Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 32

Forco besimin te Krijuesi

Forco besimin te Krijuesi

«Besimi është . . . dëshmi e qartë e realiteteve që nuk shihen.»—HEBR. 11:1.

KËNGA 11 Krijimi lëvdon Perëndinë

PËRMBLEDHJE *

1. Çfarë ke mësuar për Krijuesin tënd?

NËSE je rritur si Dëshmitar i Jehovait, ka shumë të ngjarë të kesh mësuar për Jehovain që në moshë të njomë. Mësove se ai është Krijuesi, se ka cilësi që të bëjnë për vete dhe se ka një qëllim të bukur për njerëzimin.—Zan. 1:1; Vep. 17:24-27.

2. Si i shohin disa njerëz ata që besojnë se ka një Krijues?

2 Mirëpo, shumë njerëz nuk besojnë se ka një Perëndi, e jo më që ai të jetë Krijuesi i gjithçkaje. Ata besojnë se jeta erdhi rastësisht dhe evoluoi gradualisht nga gjallesa «të thjeshta» në gjallesa më komplekse. Disa prej atyre që mendojnë kështu janë goxha të arsimuar. Ata mund të thonë se shkenca e ka hedhur poshtë Biblën dhe se vetëm njerëzit e pashkollë, të pagdhendur ose naivë besojnë se ka një Krijues.

3. Pse është e rëndësishme ta forcojmë besimin tonë?

3 A do të na lëkundet besimi se Jehovai është Krijuesi ynë i dashur për shkak të pikëpamjeve të këtyre njerëzve të arsimuar? Kjo varet shumë nga arsyeja pse besojmë që Jehovai është Krijuesi. E besojmë ngaqë kështu na kanë thënë të tjerët, apo ngaqë kemi lënë kohë për t’i shqyrtuar vetë provat? (1 Kor. 3:12-15) Pavarësisht nga sa kohë jemi Dëshmitarë të Jehovait, të gjithë kemi nevojë ta forcojmë besimin. Po ta bëjmë këtë, nuk do të gënjehemi nga ‘filozofitë e mashtrimet boshe’ të njerëzve që e hedhin poshtë Fjalën e Perëndisë. (Kolos. 2:8; Hebr. 11:6) Ky artikull do të na ndihmojë duke shqyrtuar këto pika: (1) pse shumë njerëz nuk besojnë se ka një Krijues, (2) si mund ta thellosh besimin se Jehovai është Krijuesi yt dhe (3) si mund ta mbash të fortë këtë besim.

PSE SHUMË NJERËZ NUK BESOJNË SE KA NJË KRIJUES

4. Sipas Hebrenjve 11:1 dhe shënimit, ku bazohet besimi i vërtetë?

4 Disa njerëz mendojnë se të kesh besim do të thotë të besosh qorrazi, pa pasur prova. Por sipas Biblës, ky nuk është besim i vërtetë. (Lexo Hebrenjve 11:1 dhe shënimin.) Siç tregon ky varg, besimi te realitetet e padukshme—si Jehovai, Jezui dhe Mbretëria qiellore—bazohen në prova bindëse. (Hebr. 11:3) Një Dëshmitar që është biokimist, tha: «Besimi ynë nuk është i verbër dhe nuk i shpërfill faktet shkencore.»

5. Pse shumë njerëz nuk besojnë se ka një Krijues?

5 Ndoshta vrasim mendjen: «Përderisa ka prova bindëse se ekziston një Krijues, pse kaq shumë njerëz nuk besojnë se universin e krijoi Perëndia?» Disa thjesht nuk i kanë shqyrtuar asnjëherë vetë provat që ekzistojnë. Roberti, që tani është Dëshmitar i Jehovait, thotë: «Në shkollë nuk flitej kurrë për krijimin, prandaj mendoja se ishte një përrallë. Vetëm kur isha në të 20-at, bisedova me Dëshmitarët e Jehovait dhe dëgjova argumente logjike e bindëse nga Bibla që mbështetnin krijimin.» *—Shih kutinë « Një thirrje prindërve».

6. Pse disa njerëz nuk besojnë se ka një Krijues?

6 Disa nuk besojnë se ka një Krijues ngaqë thonë se besojnë vetëm te diçka që mund ta shohin me sy. Ama, ata e besojnë se ekzistojnë disa gjëra që nuk i shohin, siç është forca e rëndesë, sepse kanë prova që ajo është reale. Po njësoj, besimi për të cilin flet Bibla bazohet te provat se ekzistojnë edhe ‘realitete’ të tjera që «nuk shihen». (Hebr. 11:1) Duhen kohë dhe përpjekje për t’i studiuar vetë provat, dhe shumë njerëz nuk kanë dëshirë ta bëjnë këtë punë. E kush nuk i analizon vetë provat, mund të nxjerrë përfundimin se Perëndia nuk ekziston.

