Proverbat 18:1-24
18 Kush veçohet, kërkon të plotësojë dëshirat e veta egoiste.+ Ai tërbohet kundër gjithë mençurisë.*+
2 Budallait nuk i pëlqen aftësia dalluese,+ por vetëm të zbulojë atë që ka në zemër.+
3 Kur hyn i ligu, hyn edhe përçmimi,+ dhe bashkë me çnderimin+ është edhe poshtërimi.
4 Ujëra të thella janë fjalët e gojës së njeriut.+ Burimi i mençurisë është përrua që gurgullon.+
5 Nuk është gjë e mirë t’i mbash anën të ligut,+ as t’i mohosh drejtësinë të drejtit.+
6 Buzët e budallait hyjnë në sherr+ dhe goja e tij i thërret vetë goditjet.+
7 Goja e budallait është rrënim për të+ dhe buzët e tij janë lak për shpirtin e vet.+
8 Fjalët e shpifësit janë si gjëra për t’u gëlltitur me babëzi,+ që zbresin poshtë, deri në pjesët më të brendshme të barkut.+
9 Ai që tregohet i ngathët në punë,+ është vëlla i atij që shkakton rrënim.+
10 Emri i Jehovait është një kullë e fortë.+ Tek ai vrapon i drejti dhe gjen mbrojtje.+
11 Gjërat me vlerë janë si një qytet i fortë për të pasurin+ dhe në imagjinatën e tij ato janë si një mur mbrojtës.+
12 Përpara rrëzimit zemra e njeriut lartësohet+ dhe para lavdisë është përulësia.+
13 Nëse dikush përgjigjet për një çështje para se ta dëgjojë,+ kjo është për të marrëzi dhe poshtërim.+
14 Fryma e njeriut mund ta përballojë sëmundjen e tij,+ por kush mund ta durojë një frymë të dërrmuar?+
15 Zemra e njeriut me kuptueshmëri fiton njohuri+ dhe veshi i të mençurve kërkon të gjejë njohuri.+
16 Dhurata do t’i hapë një udhë të madhe njeriut+ dhe do ta çojë deri përpara të mëdhenjve.+
17 Kush flet i pari në çështjen e vet ligjore, duket se ka të drejtë,+ por ndërhyn tjetri dhe me siguri e heton fund e krye.+
18 Shorti i qetëson grindjet,+ madje i ndan edhe të fuqishmit nga njëri-tjetri.+
19 Një vëlla, kundër të cilit është bërë një shkelje, është më i pathyeshëm se një qytet i fortë,+ dhe ka grindje që janë si shuli i një kulle banimi.+
20 Barku i njeriut do të ngopet me frytin e gojës së tij.+ Ai do të ngopet edhe me prodhimin e buzëve të veta.+
21 Vdekja dhe jeta janë në dorë të gjuhës,+ dhe kush e do atë, do të hajë frytet e saj.+
22 Kush gjen një grua të mirë,+ gjen një gjë të mirë+ dhe merr pëlqimin e Jehovait.+
23 I vobekti flet me përgjërime,+ kurse i pasuri përgjigjet me vrazhdësi.+
24 Ka nga ata shokë që janë gati ta bëjnë copë njëri-tjetrin,+ por ka një mik me të cilin lidhesh më ngushtë se me një vëlla.+
Shënimet
^ Ose «mençurisë praktike».

