Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Në Itali ofrohet një mesazh ngushëllimi

Në Itali ofrohet një mesazh ngushëllimi

Ne jemi lloji që ka besim

Në Itali ofrohet një mesazh ngushëllimi

JEHOVAI është «Perëndia i çdo ngushëllimi». Duke mësuar ta imitojnë atë, shërbëtorët e tij janë në gjendje ‘të ngushëllojnë ata që janë në çfarëdo shtrëngimi’. (2. Korintasve 1:3, 4; Efesianëve 5:1) Ky është një nga objektivat kryesorë të veprës së predikimit të kryer nga Dëshmitarët e Jehovait.

Ndihmohet një vajzë në nevojë

Sidomos vitet e fundit varfëria, lufta dhe dëshira për të gjetur një jetë më të mirë i kanë nxitur shumë veta të emigrojnë në vende më të pasura. Por përshtatja me kushtet e reja nuk është e lehtë. Manjola jetonte me disa shqiptarë të tjerë në Borgomanero. Meqë po jetonte si klandestine në Itali, ajo ngurroi të fliste me Vandën, e cila është një Dëshmitare e Jehovait. Megjithatë, Vanda më në fund arriti të merrte një takim me Manjolën, e cila tregoi menjëherë interes të madh për të studiuar Fjalën e Perëndisë, edhe pse pengesa e gjuhës e bënte të vështirë këtë gjë. Megjithatë, pas disa vizitash, Vanda nuk gjeti më asnjë njeri në shtëpi. Çfarë kishte ndodhur? Vanda mori vesh se që të gjithë banuesit e asaj shtëpie kishin ikur, sepse njëri prej tyre, i dashuri i Manjolës, kërkohej për vrasje.

Katër muaj më vonë, Vanda u takua përsëri me Manjolën. «E zbehtë dhe e dobët, ajo kishte pamjen e dikujt që po kalonte vërtet një periudhë të vështirë»,​—kujton Vanda. Manjola i shpjegoi se i dashuri i saj i dikurshëm ishte në burg dhe se miqtë, të cilëve u ishte drejtuar për ndihmë, e kishin zhgënjyer thellë. E dëshpëruar, ajo i ishte lutur Perëndisë për ndihmë. Atëherë, i ishte kujtuar Vanda që i kishte folur për Biblën. Sa e lumtur ishte Manjola që po e shihte përsëri!

U rifillua studimi biblik dhe shumë shpejt Manjola filloi të ndiqte mbledhjet e krishtere. Ia doli mbanë të merrte lejen ligjore për të qëndruar në Itali. Pas një viti, Manjola u bë Dëshmitare e pagëzuar. E ngushëlluar nga premtimet hyjnore, ajo u kthye në Shqipëri për ta ndarë mesazhin ngushëllues të Biblës me bashkëkombësit e saj.

Dëshmojnë në kampet e imigrantëve

Shumë kongregacione italiane kanë marrë masa që t’u dëshmojnë imigrantëve si Manjola. Për shembull, një kongregacion në Firence mori masa për të vizituar rregullisht një kamp imigrantësh. Banorët e kampit, shumë prej tyre nga Evropa Lindore, nga Maqedonia dhe nga Kosova, po hasnin vështirësi të ndryshme. Disa kishin probleme me drogën dhe me alkoolin. Shumë veta bënin vjedhje të vogla për të mbajtur veten financiarisht.

Predikimi në këtë komunitet ishte një sfidë. Megjithatë, një ungjillëzuese në kohë të plotë me emrin Paola më në fund kontaktoi Zhaklinën, një zonjë maqedonase. Pas disa bisedash, Zhaklina e inkurajoi një shoqen e saj, Suzanën, që të shqyrtonte Biblën. Nga ana e saj, Suzana foli me të afërm të tjerë. Shpejt, pesë veta nga familja po studionin rregullisht Biblën, po ndiqnin mbledhjet e krishtere dhe po vinin në praktikë atë që po mësonin. Pavarësisht nga problemet që u duhet të përballojnë, këta emigrantë gjejnë ngushëllim te Jehovai dhe te Fjala e tij.

Një murgeshë pranon ngushëllimin nga Jehovai

Në qytetin Formia, një ungjillëzuese në kohë të plotë me emrin Asunta, i foli një gruaje që kishte vështirësi në të ecur. Gruaja ishte murgeshë dhe i përkiste një urdhri fetar që u jep ndihmë të sëmurëve dhe të pafuqishmëve, si nëpër spitale, ashtu edhe në shtëpitë e tyre.

Asunta i tha murgeshës: «Edhe ti po vuan, apo jo? Mjerisht, të gjithë kemi probleme që duhet t’i durojmë.» Me këto fjalë, murgesha shpërtheu në lot dhe shpjegoi se ajo kishte probleme të rënda shëndetësore. Asunta e inkurajoi, duke i thënë se Perëndia i Biblës mund ta ngushëllonte. Murgesha pranoi revistat e bazuara në Bibël që i ofroi Asunta.

Gjatë bisedës tjetër, murgesha, të cilën e quanin Palmira, pranoi se po vuante shumë. Ajo kishte jetuar për një kohë të gjatë në një institut të drejtuar nga murgeshat. Kur i ishte dashur të largohej përkohësisht për arsye shëndetësore, nuk e kishin lejuar të kthehej përsëri aty. Megjithatë, Palmira ndihej e lidhur me Perëndinë për shkak të betimeve që kishte bërë si murgeshë. U ishte drejtuar shëruesve për «mjekim», por kishte pësuar traumë mendore nga ajo përvojë. Palmira pranoi të studionte Biblën dhe për një vit mori pjesë në mbledhjet e krishtere. Më pas, u transferua në një zonë tjetër dhe Dëshmitarja i humbi lidhjet me të. Kaluan dy vjet, para se Asunta ta gjente përsëri. Palmira pati kundërshtime të mëdha nga familja e saj dhe nga kleri. Megjithatë, ajo e rifilloi studimin biblik, bëri përparim frymor dhe u pagëzua si Dëshmitare e Jehovait.

Po, shumë veta inkurajohen nga mesazhi i ‘Perëndisë së ngushëllimit’. (Romakëve 15:4, 5) Prandaj, Dëshmitarët e Jehovait në Itali janë të vendosur të vazhdojnë ta imitojnë Perëndinë, duke u ofruar të tjerëve mesazhin e tij të mrekullueshëm të ngushëllimit.