Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI 15

Gëzo frytin e mundit tënd

Gëzo frytin e mundit tënd

«Çdo njeri [duhet] të shohë të mira për gjithë mundin e tij.»​​—EKLISIASTIU 3:13.

1-3. (a) Ç’mendojnë shumë njerëz për punën që bëjnë? (b) Ç’pikëpamje nxit Bibla për punën dhe cilat pyetje do të shqyrtojmë në këtë kapitull?

NË BOTËN e sotme, për shumë njerëz puna mund të jetë çdo gjë tjetër, veç kënaqësi jo. I lodh mendimi që të shkojnë në punë çdo ditë e të robtohen për orë të tëra në një punë që s’u pëlqen. Ç’do t’i shtyjë ata që kanë këtë qëndrim, të interesohen për punën, le pastaj të gjejnë kënaqësi në të?

2 Bibla nxit një pikëpamje pozitive për punën e lodhshme. Thotë se puna dhe frytet e saj, janë një bekim. Solomoni shkroi: «Çdo njeri [duhet] të hajë e të pijë e të shohë të mira për gjithë mundin e tij. Është dhuratë nga Perëndia.» (Eklisiastiu 3:13) Jehovai, i cili na do dhe mendon gjithnjë për të mirën tonë, dëshiron që të gjejmë kënaqësi në punë dhe të shohim të mira për mundin tonë. Që të mbetemi në dashurinë e tij, duhet të jetojmë në përputhje me pikëpamjen dhe parimet që ka ai për punën.​​—Lexo Eklisiastiun 2:24; 5:18.

3 Në këtë kapitull do të shqyrtojmë katër pyetje: si të shohim të mira për mundin tonë? Ç’lloj punësh nuk bëjnë për të krishterët e vërtetë? Si ta ekuilibrojmë punën me aktivitetet frymore? Cila është puna ose vepra më e rëndësishme që mund të bëjmë? Por më parë le të shqyrtojmë shembullin e dy punëtorëve më të mëdhenj në univers, Perëndisë Jehova dhe Jezu Krishtit.

PUNËTORI MË I MADH DHE KRYEMJESHTRI

4, 5. Si tregon Bibla se Jehovai është një punëtor frytdhënës?

4 Jehovai është Punëtori Më i Madh. Te Zanafilla 1:1 thuhet: «Në fillim Perëndia krijoi qiejt dhe tokën.» Kur e përfundoi punën e tij krijuese me tokën, Perëndia tha se gjërat kishin dalë «shumë mirë». (Zanafilla 1:31) Me fjalë të tjera, ishte plotësisht i kënaqur me gjithë punën që kishte bërë në tokë. Jehovai, ‘Perëndia i lumtur’, pa dyshim gjente shumë gëzim duke qenë punëtor frytdhënës.​​—1 Timoteut 1:11.

5 Perëndia ynë i palodhur kurrë s’pushon së punuari. Shumë kohë pasi kishte përfunduar krijimi i tokës dhe i çdo gjëje në të, Jezui tha: «Ati im vazhdon të punojë deri më tani.» (Gjoni 5:17) Çfarë ka bërë Ati në këtë periudhë? Që nga banesa e tij në qiell, patjetër ka qenë i zënë duke u prirë njerëzve e duke u kujdesur për ta. Ka sjellë në ekzistencë një «krijesë të re», domethënë të krishterët e lindur nga fryma, të cilët së fundi do të sundojnë bashkë me Jezuin në qiell. (2 Korintasve 5:17) Ka punuar që të përmbushë qëllimin e tij për njerëzit, domethënë që ata që e duan, të kenë jetën e përhershme në një botë të re. (Romakëve 6:23) Jehovai duhet të jetë shumë i kënaqur me frytet e punës së tij. Miliona njerëz që ka tërhequr ai, e kanë pranuar lajmin e mirë për Mbretërinë dhe kanë bërë ndryshime në jetë që të qëndrojnë në dashurinë e tij.​​—Gjoni 6:44.

6, 7. Ç’emër të mirë ka bërë Jezui për sa i përket punës së palodhur?

