Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si e lartëson Jezui drejtësinë e Perëndisë?

Si e lartëson Jezui drejtësinë e Perëndisë?

Si e lartëson Jezui drejtësinë e Perëndisë?

«Perëndia e paraqiti Krishtin si një blatim pajtimi nëpërmjet besimit në gjakun e tij. Këtë e bëri që të tregonte drejtësinë e vet.»​—ROM. 3:25.

1, 2. (a) Çfarë thotë Bibla për gjendjen e njerëzimit? (b) Cilat pyetje do të shqyrtohen në këtë artikull?

TREGIMI biblik për rebelimin në kopshtin e Edenit është shumë i njohur. Të gjithë i ndiejmë pasojat e mëkatit të Adamit, siç shpjegohet në këto fjalë: «Ashtu si mëkati hyri në botë nëpërmjet një njeriu të vetëm, dhe vdekja nëpërmjet mëkatit, ashtu edhe vdekja u përhap në të gjithë njerëzit, sepse të gjithë kishin mëkatuar.» (Rom. 5:12) Pavarësisht se sa shumë përpiqemi të bëjmë atë që është e drejtë, bëjmë gabime për të cilat kemi nevojë që Perëndia të na falë. Edhe apostulli Pavël shprehu pikëllimin e tij: «Të mirën që dua, nuk e bëj, por të keqen që nuk dua, e praktikoj. Ç’njeri i mjerë që jam!»​—Rom. 7:19, 24.

2 Për shkak të natyrës sonë mëkatare, ngrihen këto pyetje të rëndësishme: si ishte e mundur që Jezui nga Nazareti lindi pa mëkatin e trashëguar dhe pse u pagëzua ai? Në ç’mënyrë Jezui lartësoi drejtësinë e Jehovait me jetën e tij? Ç’është më e rëndësishmja, çfarë u arrit falë vdekjes së Krishtit?

Sfidohet drejtësia e Perëndisë

3. Si e mashtroi Satanai Evën?

3 Prindërit tanë të parë, Adami dhe Eva, me marrëzi hodhën poshtë sovranitetin e Perëndisë, që të sundoheshin nga «gjarpri i hershëm, që quhet Djall dhe Satana». (Zbul. 12:9) Shqyrtoni si ndodhi kjo. Satanai vuri në dyshim nëse ishte e drejtë mënyra se si sundonte Perëndia Jehova. E bëri këtë duke e pyetur Evën: «Vërtet ka thënë Perëndia që të mos hani nga çdo pemë e kopshtit?» Eva përsëriti urdhrin e qartë të Perëndisë që një pemë specifike nuk duhej prekur, përndryshe do të vdisnin. Më pas, Satanai e akuzoi Perëndinë se gënjente. «Ju s’keni për të vdekur aspak»,—tha Djalli. Ai vazhdoi më tej duke e mashtruar Evën që të besonte se Perëndia po i mbante diçka të mirë dhe se duke ngrënë frytin, ajo do të bëhej si Perëndia e do të kishte pavarësi ose liri për të vendosur se çfarë ishte e mirë dhe çfarë ishte e keqe.​—Zan. 3:1-5.

4. Si u vu njerëzimi nën sovranitetin rival të Satanait?

4 Në thelb, Satanai la të kuptohej se njerëzimi do të ishte më i lumtur nëse do të ishte i pavarur nga Perëndia. Në vend që të mbështeste drejtësinë e sovranitetit të Perëndisë, Adami e dëgjoi gruan dhe ashtu si ajo hëngri frytin e ndaluar. Në këtë mënyrë, Adami humbi qëndrimin e përsosur para Jehovait dhe na vuri nën zgjedhën mizore të mëkatit e të vdekjes. Në të njëjtën kohë, njerëzimi u vu nën sovranitetin rival të Satanait, «perëndia i kësaj bote».​—2 Kor. 4:4; Rom. 7:14.

