Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI 13

«Ligji i Jehovait është i përsosur»

«Ligji i Jehovait është i përsosur»

1, 2. Pse shumë njerëz s’kanë respekt për ligjin, e megjithatë si mund të ndihemi për ligjet e Perëndisë?

«LIGJI është një pus pa fund, ai . . . përpin gjithçka.» Ky pohim gjendej në një libër të botuar në vitin 1712. Autori i librit dënonte sistemin ligjor në të cilin çështjet gjyqësore nganjëherë zvarriteshin nëpër gjykata për vite të tëra, duke i rrënuar ekonomikisht ata që kërkonin drejtësi. Në shumë vende, sistemet ligjore e gjyqësore janë kaq të ndërlikuara dhe kaq të mbushura me padrejtësi, paragjykime e mospërputhje, saqë ndër njerëzit është përhapur shumë përbuzja për ligjin.

2 Në dallim nga sa u tha më sipër, shqyrtoni këto fjalë të shkruara rreth 2.700 vjet më parë: «Sa e dua ligjin tënd!» (Psalmi 119:97) Pse ky psalmist provonte ndjenja kaq të forta? Sepse ligji që lavdëronte ai nuk e kishte burimin nga ndonjë qeveri njerëzore, por nga Perëndia Jehova. Duke i studiuar ligjet e Jehovait mund të ndihesh gjithnjë e më shumë si psalmisti. Ky studim do të të ndihmojë të njohësh më thellë se si mendon Ligjdhënësi më i madh në univers.

Ligjdhënësi më i madh

3, 4. Në cilat mënyra është bërë Ligjdhënës Jehovai?

3 «Një është ligjdhënës dhe gjykatës»,​—na thotë Bibla. (Jakovit 4:12) Pikërisht, Jehovai është i vetmi Ligjdhënës i vërtetë. Madje edhe lëvizjet e trupave qiellorë udhëhiqen nga «ligjet e qiellit» që ai ka vendosur. (Jobi 38:33, Dio) Edhe moritë e engjëjve të shenjtë të Jehovait udhëhiqen nga ligji hyjnor, sepse janë të organizuar në rangje të përcaktuara dhe shërbejnë nën urdhrat e Jehovait si shërbëtorë të tij.​—Psalmi 104:4; Hebrenjve 1:7, 14.

4 Jehovai i ka dhënë ligje edhe njerëzimit. Çdonjëri prej nesh është i pajisur me ndërgjegjen, e cila është një pasqyrim i ndjenjës së drejtësisë që ka Jehovai. Ndërgjegjja, ky lloj ligji i brendshëm, mund të na ndihmojë të dallojmë të drejtën nga e gabuara. (Romakëve 2:14) Prindërit tanë të parë ishin bekuar me një ndërgjegje të përsosur, prandaj kishin nevojë vetëm për pak ligje. (Zanafilla 2:15-17) Ndërsa njerëzit e papërsosur kanë nevojë për më shumë ligje që t’i udhëheqin për të kryer vullnetin e Perëndisë. Patriarkë të tillë si Noeja, Abrahami dhe Jakobi morën ligje nga Perëndia Jehova dhe ua përcollën këto ligje familjeve të tyre. (Zanafilla 6:22; 9:3-6; 18:19; 26:4, 5) Jehovai u bë Ligjdhënës në një mënyrë të paparë ndonjëherë kur i dha kombit të Izraelit një kod ligjor me anë të Moisiut. Ky kod ligjor na ndihmon ta kuptojmë më thellë e më gjerë ndjenjën e drejtësisë së Jehovait.

