Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

 ARTIKULLI I STUDIMIT 34

‘Shijo’ mirësinë e Jehovait—Si?

‘Shijo’ mirësinë e Jehovait—Si?

«Provoni dhe shijoni sa i mirë është Jehovai! Lum kush gjen strehë tek ai!»—PSAL. 34:8.

KËNGA 117 Të imitojmë mirësinë e Jehovait

PËRMBLEDHJE *

1-2. Sipas Psalmit 34:8, si mund ta kuptojmë sa i mirë është Jehovai?

IMAGJINO sikur të servirin një ushqim që nuk e ke provuar kurrë. Mund të mësosh diçka për të duke e parë, duke e nuhatur, duke lexuar recetën ose duke pyetur të tjerët si është. Ama ka vetëm një mënyrë për t’u siguruar nëse të pëlqen—ta shijosh vetë.

2 Po njësoj, ne mësojmë për mirësinë e Jehovait kur lexojmë Biblën e botimet tona dhe kur të tjerët tregojnë si i ka bekuar Ai. Ama e kuptojmë vërtet sa i mirë është Jehovai kur ‘e shijojmë’ vetë mirësinë e tij. (Lexo Psalmin 34:8.) Të shohim një shembull si mund ta bëjmë këtë. Ta zëmë se duam t’i shërbejmë Jehovait në kohë të plotë, por për ta arritur këtë synim kemi nevojë të thjeshtojmë jetën. Ndoshta e kemi lexuar shpesh premtimin e Jezuit se po të vëmë në radhë të parë Mbretërinë, Jehovai do të na sigurojë ç’na nevojitet vërtet. (Mat. 6:33) Por nuk e kemi provuar kurrë personalisht si e plotëson këtë premtim. Megjithatë, duke treguar besim te premtimi i Jezuit, pakësojmë shpenzimet, reduktojmë orarin e punës dhe japim maksimumin në shërbim. Ndërsa e bëjmë këtë, e mësojmë nga përvoja se Jehovai kujdeset vërtet për nevojat tona. Kështu ‘e shijojmë’ personalisht mirësinë e Jehovait.

3. Në harmoni me Psalmin 16:1, 2, cilëve u tregon mirësi Jehovai?

3 Jehovai është «i mirë me të gjithë», edhe me ata që nuk e njohin. (Psal. 145:9; Mat. 5:45) Por në veçanti, mbulon me bekime ata që e duan dhe që i shërbejnë me gjithë shpirt. (Lexo Psalmin 16:1, 2.) Të ndalemi vetëm te disa mënyra si nxjerrim dobi nga mirësia e Jehovait.

4. Si u tregon mirësi Jehovai atyre që fillojnë të afrohen me të?

 4 Sa herë që e zbatojmë atë që mësojmë nga Jehovai, shohim sa dobi na sjell në jetë. Në fillim, për shembull, ndërsa e njihnim Jehovain e na shtohej dashuria për të, ai na ndihmonte të flaknim tej mentalitete e zakone që na ndanin prej tij. (Kolos. 1:21) E kur ia kushtuam jetën dhe u pagëzuam, Jehovai na bëri akoma më shumë dhurata, si ndërgjegjja e mirë dhe miqësia e ngushtë me të.—1 Pjet. 3:21.

5. Si e provojmë mirësinë e Jehovait në shërbim?

5 Sot vazhdojmë ta provojmë mirësinë e Jehovait ndërsa marrim pjesë në shërbim. A je tip i ndrojtur, siç janë shumë shërbëtorë të Jehovait? Ndoshta, para se të bëheshe Dëshmitar i Jehovait, të dukej e paimagjinueshme të trokisje në derën e një të panjohuri për t’i dhënë një mesazh që shumica nuk e pëlqen. Ama sot po e bën rregullisht këtë. Madje, me ndihmën e Jehovait, gjen gëzim në shërbim! E ke ndier mbështetjen e Jehovait në sa e sa mënyra. Ai të ka ndihmuar të ruash qetësinë përballë një kundërshtari. Të ka ndihmuar edhe të kujtosh tamam shkrimin e duhur për t’ia treguar një të interesuari. E të ka dhënë forcë të mos dorëzohesh kur ke hasur indiferentizëm në territor.—Jer. 20:7-9.

