Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

 ARTIKULLI I STUDIMIT 31

A je i gatshëm të presësh Jehovain?

A je i gatshëm të presësh Jehovain?

«Do ta pres me durim Perëndinë.»—MIK. 7:7.

KËNGA 128 Qëndro deri në fund

PËRMBLEDHJE *

1-2. Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?

SI NDIHESH kur një pako me diçka që të nevojitet, nuk vjen atëherë kur e pret? A ndihesh i zhgënjyer? Me te drejtë, te Proverbat 13:12 thuhet: «Pritja e zgjatur e ligështon zemrën.» Po nëse merr vesh që ka arsye të forta pse pakoja nuk ka ardhur kur e prisje ti? Atëherë ndoshta do të kishe më shumë durim të prisje.

2 Në këtë artikull do të shqyrtojmë disa parime nga Bibla që mund të na ndihmojnë ‘ta presim me durim Perëndinë’. (Mik. 7:7) Pastaj do të ndalemi te dy situata ku mund të na duhet të presim me durim që Jehovai të veprojë. Në fund do të flasim për bekimet që do të derdhë Jehovai mbi ata që janë të gatshëm ta presin.

PARIME QË NA MËSOJNË DURIMIN

3. Çfarë thekson parimi që gjendet te Proverbat 13:11?

3 Te Proverbat 13:11 kemi një shembull që ilustron sa i rëndësishëm është durimi. Aty thuhet: «Pasuritë që fitohen shpejt e shpejt do të shterojnë, por pasuritë e atij që mbledh pak nga pak, do të shtohen.» Cili është parimi? Njeriu i mençur tregohet i duruar, i hedh hapat një nga një.

4. Çfarë thekson parimi që gjendet te Proverbat 4:18?

4 Proverbat 4:18 thotë se «shtegu i të drejtëve është si drita e agimit, që ndriçon gjithnjë e më shumë, derisa bëhet ditë e plotë». Këto fjalë përshkruajnë bukur si ua zbulon Jehovai shërbëtorëve të vet qëllimin që ka—dalëngadalë, në mënyrë graduale. Por, në një kuptim më të gjerë, vargu tregon edhe në ç’mënyrë përparon dikush në të vërtetën. Ky përparim nuk mund të përshpejtohet, do  kohën e vet. Po të studiojmë seriozisht dhe t’i zbatojmë këshillat që marrim nga Fjala e Perëndisë e nga organizata e tij, do të zhvillojmë dalëngadalë një personalitet si i Krishtit. Veç kësaj, do ta njohim Perëndinë gjithnjë e më mirë. Të shohim si e ilustroi Jezui këtë.

Ashtu si një bimë rritet pak nga pak, edhe dikush që e dëgjon dhe e pranon mesazhin për Mbretërinë, përparon pak nga pak në të vërtetën (Shih paragrafin 5)

5. Çfarë ilustrimi përdori Jezui për të treguar se duhet kohë që dikush të përparojë?

5 Me anë të një ilustrimi, Jezui shpjegoi pse mesazhi për Mbretërinë ngjan me një farë të vogël e cila rritet avash-avash në zemrën e njerëzve që e duan drejtësinë. Ai tha: «Farat mbijnë e rriten—se si, ai [mbjellësi] nuk e di. Toka vetvetiu jep fryt dalëngadalë: më parë filizin, pastaj kallirin e së fundi kokrrën e pjekur në kalli.» (Mar. 4:27, 28) Ç’donte të theksonte Jezui? Ai po shpjegonte se ashtu si një bimë rritet pak nga pak, edhe dikush që e pranon mesazhin për Mbretërinë, përparon pak nga pak në të vërtetën. Për shembull, ndërsa studentët e Biblës afrohen gjithnjë e më shumë me Jehovain, nisim të vërejmë tërë ato ndryshime të bukura që bëjnë në jetë. (Efes. 4:22-24) Por të mos harrojmë se ai që e rrit farën e vogël, është Jehovai.—1 Kor. 3:7.

6-7. Çfarë mësojmë nga mënyra si e krijoi Jehovai tokën?

6 Në gjithçka që bën, Jehovai tregon durim. Ai harxhon sado kohë të jetë e nevojshme për ta çuar deri në fund punën e tij. Këtë e bën qoftë për t’i dhënë lavdi emrit të tij, qoftë për të mirën e të tjerëve. Të mendojmë, për shembull, si e krijoi Jehovai tokën gradualisht, duke e bërë gati për njerëzit.

