Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ndihmo veten dhe të tjerët duke përdorur Fjalën e Perëndisë

Ndihmo veten dhe të tjerët duke përdorur Fjalën e Perëndisë

«I çmoj si të drejtë tërë urdhrat që ke dhënë për çdo gjë.»PSAL. 119:128.

1. Pse duhet të kemi besim absolut te Fjala e Perëndisë?

KUR pleqtë shqyrtojnë nëse një student i Biblës kualifikohet të marrë pjesë në predikim, pyesin veten: «A tregojnë fjalët e individit se beson që Bibla është Fjala e frymëzuar e Perëndisë?» * Për dikë që dëshiron të bëhet lajmëtar i Mbretërisënë fakt për të gjithë shërbëtorët e Perëndisëpërgjigjja duhet të jetë një po e prerë. Pse? Falë sigurisë që kemi te Fjala e Perëndisë dhe aftësisë për ta përdorur në shërbim, do të jemi në gjendje t’i ndihmojmë të tjerët ta njohin Jehovain dhe të shpëtojnë.

2. Pse duhet ‘të vazhdojmë në gjërat që mësuam’?

2 Apostulli Pavël nxori në pah rëndësinë e Fjalës së Perëndisë kur i shkroi Timoteut: «Vazhdo në gjërat që mësove dhe u binde të besoje.» «Gjërat» që përmendi Pavli janë të vërtetat biblike që e nxitën Timoteun të besonte te lajmi i mirë. Këto të vërteta ndikojnë po njësoj te ne sot dhe vazhdojnë të na ndihmojnë të ruajmë mençurinë që sjell shpëtim. (2 Tim. 3:14, 15) Shpesh përdorim fjalët vijuese të Pavlit që t’u tregojmë të tjerëve se Bibla ka burim hyjnor, por secili nga ne mund të nxjerrë akoma dobi nga 2 Timoteut 3:16. (Lexoje.) Le ta shohim më me hollësi këtë varg. Kështu do të forcojmë sigurinë tonë se mësimet e Jehovait janë ‘të drejta’.Psal. 119:128.

«I DOBISHËM PËR TË MËSUAR»

3-5. (a) Si reagoi një turmë pas fjalimit të Pjetrit në festën e Ditës së Pesëdhjetë, dhe pse? (b) Pse shumë selanikas e pranuan të vërtetën? (c) Çfarë u bën përshtypje njerëzve sot nga shërbimi ynë?

3 Jezui i tha kombit të Izraelit: «Po ju dërgoj profetë, njerëz të mençur dhe mësues që mësojnë në publik.» (Mat. 23:34) E kishte fjalën për dishepujt e tij, të cilët i kishte mësuar të përdornin Shkrimet në shërbim.  Në festën e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s një nga këta «mësues që mësojnë në publik», apostulli Pjetër, bëri një fjalim para një turme të madhe në Jerusalem ku citoi disa fragmente nga Shkrimet Hebraike. Me të dëgjuar shpjegimin e këtyre fjalëve nga Pjetri, shumë dëgjuesve «u sëmboi në zemër». U penduan për mëkatet e së kaluarës dhe rreth tre mijë prej tyre i kërkuan falje Perëndisë e u bënë të krishterë.Vep. 2:37-41.

4 Një tjetër mësues publik, apostulli Pavël, predikoi lajmin e mirë në zonat larg Jerusalemit. Për shembull, në qytetin maqedonas të Selanikut, u foli atyre që adhuronin në sinagogë. Për tri sabate, Pavli «arsyetoi me ta nga Shkrimet, duke shpjeguar e provuar me pjesë nga shkrimet se Krishti duhej të vuante e të ngrihej nga të vdekurit». Me ç’rezultat? «Disa prej tyre [judenj] u bënë besimtarë», si edhe «shumë grekë».Vep. 17:1-4.