6. Pse stërvitja që na jep Jehovai është provë e mirësisë së tij?

6 Jehovai na tregon mirësi edhe duke na stërvitur për shërbimin. (Gjoni 6:45) Në mbledhjen e mesjavës, shohim video me ide të bukura se çfarë të themi në predikim dhe inkurajohemi t’i përdorim në shërbim. Mbase në fillim kemi pak frikë të provojmë diçka të re, por kur e provojmë, mund të shohim sa të efektshme janë në territor ato sugjerime. Në mbledhje e kongrese inkurajohemi edhe të marrim pjesë në disa forma shërbimi që ndoshta s’i kemi provuar asnjëherë. Edhe kjo mund të na vërë në siklet. Ama kur provojmë diçka të re, i japim Jehovait mundësinë të na bekojë. Le të shohim disa bekime që vijnë kur eksplorojmë mënyra të reja për t’i dhënë më të mirën Jehovait, pavarësisht nga rrethanat. Më pas do të ndalemi te disa mënyra si t’i arrijmë synimet tona në shërbim.

JEHOVAI I BEKON ATA QË MBËSHTETEN TEK AI

7. Çfarë bekimi marrim kur përpiqemi fort ta zgjerojmë shërbimin?

7 Afrohemi më shumë me Jehovain. Të mendojmë për shembullin e një plaku që quhet Samuel * e që shërben me gruan e tij në Kolumbi. Të dy po kënaqeshin me shërbimin si pionierë në kongregacionin e tyre. Megjithatë donin ta zgjeronin shërbimin duke ndihmuar në një kongregacion ku kishte më tepër nevojë. Për ta arritur atë synim, duhej të bënin disa sakrifica. Samueli thotë: «Zbatuam Mateun 6:33 dhe nuk blinim më gjëra që s’na nevojiteshin vërtet. Por, hapi më i vështirë ishte të linim apartamentin tonë. Ishte projektuar fiks siç na pëlqente ne dhe nuk na duhej të paguanim asgjë për të.» Në caktimin e ri, çifti pa se u mjaftonte për të jetuar vetëm një e gjashta e të ardhurave të mëparshme. Samueli thotë: «Kemi parë si na i drejton hapat Jehovai dhe si u përgjigjet lutjeve tona. E ndiejmë miratimin dhe dashurinë e tij në mënyra që s’i kemi provuar  kurrë më parë.» Po ti, a ke mundësi ta zgjerosh shërbimin në ndonjë mënyrë? Nëse po, të jesh i sigurt se kjo do të të afrojë më shumë me Jehovain dhe se ai do të kujdeset për ty.—Psal. 18:25.

8. Çfarë të mëson shembulli i Ivanit dhe Viktorias?

8 Gjejmë gëzim në shërbim. Ivani dhe Viktoria janë një çift i martuar që shërbejnë si pionierë në Kirgizistan. Ata e mbajtën jetën të thjeshtë që të ishin të gatshëm për çfarëdo caktimi, duke përfshirë edhe projektet e ndërtimit. Ivani thotë: «Jepeshim me mish e me shpirt pas çdo projekti. Edhe pse në fund të ditës ishim të lodhur, kishim në zemër paqe e kënaqësi, ngaqë e dinim se po i derdhnim energjitë në veprën e Mbretërisë. Një burim gëzimi ishin edhe kujtimet e bukura dhe miqësitë që fituam.»—Mar. 10:29, 30.

9. Çfarë ka bërë një motër që ndodhet në rrethana të vështira për ta zgjeruar shërbimin, dhe me çfarë rezultati?

9 Gjejmë gëzim në shërbim të Jehovait edhe kur kemi rrethana të vështira. Për shembull, Mira, një vejushë e moshuar në Afrikën Perëndimore që ishte mjeke, filloi shërbimin si pioniere pasi doli në pension. Ajo ka artrit të rëndë, prandaj nuk qëndron dot më shumë se një orë në shërbimin shtëpi më shtëpi. Por në dëshminë me stenda mund të rrijë më gjatë. Mira ka shumë rivizita e studime, e me disa nga këta të interesuar dhe studentë bisedon me telefon. Çfarë e motivoi ta zgjeronte shërbimin? Ajo thotë: «Më gufon zemra nga dashuria për Jehovain dhe Krishtin Jezu. Ndaj, shpesh i lutem Jehovait të më ndihmojë të bëj sa më shumë në shërbim të tij.»—Mat. 22:36, 37.

