na i dëgjojë lutjet. Kështu, që Perëndia të na i dëgjojë lutjet, duhet të plotësojmë disa kërkesa themelore.

6. Cila është një kërkesë themelore që Perëndia të na i dëgjojë lutjet, e si mund ta plotësojmë këtë kërkesë?

6 Një kërkesë themelore është të tregojmë besim. (Marku 11:24) Apostulli Pavël shkroi: «Pa besim është e pamundur t’i pëlqesh [Perëndisë], sepse kush i afrohet Perëndisë, duhet të besojë se ai është dhe se bëhet shpërblyesi i atyre që e kërkojnë me ngulm.» (Hebrenjve 11:6) Të kesh besim të vërtetë nuk do të thotë vetëm të dish se ka një Perëndi, se ai i dëgjon lutjet dhe u përgjigjet atyre. Besimin e tregojmë me vepra. Duhet të japim prova të qarta se kemi besim, me mënyrën se si jetojmë ditë për ditë.Jakovi 2:26.

7. (a) Pse duhet të tregojmë respekt kur i flasim Jehovait në lutje? (b) Si mund të tregojmë përulësi e sinqeritet kur i lutemi Perëndisë?

7 Gjithashtu, Jehovai kërkon nga ata që i luten, t’i drejtohen me përulësi e me sinqeritet. Kemi plot arsye për të qenë të përulur kur i flasim Jehovait, apo jo? Kur njerëzit kanë rastin e rrallë të flasin me një mbret a president, zakonisht flasin me respekt, duke pranuar pozitën e lartë të atij sovrani. Aq më shumë duhet të tregojmë respekt kur i flasim Jehovait në lutje! (Psalmi 138:6) Në fund të fundit, ai është «Perëndi i Plotfuqishëm». (Zanafilla 17:1) Kur i lutemi Perëndisë, mënyra se si i flasim duhet të tregojë se e pranojmë me përulësi pozitën tonë në krahasim me të. Kjo përulësi duhet të na shtyjë edhe t’i lutemi me gjithë zemër e me sinqeritet, duke mos përsëritur gjithnjë të njëjtat lutje në mënyrë mekanike.Mateu 6:7, 8.

8. Si mund të veprojmë në përputhje me lutjet tona?

8 Një kërkesë tjetër që Perëndia të na i dëgjojë lutjet, është të veprojmë në përputhje me lutjet tona. Jehovai pret që ne të bëjmë gjithë ç’kemi në dorë për gjërat që kërkojmë në lutje. Për shembull, në qoftë se lutemi: «Na e jep bukën për këtë ditë», duhet të punojmë pa u lodhur në çfarëdo pune që mund të gjejmë. (Mateu 6:11; 2 Selanikasve 3:10) Në qoftë se lutemi për ndihmë që të kapërcejmë një dobësi që vjen nga papërsosmëria, duhet të bëjmë kujdes e të shmangim rrethanat dhe situatat që mund të na çojnë në tundim. (Kolosianëve 3:5) Veç këtyre kërkesave themelore, ka edhe disa pyetje në lidhje me lutjet, që duhet të marrin përgjigje.

PËRGJIGJE PËR DISA PYETJE RRETH LUTJEVE

9. Cilit duhet t’i lutemi e nëpërmjet kujt?

9 Cilit duhet t’i lutemi? Jezui i mësoi ithtarët e tij që t’i luten ‘Atit që është në qiej’. (Mateu 6:9) Pra, lutjet duhet t’ia drejtojmë vetëm Perëndisë Jehova. Megjithatë, Jehovai kërkon që të pranojmë pozitën e Birit të tij të vetëmlindur, Jezu Krishtit. Siç e pamë në kapitullin e pestë, Jezui u dërgua në tokë që të flijonte jetën e tij si shpërblesë, për të na blerë nga mëkati e nga vdekja. (Gjoni 3:16; Romakëve 5:12) Perëndia e ka caktuar Jezuin si Kryeprift dhe Gjykatës. (Gjoni 5:22; Hebrenjve 6:20) Prandaj, Shkrimet na udhëzojnë që lutjet t’i ofrojmë nëpërmjet Jezuit. Ai vetë tha: «Unë jam udha, e vërteta dhe jeta. Askush nuk vjen tek Ati, përveçse nëpërmjet meje.» (Gjoni 14:6) Që të na dëgjohen lutjet, duhet t’i lutemi vetëm Jehovait, nëpërmjet Birit të tij.

10. Pse nuk kërkohet ndonjë pozicion i veçantë i trupit kur lutemi?

10 A duhet të rrimë në ndonjë pozicion të veçantë kur lutemi? Jo. Jehovai nuk kërkon që të kemi ndonjë pozicion të veçantë, as të duarve, as të trupit. Bibla mëson se është e pranueshme të lutemi në shumë pozicione. Për shembull, kur lutemi mund të jemi ulur, të përkulur, në gjunjë ose ngritur në këmbë. (1 Kronikave 17:16; Nehemia 8:6; Danieli 6:10; Marku 11:25) Ajo që ka vërtet rëndësi nuk është ndonjë pozicion i veçantë që mund ta shohin të tjerët, por gjendja e duhur e zemrës. Për shembull, kur merremi me aktivitetet e përditshme ose kur na del ndonjë e papritur, mund të bëjmë një lutje në heshtje kudo që të jemi. Jehovai i dëgjon këto lutje, ndonëse ata që kemi përreth, mund të mos e vënë re se jemi lutur.Nehemia 2:1-6.