5 Edhe sot shumë vetave u bën goxha përshtypje mënyra si e përdorin Biblën shërbëtorët e Perëndisë. Pasi dëgjoi një nga motrat tona që i lexoi një shkrim, një pronar shtëpie në Zvicër pyeti: «Kë përfaqësoni?» Ajo iu përgjigj: «Bashkë me shoqen time jemi Dëshmitare të Jehovait.» Ai tha: «Ma mori mendja. E kush tjetër do të vinte në shtëpinë time të më lexonte Biblën përveç Dëshmitarëve të Jehovait?»

6, 7. (a) Si mund ta përdorin mirë Biblën ata që mësojnë në kongregacion? (b) Si mund t’i përdorim me efektshmëri Shkrimet kur drejtojmë studime biblike?

6 Si mund ta përdorim më shumë Biblën kur mësojmë të tjerët? Nëse ke privilegjin të mësosh të tjerët në kongregacion nga podiumi, përdor vargje biblike specifike. Në vend që të parafrazosh shkrime kyçe, të lexosh nga një fletë ku ke shtypur shkrimet ose nga një pajisje elektronike, hap Biblën e lexo nga ajo, dhe nxite auditorin të bëjë po njësoj. Gjithashtu, merr kohë t’i zbatosh vargjet në një mënyrë që e ndihmon auditorin të afrohet më tepër me Jehovain. Në vend që të përdorësh ilustrime a përvoja të ndërlikuara, që thjesht e zbavitin auditorin, përdore kohën për të shtjelluar Fjalën e Perëndisë.

7 Çfarë duhet të kemi parasysh kur drejtojmë studime biblike? Teksa përdorim botimet tona, të bëjmë kujdes të mos lëmë pas dore vargjet biblike. Duhet t’i nxitim studentët të lexojnë shkrimet e cituara e t’i ndihmojmë të kapin domethënien e tyre. Si? Duke e nxitur studentin të shprehet vetë, jo duke dhënë shpjegime të stërgjata që e kthejnë studimin në cikël ligjëratash. Në vend që t’i tregojmë çfarë të besojë ose si të veprojë, mund t’i bëjmë disa pyetje të menduara mirë që do ta ndihmojnë të nxjerrë përfundimet e duhura. *

«I DOBISHËM . . . PËR TË QORTUAR»

8. Ç’luftë të brendshme pati Pavli?

8 Shpesh e shohim ‘qortimin’ si një detyrë që u takon pleqve të krishterë. Pa dyshim, pleqtë kanë përgjegjësinë të qortojnë «ata që praktikojnë mëkatin». (1 Tim. 5:20; Titit 1:13) Megjithatë, është shumë e rëndësishme edhe të qortojmë veten. Pavli ishte një i krishterë shembullor me ndërgjegje të pastër. (2 Tim. 1:3) Prapëseprapë, shkroi: «Në gjymtyrët e mia shoh një tjetër ligj, që lufton kundër ligjit të mendjes sime e më bën rob të ligjit të mëkatit.» Duke shqyrtuar kontekstin e këtyre fjalëve, do të kuptojmë më mirë ç’luftë duhej të bënte Pavli që t’i vinte fre natyrës së tij mëkatare.Lexo Romakëve 7:21-25.

9, 10. (a) Cilat dobësi mund të ketë pasur Pavli? (b) Si ka të ngjarë të ketë luftuar Pavli kundër mëkatit?

 9 Cilat dobësi u përpoq të mposhtte Pavli? Edhe pse nuk i përcaktoi qartë, ai i shkroi Timoteut se ishte «i pacipë». (1 Tim. 1:13) Para se të kthehej në besim, Pavli egërsohej pa masë kundër të krishterëve. Për sa u përket ndjenjave për ithtarët e Krishtit, ai rrëfeu: «Isha tej mase i tërbuar kundër tyre.» (Vep. 26:11) Edhe pse Pavli mësoi të mbante nën kontroll temperamentin, me sa duket kishte raste kur mezi i kontrollonte ndjenjat e fjalët. (Vep. 15:36-39) Çfarë e ndihmoi t’ia dilte mbanë?