10. Siç tregon 1 Pjetrit 5:10, çfarë u jep Jehovai atyre që e zgjerojnë shërbimin?

10 Marrim më shumë stërvitje nga Jehovai. Keni, një pionier që shërben në Mauriki, e shijoi vetë këtë bekim. Kur përqafoi të vërtetën, ai e la universitetin, u pagëzua dhe nisi shërbimin në kohë të plotë. Keni thotë: «Përpiqem të kem qëndrimin e profetit Isaia, që tha: ‘Ja ku jam! Më dërgo mua!’» (Isa. 6:8) Ai ka shërbyer në mjaft projekte ndërtimi. Ka ndihmuar edhe në përkthimin e botimeve të bazuara te Bibla në gjuhën e tij. «Mora stërvitje që më ndihmoi të zhvilloja aftësitë e nevojshme për të kryer caktimet e mia»,—thotë Keni. Por nuk mësoi vetëm si të bënte punën. Ai shton: «Mësova më shumë për kufizimet e mia dhe për cilësitë që duhet të zhvilloj, në mënyrë që të jem më i dobishëm për Jehovain.» (Lexo 1 Pjetrit 5:10.) Pse të mos shqyrtosh rrethanat e tua për të parë nëse mund të vihesh në dispozicion e të marrësh më shumë stërvitje nga Jehovai?

Një çift predikojnë në një zonë ku ka më tepër nevojë për lajmëtarë të Mbretërisë; një motër e re ndihmon në ndërtimin e një Salle Mbretërie; një çift i moshuar japin dëshmi me telefon. Për të gjithë këta, shërbimi është burim i madh gëzimi (Shih paragrafin 11)

11. Çfarë bënë disa motra në Korenë e Jugut për të marrë pjesë më shumë në shërbim, dhe me çfarë rezultati? (Shih edhe figurën e kopertinës.)

11 Edhe ata që janë Dëshmitarë prej vitesh kanë nevojë për stërvitje kur provojnë një formë të re shërbimi. Gjatë pandemisë së COVID-19, pleqtë e një kongregacioni në Korenë e Jugut shkruan: «Disa që më parë nuk mund të dilnin shumë në shërbim për shkak të problemeve shëndetësore, tani mund të predikojnë rregullisht nëpërmjet videokonferencave. Tri motra që janë në të 80-at mësuan të përdornin teknologjinë e re dhe tani janë në shërbim thuajse çdo ditë.» (Psal. 92:14, 15) Po ti, a ke dëshirë ta zgjerosh shërbimin dhe ta shijosh akoma më shumë mirësinë e Jehovait? Të  shohim disa hapa që mund të të ndihmojnë ta arrish këtë synim e të japësh më të mirën në shërbim.

HAPA QË TË NDIHMOJNË T’I JAPËSH MË TË MIRËN JEHOVAIT

12. Çfarë u premton Jehovai atyre që mbështeten tek Ai?

12 Mëso të mbështetesh te Jehovai. Jehovai premton se po të tregojmë besim tek Ai dhe t’i japim më të mirën, do të na i derdhë bekimet lumë. (Mal. 3:10) Një motër në Kolumbi që quhet Fabiola pa se si e plotësoi Jehovai këtë premtim për të. Pak pasi u pagëzua, ajo donte të shërbente si pioniere e rregullt. Por, i shoqi dhe tre fëmijët vareshin nga rroga që sillte ajo në shtëpi. Prandaj, kur i erdhi mosha e pensionit, iu lut me zjarr Jehovait ta ndihmonte. Ajo thotë: «Zakonisht duhet goxha kohë që të bëhen procedurat për pensionin. Por kaloi vetëm një muaj, dhe kërkesa ime u miratua. Dukej si një mrekulli!» Dy muaj më pas filloi shërbimin si pioniere. Tani Fabiola është në të 70-at dhe ka mbi 20 vjet që shërben si pioniere. Gjatë kësaj kohe ka ndihmuar tetë veta të përparojnë drejt pagëzimit. Ajo thotë: «Ndonëse ka raste që ndihem e pafuqishme, Jehovai më ndihmon ditë pas dite që ta vazhdoj këtë shërbim.»