7. A e hedhin poshtë të gjithë njerëzit e arsimuar idenë se universin e krijoi Perëndia? Shpjegoni.

7 Pasi kanë studiuar dëshmitë, disa shkencëtarë janë bindur se universin e krijoi Perëndia. * Ashtu si Roberti që u përmend më sipër, disa mund ta kenë nxjerrë përfundimin se nuk ekziston një Krijues thjesht ngaqë krijimi nuk mësohet në universitet. Gjithsesi ka shumë shkencëtarë që me kohë e kanë njohur dhe e duan Jehovain. Njësoj si këta shkencëtarë, të gjithë duhet ta forcojmë besimin tonë te Perëndia, pavarësisht se sa arsimim kemi. Askush tjetër s’mund ta bëjë këtë për ne.

SI MUND TA THELLOSH BESIMIN TE KRIJUESI YT

8-9. (a) Cilën pyetje do të shqyrtojmë tani? (b) Çfarë dobie do të kesh nëse studion krijimin?

8 Si mund ta thellosh besimin tënd se Jehovai është Krijuesi? Le të shohim katër mënyra.

9 Studio krijimin. Mund ta thellosh besimin te Krijuesi duke soditur me vëmendje kafshët, bimët dhe yjet. (Psal. 19:1; Isa. 40:26) Sa më shumë ta studiosh botën rreth teje, aq më i bindur do të jesh se Jehovai është Krijuesi. Botimet tona shpesh përmbajnë artikuj ku shpjegohen aspekte të ndryshme të krijimit. Mos ngurro t’i lexosh këta artikuj edhe nëse të duket e vështirë t’i kuptosh plotësisht. Përfito prej tyre sa më shumë të mundesh. E mos harro të shohësh në sitin tonë jw.org, videot e bukura për krijimin që janë shfaqur vitet e fundit në kongreset rajonale.

10. Jepni një shembull se si krijimi dëshmon se ka një krijues. (Romakëve 1:20)

10 Kur studion krijimin, bluaj në mendje se çfarë të zbulon për Krijuesin tënd. (Lexo Romakëve 1:20.) Për shembull, ndoshta e di se dielli, përveç ngrohtësisë jetëdhënëse, lëshon edhe energji të dëmshme në formën e rrezeve ultraviolet. Ne njerëzit kemi nevojë të jemi të mbrojtur nga këto rreze. Dhe jemi të mbrojtur! Si? Shtëpia jonë, toka, ka si çadër mbrojtëse një shtresë ozoni—një gaz që na mbron nga rrezatimi i dëmshëm. Kur rrezet ultraviolet të diellit bëhen më të forta, sasia e ozonit shtohet. A nuk të duket logjike se gjithë këtë duhet ta ketë projektuar dikush dhe se ai duhet të jetë një Krijues i dashur dhe inteligjent?

11. Ku mund të gjesh informacione që të forcojnë besimin te Krijuesi? (Shih kutinë « Disa materiale për të forcuar besimin».)

11 Nëse shfleton Treguesin e Botimeve Watch Tower dhe bën kërkime në sitin jw.org, do të gjesh plot fakte rreth krijimit që ta forcojnë besimin. Pse të mos fillosh me artikujt dhe videot e serisë «A është projektuar?» Ato janë të shkurtra dhe paraqesin fakte mbresëlënëse për kafshët e bimët. Gjithashtu tregojnë si janë përpjekur shkencëtarët të kopjojnë atë që shohin në natyrë.

12. Cilat janë disa gjëra ku duhet të ndalemi kur studiojmë Biblën?

12 Studio Biblën. Biokimisti i përmendur më sipër, në fillim e shpërfilli idenë se ka një Krijues. Por me kohë u bind për këtë. Ai thotë: «Besimi im nuk u bazua vetëm te studimet shkencore, por edhe te një studim i kujdesshëm i Biblës.» Mbase ti ke mjaft njohuri nga Bibla. Ama, që ta forcosh besimin te Krijuesi yt, ke nevojë të vazhdosh ta studiosh Fjalën e Perëndisë. (Jos. 1:8; Psal. 119:97) Për shembull, mendo me sa hollësi flet Bibla për ngjarjet historike. Mendo edhe për profecitë e për harmoninë mes asaj që thonë shkrimtarët e ndryshëm të Biblës. Kështu do ta forcosh besimin se na ka bërë një Krijues i dashur e i mençur dhe se ai ka frymëzuar Biblën. *2 Tim. 3:14; 2 Pjet. 1:21.