10 Kur u shkroi të krishterëve në Korint, Pavli përshkroi metodën që përdori për të qortuar veten. (Lexo 1 Korintasve 9:26, 27.) Ai e qëllonte aty ku duhej natyrën e tij të papërsosur me goditje frymore. Ka shumë të ngjarë që kërkonte këshilla nga Shkrimet, i përgjërohej Jehovait që ta ndihmonte t’i zbatonte dhe bënte çmos të përmirësohej. * Mund të nxjerrim dobi nga shembulli i tij sepse bëjmë një luftë të ngjashme kundër prirjeve tona të papërsosura.

11. Si mund të vazhdojmë ‘të vëmë në provë veten’ për të parë nëse po ecim në udhën e së vërtetës?

11 Kurrë nuk duhet të biem në vetëkënaqësi kur bëhet fjalë për adhurimin tonë. Përkundrazi, duhet ‘të vëmë në provë veten’ që të sigurohemi se po ecim vërtet në udhën e së vërtetës. (2 Kor. 13:5) Kur lexojmë shkrime, si Kolosianëve 3:5-10, mund të pyesim veten: «A po punoj fort t’i bëj të vdesin prirjet mëkatare apo po dobësohem moralisht? Teksa përdor Internetin e shfaqet papritur një faqe imorale, a e mbyll në çast apo i kërkoj vetë sitet e papërshtatshme?» Po t’i zbatojmë këshillat e Fjalës së Perëndisë në një mënyrë kaq personale, mund «të rrimë zgjuar dhe të ruajmë gjykimin».1 Sel. 5:6-8.

«I DOBISHËM . . . PËR TË NDREQUR»

12, 13. (a) Ku duam të arrijmë kur ‘ndreqim’ keqkuptimet dhe si mund të ndjekim shembullin e Jezuit në këto raste? (b) Ç’lloj të foluri nuk ka vend kur ‘ndreqim’ gjërat me të tjerët?

12 Termi grek i përkthyer «për të ndrequr» do të thotë «ta bësh mirë, ta korrigjosh, ta rivendosësh në gjendjen e duhur dhe të drejtë». Nganjëherë, duhet të marrim masa të ndreqim situata ku të tjerët keqkuptojnë fjalët ose veprimet tona. Për shembull, udhëheqësit fetarë judenj u ankuan që Jezui u tregua mirëdashës me «taksambledhësit dhe mëkatarët». Jezui ua ktheu: «Të shëndetshmit nuk kanë nevojë për mjek, kurse të sëmurët po. Shkoni dhe mësoni ç’do të thotë: ‘Unë dua mëshirë, dhe jo flijim.’» (Mat. 9:11-13) Me durim dhe mirëdashje u shpjegoi Fjalën e Perëndisë të gjithëve. Prandaj, të përulurit e njohën Jehovain si ‘një Perëndi të mëshirshëm dhe hirmadh, që nuk zemërohet shpejt, që është plot dashamirësi e të vërtetë’. (Dal. 34:6) Pasi Biri i Perëndisë u përpoq ‘t’i ndreqte’, shumë treguan besim te lajmi i mirë.

13 Shembulli i Jezuit na mëson si duhet t’i ndihmojmë të tjerët. Dikush në zemërim e sipër mund të thotë me ton të vrazhdë: «Do t’i sqarojmë punët bashkë!» Por, ky lloj komunikimi nuk përputhet me pohimin që gjejmë te 2 Timoteut 3:16. «I gjithë Shkrimi» nuk na jep të drejtë t’u tregojmë vendin të tjerëve. Ashtu «si me goditje shpate», kritika e ashpër shpesh shkakton shumë dhembje dhe rrallëherë sjell ndonjë dobi.Prov. 12:18.