Si treguan besim te Jehovai Abrahami e Sara, Jakobi dhe priftërinjtë që kaluan lumin Jordan? (Shih paragrafin 13)

13-14. Cilët shembuj mund të na ndihmojnë të mbështetemi te Jehovai dhe ta zgjerojmë shërbimin?

13 Mëso nga shembulli i atyre që u mbështetën te Jehovai. Bibla është plot me  shembuj të adhuruesve të Jehovait që nuk e kursyen veten në shërbimin e tij. Në shumë raste, ata duhej të hidhnin një hap para se Ai t’i bekonte. Për shembull, Abrahami e shijoi bekimin e Jehovait vetëm pasi u largua nga vendi i tij, «edhe pse nuk e dinte ku po shkonte». (Hebr. 11:8) Jakobi mori një bekim të veçantë vetëm pasi u përlesh me engjëllin. (Zan. 32:24-30) Kur kombi i Izraelit do të hynte në Tokën e Premtuar, lumi Jordan u ndal dhe populli kaloi në anën tjetër vetëm pasi priftërinjtë u futën në ujërat e rrëmbyera.—Jos. 3:14-16.

14 Mund të nxjerrësh dobi edhe nga shembulli i Dëshmitarëve në ditët tona që janë mbështetur te Jehovai dhe e kanë zgjeruar shërbimin. Për shembull, një vëllai që quhet Pejton dhe gruas së tij, Dianës, u pëlqente të lexonin për vëllezër e motra që vunë dhe arritën synime për t’i shërbyer më shumë Jehovait, si ata në serinë «U paraqitën vullnetarisht për të shërbyer». * Pejtoni thotë: «Kur lexonim historitë e tyre, ndiheshim sikur shihnim dikë tek kënaqej me një vakt të shijshëm. Sa më shumë shihnim, aq më shumë donim ‘ta provonim dhe ta shijonim sa i mirë është Jehovai’.» Si përfundim, Pejtoni dhe Diana u transferuan të shërbenin atje ku kishte më tepër nevojë. Po ti e ke lexuar këtë seri? A i ke parë videot Predikojnë në një territor të izoluar—Australi dhe Predikojnë në një territor të izoluar—Irlandë që kanë dalë në jw.org? Këto materiale mund të të ndihmojnë të kërkosh mënyra të reja si ta zgjerosh shërbimin tënd.

15. Si mund të na ndihmojë shoqëria e mirë?

15 Zgjidh shoqëri të mira. E kemi më kollaj ta provojmë një gatim të ri, nëse kalojmë kohë me ata që e pëlqejnë atë gatim. Po njësoj, nëse shoqërohemi me ata që e kanë shërbimin e Jehovait boshtin e jetës, ka më shumë të ngjarë të kërkojmë mënyra si ta zgjerojmë shërbimin. Kështu ndodhi me një çift, Kentin dhe Veronikën. Kenti thotë: «Miqtë dhe familjarët na inkurajonin të provonim forma të reja shërbimi. E kuptuam se shoqëria me ata që mbanin në vend të parë Mbretërinë, po na jepte zemër të provonim diçka të re.» Sot, Kenti dhe Veronika shërbejnë si pionierë specialë në Serbi.