Një përmbledhje e Ligjit të Moisiut

5. A ishte Ligji i Moisiut një grup ligjesh të pavolitshme e të ndërlikuara dhe pse përgjigjesh kështu?

5 Shumë veta me sa duket mendojnë se Ligji i Moisiut ishte një grup ligjesh të pavolitshme e të ndërlikuara. Ky koncept është shumë larg së vërtetës. Vërtet që i gjithë kodi përmban më shumë se 600 ligje, e këto mund të duken shumë. Por mendo për këtë: në fund të shekullit të 20-të ligjet federale të Shteteve të Bashkuara mbushnin më shumë se 150.000 faqe të librave ligjorë dhe çdo dy vjet shtohen rreth 600 ligje të tjera. Prandaj, po të flasim vetëm për nga sasia, Ligji i Moisiut duket gati i papërfillshëm në krahasim me malin e ligjeve njerëzore. E megjithatë, Ligji i Moisiut i udhëhiqte izraelitët në disa fusha të jetës që ligjet e sotme as i prekin fare. Le të bëjmë një përmbledhje.

6, 7. (a) Nga se ndryshon Ligji i Perëndisë nga çdo kod tjetër ligjor dhe cili është urdhërimi më i madh i Ligjit? (b) Si mund ta tregonin izraelitët se e pranonin sovranitetin e Jehovait?

6 Ligji lartësonte sovranitetin e Jehovait. Prandaj Ligji i Moisiut s’krahasohet me asnjë kod tjetër ligjor. Ligji më i madh që përmbante ishte ky: «Dëgjo, o Izrael: Jehovai, Perëndia ynë është një Jehova dhe duhet ta duash Jehovain, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë forcën tënde jetësore.» Si duhej ta shprehte populli dashurinë për Perëndinë? Duhej t’i shërbente atij, duke iu nënshtruar sovranitetit të tij.​—Ligji i përtërirë 6:4, 5; 11:13.

7 Çdo izraelit e tregonte se e pranonte sovranitetin e Jehovait duke iu nënshtruar atyre të cilëve u ishte dhënë autoritet mbi të. Autoritetin hyjnor e përfaqësonin prindërit, prijësit, gjykatësit, priftërinjtë e më pas mbreti. Çdo rebelim ndaj atyre që kishin autoritet Jehovai e shihte si një rebelim ndaj tij. Nga ana tjetër, ata që kishin autoritet rrezikoheshin që mbi ta të binte zemërimi i Jehovait, në qoftë se e trajtonin me padrejtësi ose me arrogancë popullin e tij. (Dalja 20:12; 22:28; Ligji i përtërirë 1:16, 17; 17:8-20; 19:16, 17) Pra, të dyja palët ishin përgjegjëse nëse do ta mbështetnin apo jo sovranitetin e Perëndisë.

8. Si e mbështeste Ligji normën e shenjtërisë së Jehovait?

8 Ligji mbështeste normën e shenjtërisë së Jehovait. Fjalët «i shenjtë» dhe «shenjtëri» gjenden më shumë se 280 herë në Ligjin e Moisiut. Ligji e ndihmonte popullin e Perëndisë që të dallonte ndërmjet asaj që ishte e pastër dhe e papastër, e dëlirë dhe jo e dëlirë, duke radhitur rreth 70 gjëra që mund ta bënin një izraelit të papastër nga ana ceremoniale. Këto ligje përfshinin higjienën fizike, mënyrën e të ushqyerit e madje edhe çfarë duhej bërë me mbeturinat. Ligje të tilla sillnin dobi të jashtëzakonshme shëndetësore. * Por, veç kësaj, kishin një qëllim më të lartë: që populli të vazhdonte të kishte pëlqimin e Jehovait dhe të ishte i veçuar nga praktikat mëkatare të kombeve të degjeneruara që e rrethonin. Shqyrto një shembull.

9, 10. Çfarë ligjesh përfshinte besëlidhja e Ligjit për marrëdhëniet seksuale dhe lindjen e fëmijëve e ç’dobi sillnin këto ligje?

