Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Çfarë pikëpamjeje ke për veten?

Çfarë pikëpamjeje ke për veten?

Çfarë pikëpamjeje ke për veten?

AI ISHTE një njeri krenar. Pasi e kishin ngritur në një pozitë të lartë qeveritare, ai ngazëllehej kur e mbulonin me lajka e me admirim. Por sa u mërzit kur një zyrtar tjetër refuzoi t’i jepte një nderim të tillë! Për t’u hakmarrë, zyrtari fodull kurdisi plane për të shfarosur të gjithë ata njerëz në perandori që kishin të njëjtën prejardhje etnike si ofenduesi. Çfarë pikëpamjeje e shtrembëruar t’i japësh tepër rëndësi vetes!

Ai që kurdisi planin ishte Hamani, një zyrtar i lartë në oborrin e mbretit pers Ahasuero. Cili ishte objekti i armiqësisë së tij? Një jude me emrin Mordekai. Ndonëse reagimi i Hamanit që kërkoi të bënte gjenocid, ishte ekstrem, ai ilustron rrezikun dhe pasojat e rënda të krenarisë. Fryma e tij arrogante jo vetëm që krijoi një gjendje krize për të tjerët, por çoi edhe në poshtërimin e tij publik e përfundimisht në vdekjen e tij.​—Esteri 3:1-9; 5:8-14; 6:4-10; 7:1-10.

Adhuruesit e vërtetë nuk janë të imunizuar ndaj krenarisë

Jehovai kërkon që ne të jemi ‘modestë në ecjen me Perëndinë tonë’. (Mikea 6:8, BR) Bibla përmban tregime të ndryshme për individë që nuk arritën të mbanin një pikëpamje modeste për veten e tyre. Kjo u solli atyre probleme dhe hidhërim. Shqyrtimi i disa prej këtyre shembujve mund të na ndihmojë të kuptojmë se sa të pamenda dhe të rrezikshme janë mendimet e paekuilibruara.

Mendimet e Jonait, profetit të Perëndisë, u bënë kaq të paekuilibruara, saqë kur iu ngarkua në mënyrë hyjnore të paralajmëronte njerëzit e ligj të Ninevisë për gjykimin e Jehovait kundër tyre, ai u përpoq të arratisej. (Jonai 1:1-3) Më vonë, kur aktiviteti i tij i predikimit pati sukses, duke i bërë ninevitët të pendoheshin, Jonai u pezmatua. Kaq merak kishte për reputacionin e tij si profet, saqë i interesonte pak ose aspak jeta e mijëra ninevitëve. (Jonai 4:1-3) Nëse ne, në mënyrë jomodeste, mendojmë sikur kushedi kush jemi, mund ta kemi të vështirë të mbajmë një pikëpamje të paanshme e korrekte për njerëzit dhe për ngjarjet që ndodhin përreth nesh.

Shqyrto edhe Uziahun, i cili kishte qenë një mbret i mirë në Judë. Kur filloi të kishte mendime të paekuilibruara, me arrogancë ai u përpoq të uzurponte disa detyra të priftërinjve. Veprimet e tij jomodeste dhe shumë arrogante i pagoi me shëndetin e tij dhe me humbjen e miratimit hyjnor.​—2. Kronikave 26:3, 16-21.

Mendimet e paekuilibruara gati-gati futën në grackë edhe apostujt e Jezuit. Ata filluan të merakoseshin tepër për lavdinë dhe për fuqinë e tyre. Kur erdhi koha e sprovës së madhe, ata e braktisën Jezuin dha ia mbathën me vrap. (Mateu 18:1; 20:20-28; 26:56; Marku 9:33, 34; Luka 22:24) Mungesa e modestisë dhe mendimi për t’i dhënë tepër rëndësi vetes pothuajse i bënë ata që të humbisnin nga sytë qëllimin e Jehovait dhe rolin e tyre në lidhje me vullnetin e tij.

Pasoja të dëmshme kur i japim tepër rëndësi vetes

Një pikëpamje e paekuilibruar për veten mund të shkaktojë dhimbje dhe mund të dëmtojë marrëdhënien tonë me të tjerët. Për shembull, ndoshta jemi në një dhomë dhe vërejmë një çift që i pëshpëritin diçka njëri-tjetrit dhe qeshin. Nëse jemi të përqendruar te vetja, mund të mendojmë gabimisht se ata po tallen me ne, ngaqë po flasin me zë të ulët. Mendja mund të mos na lejojë të shqyrtojmë ndonjë shpjegim tjetër të mundshëm për sjelljen e tyre. Në fund të fundit, për kë tjetër mund të jenë duke folur?! Ndoshta mund të zemërohemi dhe të vendosim që të mos i flasim më kurrë atij çifti. Kështu, një pikëpamje e paekuilibruar në lidhje me rëndësinë e tepërt për veten tonë mund të çojë në keqkuptime dhe mund të dëmtojë marrëdhëniet me miqtë, pjesëtarët e familjes dhe me të tjerët.

