Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Persekutuesi sheh një dritë të madhe

Persekutuesi sheh një dritë të madhe

Persekutuesi sheh një dritë të madhe

SAULI vlonte nga zemërimi kundër ithtarëve të Jezuit. Duke mos qenë i kënaqur me persekutimin që tashmë u kishte bërë në Jerusalem,​—duke përfshirë edhe vrasjen me gurë të Stefanit,​—ai tani kërkonte ta çonte më tej shtypjen. «Duke shfryrë akoma kërcënime dhe kërdi kundër dishepujve të Zotit, [Sauli] shkoi te kryeprifti dhe kërkoi nga ai letra për sinagogat e Damaskut, me qëllim që, po të gjente ndonjë ithtar të Udhës, burra o gra, të mund t’i sillte të lidhur në Jerusalem.»​—Veprat 9:1, 2.

Duke udhëtuar drejt Damaskut, Sauli duhet të ketë qenë duke medituar se si ta plotësonte në mënyrën më të efektshme mandatin e tij. Autoriteti që i kishte dhënë kryeprifti pa dyshim do t’i siguronte bashkëpunimin e udhëheqësve të komunitetit të madh judaik në atë qytet. Sauli do t’u kërkonte ndihmë atyre.

Ndërsa i afrohej vendmbërritjes, entuziazmi i Saulit duhet të jetë rritur. Udhëtimi nga Jerusalemi për në Damask, një rrugë e gjatë rreth 220 kilometra që bëhej për shtatë ose tetë ditë më këmbë, kishte qenë i lodhshëm. Papritur, aty nga mesdita, përreth Saulit shndriti një dritë më e shkëlqyeshme se ajo e diellit dhe ai ra për tokë. Dëgjoi një zë që i thoshte në hebraisht: «Saul, Saul, përse më përndjek? Është e rëndë për ty të godasësh me shkelm kundër gjembave.» «Kush je, Zot?»​—pyeti Sauli. «Unë jam Jezui, të cilin ti e përndjek,​—ishte përgjigjja.​—Por çohu dhe rri në këmbë, sepse prandaj të jam shfaqur që të të vë shërbyes dhe dëshmues për gjërat që ke parë dhe për ato për të cilat unë do të të shfaqem, duke të zgjedhur ty nga populli dhe nga johebrenjtë, tek të cilët po të dërgoj tani.» «O Zot, ç’duhet të bëj?»​—pyeti Sauli. «Çohu dhe shko në Damask! Atje do të të thuhet çfarë të është urdhëruar të bësh.»​—Veprat 9:3-6; 22:6-10; 26:13-17.

Ata që po udhëtonin me Saulin dëgjuan një zë, por nuk e panë atë që po fliste dhe as nuk e kuptuan atë që tha ai. Për shkak të shkëlqimit të dritës, kur Sauli u ngrit, nuk mund të shihte dhe duhej ta mbanin për dore që të ecte. «Mbeti tri ditë pa të parit, as hëngri, as piu.»​—Veprat 9:7-9; 22:11.

Tri ditë meditim

Saulin e mikpriti Juda, i cili jetonte në rrugën e quajtur E Drejtë. * (Veprat 9:11) Kjo rrugë, që në arabisht quhet Darb al-Mustaqim, është ende një rrugë kryesore në Damask. Imagjino se çfarë i kalonte nëpër mend Saulit ndërsa gjendej në shtëpinë e Judës. Nga përvoja që kishte kaluar Sauli kishte ngelur i verbër dhe i shtangur. Tani ishte koha për të medituar se çfarë do të sillte si pasojë kjo gjë.

Persekutuesi ishte ballafaquar me atë që deri atëherë e kishte shpërfillur si diçka absurde. Zotëria Jezu Krisht i vënë në shtyllë​—i dënuar nga autoriteti më i lartë judaik dhe ‘i përçmuar e i hedhur poshtë nga njerëzit’​—ishte gjallë. Madje ai qëndronte i miratuar në të djathtën e Perëndisë, në «dritë të paafrueshme»! Jezui ishte Mesia. Stefani dhe të tjerët kishin pasur të drejtë. (Isaia 53:3; Veprat 7:56, 1. Timoteut 6:16) Sauli e kishte pasur krejt gabim, sepse Jezui e identifikoi veten pikërisht me ata që Sauli po persekutonte. Përballë këtyre dëshmive, si mund të vazhdonte Sauli të ‘godiste me shkelm kundër gjembave’? Edhe një dem kokëfortë në fund të fundit merr drejtimin që do i zoti. Prandaj, duke refuzuar të ndiqte nxitjen e Jezuit, Sauli do të dëmtonte vetveten.