14-16. (a) Kur pleqtë ‘ndreqin’, si mund ta bëjnë këtë në një mënyrë që i ndihmon të tjerët të zgjidhin problemet? (b) Pse ‘ndreqja’ sipas Shkrimeve është aq e rëndësishme në rritjen e fëmijëve?

 14 Atëherë, si mund të tregojmë durim e mirëdashje kur na duhet ‘të ndreqim’ ndonjë problem? Ta zëmë se një çift i krishterë i kërkon ndihmë një plaku të kongregacionit që të mos zihen shpesh me njëri-tjetrin. Çfarë duhet të bëjë plaku? Pa marrë anën e ndokujt, mund të arsyetojë me çiftin mbi parimet biblike, ndoshta duke përdorur kapitullin 3 të librit Sekreti i lumturisë familjare. Ndërsa plaku e çon bisedën në drejtimin e duhur, burri e gruaja mund të dallojnë cilën këshillë duhet të zbatojë më plotësisht secili. Më vonë, plaku mund të interesohet se si po shkojnë gjërat në familje dhe t’u ofrojë ndihmë të mëtejshme po të kenë nevojë.

 15 Si mund ‘t’i ndreqin’ problemet prindërit në një mënyrë që i forcon frymësisht fëmijët e tyre? Përfytyro sikur do që të ndihmosh vajzën adoleshente të shmangë një miqësi të diskutueshme. Së pari, informohu mirë. Pastaj, nëse do të ketë arsye për t’u shqetësuar, mund të flasësh me të, ndoshta duke përdorur pika nga libri Të rinjtë pyesin . . Përgjigje praktike, vëllimi 2. Në ditët vijuese, mund të kalosh ca kohë më tepër me të. Gjithashtu, mund të shohësh si është gjendja e saj shpirtërore kur del në shërbim ose kur merr pjesë në aktivitete çlodhëse me familjen. Nëse tregon durim e mirëdashje, vajza jote do ta ndiejë interesimin tënd të dashur. Ka gjasa që ajo të ndihet e nxitur ta zbatojë këshillën tënde dhe të shmangë një kthesë katastrofike në jetën e saj.

Duke e përdorur Biblën me mirëdashje «për të ndrequr», prindërit i ndihmojnë fëmijët të shmangin shumë dhembje (Shih paragrafin 15)

16 Mund të tregojmë durim e mirëdashje edhe kur u japim zemër atyre që janë të shqetësuar për shëndetin, ndihen përtokë pas humbjes së punës ose të  pështjelluar rreth disa mësimeve biblike. Përdorimi i Fjalës së Perëndisë ‘për t’u ndrequr’ i sjell bekime të mëdha popullit të Jehovait.

«I DOBISHËM . . . PËR TË DISIPLINUAR NË DREJTËSI»

17. Pse duhet ta pranojmë me mirënjohje disiplinën?

17 «Për momentin asnjë disiplinë nuk duket se sjell gëzim, por hidhërim. Mirëpo më pas, u jep fryt paqeje, domethënë drejtësi, atyre që janë stërvitur nga ajo.» (Hebr. 12:11) Shumica e të krishterëve të rritur janë të një mendjeje se i ka ndihmuar disiplina që kanë marrë nga prindërit besimtarë. Dhe, kur pranojmë disiplinën që jep Jehovai përmes pleqve të krishterë, mbetemi në udhën e jetës.Prov. 4:13.

18, 19. (a) Pse këshilla te Proverbat 18:13 është kaq e rëndësishme «për të disiplinuar në drejtësi»? (b) Ç’rezultat vjen shpesh kur pleqtë shfaqin butësi e dashuri kur trajtojnë çështje me keqbërësit?