6 Edhe Jezui ka emër të mirë si punëtor i palodhur. Para se të vinte në tokë si njeri, ai shërbeu si «kryemjeshtër» i Perëndisë gjatë krijimit të të gjitha gjërave «në qiej dhe në tokë». (Proverbat 8:​22-31; Kolosianëve 1:​15-17) Edhe kur erdhi në tokë, Jezui vazhdoi të ishte punëtor i palodhur. Që në fëmijëri mësoi zanatin e ndërtimit dhe u njoh si «zdrukthëtari». * (Marku 6:3) Ky zanat është i mundimshëm dhe kërkon aftësi të ndryshme. Mendo si duhet të ketë qenë në epokën para shpikjes së motosharrave, dyqaneve me pajisje ndërtimi dhe veglave elektrike! E përfytyron Jezuin tek del për të gjetur drurin, ndoshta duke i prerë vetë pemët e duke i çuar aty ku po punonte? E përfytyron tek ndërton shtëpi, përgatit e vë trarët e çative, bën dyert e madje punon disa nga mobiliet? Pa dyshim, Jezui e provoi vetë kënaqësinë që vjen nga puna e palodhur, e bërë me mjeshtëri.

7 Jezui punonte me një zell të jashtëzakonshëm edhe në shërbim. Për tre vjet e gjysmë, ai punoi intensivisht në këtë vepër tejet të rëndësishme. Ngaqë donte të fliste me sa më shumë njerëz, i shfrytëzonte ditët në maksimum, duke u ngritur herët në mëngjes e duke vazhduar deri natën vonë. (Luka 21:​37, 38; Gjoni 3:2) Udhëtonte «nga qyteti në qytet dhe nga fshati në fshat, duke predikuar dhe duke shpallur lajmin e mirë për mbretërinë e Perëndisë». (Luka 8:1) Përshkoi me mijëra kilometra më këmbë, nëpër rrugë tërë pluhur, për t’u çuar njerëzve mesazhin e lajmit të mirë.

8, 9. Si pa të mira Jezui për mundin e tij?

8 A pa ndonjë të mirë Jezui për mundin që derdhi në shërbim? Sigurisht! Ai mbolli farërat e së vërtetës së Mbretërisë, duke lënë pas fusha që ishin gati për korrje. Kaq forcë e energji i jepte vepra e Perëndisë, saqë ishte gati të rrinte edhe pa ngrënë për ta përfunduar këtë vepër. (Gjoni 4:​31-38) Mendo ç’kënaqësi duhet të ketë ndier kur i tha me plot gojën Atit të tij në fund të shërbimit në tokë: «Të kam dhënë lavdi në tokë, duke e mbaruar veprën që më dhe për të bërë.»​​—Gjoni 17:4.

9 S’diskutohet se Jehovai dhe Jezui janë shembujt më të mëdhenj të punëtorëve që shohin të mira për mundin e tyre. Dashuria për Jehovain na shtyn të bëhemi «imitues» të tij. (Efesianëve 5:1) Dashuria për Jezuin na nxit ‘të ndjekim nga afër gjurmët e tij’. (1 Pjetrit 2:21) Prandaj, le të shqyrtojmë si të shohim edhe ne të mira për mundin tonë.

SI TË SHOHIM TË MIRA PËR MUNDIN TONË

Zbatimi i parimeve biblike të ndihmon të shohësh të mira për mundin tënd

10, 11. Ç’mund të na ndihmojë të zhvillojmë një qëndrim pozitiv kundrejt punës?

10 Një pjesë të jetës së tyre, të krishterët e vërtetë mund ta kalojnë në punë. Ne duam të kënaqemi e të ndihemi sadopak të shpërblyer nga puna jonë, por kjo mund të jetë sfidë nëse ajo s’na pëlqen. Si të shohim të mira për mundin tonë në këto rrethana?

11 Duke zhvilluar qëndrim pozitiv. Jo gjithnjë mund t’i ndryshojmë rrethanat, por ama mund të ndryshojmë qëndrimin tonë. Meditimi për pikëpamjen e Perëndisë mund të na ndihmojë të zhvillojmë një qëndrim pozitiv kundrejt punës. Për shembull, nëse je kryefamiljar, medito për faktin që puna jote, sado e rëndomtë, të jep mundësi t’i sigurosh familjes gjërat e nevojshme. Të kujdesesh kështu për familjen nuk është gjë e vogël në sytë e Perëndisë. Në Fjalën e tij thuhet se ai që nuk siguron gjërat e nevojshme për familjen e vet, «është më i keq se një njeri pa besim». (1 Timoteut 5:8) Kur kupton se punën e bën me një synim, pra, të kujdesesh për një përgjegjësi të caktuar nga Perëndia, do të kesh njëfarë shpërblimi e qëllimi që punëtorët e tjerë s’i kanë.