Duke qenë Mesia, Jezui nuk mund të ishte dënuar prej Perëndisë. Megjithatë, Jehovai kishte lejuar që ai të vuante vdekjen më çnderuese dhe të binte nën dënimin e Ligjit: «Ai që rri varur është i mallkuar nga Perëndia.» (Ligji i përtërirë 21:23) Jezui vdiq ndërsa ishte i varur në shtyllën e mundimeve. Ai u mallkua, jo për mëkatet e veta (meqë nuk kishte të tilla), por për gjendjen mëkatare të njerëzimit. Më vonë, Sauli shpjegoi: «Të gjithë ata që themelohen mbi [varen nga, BR] veprat e ligjit janë nën mallkim, sepse është shkruar: ‘I mallkuar është kushdo që nuk qëndron në të gjitha ato që shkruhen në librin e ligjit për t’i praktikuar.’ Sepse me anë të ligjit askush nuk shfajësohet përpara Perëndisë . . . Krishti na shpengoi nga mallkimi i ligjit, sepse u bë mallkim për ne [në vendin tonë, BR], (duke qenë se është shkruar: ‘I mallkuar është kushdo që varet në dru.’)»​—Galatasve 3:10-13.

Flijimi i Jezuit kishte vlerë shpërblyese. Duke e pranuar këtë flijim, Jehovai në mënyrë të figurshme e gozhdoi Ligjin dhe mallkimin e tij në shtyllë. Pasi kuptoi këtë fakt, Sauli mundi ta vlerësonte si «mençuri të Perëndisë» shtyllën e mundimeve që ishte «një shkak pengimi për judenjtë». (1. Korintasve 1:18-25, BR; Kolosianëve 2:14) Prandaj, nëse shpëtimi nuk do të arrihej nga veprat e ligjit, por nga dashamirësia e pamerituar që do të ushtronte Perëndia ndaj mëkatarëve si vetë Sauli, ishte e mundur që edhe ata jashtë Ligjit të fitonin shpëtimin. Pikërisht te johebrenjtë po e dërgonte Jezui Saulin.​—Efesianëve 3:3-7.

Nuk e dimë se sa nga këto gjëra Sauli i kuptoi në kohën e kthimit të tij në besim. Jezui do t’i fliste prapë, ndoshta më shumë se një herë, për misionin e tij te kombet. Për më tepër, do të kalonin disa vjet para se Sauli ta hidhte me shkrim të gjithë këtë nën frymëzimin hyjnor. (Veprat 22:17-21; Galatasve 1:15-18; 2:1, 2) Megjithatë, kaluan vetëm disa ditë para se Sauli të merrte udhëzime të tjera nga Zotëria i tij i ri.

Një vizitë nga Anania

Pasi iu shfaq Saulit, Jezui iu shfaq edhe Ananisë, duke i thënë: «Çohu, shko në rrugën e quajtur E drejtë dhe kërko në shtëpinë e Judës një njeri nga Tarsi me emër Saul, i cili po lutet. Ai ka parë në vegim një njeri, me emër Anania, duke hyrë dhe duke i vënë duart për t’ia kthyer dritën e syve.»​—Veprat 9:11, 12.

Meqë Anania e njihte Saulin, është e kuptueshme që u habit nga fjalët e Jezuit. Ai tha: «O Zot, nga shumë veta kam dëgjuar për këtë njeri se sa të këqija u ka bërë shenjtorëve të tu në Jerusalem. Dhe ai ka këtu një autorizim nga krerët e priftërinjve për të burgosur të gjithë ata që thërrasin emrin tënd.» Por, Jezui i tha Ananisë: «Shko, sepse ai është vegla që unë kam zgjedhur për ta sjellë emrin tim përpara johebrenjve, mbretërve dhe bijve të Izraelit.»​—Veprat 9:13-15.