Ata që mendojnë sikur kushedi kush janë mund të bëhen mburravecë, duke shitur mend vazhdimisht për gjoja talentet e mëdha, bëmat ose për zotërimet që kanë. Ose mund ta mbizotërojnë bisedën, duke përmendur vazhdimisht ndonjë gjë për veten e tyre. Një i folur i tillë tregon mungesë dashurie të vërtetë dhe mund të jetë shumë i mërzitshëm. Prandaj, me sjelljen e tyre njerëzit kryelartë shpesh bëjnë që të tjerët t’u largohen.​—1. Korintasve 13:4.

Si Dëshmitarë të Jehovait, në shërbimin tonë publik mund të na tallin dhe të na refuzojnë. Duhet të mbajmë mend se ky kundërshtim faktikisht nuk na drejtohet ne personalisht, por Jehovait, Burimit të mesazhit tonë. Megjithatë, një pikëpamje e shtrembëruar në lidhje me rëndësinë e tepërt që kemi për veten tonë mund të sjellë pasoja të rënda. Vite më parë, një vëlla e mori si ofendim personal kritikën e ashpër të një pronari shtëpie dhe ia ktheu edhe ai ashpër. (Efesianëve 4:29) Pas kësaj, vëllai nuk mori pjesë kurrë më në shërbimin nga shtëpia në shtëpi. Tamam, krenaria mund të na bëjë të humbasim durimin kur predikojmë. Le të përpiqemi që këtë gjë të mos e lejojmë kurrë të ndodhë! Në vend të kësaj, le të kërkojmë me përulësi ndihmën e Jehovait që të mbajmë çmueshmërinë e duhur për privilegjin e pjesëmarrjes në shërbimin e krishterë!​—2. Korintasve 4:1, 7; 10:4, 5.

Një qëndrim që tregon se i japim tepër rëndësi vetes mund të na pengojë, gjithashtu, të pranojmë këshilla që na nevojiten shumë. Disa vjet më parë, në një vend të Amerikës Qendrore, një adoleshent bëri fjalimin në Shkollën e Shërbimit Teokratik në kongregacionin e krishterë. Kur mbikëqyrësi i shkollës i dha disa këshilla paksa të drejtpërdrejta, i riu i zemëruar e përplasi Biblën në dysheme dhe doli nga Salla e Mbretërisë me mendimin për të mos u kthyer më kurrë. Por pas disa ditësh, ai e gëlltiti krenarinë, u pajtua me mbikëqyrësin e shkollës dhe i pranoi me përulësi këshillat e tij. Me kalimin e kohës, ky i ri u bë një i krishterë i pjekur.

Duke qenë jomodestë dhe duke menduar sikur kushedi kush jemi, mund të arrijmë të dëmtojmë marrëdhënien tonë me Perëndinë. Te Fjalët e urta (Proverbat) 16:5 paralajmërohemi: «Ai që është zemërkrenar është i neveritshëm për Zotin.»

Një pikëpamje e ekuilibruar për veten

Qartë, ne nuk duhet të mendojmë sikur kushedi kush jemi. Por, sigurisht, kjo nuk do të thotë se nuk duhet të jemi seriozë në atë që bëjmë ose që themi. Bibla tregon se mbikëqyrësit, shërbëtorët ndihmës, si edhe të gjithë në kongregacion, duhet të jenë njerëz seriozë. (1. Timoteut 3:4, 8, 11; Titit 2:2) Prandaj, si mund të zhvillojnë edhe të mbajnë të krishterët një pikëpamje të ekuilibruar, modeste dhe serioze për veten?

Bibla siguron shumë shembuj inkurajues të personave që kanë mbajtur një pikëpamje të ekuilibruar për veten. I spikatshëm është shembulli i përulësisë që tregoi Jezu Krishti. Për të bërë vullnetin e Atit të tij dhe për t’i sjellë shpëtimin njerëzimit, Biri i Perëndisë e la me gatishmëri pozitën e tij të lavdishme qiellore dhe u bë një njeri i thjeshtë në tokë. Pavarësisht nga fyerjet, nga abuzimi dhe nga një vdekje çnderuese, ai mbajti vetëkontrollin dhe dinjitetin. (Mateu 20:28; Filipianëve 2:5-8; 1. Pjetrit 2:23, 24) Si mundi Jezui ta bënte këtë? Ai u mbështet plotësisht te Jehovai dhe qe i vendosur për të bërë vullnetin hyjnor. Jezui e studionte me zell Fjalën e Perëndisë, lutej me zjarr dhe bënte përpjekje energjike në shërbim. (Mateu 4:1-10; 26:36-44; Luka 8:1; Gjoni 4:34; 8:28; Hebrenjve 5:7) Ndjekja e shembullit të Jezuit mund të na ndihmojë që të zhvillojmë e të mbajmë një pikëpamje të ekuilibruar për veten.​—1. Pjetrit 2:21.