12. Pse është shpërblyese të jemi të papërtuar e të ndershëm në punë?

12 Duke qenë të papërtuar e të ndershëm. Mund të kemi mjaft bekime kur punojmë fort dhe mësojmë ta bëjmë mirë punën. Shpesh punëdhënësit i vlerësojnë shumë punëtorët e aftë e të papërtuar. (Proverbat 12:24; 22:29) Gjithashtu, si të krishterë të vërtetë duhet të jemi të ndershëm në punë, pra, të mos i vjedhim punëdhënësit para, materiale ose kohë. (Efesianëve 4:28) Siç e pamë në kapitullin e mëparshëm, ndershmëria shpërblehet. Punëdhënësi ka të ngjarë t’i besojë një punonjësi që njihet si njeri i ndershëm. Por pavarësisht nëse ai e vëren ose jo shembullin tonë si punëtorë të palodhur, gëzojmë që kemi ‘ndërgjegje të pastër’ dhe që dimë se po kënaqim Perëndinë që duam.​​—Hebrenjve 13:18; Kolosianëve 3:​22-24.

13. Çfarë rezultatesh mund të vijnë nga sjellja jonë e mirë në vendin e punës?

13 Duke kuptuar që sjellja jonë mund t’i japë lavdi Perëndisë. Kur kemi norma të larta sjelljeje si të krishterë në vendin e punës, të tjerët do ta vënë re se s’bën. Cili do të jetë rezultati? Mund ‘të stolisim mësimin e Shpëtimtarit tonë, Perëndisë’. (Titit 2:​9, 10) Po, sjellja jonë e mirë mund t’i ndihmojë të tjerët të shohin sa e bukur është mënyra jonë e adhurimit. Kështu, ajo mund të bëhet më tërheqëse për ta. Si do të ndiheshe sikur falë shembullit të mirë që ke lënë ti në vendin e punës, një kolegu yt të tregojë interes për të vërtetën?! Edhe më e rëndësishme është kjo pyetje: a ka gjë më shpërblyese sesa të dish që sjellja jote e shkëlqyer i jep lavdi Jehovait dhe ia gëzon zemrën?​​—Lexo Proverbat 27:11; 1 Pjetrit 2:12.

PËRDOR AFTËSI DALLUESE KUR ZGJEDH PUNËN

14-16. Cilat pyetje kryesore duhet të shqyrtojmë para se të marrim një vendim për punën?

14 Bibla nuk tregon me hollësi cilat lloj punësh janë të pranueshme e cilat jo. Por kjo s’do të thotë se mund të pranojmë çdo lloj pune, pavarësisht se çfarë përfshin. Shkrimet mund të na ndihmojnë të zgjedhim një punë të ndershme e të frytshme që i pëlqen Perëndisë, e të shmangim punën që do t’i shkaktonte pakënaqësi atij. (Proverbat 2:6) Para se të vendosim ç’punë do të pranojmë, duhet të shqyrtojmë dy pyetje kryesore.

15 A përfshin kjo punë një veprim që dënohet në Bibël? Fjala e Perëndisë dënon haptazi vjedhjen, gënjeshtrën dhe bërjen e idhujve. (Dalja 20:4; Veprat 15:29; Efesianëve 4:28; Zbulesa 21:8) Kështu që pa diskutim do të refuzonim çdo punë ku do të na kërkohej të bënim këto gjëra. Dashuria për Jehovain nuk do të na lejonte kurrë të pranonim një punë që do të na përfshinte në praktika që shkelin ligjet e tij.​​—Lexo 1 Gjonit 5:3.

16 A duket qartë se kjo punë na bën bashkëpunëtorë ose nxitës të një praktike të gabuar? Të marrim një shembull. Në vetvete, puna si recepsionist nuk është e gabuar. Po sikur një të krishteri t’i ofrohej një punë e tillë në një klinikë aborti? Vërtet që si recepsionist, nuk do t’i duhej të ndihmonte drejtpërdrejt në procedurat e abortit. Sidoqoftë, duke punuar rregullisht atje, a nuk do të mbështeste veprimtarinë e një klinike që ekziston vetëm për të kryer aborte, një praktikë që bie ndesh me Fjalën e Perëndisë? (Dalja 21:​22-24) Meqë duam Jehovain, nuk dëshirojmë të pleksemi me praktika jobiblike.

17. (a) Cilët faktorë duhen peshuar kur marrim vendime për punën? (Shih kutinë « A duhet ta pranoj këtë punë?».) (b) Si mund të na ndihmojë ndërgjegjja të marrim vendime që i pëlqejnë Perëndisë?

