Ligji i përtërirë 19:1-21

  • Faji i gjakut dhe qytetet e strehimit (1-13)

  • Nuk duhen shtyrë shenjat e kufirit të pronës (14)

  • Dëshmitarët në gjyq (15-21)

    • Duhen dy ose tre dëshmitarë (15)

19  Kur Jehovai, Perëndia yt, të shfarosë kombet, vendin e të cilave Jehovai, Perëndia yt, po ta jep ty, dhe ti t’ua marrësh pronat e të banosh në qytetet e në shtëpitë e tyre,+  veço tri qytete në mes të vendit që Jehovai, Perëndia yt, po të jep si pronë.+  Ndaje në tri pjesë territorin e vendit që të dha Jehovai, Perëndia yt, dhe përgatit rrugë, e kështu ai që i shkakton vdekjen dikujt mund të ikë me të shpejtë në njërin nga këto qytete.  Ja në cilin rast mund të shkojë për të jetuar në një nga këto qytete ai që i shkakton vdekjen dikujt: kur godet pa dashje dikë, pa e urryer më parë,+  si për shembull, kur shkon në pyll me një tjetër për të prerë dru, ngre sëpatën për të prerë pemën, por koka e sëpatës del nga bishti, godet tjetrin dhe ai vdes. Atëherë ai që i shkaktoi vdekjen tjetrit, të ikë me të shpejtë në njërin nga këto qytete, që të jetojë.+  Përndryshe, në kulmin e zemërimit,* gjakmarrësi+ mund ta ndjekë këmba-këmbës, ta zërë e ta vrasë atë që i shkaktoi vdekjen tjetrit, ngaqë qyteti ishte shumë larg. Mirëpo ai nuk e meritonte të vdiste, se nuk e urrente tjetrin më parë.+  Prandaj po të urdhëroj: ‘Veço tri qytete.’  Nëse Jehovai, Perëndia yt, e zgjeron territorin tënd siç iu betua paraardhësve të tu+ dhe të jep tërë vendin që ua premtoi atyre+  —me kusht që t’i zbatosh me besnikëri tërë këto urdhërime që po të jap sot, pra, të duash Jehovain, Perëndinë tënd, e të ecësh përherë në udhët e tij+—atëherë këtyre tri qyteteve shtoju edhe tri të tjera.+ 10  Kështu nuk do të derdhet gjak i pafajshëm+ në vendin që po të jep si trashëgimi Jehovai, Perëndia yt, dhe ti nuk do të mbash faj gjaku.+ 11  Por nëse një njeri urren dikë,+ i zë pritë që ta sulmojë, e plagos për vdekje dhe ky vdes, e pastaj ikën me të shpejtë në njërin nga këto qytete, 12  atëherë pleqtë e qytetit të tij duhet të dërgojnë njerëz për ta marrë që andej, duhet ta dorëzojnë në duart e gjakmarrësit dhe ai duhet të vdesë.+ 13  Të mos i dhimbset syrit tënd. Hiqe nga Izraeli fajin e gjakut të pafajshëm,+ që të të vejë mbarë. 14  Kur të marrësh trashëgiminë tënde në vendin që po të jep si pronë Jehovai, Perëndia yt, mos e shty shenjën e kufirit të pronës së fqinjit+ nga vendi që kanë vendosur paraardhësit. 15  Një dëshmitar i vetëm nuk mjafton për të shpallur fajtor* dikë për ndonjë faj a mëkat që mund të kryejë.+ Çështja duhet të vendoset nga dëshmia* e dy ose tre dëshmitarëve.+ 16  Nëse një dëshmitar dashakeqës ngre padi dhe dëshmon kundër dikujt për ndonjë shkelje,*+ 17  këta të dy që kanë mosmarrëveshjen duhet të qëndrojnë para Jehovait, para priftërinjve dhe gjykatësve që do të jenë në detyrë.+ 18  Gjykatësit do ta hetojnë imtësisht çështjen,+ e nëse ai që dha dëshmi është dëshmitar i rremë dhe ka ngritur padi të rreme kundër të vëllait, 19  duhet t’i bësh atë që ai vetë kishte kurdisur kundër të vëllait.+ Hiqe të keqen nga mesi yt.+ 20  Me ta dëgjuar këtë, të tjerët do të kenë frikë dhe nuk do të bëjnë më kurrë një të keqe si kjo mes popullit tënd.+ 21  Syrit tënd të mos i dhimbset:+ do të jepet jetë për jetë,* sy për sy, dhëmb për dhëmb, dorë për dorë e këmbë për këmbë.+

Shënime në fund të faqes

Fjalë për fjalë «ngaqë i vlon zemra».
Fjalë për fjalë «për t’u ngritur kundër».
Fjalë për fjalë «goja».
Ose «shpirt për shpirt».