11. Cilat janë disa gjëra personale, për të cilat është e përshtatshme të lutemi?

11 Për çfarë mund të lutemi? Bibla shpjegon: «Çfarëdo që të kërkojmë sipas vullnetit të tij, ai [Jehovai] na dëgjon.» (1 Gjonit 5:14) Pra, mund të lutemi për çdo gjë që është në përputhje me vullnetin e Perëndisë. A është vullneti i tij që ne t’i lutemi për gjërat që na shqetësojnë personalisht? Patjetër që po! Lutjet që i bëjmë Jehovait mund të jenë pak a shumë si bisedat që bëjmë me një mik të ngushtë. Mund t’i flasim hapur Perëndisë, ‘duke i zbrazur zemrën’ atij. (Psalmi 62:8) Është e përshtatshme që t’i kërkojmë frymën e shenjtë, sepse kjo frymë do të na ndihmojë të veprojmë drejt. (Luka 11:13) Gjithashtu, mund t’i kërkojmë udhëheqje që të marrim vendime të mençura dhe forcë për të përballuar vështirësitë. (Jakovi 1:5) Kur mëkatojmë, duhet t’i kërkojmë falje në bazë të flijimit të Krishtit. (Efesianëve 1:3, 7) Por, natyrisht, gjërat personale nuk duhet të jenë e vetmja temë e lutjeve tona. Në lutje duhet të përfshijmë edhe njerëz të tjerë, si për shembull familjarët dhe bashkadhuruesit tanë.Veprat 12:5; Kolosianëve 4:12.

12. Si mund të tregojmë në lutje se çështjet që kanë të bëjnë me Atin tonë qiellor janë më të rëndësishmet për ne?

12 Vend të parë në lutjet tona duhet të zënë çështjet që kanë të bëjnë me Perëndinë Jehova. Kemi shumë arsye për t’i shprehur lavdërimet tona nga zemra dhe për ta falënderuar për gjithë mirësinë e tij. (1 Kronikave 29:10-13) Jezui na dha lutjen model, te Mateu 6:9-13, në të cilën na mësoi të lutemi që të shenjtërohet emri i Perëndisë, pra të trajtohet si i shenjtë. Na mësoi të lutemi që të vijë Mbretëria e Perëndisë dhe të bëhet vullneti i Tij në tokë, si edhe në qiell. Vetëm pasi kishte përmendur këto çështje të rëndësishme që kishin të bënin me Jehovain, Jezui u kushtoi vëmendje gjërave personale. Edhe ne, kur i kushtojmë Perëndisë vëmendjen kryesore në lutjet tona, tregojmë se nuk na intereson vetëm mirëqenia jonë.

13. Çfarë tregojnë Shkrimet për sa i përket gjatësisë së lutjeve të pranueshme?

13 Sa të gjata duhet të jenë lutjet? Bibla nuk vë ndonjë kufi se sa të gjata duhet të jenë lutjet personale ose publike. Lutjet mund të jenë të shkurtra, si ato që bëhen para se të hamë, ose të gjata, si lutjet personale ku i zbrazim zemrën Jehovait. (1 Samuelit 1:12, 15) Por, Jezui i dënoi ata individë që e mbanin veten për të drejtë dhe bënin lutje të gjata sa për t’u dukur para të tjerëve. (Luka 20:46, 47) Këto lutje nuk i bëjnë fare përshtypje Jehovait. Për të, e rëndësishme është që të lutemi nga zemra. Prandaj, lutjet e pranueshme mund të kenë gjatësi të ndryshme, në varësi të nevojave dhe të rrethanave tona.

Lutjet e tua mund të dëgjohen në çdo rast

14. Për çfarë e ka fjalën Bibla kur na nxit që ‘të lutemi vazhdimisht’, dhe pse na ngushëllon kjo?

14 Sa herë duhet të lutemi? Bibla na nxit që ‘të lutemi vazhdimisht’, ‘të ngulmojmë në lutje’ dhe ‘të lutemi pa pushim’. (Mateu 26:41; Romakëve 12:12; 1 Selanikasve 5:17) Sigurisht, këto shprehje nuk do të thonë se duhet t’i lutemi Jehovait çdo çast të ditës. Në të vërtetë, Bibla po na nxit që të lutemi rregullisht, duke e falënderuar vazhdimisht Jehovain për mirësinë që na tregon dhe duke i kërkuar udhëheqje, ngushëllim e forcë. A nuk është ngushëlluese të dimë se Jehovai nuk na vë asnjë kufi se sa të gjata duhet të jenë lutjet ose sa herë mund t’i flasim në lutje? Nëse e vlerësojmë vërtet privilegjin e lutjes, do të gjejmë plot raste për t’iu lutur Atit tonë qiellor.