7 Kur flet për mënyrën si u krijua toka, Bibla thotë se Jehovai i caktoi «përmasat», nguli «themelet e saj» dhe i vuri «gurin e qoshes». (Jobi 38:5, 6) Madje ai la kohë edhe që të reflektonte për veprat e tij. (Zan. 1:10, 12) Arrin ta përfytyrosh si ndiheshin engjëjt tek shihnin  të merrnin formë dalëngadalë veprat e duarve të Jehovait? Çfarë përvoje drithëruese duhet të ketë qenë! Në fakt, ata filluan ‘të brohoritnin tërë ngazëllim’. (Jobi 38:7) Çfarë na mëson kjo? Edhe pse u deshën mijëvjeçarë të tërë që Jehovai të realizonte veprat e tij, kur pa çdo gjë që kishte krijuar me aq përkushtim e merak, ai tha se ishte «shumë mirë».—Zan. 1:31.

8. Çfarë do të shqyrtojmë më tej?

8 Siç e tregojnë shembujt më sipër, në Fjalën e Perëndisë mund të gjejmë plot parime që theksojnë se kemi nevojë për durim. Tani do të ndalemi te dy situata ku duhet të jemi të gatshëm të presim Jehovain.

KUR MUND TË NA DUHET TË PRESIM JEHOVAIN?

9. Në cilën situatë mund të na duhet të presim Jehovain?

9 Mund të na duhet të presim që Jehovai t’u përgjigjet lutjeve tona. Kur lutemi për forcë që t’i bëjmë ballë një sprove ose që të kapërcejmë një dobësi, mund të na duket sikur ndihma nuk po vjen atëherë kur shpresonim. Pse nuk u përgjigjet menjëherë Jehovai të gjitha lutjeve tona?

10. Pse nevojitet durim kur presim përgjigjen e lutjeve tona?

10 Jehovai i dëgjon me vëmendje lutjet që i bëjmë. (Psal. 65:2) Lutjet tona nga zemra i sheh si provë se kemi besim tek Ai. (Hebr. 11:6) Jehovai dëshiron edhe të shohë sa të vendosur jemi të jetojmë në harmoni me lutjet tona dhe të bëjmë atë që e kënaq. (1 Gjon. 3:22) Prandaj, sa herë që i kërkojmë Jehovait ndihmë për të mposhtur një ves a dobësi, mund të na duhet të presim me durim e të veprojmë sipas lutjeve tona. Jezui na ndihmoi të kuptojmë se disa nga lutjet tona mund të mos marrin përgjigje në çast. Ai na nxiti: «Vazhdoni të kërkoni dhe do t’ju jepet, vazhdoni të kërkoni me ngulm dhe do të gjeni, vazhdoni të trokitni dhe do t’ju hapet; sepse kush kërkon, merr, kush kërkon me ngulm, gjen dhe atij që troket, do t’i hapet.» (Mat. 7:7, 8) Kur ndjekim këtë këshillë dhe ‘ngulmojmë në lutje’, mund të jemi të sigurt se Ati ynë qiellor na dëgjon dhe do të na përgjigjet.—Kolos. 4:2.

Ndërsa presim Jehovain, vazhdojmë t’i lutemi plot besim se do të na përgjigjet (Shih paragrafin 11) *

11. Si na ndihmon Hebrenjve 4:16 nëse na duket se përgjigjja e një lutjeje po vonon?

11 Ndonëse mund të duket se përgjigjja e një lutjeje po vonon, Jehovai ka premtuar se do t’u përgjigjet lutjeve tona «në kohën e duhur». (Lexo Hebrenjve 4:16.) Prandaj, kurrë të mos e quajmë fajtor Jehovain nëse diçka nuk ndodh aq shpejt sa ç’e prisnim. Për shembull, shumë njerëz janë lutur për vite të tëra që Mbretëria e Perëndisë t’i japë fund këtij sistemi. Jezui vetë tha se duhet të lutemi për këtë. (Mat. 6:10) Por, sa gjë e marrë do të ishte po të lejonim të na dobësohej besimi te Perëndia ngaqë fundi nuk po vjen atëherë kur e presim ne! (Hab. 2:3; Mat. 24:44) Është e mençur të vazhdojmë të presim Jehovain dhe t’i lutemi plot besim se do të na përgjigjet. Fundi do të vijë fiks në kohën e duhur, sepse Jehovai e ka vendosur tashmë «ditën [dhe] orën» kur do të vijë. E ajo ditë ka për të qenë momenti më i mirë për të gjithë.—Mat. 24:36; 2 Pjet. 3:15.