Shqyrto edhe shembullin e shkëlqyer të Xhonatanit, birit të mbretit Saul. Për shkak të mosbindjes së babait të tij, Xhonatani e humbi mundësinë për të zënë vendin e Saulit si mbret. (1. Samuelit 15:10-29) A u hidhërua Xhonatani për këtë humbje? A u bë xheloz për Davidin, të riun që duhej të sundonte në vend të tij? Ndonëse Xhonatani ishte shumë më i madh në moshë e ka të ngjarë të ishte më me përvojë se Davidi, me modesti dhe me përulësi ai iu përshtat rregullimit të Jehovait dhe e mbështeti me besnikëri Davidin. (1. Samuelit 23:16-18) Një pikëpamje e qartë për vullnetin e Perëndisë dhe gatishmëria për t’iu nënshtruar këtij vullneti, do të na ndihmojë të ‘mos e vlerësojmë veten më shumë sesa duhet ta çmojmë’.​—Romakëve 12:3.

Jezui u mësoi të tjerëve vlerën e shfaqjes së modestisë dhe të përulësisë. Këtë e ilustroi duke thënë se kur dishepujt e tij të shkonin në një dasmë, nuk duhej të uleshin në «krye të vendit», sepse më pas mund të vinte dikush më i shquar dhe atyre mund t’u duhej të duronin poshtërimin, duke u spostuar në vendin e fundit. Duke e bërë këtë mësim shumë të qartë, Jezui shtoi: «Sepse kushdo që e larton veten do të poshtërohet dhe kush e poshtëron veten do të lartohet.» (Luka 14:7-11) Bëjmë mirë t’ia vëmë veshin këshillës së Jezuit dhe të ‘vishemi me përulësi mendjeje’.​—Kolosianëve 3:12, BR; 1. Korintasve 1:31.

Bekimet e një pikëpamjeje të ekuilibruar

Një frymë modeste dhe e përulur u jep mundësi shërbëtorëve të Jehovait të gjejnë gëzim të vërtetë në shërbimin e tyre. Pleqve mund t’u afrohesh më lehtë, kur me përulësi ‘e trajtojnë me butësi kopenë’. (Veprat 20:28, 29, BR) Atëherë, të gjithë në kongregacion ndihen më rehat për të folur me ta dhe për t’u kërkuar ndihmë. Në këtë mënyrë, pjesëtarët e kongregacionit mund të afrohen më shumë me njëri-tjetrin në një frymë dashurie, përzemërsie dhe mirëbesimi.

Fakti që nuk mendojmë sikur kushedi kush jemi na mundëson të zëmë miq të mirë. Modestia dhe përulësia nuk do të na lejojnë të zhvillojmë një frymë konkurrence dhe të përpiqemi t’ua kalojmë të tjerëve me bëma ose me gjëra materiale. Këto cilësi hyjnore do të na ndihmojnë për t’u bërë më të vëmendshëm ndaj të tjerëve dhe në këtë mënyrë do të jemi më të pajisur për të ngushëlluar e për të mbështetur ata që janë në nevojë. (Filipianëve 2:3, 4) Kur njerëzit preken nga dashuria dhe nga dashamirësia, zakonisht reagojnë mirë. Veç kësaj, një marrëdhënie e tillë altruiste a nuk bëhet një themel mbi të cilin ndërtohen miqësi të forta? Çfarë bekimi vjen kur nuk mendojmë në mënyrë jomodeste sikur kushedi kush jemi!​—Romakëve 12:10.

Një pikëpamje e ekuilibruar për veten na e bën, gjithashtu, më të lehtë ta pranojmë gabimin kur kemi fyer dikë. (Mateu 5:23, 24) Kjo sjell si rezultat marrëdhënie më të mira, duke i lënë vend pajtimit dhe respektit reciprok. Nëse janë të përulur e modestë, ata që kanë pozita mbikëqyrjeje, siç janë pleqtë e krishterë, kanë mundësi të bëjnë shumë gjëra të mira për të tjerët. (Fjalët e urta 3:27; Mateu 11:29) Gjithashtu, një person i përulur do ta ketë më të lehtë të falë të tjerët që mëkatojnë ndaj tij. (Mateu 6:12-15) Ai nuk do të reagojë në mënyrë të tepruar ndaj fyerjeve dhe do të besojë te Jehovai, që t’i ndreqë ai gjërat të cilat nuk mund të korrigjohen me ndonjë mënyrë tjetër.​—Psalmi 37:5; Fjalët e urta 3:5, 6.

Bekimi më i madh që marrim kur kemi një pikëpamje modeste dhe të përulur për veten, është pëlqimi dhe miratimi i Jehovait. «Perëndia i kundërshton krenarët, por u jep hir të përulurve.» (1. Pjetrit 5:5) Mos rënçim kurrë në grackën e të menduarit se jemi më të mirë se ç’jemi në të vërtetë! Në vend të kësaj, le ta pranojmë me përulësi vendin që zëmë në rregullimin që Jehovai u ka bërë gjërave! Bekime të mëdha i presin të gjithë ata që e plotësojnë kërkesën e Perëndisë për ‘të qenë modestë në ecjen me të’.

[Figura në faqen 22]

Me përulësi, Xhonatani e mbështeti Davidin