13. Cili është një shembull që tregon sa të mençura janë këshillat e Biblës?

13 Kur studion fjalën e Perëndisë, mendo sa të dobishme janë këshillat e saj. Për shembull, para shumë shekujsh, Bibla paralajmëronte se dashuria për pará është e dëmshme dhe shkakton «shumë dhembje». (1 Tim. 6:9, 10; Prov. 28:20; Mat. 6:24) A ka ende vlerë ky paralajmërim? Në librin Epidemia e narcisizmit (anglisht) thuhet: «Në përgjithësi, njerëzit materialistë janë më pak të lumtur dhe më të dëshpëruar. Edhe ata që thjesht aspirojnë të kenë më shumë para, kanë shëndet mendor jo të mirë; gjithashtu, ata vetë thonë se kanë më tepër probleme shëndetësore.» Sa i mençur është, pra, paralajmërimi i Biblës që të mos ushqejmë dashuri për para! A të vijnë ndër mend parime të tjera nga Bibla që të kanë ndihmuar? Sa më thellë t’i çmojmë këshillat e Biblës, aq më shumë do të mbështetemi te mençuria e saj që vlen për çdo kohë dhe që buron nga Krijuesi ynë i dashur. (Jak. 1:5) Si rezultat, do të gëzojmë një jetë më të bukur.—Isa. 48:17, 18.

14. Çfarë do të zbulosh për Jehovain nga studimi i Biblës?

14 Studio me motivin e duhur—të njohësh Jehovain. (Gjoni 17:3) Teksa studion Shkrimet, do të shpalosen para teje cilësitë e një personaliteti unik, që harmonizohen bukur me cilësitë e pasqyruara te krijimi. Këto nuk janë fryt i fantazisë, por janë cilësitë e një Personi real. (Eks. 34:6, 7; Psal. 145:8, 9) Ndërsa e njeh gjithnjë e më mirë Jehovain, do të të shtohet besimi tek ai, do të thellohet dashuria për të dhe do të forcosh miqësinë me Krijuesin tënd.

15. Si do të nxjerrësh dobi vetë ndërsa u jep dëshmi të tjerëve për Perëndinë?

15 Fol me të tjerët për besimin te Perëndia. Ndërsa e bën këtë, do të forcosh besimin tënd. Po nëse dikush të cilit po i jep dëshmi ngre një pyetje për ekzistencën e Perëndisë dhe nuk di si t’i përgjigjesh? Përpiqu të gjesh te botimet tona një përgjigje të bazuar te Shkrimet, e pastaj tregoja atij që ka bërë pyetjen. (1 Pjet. 3:15) Veç kësaj, mund t’i kërkosh ndihmë një Dëshmitari me përvojë. Pavarësisht nëse të tjerët i pranojnë apo jo përgjigjet e bazuara te Bibla, ti do të nxjerrësh dobi nga kërkimet që bën. Besimi yt do të ketë rrënjë më të thella. Si rezultat, nuk do të jesh pre e lehtë e pohimeve të rreme të atyre që duken të mençur e intelektualë dhe që thonë se nuk ka një Krijues.

MBAJE TË FORTË BESIMIN TËND!

16. Çfarë mund të ndodhë nëse nuk vazhdojmë ta forcojmë besimin tonë?

16 Sado kohë të kemi që i shërbejmë Jehovait, duhet të vazhdojmë ta forcojmë besimin tonë. Pse? Sepse po të mos bëjmë kujdes, besimi mund të na dobësohet. Mos harro se besimi bazohet te provat për realitetet që nuk shihen. E diçka që nuk e shohim, është kollaj ta harrojmë. Ja pse Pavli e quajti mungesën e besimit ‘mëkati në të cilin ngecim lehtësisht’. (Hebr. 12:1) Çfarë të bëjmë, pra, që të mos biem në këtë grackë?—2 Sel. 1:3.

17. Çfarë ndihmë na nevojitet që ta mbajmë besimin të fortë?