Çfarë mësojmë për durimin nga shembulli i Jozefit? (Shih paragrafët 12-14)

12. Në cilën situatë mund të na sprovohet tej mase durimi?

12 Mund të na duhet durim ndërsa presim të vihet në vend drejtësia. Në këtë  botë, njerëzit shpesh i keqtrajtojnë ata që kanë gjini, racë, prejardhje, kulturë a kombësi tjetër. Të tjerë pësojnë padrejtësi ngaqë kanë kufizime fizike ose mendore. Shumë shërbëtorë të Jehovait i kanë keqtrajtuar për shkak të bindjeve të tyre të bazuara në Bibël. Kur vuajmë nga padrejtësi të tilla, të mbajmë në mendje këto fjalë të Jezuit: «Ai që qëndron deri në fund, do të shpëtojë.» (Mat. 24:13) Po në rast se merr vesh që dikush në kongregacion ka bërë një mëkat serioz, ç’duhet të bësh? Pasi të jenë vënë në dijeni pleqtë, a do të presësh me durim e me besim se ata do ta trajtojnë çështjen ashtu siç do Jehovai? Çfarë u duhet pleqve të bëjnë në raste të tilla?

13. Çfarë bëjnë pleqtë për ta trajtuar një çështje siç do Jehovai?

13 Kur marrin vesh se dikush në kongregacion ka bërë një mëkat serioz, pleqtë i luten Jehovait t’u japë ‘mençuri nga lart’, që ta shohin situatën siç e sheh ai. (Jak. 3:17) Synimi i tyre është ta ndihmojnë atë që ka mëkatuar të kthehet «nga udha e tij e gabuar». (Jak. 5:19, 20) Veç kësaj, duan të bëjnë gjithë sa munden që të mbrojnë kongregacionin e t’u japin zemër atyre që janë lënduar. (2 Kor. 1:3, 4) Kur trajtojnë raste të mëkateve serioze, pleqtë së pari duhet të dinë të gjitha faktet, e kjo mund të dojë ca kohë. Pastaj luten e japin këshilla të menduara mirë nga Shkrimet dhe e ndreqin «në masën e duhur» atë që ka mëkatuar. (Jer. 30:11) Ndonëse nuk i zvarritin gjërat, pleqtë nuk nguten të japin një gjykim. E kur ata i trajtojnë çështjet sipas drejtimit të Jehovait, të gjithë në kongregacion nxjerrin dobi maksimale. Por, edhe kur çështjet trajtohen në mënyrën e duhur, dikush që është lënduar nga ai mëkat, mund ta ketë akoma plagën të hapur. Ç’mund të bësh që ta lehtësosh dhimbjen nëse ndodhesh në këtë situatë?

14. Cili shembull nga Bibla mund të ta lehtësojë zemrën nëse të ka lënduar thellë një bashkëbesimtar?

14 A ke qenë ndonjëherë viktimë e një padrejtësie të rëndë, ndoshta edhe nga një vëlla a motër? Në Fjalën e Perëndisë  mund të gjesh shembuj të shkëlqyer të cilët na mësojnë si të presim që Jehovai t’i ndreqë gjërat. Jozefi, për shembull, vuajti për shkak të padrejtësive që i bënë vëllezërit, por prapë nuk lejoi që gabimet e tyre ta mbushnin me mllef. Përkundrazi, vazhdoi të bënte më të mirën për t’i shërbyer Jehovait, dhe Ai e bekoi dorëhapur për durimin e qëndrueshmërinë. (Zan. 39:21) Me kohë, Jozefi arriti ta hidhte pas krahëve atë lëndim dhe dalloi si e kishte bekuar Jehovai. (Zan. 45:5) Ashtu si Jozefi, na lehtësohet zemra ndërsa afrohemi më shumë me Jehovain dhe ia lëmë atij në dorë të vërë në vend drejtësinë.—Psal. 7:17; 73:28.

15. Çfarë e ndihmoi një motër që ta hidhte pas krahëve një padrejtësi?

15 Natyrisht, jo të gjitha padrejtësitë janë aq të rënda sa ato që pësoi Jozefi; gjithsesi, çdo lloj keqtrajtimi na shkakton dhimbje. Kur kemi një problem me dikë, qoftë edhe me dikë që nuk adhuron Jehovain, do të nxjerrim dobi nëse zbatojmë parimet e Biblës. (Filip. 2:3, 4) Të marrim një rast. Një motër u lëndua thellë kur mori vesh se një kolege po përhapte gënjeshtra dhe fjalë të këqija për të. Në vend që të reagonte rrëmbyer, motra la kohë të reflektonte për shembullin e Jezuit. Kur e fyenin, Jezui nuk ua kthente të tjerëve me të njëjtën monedhë. (1 Pjet. 2:21, 23) Duke mbajtur në mendje shembullin e tij, vendosi të mos e bënte të madhe atë që kishte ndodhur. Më vonë mori vesh se ajo kolege kishte ca kohë që po luftonte me një sëmundje të rëndë dhe ishte tepër e stresuar. Kështu motra nxori përfundimin se kolegia s’duhet t’i kishte pasur me tërë mend fjalët që kish thënë. Ndihej shumë e kënaqur që kishte treguar durim përballë keqtrajtimit dhe ndiente paqe në zemër.