18 Kërkohet zotësi nëse duam të japim disiplinë të efektshme. Jehovai u thotë të krishterëve të disiplinojnë «në drejtësi». (2 Tim. 3:16) Prandaj, duhet t’i përdorim si udhërrëfyese parimet biblike. Një parim i tillë gjendet te Proverbat 18:13: «Nëse dikush përgjigjet për një çështje para se ta dëgjojë, kjo është për të marrëzi dhe poshtërim.» Kështu, kur pleqtë duhet të flasin me dikë që akuzohet për mëkat të rëndë, duhet ta hetojnë me hollësi çështjen, që t’i kenë të gjitha faktet. (Ligj. 13:14) Vetëm atëherë mund të disiplinojnë «në drejtësi».

19 Për më tepër, Fjala e Perëndisë i udhëzon pleqtë e krishterë t’i ndreqin të tjerët «me butësi». (Lexo 2 Timoteut 2:24-26.) Vërtet, dikush mund t’i sjellë sharje Jehovait, si edhe të dëmtojë njerëz të pafajshëm. Sidoqoftë, një plak që nxehet kur këshillon një person të tillë, nuk do ta ndihmojë atë. Megjithatë, kur pleqtë imitojnë ‘hirin e Perëndisë’, mund ta nxitin të pendohet atë që ka gabuar.Rom. 2:4.

20. Cilat parime duhet të zbatojnë prindërit kur disiplinojnë fëmijët?

20 Prindërit duhet të zbatojnë parimet biblike teksa rritin fëmijët «në disiplinën dhe në normën mendore të Jehovait». (Efes. 6:4) Një baba s’duhet ta ndëshkojë të birin bazuar në fjalët e një personi të vetëm për sjelljen e tij. Po ashtu, në familjet e krishtere nuk ka vend zemërimi i dhunshëm. Ngaqë «Jehovai është shumë i butë në përzemërsi dhe i mëshirshëm», ata që kanë përgjegjësinë të disiplinojnë të vegjlit, duhet të përpiqen të shfaqin të njëjtat cilësi të dashura.Jak. 5:11.

DHURATË NGA JEHOVAI QË S’KA TË ÇMUAR

21, 22. Cila shprehje te Psalmi 119:97-104 i përshkruan më mirë ndjenjat e tua për Fjalën e Jehovait?

21 Një herë, një njeri i Perëndisë rrëfeu pse e donte ligjin e Jehovait. (Lexo Psalmin 119:97-104.) Duke e studiuar atë, fitoi mençuri, gjykim të thellë dhe kuptueshmëri. Ndërsa zbatonte këshillën e tij, shmangte rrugët e këqija që i brengosnin të tjerët. Studimi i Shkrimeve ishte i këndshëm dhe i kënaqshëm për të. Ishte i vendosur t’i bindej Perëndisë, udhëzimet e të cilit ia kishin pasuruar jetën.

22 A e vlerëson ‘të gjithë Shkrimin’? Me anë të tij forcon besimin se Perëndia do të përmbushë qëllimin e tij. Këshillat e frymëzuara të mbrojnë nga pasojat vdekjeprurëse që vijnë kur praktikon mëkatin. Dhe, duke i shpjeguar me zotësi, mund t’i ndihmosh të tjerët të hyjnë në rrugën e jetës e të mbeten në të. Le ta përdorim më së miri ‘të gjithë Shkrimin’ ndërsa i shërbejmë Perëndisë së dashur e plot mençuri, Jehovait!

^ par. 1 Shih Të organizuar për të bërë vullnetin e Jehovait, faqja 79.

^ par. 7 Kur Jezui mësonte, shpesh i pyeste të tjerët: «Ç’mendon?» Pastaj priste përgjigjen.Mat. 18:12; 21:28; 22:42.

^ par. 10 Letrat e Pavlit janë plot nxitje inkurajuese për të mposhtur prirjet mëkatare. (Rom. 6:12; Gal. 5:16-18) Është e arsyeshme të nxjerrim përfundimin se ai vetë e zbatoi këshillën që u dha të tjerëve.Rom. 2:21.