9 Disa ligje të besëlidhjes së Ligjit thoshin se lindja e fëmijëve dhe marrëdhëniet seksuale, qoftë edhe mes personave të martuar, sillnin si pasojë një periudhë papastërtie. (Levitiku 12:2-4; 15:16-18) Ligje të tilla nuk ua zvogëlonin vlerat këtyre dhuratave të pastra nga Perëndia. (Zanafilla 1:28; 2:18-25) Përkundrazi, mbështetnin shenjtërinë e Jehovait, duke i ndihmuar adhuruesit e tij të shmangnin çdo ndotje. Vlen të përmendet se kombet përreth Izraelit kishin prirjen ta përzienin adhurimin me rite seksuale e të pjellorisë. Feja e kananejve përfshinte prostitucionin e meshkujve e të femrave. Për pasojë kishte plasur e ishte përhapur degjenerimi i llojit më të keq. Në dallim nga kjo, Ligji e veçonte krejt adhurimin e Jehovait nga çështjet seksuale. * Por kishte edhe dobi të tjera.

10 Këto ligje shërbenin për t’u mësuar atyre një të vërtetë jetësore. * Në fund të fundit, si përcillet njolla e mëkatit të Adamit nga njëri brez te tjetri? A nuk është nëpërmjet marrëdhënieve seksuale dhe lindjes së fëmijëve? (Romakëve 5:12) Pikërisht, Ligji i Perëndisë i kujtonte popullit të tij realitetin gjithnjë të pranishëm të mëkatit. Në të vërtetë, të gjithë ne lindim në mëkat. (Psalmi 51:5) Kemi nevojë për falje e për shpengim, që t’i afrohemi Perëndisë tonë të shenjtë.

11, 12. (a) Cilin parim thelbësor të drejtësisë mbronte Ligji? (b) Çfarë masash mbrojtëse përmbante Ligji për të penguar shtrembërimin e drejtësisë?

11 Ligji mbështeste drejtësinë e përsosur të Jehovait. Ligji i Moisiut mbronte parimin e barazisë ose të drejtpeshimit në çështjet e drejtësisë. Kështu në Ligj thuhej: «Të jepet shpirt për shpirt, sy për sy, dhëmb për dhëmb, dorë për dorë e këmbë për këmbë.» (Ligji i përtërirë 19:21) Pra, në rastet kur përfshiheshin krime, ndëshkimi duhej të përkonte me krimin e bërë. Ky aspekt i drejtësisë hyjnore përshkonte gjithë Ligjin dhe është thelbësor edhe sot e kësaj dite për të kuptuar flijimin shpërblyes të Krishtit Jezu, siç do të shohim në kapitullin 14.​—1 Timoteut 2:5, 6.

12 Ligji përfshinte edhe masa mbrojtëse për të penguar shtrembërimin e drejtësisë. Për shembull, për të vërtetuar një akuzë kërkoheshin të paktën dy dëshmitarë. Ndëshkimi për dëshmi të rreme ishte i rëndë. (Ligji i përtërirë 19:15, 18, 19) Ndaloheshin rreptësisht edhe korrupsioni e ryshfetet. (Dalja 23:8; Ligji i përtërirë 27:25) Madje edhe në praktikat tregtare populli i Perëndisë duhej të mbështeste normën e lartë të drejtësisë së Jehovait. (Levitiku 19:35, 36; Ligji i përtërirë 23:19, 20) Ky kod ligjor fisnik e i paanshëm ishte një bekim i madh për Izraelin.

Ligje që theksojnë mëshirën në gjykim dhe trajtimin me paanësi

13, 14. Si e nxiste Ligji trajtimin me drejtësi dhe paanësi të një hajduti dhe të viktimës së tij?

13 A ishte Ligji i Moisiut një grumbull rregullash të rrepta e të pamëshirshme? Aspak! Mbreti David u frymëzua të shkruante: «Ligji i Jehovait është i përsosur.» (Psalmi 19:7) Ai e dinte shumë mirë se Ligji përkrahte mëshirën dhe trajtimin me paanësi. Në ç’mënyrë?