5. (a) Si veproi Jehovai në përputhje me fjalën e tij? (b) Çfarë shprese u dha Perëndia pasardhësve të Adamit dhe të Evës?

5 Në përputhje me fjalën e tij të pagabueshme, Jehovai i dha dënimin me vdekje Adamit dhe Evës. (Zan. 3:16-19) Por kjo nuk do të thoshte se qëllimi i Perëndisë kishte dështuar. Përkundrazi! Kur i dha dënimin Adamit dhe Evës, Jehovai u dha pasardhësve të tyre të ardhshëm një rreze shprese të shndritshme. Këtë e bëri duke shpallur qëllimin e tij për të nxjerrë ‘një farë’ të cilën Satanai do ta plagoste në thembër. Por kjo Farë e premtuar, do të shërohej nga plagosja në thembër dhe ‘do t’ia shtypte kokën’ Satanait. (Zan. 3:15) Bibla jep më shumë hollësi rreth kësaj teme duke thënë fjalët vijuese për Jezu Krishtin: «Për këtë qëllim u shfaq Biri i Perëndisë, domethënë, për të zhbërë veprat e Djallit.» (1 Gjon. 3:8) Megjithatë, në ç’mënyrë sjellja dhe vdekja e Jezuit lartësuan drejtësinë e Perëndisë?

Domethënia e pagëzimit të Jezuit

6. Si e dimë se Jezui nuk trashëgoi mëkat nga Adami?

6 Si i rritur, Jezui duhej të ishte pikërisht barasvlerësi i Adamit kur ende ishte i përsosur. (Rom. 5:14; 1 Kor. 15:45) Kjo do të thotë se Jezui duhej të lindte i përsosur. Si do të ishte e mundur kjo? Engjëlli Gabriel i dha këtë shpjegim të qartë nënës së Jezuit: «Fryma e shenjtë do të vijë te ti dhe fuqia e Më të Lartit do të të mbulojë. Për këtë arsye, ai që do të lindë, do të quhet i shenjtë, Bir i Perëndisë.» (Luka 1:35) Që në fillimet e jetës së tij, me sa duket Maria i tregoi Jezuit disa fakte për lindjen e tij. Kështu, në një rast kur Maria dhe babai birësues i Jezuit, Jozefi, e gjetën atë në tempullin e Perëndisë, fëmija Jezu i pyeti: «A nuk e dinit se unë duhet të jem në shtëpinë e Atit tim?» (Luka 2:49) Nga sa duket, që në moshë të njomë Jezui e dinte se ishte Biri i Perëndisë. Prandaj, për të ishte shumë e rëndësishme të lartësonte drejtësinë e Perëndisë.

7. Cilat gjëra të çmuara zotëronte Jezui?

7 Jezui e tregonte interesimin e tij të thellë për gjërat frymore duke ndjekur rregullisht mbledhjet për adhurim. Duke pasur mendje të përsosur, ai duhet të ketë thithur gjithçka që dëgjonte e lexonte në Shkrimet Hebraike. (Luka 4:16) Gjithashtu, zotëronte diçka tjetër të çmuar​—një trup të përsosur që mund të flijohej për njerëzimin. Kur u pagëzua, Jezui po lutej dhe ndoshta po mendonte për fjalët profetike të Psalmit 40:6-8.​—Luka 3:21; lexo Hebrenjve 10:5-10. *

8. Pse Gjon Pagëzori u përpoq ta ndalonte Jezuin të pagëzohej?

8 Në fillim Gjon Pagëzori nuk donte ta lejonte Jezuin të pagëzohej. Pse? Sepse Gjoni po pagëzonte judenjtë në simbol të pendimit për mëkatet kundër Ligjit. Si një i afërm i ngushtë, Gjoni duhet ta ketë ditur se Jezui ishte i drejtë e për këtë arsye nuk kishte nevojë të pendohej. Jezui e siguroi Gjonin se ishte me vend që Ai të pagëzohej. Jezui shpjegoi: «Është e përshtatshme të përmbushim në këtë mënyrë gjithçka që është e drejtë.»​—Mat. 3:15.