16. Çfarë mund të të japë zemër nëse po vuan nga një padrejtësi? (1 Pjetrit 3:12)

16 Nëse po vuan nga një padrejtësi a nga diçka tjetër që të shkakton dhimbje, mos harro se Jehovai «u rri pranë zemërthyerve». (Psal. 34:18) Ai e sheh ndërsa tregon durim dhe ia hedh barrën atij,  e të do për këtë. (Psal. 55:22) Jehovai është Gjykatësi i mbarë tokës. Asgjë s’i shpëton syrit të tij. (Lexo 1 Pjetrit 3:12.) A je i gatshëm, pra, ta presësh Jehovain kur kalon vështirësi që nuk u jep dot zgjidhje?

NJË DET BEKIMESH PËR ATA QË PRESIN JEHOVAIN

17. Çfarë garancie na ka dhënë Jehovai tek Isaia 30:18?

17 Së shpejti, Ati ynë qiellor do të na bekojë dorëhapur nëpërmjet Mbretërisë së tij. Isaia 30:18 dhe shënimi thotë: «Jehovai po pret me durim që të tregohet zemërmirë me ju dhe t’ju tregojë mëshirë, sepse Jehovai është Perëndi i drejtësisë. Të lumtur janë të gjithë ata që e presin plot shpresë!» Ata që e presin plot shpresë Jehovain, do të marrin bekime pa fund sot dhe në botën e re.

18. Çfarë bekimesh na presin?

18 Kur të jetojnë në botën e re, shërbëtorët e Perëndisë nuk do të vuajnë kurrë më nga ankthet dhe problemet që po kalojnë sot. Padrejtësitë do t’i përkasin së kaluarës e dhimbje nuk do të ketë më. (Zbul. 21:4) Nuk do të na pushtojë më ankthi për gjërat e nevojshme, sepse do të gëzojmë gjithë të mirat. (Psal. 72:16; Isa. 54:13) Çfarë kohe e mrekullueshme na pret!

19. Për çfarë po na përgatit dalëngadalë Jehovai sot?

19 Ndërkohë, Jehovai po na ndihmon të mposhtim zakonet e këqija dhe të kultivojmë cilësi që e kënaqin, e kështu po na përgatit të jetojmë nën qeverisjen e tij. Ndaj të mos të lëshojë zemra, mos u dorëzo. Kemi para një jetë fantastike! Derisa të vijë ajo e ardhme e ndritur, le të vazhdojmë të presim me gëzim e me durim që Jehovai ta çojë deri në fund punën që ka nisur!

KËNGA 118 «Na jep më shumë besim»

^ par. 5 Mbase ke dëgjuar dikë që i shërben Jehovait prej vitesh të thotë: «S’ma merrte mendja kurrë se në këtë moshë do të jetoja akoma në këtë sistem.» Të gjithë mezi presim që Jehovai të sjellë fundin, sidomos në këto kohë të vështira. Por duhet të mësojmë të jemi të duruar. Në këtë artikull do të shqyrtojmë disa parime nga Bibla që mund të na ndihmojnë të presim me durim që Jehovai të veprojë. Do të ndalemi edhe te dy situata ku na duhet të presim me durim Jehovain. Në fund do të flasim për bekimet që do të derdhë Jehovai mbi ata që janë të gatshëm ta presin.

^ par. 56 PËRSHKRIMI I FIGURËS: Një motër e ka zakon që nga vogëlia t’i lutet rregullisht Jehovait. Kur ishte fëmijë, prindërit e mësuan si të lutej. Në adoleshencë u bë pioniere dhe i lutej shpesh Jehovait ta bekonte në shërbim. Vite më vonë, kur i shoqi u sëmur rëndë, i përgjërohej Jehovait për forcën e nevojshme që ta përballonte sprovën. Sot që është vejushë ngulmon në lutje, e sigurt se Ati i saj qiellor do t’i përgjigjet—ashtu siç ka bërë gjatë gjithë jetës së saj.