17 Së pari, përgjëroju Jehovait për frymën e tij të shenjtë dhe lutu shpesh për të. Pse? Sepse besimi është një aspekt i frytit të frymës. (Gal. 5:22, 23) Është e pamundur ta forcojmë besimin te Krijuesi ynë pa ndihmën e frymës së tij të shenjtë. Nëse vazhdojmë t’i lutemi Jehovait për frymën e tij, ai do të na e japë. (Luka 11:13) Madje mund t’i lutemi në mënyrë specifike: «Na jep më shumë besim.»—Luka 17:5.

18. Siç tregon Psalmi 1:2, 3, çfarë privilegji kemi ne?

18 Përveç kësaj, ji i rregullt në studimin personal të Fjalës së Perëndisë. (Lexo Psalmin 1:2, 3.) Në kohën kur u kompozua ky psalm, pak izraelitë—si mbreti dhe priftërinjtë—kishin një kopje të plotë të Ligjit të Perëndisë. Kurse «burrat, gratë, fëmijët dhe të ardhurit» në Izrael mblidheshin çdo shtatë vjet për të dëgjuar ndërsa lexohej Ligji i Perëndisë. (Ligj. 31:10-12) Në kohën e Jezuit, vetëm një grusht njerëzish kishin rrotulla të Shkrimeve. E shumica e rrotullave mbaheshin në sinagoga. Kurse sot, thuajse çdo njeri e ka në dispozicion Fjalën e Perëndisë, të plotë ose pjesërisht. Çfarë dhurate të vyer kemi në duar! Si mund ta tregojmë se e çmojmë këtë privilegj të madh?

19. Çfarë duhet të bëjmë që ta mbajmë të fortë besimin tonë?

19 Cila është një mënyrë si ta tregojmë mirënjohjen për privilegjin që kemi në duar Fjalën e Perëndisë? Duke e lexuar rregullisht. Nuk duam të rrezikojmë duke ia lënë rastësisë studimin personal dhe ta lexojmë Biblën vetëm kur kemi ca kohë. Po të ndjekim me vendosmëri një program të rregullt studimi, do ta mbajmë të fortë besimin tonë.

20. Çfarë duhet të jemi të vendosur të bëjmë?

20 Ndryshe nga ‘të mençurit e intelektualët’ e kësaj bote, ne kemi një besim të palëkundur që i ka themelet te Fjala e Perëndisë. (Mat. 11:25, 26) Nga studimi i këtij libri të shenjtë, dimë pse kushtet në botë po katandisen keq e më keq dhe çfarë do të bëjë Jehovai për këtë. Prandaj, le të jemi të vendosur ta forcojmë besimin tonë dhe të ndihmojmë sa më shumë njerëz të kenë besim te Krijuesi ynë. (1 Tim. 2:3, 4) E le të vazhdojmë ta presim me zjarr ditën kur çdo njeri mbi dhé t’u bëjë jehonë fjalëve të Zbulesës 4:11: «Ti je i denjë, o Jehova, Perëndia ynë, të marrësh lavdinë . . . sepse ti krijove gjithçka.»

KËNGA 2 Emri yt është Jehova

^ par. 5 Shkrimet tregojnë qartë se Perëndia Jehova është Krijuesi. Por shumë njerëz nuk e besojnë këtë. Ata besojnë se jeta lindi vetvetiu. Fjalët e tyre s’kanë për të na lëkundur nëse përpiqemi pa u lodhur që ta forcojmë besimin tonë te Perëndia dhe te Bibla. Ky artikull do të shpjegojë si mund ta bëjmë këtë.

^ par. 5 Në shumë shkolla publike, krijimi as nuk përmendet si një shpjegim i mundshëm për ekzistencën e jetës. Sipas disa arsimtarëve, kjo do t’i detyronte nxënësit të besonin, duke shkelur kështu lirinë e fesë.

^ par. 7 Te Treguesi i Botimeve Watch Tower do të gjesh komente nga mbi 60 specialistë, mes të cilëve edhe shkencëtarë, që besojnë te krijimi. Te tema «Shkenca», kërko nëntemën «shkencëtarët shprehin besimin te krijimi». Disa nga këto komente mund t’i gjesh edhe te Mjet kërkimesh për Dëshmitarët e Jehovait. Te tema «Shkenca dhe teknologjia», kërko nëntemën «‘Intervistë’ (rubrikë në Zgjohuni!)».

^ par. 12 Shih, për shembull, artikullin «A pajtohen shkenca dhe Bibla?» te revista Zgjohuni! e shkurtit 2011 dhe artikullin «Gjithçka që Jehovai parathotë del e vërtetë» te Kulla e Rojës e 1 janarit 2008.