I qetësuar, Anania shkoi në adresën që i kishte dhënë Jezui. Pasi e gjeti dhe e përshëndeti Saulin, Anania vuri duart mbi të. «Në këtë çast,​—thotë tregimi,​—[Saulit] i ranë nga sytë disa si luspa dhe ai fitoi përsëri të parit.» Tani Sauli ishte gati për të dëgjuar. Fjalët e Ananisë konfirmuan atë që Sauli ndoshta e kishte kuptuar nga fjalët e Jezuit: «Perëndia i etërve tanë të ka paracaktuar të njohësh vullnetin e tij, ta shohësh të Drejtin dhe të dëgjosh një zë nga goja e tij. Sepse ti duhet të dëshmosh për të te të gjithë njerëzit për atë që ke parë dhe ke dëgjuar. Dhe tani, ç’pret? Çohu dhe ji i pagëzuar dhe i larë nga mëkatet e tua, duke thirrur emrin e Zotit.» Rezultati? Sauli «u ngrit dhe u pagëzua dhe mbasi mori ushqim, ai u ripërtëri në forcë».​—Veprat 9:17-19; 22:12-16.

Pasi përmbushi detyrën e tij, Anania besnik u zhduk nga skena po aq shpejt sa hyri dhe për të nuk na thuhet më asgjë. Ndërsa Sauli i mahniste të gjithë ata që e dëgjonin. Ish-persekutuesi, që kishte ardhur në Damask për të arrestuar dishepujt e Jezuit, filloi të predikonte në sinagoga dhe të provonte se Jezui ishte Krishti.​—Veprat 9:20-22.

«Apostull i johebrenjve»

Takimi që pati persekutuesi Saul rrugës për në Damask e ndaloi në vend atë, për të mos vazhduar më persekutimin. Pasi kishte kuptuar identitetin e Mesisë, Sauli mund të dallonte se shumë koncepte dhe profeci të Shkrimeve Hebraike zbatoheshin për Jezuin. Njohja e faktit se Jezui i ishte shfaqur, ‘e kishte zënë’ dhe e kishte ngarkuar si ‘apostull të johebrenjve’, e transformoi krejtësisht jetën e Saulit. (Filipianëve 3:12; Romakëve 11:13) Tani si apostulli Pavël, ai kishte një privilegj dhe një autoritet që do të ndikonin jo vetëm në pjesën tjetër të jetës së tij në tokë, por edhe në rrjedhën e historisë së krishterë.

Vite më vonë, kur e drejta e Pavlit si apostull u vu në diskutim, ai e mbrojti autoritetin e vet duke iu referuar përvojës së tij rrugës për në Damask. «A s’jam unë apostull? . . . Po a nuk e pashë Jezu Krishtin, Zotin tonë?»​—pyeti ai. Pastaj, pasi përmendi rastet kur Jezui i ringjallur u ishte shfaqur të tjerëve, Sauli (Pavli) tha: «Më së fundi m’u shfaq edhe mua, si të dështimit [një të linduri para kohe, BR].» (1. Korintasve 9:1; 15:8) Ishte sikur me marrjen e vizionit të lavdisë qiellore të Jezuit, Saulit t’i ishte dhënë nderi për të lindur ose për t’u ringjallur para kohe në jetën frymore.

Sauli e pranoi këtë privilegj dhe u përpoq energjikisht të jetonte në përputhje me të. «Unë jam më i vogli i apostujve dhe as nuk jam i denjë të quhem apostull, sepse e kam përndjekur kishën e Perëndisë,​—shkroi ai.​—Por . . . hiri i tij [i Perëndisë] ndaj meje nuk qe i kotë, madje jam munduar më shumë se gjithë [apostujt e tjerë].»​—1. Korintasve 15:9, 10.

Ndoshta, ashtu si Sauli, edhe ti e mban mend kohën kur ke kuptuar se për të pasur favorin e Perëndisë, duhej të ndreqje disa pikëpamje fetare që i kishe pasur për shumë kohë. Pa dyshim ke qenë shumë mirënjohës që Jehovai të ndihmoi të kuptoje të vërtetën. Kur Sauli pa dritën dhe kuptoi atë që kërkohej prej tij, ai nuk ngurroi të vepronte. Këtë vazhdoi ta bënte me zell dhe vendosmëri gjatë tërë jetës së tij në tokë. Sa shembull i shkëlqyer për të gjithë ata që sot dëshirojnë favorin e Jehovait!

[Shënimi]

^ par. 7 Një studiues mendon se Juda mund të ketë qenë një udhëheqës i komunitetit vendas judaik ose pronari i një hani për judenj.

[Figura në faqen 27]

Rruga e quajtur E Drejtë në Damaskun e sotëm

[Burimi]

Fotografi nga ROLOC Color Slides