14 Në disa vende sot, ligjet duket se tregojnë më tepër butësi dhe favorizim ndaj kriminelëve sesa ndaj viktimave. Për shembull, hajdutët ndoshta kalojnë njëfarë kohe në burg. Ndërkohë, edhe pse ndoshta s’i kanë marrë gjërat që u janë vjedhur, viktimat duhet të paguajnë taksat që duhen për të mbajtur e për të ushqyer këta kriminelë. Në Izraelin e lashtë nuk kishte burgje siç i njohim ne sot. Kishte kufij të rreptë për sa i përket ashpërsisë së ndëshkimeve. (Ligji i përtërirë 25:1-3) Hajduti duhej ta dëmshpërblente viktimën për atë që i kishte vjedhur. Përveç kësaj duhej të paguante edhe diçka më tepër. Sa? Varej. Me sa duket gjykatësve u jepej liri të merrnin parasysh disa faktorë, si për shembull pendimin e atij që kishte mëkatuar. Kjo do të shpjegonte përse dëmshpërblimi që i kërkohej një hajduti sipas Levitikut 6:1-7 është shumë më i vogël se ai që gjendet te Dalja 22:7.

15. Si siguronte Ligji edhe mëshirë, edhe drejtësi në rastin e dikujt që vriste një njeri pa dashje?

15 Me mëshirë Ligji pranonte se jo të gjitha krimet bëhen me dashje. Për shembull, kur një njeri vriste dikë pa dashje, nuk duhej të paguante shpirt për shpirt, në qoftë se do të bënte veprimin e duhur duke ikur në një nga qytetet e strehimit, që gjendeshin të shpërndara në gjithë Izraelin. Pasi disa gjykatës të kualifikuar të shqyrtonin çështjen e tij, ai duhej të banonte në qytetin e strehimit derisa të vdiste kryeprifti. Pastaj do të ishte i lirë të jetonte ku të donte. Në këtë mënyrë personi nxirrte dobi nga mëshira hyjnore, por në të njëjtën kohë, ky ligj nxirrte në pah se sa shumë vlerë ka jeta njerëzore.​—Numrat 15:30, 31; 35:12-25.

16. Si i mbronte Ligji disa të drejta vetjake?

16 Ligji i mbronte të drejtat vetjake të njerëzve. Shqyrto në ç’mënyrë i mbronte ata që kishin hyrë në borxh. Ligji e ndalonte hyrjen në shtëpinë e huamarrësit për të marrë peng gjëra personale si një garanci për borxhin. Huadhënësi duhej të rrinte jashtë dhe të lejonte huamarrësin t’ia sillte garancinë. Pra, nuk lejohej dhunimi i shtëpisë së një njeriu. Në qoftë se huadhënësi i merrte si peng huamarrësit rrobën e jashtme, duhej t’ia kthente kur të binte nata, se ndoshta huamarrësit do t’i duhej që të rrinte ngrohtë natën.​—Ligji i përtërirë 24:10-14.

17, 18. Si ndryshonin izraelitët nga kombet e tjera në çështjet që kishin të bënin me luftën dhe përse?

17 Në Ligj kishte rregulla edhe për luftërat. Populli i Perëndisë nuk duhej të luftonte thjesht që të kënaqte etjen për pushtet ose për fitore, por që të shërbente si përfaqësues i Perëndisë në ‘Luftërat e Jehovait’. (Numrat 21:14) Në shumë raste, izraelitët së pari duhej t’i paraqitnin palës tjetër kushte për dorëzim. Në qoftë se një qytet e refuzonte këtë ofertë, atëherë Izraeli mund ta rrethonte, por sipas rregullave të Perëndisë. Ndryshe nga sa kanë vepruar shumë ushtarë gjatë gjithë historisë, burrave të ushtrisë së Izraelit nuk u lejohej të përdhunonin gra ose të bënin kasaphana të kota. Madje, ata duhej të respektonin edhe mjedisin, duke mos prerë drurët frutorë të armikut. * Ushtritë e tjera nuk kishin të tilla kufizime.​—Ligji i përtërirë 20:10-15, 19, 20; 21:10-13.