17 Shumë çështje që lidhen me punën mund të zgjidhen duke analizuar me kujdes përgjigjet e dy pyetjeve kryesore në paragrafët 15 dhe 16. Veç këtyre, ka edhe disa faktorë të tjerë që duhen peshuar kur marrim vendime për punën. * Natyrisht, s’duhet të presim që skllavi i besueshëm të vendosë rregulla për çdo situatë që mund të lindë. Tamam këtu hyn në lojë aftësia jonë dalluese. Siç mësuam në kapitullin 2, duhet ta edukojmë e ta stërvitim ndërgjegjen, duke studiuar si ta zbatojmë në jetën e përditshme Fjalën e Perëndisë. Nëse «nëpërmjet përdorimit» i stërvitim «aftësitë perceptuese», ndërgjegjja do të na ndihmojë të marrim vendime që i pëlqejnë Perëndisë dhe na japin mundësi të qëndrojmë në dashurinë e tij.​​—Hebrenjve 5:14.

MBAJ QËNDRIM TË EKUILIBRUAR KUNDREJT PUNËS

18. Pse nuk është e lehtë të ruajmë ekuilibrin frymor?

18 Në këto ‘ditë të fundit’, kur ‘kohët janë kritike e të vështira për t’u përballuar’, nuk është e lehtë të mbash ekuilibrin frymor. (2 Timoteut 3:1) Të gjesh e të mbash një punë mund të jetë vërtet sfidë. Si të krishterë të vërtetë, e kuptojmë se është shumë e rëndësishme të punojmë pa u lodhur për t’i siguruar familjes gjërat e nevojshme. Por, po të mos kemi kujdes, presioni në vendin e punës ose mentaliteti infektues materialist i botës mund të na pengojnë në shërbimin dhe adhurimin që i bëjmë Perëndisë. (1 Timoteut 6:​9, 10) Le të shohim si të mbajmë ekuilibrin, duke u siguruar për «gjërat më të rëndësishme».​​—Filipianëve 1:10.

19. Pse Jehovai meriton besimin tonë të plotë dhe çfarë do të shmangim nëse kemi këtë lloj besimi?

19 Beso plotësisht te Jehovai. (Lexo Proverbat 3:​5, 6.) A nuk e meriton ai një besim të tillë? Po, sepse interesohet për ne. (1 Pjetrit 5:7) I njeh nevojat tona më mirë se ne dhe nuk e ka kurrë dorën të shkurtër. (Psalmi 37:25) Prandaj, bëjmë mirë të dëgjojmë kur Fjala e tij na thotë: «Mënyra juaj e të jetuarit le të jetë pa dashuri për para, ndërsa jeni të kënaqur me gjërat që keni. Sepse [Perëndia] ka thënë: ‘Kurrsesi nuk do të të lë dhe kurrsesi nuk do të të braktis.’» (Hebrenjve 13:5) Shumë shërbëtorë në kohë të plotë mund të vërtetojnë se Perëndia është i aftë të sigurojë gjërat e domosdoshme të jetës. Nëse kemi besim të plotë se Jehovai do të kujdeset për ne, nuk do të na zërë ankthi për t’i siguruar familjes gjërat e nevojshme. (Mateu 6:25-32) Nuk do të lejojmë që për shkak të punës të lëmë pas dore aktivitetet frymore, si predikimi i lajmit të mirë dhe ndjekja e mbledhjeve.​​—Mateu 24:14; Hebrenjve 10:​24, 25.

20. Ç’do të thotë të mbash një sy të thjeshtë e si ta bësh këtë?

20 Mbaj një sy të thjeshtë. (Lexo Mateun 6:​22, 23.) Të kesh sy të thjeshtë do të thotë të mos e ndërlikosh jetën. Një i krishterë që ka sy të thjeshtë, është i përqendruar në një qëllim të vetëm: të bëjë vullnetin e Perëndisë. Po ta kemi syrin të përqendruar aty ku duhet, nuk do të kemi maninë për një punë me pagë të lartë e për një stil jetese më të sofistikuar. As do të na kaplojë dëshira e pangopur për gjërat materiale më të fundit e më të mira, që sipas reklamuesve duhet t’i kemi se s’bën që të jemi të lumtur. Si të mbash një sy të thjeshtë? Mos u ngarko me borxhe të panevojshme. Mos e mbush jetën me gjëra materiale që të hanë tërë atë kohë dhe duan shumë kujdes. Vëri veshin këshillës së Biblës që të jesh i kënaqur kur ke ‘ç’të hash, ç’të veshësh e ku të futësh kokën’. (1 Timoteut 6:8) Përpiqu ta thjeshtosh sa më tepër jetën.