15. Pse duhet të themi «amin» në fund të lutjeve personale dhe publike?

15 Pse duhet të themi «amin» në fund të lutjes? Fjala «amin» do të thotë «ashtu qoftë». Në Shkrime gjejmë shembuj që tregojnë se është e përshtatshme të themi «amin» në fund të lutjeve personale ose publike. (1 Kronikave 16:36; Psalmi 41:13) Duke thënë «amin» në fund të lutjes që kemi bërë vetë ne, pohojmë se i kishim të sinqerta ato që thamë. Kur themi «amin»—në heshtje ose me zë,—në fund të lutjes që ka bërë dikush në publik, po tregojmë se jemi dakord me mendimet që u shprehën.1 Korintasve 14:16.

SI U PËRGJIGJET PERËNDIA LUTJEVE TONA?

16. Çfarë sigurie mund të kemi për sa u përket lutjeve?

16 A u përgjigjet vërtet Jehovai lutjeve? Po, patjetër! Kemi një bazë të fortë për të qenë të sigurt se ‘Dëgjuesi i lutjes’ u përgjigjet lutjeve të sinqerta që i bëjnë miliona njerëz. (Psalmi 65:2) Jehovai mund t’u përgjigjet në shumë mënyra lutjeve tona.

17. Pse mund të themi se Perëndia përdor engjëjt dhe shërbëtorët e tij njerëzorë për t’iu përgjigjur lutjeve tona?

17 Jehovai përdor engjëjt dhe shërbëtorët njerëzorë për t’iu përgjigjur lutjeve. (Hebrenjve 1:13, 14) Ka shumë përvoja kur njerëzit i janë lutur Perëndisë për ndihmë që të kuptonin Biblën dhe, pak më pas, i ka takuar një shërbëtor i Jehovait. Këto përvoja tregojnë se veprën e predikimit të Mbretërisë po e drejtojnë engjëjt. (Zbulesa 14:6) Për t’iu përgjigjur lutjeve që i bëjmë kur kemi nevoja të ngutshme, Jehovai mund të nxitë një të krishterë që të na vijë në ndihmë.Proverbat 12:25; Jakovi 2:16.

Në përgjigje të lutjeve tona, Jehovai mund të nxitë një të krishterë që të na vijë në ndihmë

18. Si i përdor Jehovai frymën e tij të shenjtë dhe Fjalën e tij për t’iu përgjigjur lutjeve të shërbëtorëve të vet?

18 Veç kësaj, Perëndia Jehova përdor frymën e shenjtë dhe Fjalën e tij, Biblën, për t’iu përgjigjur lutjeve të shërbëtorëve të vet. Lutjeve tona për ndihmë që të përballojmë sprovat, ai mund t’u përgjigjet duke na dhënë udhëheqje dhe forcë me anë të frymës së tij të shenjtë. (2 Korintasve 4:7) Shpesh, lutjet tona për udhëheqje e marrin përgjigjen nga Bibla, ku Jehovai ka dhënë udhëzime se si të marrim vendime të mençura. Gjatë studimit personal të Biblës dhe kur lexojmë botime të krishtere, si ky libër, mund të gjejmë shkrime që na hyjnë në punë. Disa parime biblike që duhet t’i mbajmë parasysh, mund të përmenden në një mbledhje të krishterë ose në komentet që bën një plak kongregacioni, i interesuar për mirëqenien tonë.Galatasve 6:1.

19. Çfarë duhet të mbajmë në mendje, nëse ndonjëherë na duket se lutjet tona nuk po marrin përgjigje?

19 Nëse na duket se Jehovai po vonon e s’po u përgjigjet lutjeve tona, kjo nuk ndodh kurrë ngaqë nuk është në gjendje t’u përgjigjet. Duhet të mbajmë në mendje se Jehovai u përgjigjet lutjeve në përputhje me vullnetin e tij dhe në kohën e duhur sipas tij. Ai i njeh nevojat tona dhe di si t’i plotësojë ato shumë më mirë se ne. Shpesh, lejon që ne ‘të vazhdojmë të kërkojmë e të trokasim’. (Luka 11:5-10) Këmbëngulja jonë i tregon Perëndisë se e dëshirojmë vërtet atë që po kërkojmë dhe kemi besim të sinqertë. Për më tepër, Jehovai mund t’u përgjigjet lutjeve tona në një mënyrë që s’e dallojmë menjëherë. Për shembull, lutjes sonë për ndonjë sprovë të veçantë mund t’i përgjigjet, jo duke na e hequr sprovën, por duke na dhënë forcën që ta durojmë.Filipianëve 4:13.

20. Pse duhet të përfitojmë plotësisht nga privilegji i çmuar i lutjes?

20 Sa mirënjohës duhet të jemi që Krijuesi i këtij universi të paanë u rri pranë të gjithë atyre që e thërrasin siç duhet në lutje! (Psalmi 145:18) Le të përfitojmë plotësisht nga privilegji i çmuar i lutjes. Nëse veprojmë kështu, do të kemi kënaqësinë që t’i afrohemi gjithnjë e më shumë Jehovait, Dëgjuesit të lutjes.