18 Pa dyshim që rrëqethesh kur mendon se në disa vende po stërvitin si ushtarë edhe fëmijët. Në Izraelin e lashtë nuk pranohej në ushtri asnjë mashkull nën moshën 20-vjeçare. (Numrat 1:2, 3) Edhe një i rritur përjashtohej nga shërbimi ushtarak po të kishte tepër frikë. Një i sapomartuar përjashtohej për një vit të tërë, me qëllim që t’i lindte një trashëgimtar e ta shihte para se të nisej me një shërbim kaq të rrezikshëm. Ligji shpjegonte se në këtë mënyrë bashkëshorti i ri do të mund ta ‘gëzonte’ nusen që sapo kishte marrë.​—Ligji i përtërirë 20:5, 6, 8; 24:5.

19. Çfarë masash përfshinte Ligji për mbrojtjen e grave, të fëmijëve, të familjeve, të vejushave dhe të jetimëve?

19 Ligji mbronte edhe gratë, fëmijët e familjet, duke u kujdesur për to. Prindërit kishin urdhrin që t’u kushtonin vëmendje të vazhdueshme fëmijëve të tyre e t’u mësonin gjërat frymore. (Ligji i përtërirë 6:6, 7) Ligji ndalonte çdo formë incesti, për të cilat jepte dënimin me vdekje. (Levitiku, kapitulli 18) Ndalonte po ashtu edhe kurorëshkeljen, e cila shumë shpesh prish familjet dhe u shkatërron sigurinë e dinjitetin. Ligji kishte masa për vejushat e jetimët dhe, duke përdorur fjalët më të fuqishme, e ndalonte keqtrajtimin e tyre.​—Dalja 20:14; 22:22-24.

20, 21. (a) Pse në Ligjin e Moisiut lejohej poligamia ndër izraelitët? (b) Për sa i përket divorcit, pse Ligji ndryshonte nga norma që rivendosi më vonë Jezui?

20 Mirëpo, për këtë aspekt disa mund të pyesin: ‘Pse e lejonte Ligji poligaminë?’ (Ligji i përtërirë 21:15-17) Këto ligje duhet t’i shqyrtojmë duke pasur parasysh kohët. Ata që e gjykojnë Ligjin e Moisiut nga këndvështrimi i kohëve dhe i kulturës së sotme, me siguri do ta keqkuptojnë. (Proverbat 18:13) Sipas normës së Jehovait, të vendosur në Eden, martesa ishte bashkimi i qëndrueshëm i një burri dhe një gruaje. (Zanafilla 2:18, 20-24) Por, në kohën kur Jehovai i dha Izraelit Ligjin, praktikat si poligamia kishin shekuj që ishin rrënjosur thellë. Jehovai e dinte mirë se ‘populli i tij me qafë të fortë’ shpeshherë nuk do t’u bindej as urdhrave më elementarë, si ato që ndalonin idhujtarinë. (Dalja 32:9) Prandaj, me mençuri nuk zgjodhi atë epokë si kohën për të reformuar të gjitha praktikat e tyre martesore. Megjithatë duhet ta kemi të qartë në mendje se Jehovai nuk e themeloi poligaminë. Gjithsesi, e përdori Ligjin e Moisiut për të vënë rregulla për poligaminë në popullin e tij dhe për të parandaluar abuzimet me këtë praktikë.

21 Po ashtu Ligji i Moisiut e lejonte një burrë të divorcohej nga gruaja për një sërë arsyesh të forta, të cilat ishin relativisht të shumta. (Ligji i përtërirë 24:1-4) Jezui e quajti këtë praktikë një lëshim që Perëndia i kishte bërë popullit izraelit «për shkak të zemërgurësisë [së tyre]». Por lëshime të tilla ishin të përkohshme. Për ithtarët e tij Jezui rivendosi normën fillestare të Jehovait për martesën.​—Mateu 19:8.