9. Çfarë simbolizonte pagëzimi i Jezuit?

9 Jezui mund të ketë menduar se, si njeri i përsosur ashtu si Adami, edhe ai kishte potencialin të bëhej ati i një race njerëzore të përsosur. Por, Jezui kurrë nuk e dëshiroi një të ardhme të tillë, sepse nuk ishte ky vullneti i Jehovait për të. Perëndia e kishte dërguar Jezuin në tokë që të përmbushte rolin si Fara e premtuar ose Mesia. Kjo përfshinte që Jezui të flijonte jetën e tij të përsosur njerëzore. (Lexo Isainë 53:5, 6, 12.) Natyrisht, pagëzimi i Jezuit nuk kishte të njëjtën domethënie si pagëzimi ynë. Nuk përfshinte kushtimin ndaj Jehovait, meqë tashmë Jezui bënte pjesë në kombin e Izraelit, i cili i ishte kushtuar Perëndisë. Përkundrazi, pagëzimi i Jezuit simbolizonte paraqitjen e tij për të bërë vullnetin e Perëndisë siç ishte theksuar në Shkrime për Mesinë.

10. Çfarë përfshinte kryerja e vullnetit të Perëndisë si Mesia dhe si ndihej Jezui në lidhje me këtë?

10 Vullneti i Jehovait për Jezuin përfshinte predikimin e lajmit të mirë të Mbretërisë së Perëndisë, bërjen e dishepujve dhe përgatitjen e tyre për veprën e ardhshme të bërjes së dishepujve. Paraqitja e Jezuit përfshinte edhe gatishmërinë e tij që të duronte përndjekjen dhe një vdekje mizore që të mbështeste sovranitetin e drejtë të Perëndisë Jehova. Ngaqë Jezui e donte vërtet Atin e tij qiellor, ishte i lumtur të bënte vullnetin e Perëndisë dhe provonte kënaqësi të thellë duke ditur se do të paraqiste trupin si flijim. (Gjoni 14:31) Ai ndiente gëzim edhe duke e ditur se vlera e jetës së tij të përsosur mund t’i ofrohej Perëndisë si shpërblesë për të na riblerë nga skllavëria e mëkatit dhe e vdekjes. A e miratoi Perëndia paraqitjen e Jezuit për të mbajtur këto përgjegjësi të mëdha? Sigurisht që po!

11. Si e tregoi Jehovai miratimin e tij për Jezuin si Mesia i premtuar ose Krishti?

11 Të katër shkrimtarët e ungjijve dëshmojnë për shprehjen e qartë të miratimit nga Perëndia Jehova kur Jezui doli nga uji i lumit Jordan. Gjon Pagëzori dëshmoi: «E pashë frymën që zbriste nga qielli si një pëllumb dhe që qëndroi mbi [Jezuin] . . . Unë e pashë dhe dëshmova se ky është Biri i Perëndisë.» (Gjoni 1:32-34) Për më tepër, në atë rast Jehovai deklaroi: «Ky është Biri im, i dashuri, që e kam miratuar.»​—Mat. 3:17; Mar. 1:11; Luka 3:22.

Besnik deri në vdekje

12. Çfarë bëri Jezui për tre vjet e gjysmë pas pagëzimit?

12 Për tre vjet e gjysmë më pas, Jezui nuk u kursye duke i mësuar njerëzit për Atin dhe për drejtësinë e sovranitetit të Perëndisë. Jezui lodhej ndërsa i binte kryq e tërthor në këmbë Tokës së Premtuar, por asgjë nuk mundi ta pengonte që të jepte dëshmi të plotë për të vërtetën. (Gjoni 4:6, 34; 18:37) Jezui i mësonte të tjerët për Mbretërinë e Perëndisë. Duke shëruar me anë të mrekullive të sëmurët, duke ushqyer turmat e uritura e madje duke ringjallur të vdekurit, ai tregoi se çfarë do të bënte Mbretëria për njerëzimin.​—Mat. 11:4, 5.