21. Pse duhet të vendosim ç’ka përparësi në jetën tonë, dhe çfarë duhet të vijë në vend të parë?

21 Jepu përparësi gjërave që lidhen me adhurimin dhe përmbaju atyre. Meqë dita ka vetëm 24 orë, duhet të vendosim ç’ka më tepër përparësi në jetë. Përndryshe, gjëra më pak të rëndësishme mund të na gllabërojnë kohën e çmuar, duke mënjanuar gjëra më të rëndësishme. Ç’duhet të ketë përparësi maksimale në jetën tonë? Shumë veta në botë e nisin listën me arsimin e lartë, që të kenë një karrierë fitimprurëse në këtë sistem. Por Jezui i nxiti ithtarët e tij: «Vazhdoni të kërkoni në radhë të parë mbretërinë.» (Mateu 6:33) Po, ne si të krishterë të vërtetë vëmë në vend të parë në jetë Mbretërinë e Perëndisë. Mënyra si jetojmë​​—zgjedhjet që bëjmë, synimet që vëmë dhe aktivitetet që kryejmë​—​duhet të tregojnë se për ne kanë më tepër rëndësi interesat e Mbretërisë dhe vullneti i Perëndisë, sesa gjërat materiale dhe rendja pas synimeve të botës.

PUNO PA U LODHUR NË SHËRBIM

Dashurinë për Jehovain e tregojmë duke i dhënë përparësi në jetë veprës së predikimit

22, 23. (a) Cila është vepra kryesore e të krishterëve të vërtetë, dhe si mund ta tregojmë se ajo ka rëndësi për ne? (Shih « Vendimi që mora, më solli një jetë plot gëzim e kënaqësi».) (b) Çfarë je i vendosur të bësh për sa i përket punës?

22 Duke ditur se po jetojmë thellë në kohën e fundit, jemi të përqendruar në veprën kryesore që u është caktuar të krishterëve të vërtetë: predikimi dhe bërja e dishepujve. (Mateu 24:14; 28:​19, 20) Ashtu si Modeli ynë, Jezui, duam të jemi plotësisht të zënë me këtë vepër jetëshpëtuese. Si të tregojmë se ajo është e rëndësishme për ne? Pjesa më e madhe e shërbëtorëve të Perëndisë i kushtohen me gjithë zemër veprës së predikimit si lajmëtarë të kongregacionit. Disa të tjerë i kanë rregulluar gjërat që të shërbejnë si pionierë ose misionarë. Duke kuptuar rëndësinë e synimeve frymore, shumë prindër i kanë nxitur fëmijët të synojnë që ta kalojnë jetën në shërbim të plotkohor. A shohin të mira për mundin e tyre në shërbim lajmëtarët e zellshëm të Mbretërisë? Patjetër që po! Kur i shërben me gjithë shpirt Jehovait, është e sigurt se do të kesh një jetë të gëzuar, të kënaqshme e me bekime të panumërta.​​—Lexo Proverbat 10:22.

23 Pjesa më e madhe prej nesh duhet të punojnë për shumë orë që t’i sigurojnë familjes gjërat materiale. Por të mos harrojmë se Jehovai dëshiron që të shohim të mira për mundin tonë. Duke harmonizuar qëndrimin dhe veprimet tona me pikëpamjen dhe parimet e tij, mund të gjejmë kënaqësi në punë. Por, le të jemi të vendosur të mos e lejojmë kurrë punën të na shpërqendrojë nga vepra jonë kryesore: shpallja e lajmit të mirë për Mbretërinë e Perëndisë. Duke i dhënë përparësi kësaj vepre, tregojmë se e duam Jehovain dhe qëndrojmë në dashurinë e tij.

^ par. 6 Thuhet se fjala greke e përkthyer «zdrukthëtar» është «një term i përgjithshëm për dikë që punon drurin, qoftë për ndërtimin e shtëpive a të mobilieve, qoftë për sende të tjera prej druri».

^ par. 17 Për një trajtim më të hollësishëm të faktorëve që duhet të shqyrtojmë lidhur me punën, shih Kullën e Rojës, 15 prill 1999, faqet 28-30 dhe Shërbimi ynë i Mbretërisë, janar 1998, faqet 5-6.