Ligji nxiste dashurinë

22. Në cilat mënyra e nxiste dashurinë Ligji i Moisiut dhe ndaj kujt?

22 A e përfytyron dot një sistem ligjor të sotëm që nxit dashurinë? Mbi gjithçka tjetër Ligji i Moisiut nxiste dashurinë. E pra, vetëm në librin e Ligjit të përtërirë fjala e përkthyer «dashuri» gjendet më shumë se 20 herë në forma të ndryshme. «Duhet ta duash të afërmin tënd si vetveten» ishte urdhërimi i dytë më i madh i gjithë Ligjit. (Levitiku 19:18; Mateu 22:37-40) Shërbëtorët e Perëndisë duhej ta tregonin këtë dashuri jo vetëm ndaj njëri-tjetrit, por edhe ndaj banorëve të ardhur që ndodheshin mes tyre, duke mbajtur ndër mend se edhe izraelitët dikur kishin qenë banorë të ardhur. Duhej t’u tregonin dashuri të varfërve e të munduarve, duke i ndihmuar nga ana materiale dhe duke mos kërkuar të përfitonin nga situata e tyre. Kishin udhëzime që edhe kafshët e barrës t’i trajtonin me mirëdashje e kujdes.​—Dalja 23:6; Levitiku 19:14, 33, 34; Ligji i përtërirë 22:4, 10; 24:17, 18.

23. Çfarë u shty të bënte shkrimtari i Psalmit 119 dhe çfarë mund të vendosim edhe ne të bëjmë?

23 Cili komb tjetër është bekuar me një kod të tillë ligjor? Nuk habitemi që psalmisti shkroi: «Sa e dua ligjin tënd!» Por dashuria e tij nuk ishte vetëm një ndjenjë. Ajo e shtyu të vepronte, sepse ai u përpoq t’i bindej atij ligji e të jetonte sipas tij. Psalmisti tha më tej: «Gjithë ditën [ligji yt] është meraku im.» (Psalmi 119:11, 97) Po, ai kalonte kohë rregullisht duke i studiuar ligjet e Jehovait. S’ka asnjë dyshim se ndërsa bënte këtë, i rritej dashuria për këto ligje. Në të njëjtën kohë rritej edhe dashuria e tij për Ligjdhënësin, Perëndinë Jehova. Ndodhtë edhe me ty që të afrohesh gjithnjë e më shumë me Jehovain, Ligjdhënësin e Madh dhe Perëndinë e drejtësisë, ndërsa vazhdon të studiosh ligjin hyjnor!

^ par. 8 Për shembull, ligjet që kërkonin groposjen e jashtëqitjeve njerëzore, vënien e të sëmurëve në karantinë dhe larjen e atij që prekte një trup të vdekur ishin me shekuj më të përparuara se koha e tyre.​—Levitiku 13:4-8; Numrat 19:11-13, 17-19; Ligji i përtërirë 23:13, 14.

^ par. 9 Ndryshe nga tempujt kananej që kishin dhoma të posaçme për veprimtaritë seksuale, Ligji i Moisiut theksonte se ata që ishin në gjendje të papastër as që mund të hynin në tempull. Kështu, meqë marrëdhëniet seksuale sillnin si pasojë një periudhë papastërtie, askush nuk mund t’i bënte me të drejtë marrëdhëniet seksuale pjesë të adhurimit në shtëpinë e Jehovait.

^ par. 10 Një nga qëllimet kryesore të Ligjit ishte të mësonte. Një enciklopedi, Encyclopaedia Judaica, komenton se fjala hebraike për «ligj», toh·rah, do të thotë «mësim».

^ par. 17 Në Ligj shprehej qartë një pyetje: «Mos është vallë njeri pema e fushës që ti ta rrethosh?» (Ligji i përtërirë 20:19) Filoja, një studiues jude i shekullit të parë, e përmendi këtë ligj duke shpjeguar se Perëndia mendon që është «e padrejtë që zemërimi i cili duhet shprehur ndaj njerëzve të zbrazet kundër gjërave që s’kanë asnjë faj».