16. Siç tregon ilustrimi i Jezuit te Luka 12:16-21, pse duhet të jemi të gatshëm të bëjmë sakrifica?

16 Bëj sakrifica për Jehovain. Për të kënaqur Jehovain, nuk është e nevojshme të heqim dorë nga të gjitha rehatitë. (Ekl. 5:19, 20) Megjithatë, nëse ngurrojmë të japim më shumë në shërbim të Perëndisë ngaqë s’duam të bëjmë sakrifica, mund të bëjmë të njëjtin gabim si njeriu në ilustrimin e Jezuit—ai punoi fort për të pasur një jetë të rehatshme, por shpërfilli Perëndinë. (Lexo Lukën 12:16-21.) Një vëlla që quhet Kristian dhe që jeton në Francë, thotë: «Nuk po i jepja Jehovait dhe familjes kohën dhe energjitë që meritonin nga unë.» Kristiani dhe gruaja e tij morën vendimin të shërbenin si pionierë. Por që ta arrinin atë synim, duhej të linin punët që kishin. Për të mbajtur veten, hapën një biznes të vogël pastrimi dhe mësuan të kënaqeshin me më pak. A ia vlejti sakrifica që bënë? Kristiani thotë: «Tani e shijojmë më shumë shërbimin dhe na kënaqet zemra kur shohim studentët  e Biblës dhe të interesuarit tek mësojnë për Jehovain.»

17. Pse mund të ngurrojmë të provojmë diçka të re në shërbim?

17 Ji i gatshëm të provosh forma të reja shërbimi. (Vep. 17:16, 17; 20:20, 21) Shirli, një pioniere në Shtetet e Bashkuara, duhej të bënte ca përshtatje në shërbim gjatë pandemisë së COVID-19. Në fillim, ajo hezitonte të jepte dëshmi me telefon. Por pas stërvitjes që morën gjatë vizitës së mbikëqyrësit qarkor, nisi të merrte pjesë rregullisht në këtë formë predikimi. Ajo thotë: «Në fillim më dukej e frikshme, por tani e shijoj vërtet. Po flasim me më shumë njerëz nga ç’flisnim në predikimin shtëpi më shtëpi!»

18. Çfarë mund të na ndihmojë t’i kapërcejmë vështirësitë që na pengojnë ta zgjerojmë shërbimin?

18 Bëj një plan dhe vepro. Kur hasim vështirësi, lutemi për ndihmë dhe mendohemi mirë që të bëjmë një plan veprimi për t’i kapërcyer. (Prov. 3:21) Sonja, që shërben si pioniere e rregullt në një grup të gjuhës rome në Evropë, thotë: «Më pëlqen t’i hedh me shkrim planet që bëj, e pastaj i mbaj në një vend ku mund t’u hedh një sy herë pas here. Te bufeja kam vënë një vizatim ku tregohet një kryqëzim rrugësh. Kur më duhet të marr një vendim, shoh atë kryqëzim dhe meditoj në çfarë rruge do të më çojë vendimi im.» Sonja përpiqet të mbajë një pikëpamje pozitive për vështirësitë që has. Ajo thotë: «Çdo rrethanë e re mund të jetë si një mur që me pengon ose si një urë që më ndihmon—varet nga qëndrimi im.»

19. Si mund ta tregojmë mirënjohjen për mirësinë e Jehovait?

19 Jehovai na bekon në shumë mënyra. Mund të tregojmë sa mirënjohës jemi për këto bekime duke u përpjekur me gjithë shpirt ta lëvdojmë. (Hebr. 13:15) Kjo mund të përfshijë të provojmë mënyra të reja për të zgjeruar shërbimin, që do t’u çelin rrugën bekimeve të tjera. Çdo ditë le të kërkojmë mënyra që ‘ta provojmë dhe ta shijojmë sa i mirë është Jehovai’. Atëherë do të ndihemi si Jezui, që tha: «Ushqimi im është të bëj vullnetin e atij që më dërgoi dhe ta çoj deri në fund veprën e tij.»—Gjoni 4:34.

KËNGA 80 ‘Shijojeni vetë sa i mirë është Jehovai’

^ par. 5 Jehovai është Burimi i mirësisë. Ai u jep gjëra të mira të gjithëve—edhe të ligjve. Por i pëlqen në veçanti të bekojë adhuruesit e tij besnikë. Në këtë artikull, do të shohim si u tregon mirësi Jehovai shërbëtorëve të tij. Do të shqyrtojmë edhe si mund ta zgjerojmë shërbimin, e kështu ta shijojmë në një mënyrë të veçantë mirësinë e Jehovait.

^ par. 7 Disa emra janë ndryshuar.

^ par. 14 Kjo seri, që më parë dilte në Kullën e Rojës, tani del në sitin jw.org. Shko te PËR NE > HISTORI PERSONALE > ARRIJMË SYNIMET.