13. Çfarë na mësoi Jezui për lutjen?

13 Në vend që të merrte meritën për mësimet dhe shërimet e tij, Jezui la një shembull të jashtëzakonshëm duke ia dhënë me përulësi gjithë lavdinë Jehovait. (Gjoni 5:19; 11:41-44) Gjithashtu, Jezui tregoi gjërat më të rëndësishme për të cilat duhet të lutemi. Lutjet tona duhet të përfshijnë kërkesa që emri i Perëndisë, Jehova, ‘të shenjtërohet’ dhe që sovraniteti i drejtë i Perëndisë të zëvendësojë sundimin e lig të Satanait, në mënyrë që vullneti i Tij të bëhet «si në qiell, edhe në tokë». (Mat. 6:9, 10) Po ashtu, Jezui na nxiti të veprojmë në përputhje me këto lutje ‘duke kërkuar në radhë të parë mbretërinë dhe drejtësinë e Perëndisë’.​—Mat. 6:33.

14. Pse Jezui duhej të bënte përpjekje për të përmbushur rolin e tij në qëllimin e Perëndisë, megjithëse ishte i përsosur?

14 Teksa i afrohej koha e vdekjes flijuese, Jezui u bë gjithnjë e më i vetëdijshëm për përgjegjësinë e madhe që kishte. Qëllimi dhe reputacioni i Atit vareshin nga qëndrueshmëria e Jezuit përballë një sprove të padrejtë dhe një vdekjeje mizore. Pesë ditë para vdekjes, Jezui u lut: «Tani, shpirti im është i trazuar e çfarë të them? O Atë, shpëtomë nga kjo orë!» Pasi shprehu këto ndjenja njerëzore të natyrshme, me altruizëm Jezui e përqendroi vëmendjen te çështja më me rëndësi dhe u lut: «O Atë, jepi lavdi emrit tënd!» Jehovai u përgjigj menjëherë: «I dhashë lavdi dhe do t’i jap lavdi përsëri.» (Gjoni 12:27, 28) Po, Jezui ishte i gatshëm të përballonte sprovën më të madhe të integritetit që i është dashur ndonjëherë një njeriu të përballojë. Por, kur Jezui dëgjoi këto fjalë të Atit të tij qiellor, pa dyshim fitoi mjaft siguri se do të arrinte të lartësonte dhe të shfajësonte sovranitetin e Jehovait. Dhe në fakt ia arriti!

Çfarë u arrit falë vdekjes së Jezuit?

15. Pse pak para se të vdiste Jezui tha «u krye»?

15 Teksa Jezui, i varur në shtyllën e torturës, po merrte frymë për herë të fundit nën një dhimbje agonike, ai tha: «U krye!» (Gjoni 19:30) Sa gjëra të mëdha mundi të kryente Jezui me ndihmën e Perëndisë gjatë tre vjetëve e gjysmë nga pagëzimi i tij e deri në vdekje! Kur Jezui vdiq, ndodhi një tërmet i fuqishëm dhe oficeri romak që ishte ngarkuar për ekzekutimin, u nxit të thoshte: «Pa dyshim që ky ishte Biri i Perëndisë.» (Mat. 27:54) Me sa duket, oficeri kishte parë se si Jezuin e kishin tallur ngaqë tha se ishte Biri i Perëndisë. Pavarësisht nga gjithçka që përjetoi, Jezui e ruajti integritetin dhe tregoi se Satanai është një gënjeshtar i urryer. Në lidhje me të gjithë ata që mbështetin sovranitetin e Perëndisë, Satanai kishte bërë këtë sfidë: «Gjithçka që zotëron, njeriu është gati ta japë për jetën e tij.» (Jobi 2:4, Diodati i Ri) Me besnikërinë e tij, Jezui tregoi se Adami dhe Eva mund të ishin treguar besnikë nën sprovën shumë më të lehtë që patën. Ç’është më e rëndësishmja, me jetën dhe vdekjen e tij Jezui mbështeti dhe lartësoi drejtësinë e sovranitetit të Jehovait. (Lexo Proverbat 27:11.) A është arritur diçka tjetër falë vdekjes së Jezuit? Patjetër që po!

16, 17. (a) Pse dëshmitarët e Jehovait të kohës para krishterimit mundën të kishin një qëndrim të drejtë para Tij? (b) Si e shpërbleu Jehovai besnikërinë e Birit të tij dhe çfarë vazhdon të bëjë Zotëria Jezu Krisht?

16 Shumë shërbëtorë të Jehovait jetuan para se Jezui të vinte në tokë. Ata kishin një qëndrim të drejtë para Perëndisë dhe iu dha shpresa e ringjalljes. (Isa. 25:8; Dan. 12:13) Por, mbi ç’bazë ligjore Perëndia i shenjtë, Jehovai, mund t’i bekonte njerëzit mëkatarë në një mënyrë të tillë të mrekullueshme? Bibla shpjegon: «Perëndia e paraqiti Krishtin si një blatim pajtimi nëpërmjet besimit në gjakun e tij. Këtë e bëri që të tregonte drejtësinë e vet, sepse po falte mëkatet që ndodhën në të shkuarën, ndërkohë që Perëndia tregonte vetëpërmbajtje, dhe që të tregonte drejtësinë e vet në kohën e tanishme, që ai të jetë i drejtë edhe kur të shpallë të drejtë njeriun që ka besim te Jezui.»​—Rom. 3:25, 26. *

17 Jehovai e shpërbleu Jezuin duke e ringjallur në një pozitë më të lartë se ajo që kishte para se të vinte në tokë. Tani Jezui gëzon pavdekësinë si një krijesë frymore e lavdishme. (Hebr. 1:3) Si Kryeprift dhe Mbret, Zotëria Jezu Krisht vazhdon t’i ndihmojë dishepujt që të lartësojnë drejtësinë e Perëndisë. Dhe sa mirënjohës jemi që Ati ynë qiellor, Jehovai, është Shpërblyesi i të gjithë atyre që e bëjnë këtë dhe që i shërbejnë besnikërisht duke imituar Birin e tij!​—Lexo Psalmin 34:3; Hebrenjve 11:6.

18. Ku do të përqendrohet artikulli vijues?

18 Njerëzit besnikë që nga koha e Abelit gëzuan një marrëdhënie të ngushtë me Jehovain, sepse treguan besim dhe kishin siguri te Fara e premtuar. Jehovai e dinte se Biri i tij do ta ruante integritetin dhe se vdekja e tij do të mbulonte në mënyrë të përsosur «mëkatin e botës». (Gjoni 1:29) Gjithashtu, vdekja e Jezuit u sjell dobi edhe njerëzve sot. (Rom. 3:26) Atëherë, ç’bekime mund t’ju sjellë shpërblesa e Krishtit? Kjo do të jetë tema e artikullit vijues.

[Shënimet]

^ par. 7 Këtu apostulli Pavël citon nga Psalmi 40:6-8 sipas përkthimit Septuaginta në greqisht, e cila përfshin fjalët «më përgatite një trup». Kjo frazë nuk gjendet në dorëshkrimet e disponueshme të Shkrimeve Hebraike të lashta.

^ par. 16 Shih «Pyetje nga lexuesit» në faqet 6 dhe 7.

Si do të përgjigjeshit?

• Si u sfidua drejtësia e Perëndisë?

• Çfarë simbolizonte pagëzimi i Jezuit?

• Çfarë u arrit falë vdekjes së Jezuit?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 9]

A e dini se çfarë simbolizonte pagëzimi i Jezuit?