Proverbat 6:1-35
6 Biri im, nëse ke dalë garant për një tjetër,+ nëse i ke dhënë dorën në shenjë marrëveshjeje qoftë edhe një të huaji,+
2 nëse je zënë në lak nga fjalët e gojës sate,+ nëse je kapur nga fjalët e gojës sate,
3 atëherë, biri im, ja si do të veprosh që të çlirohesh: përulu dhe mbyte atë me kërkesa,+ sepse ke rënë në dorë të tjetrit.+
4 Mos vër fare gjumë në sy, as mos i lër qepallat* e tua të dremitin.+
5 Si një gazelë çlirohu nga dora e gjuetarit dhe si një zog nga dora e gjahtarit të zogjve.+
6 Shko te milingona,+ o përtac;+ shihi udhët e saj dhe bëhu i mençur.
7 Edhe pse nuk ka komandant, të parë a sundimtar,
8 ajo e përgatit ushqimin e vet gjatë verës,+ i ka mbledhur zahiretë e veta gjatë të korrave.
9 Deri kur do të rrish shtrirë, o përtac?+ Kur do të çohesh nga gjumi?+
10 Fli edhe pak, dremit edhe pak, rri edhe pak me duart kryq për të pushuar,+
11 dhe varfëria jote ka për të ardhur si një kusar bredhacak+ dhe skamja jote si një njeri i armatosur.+
12 Njeriu i pavlerë,+ njeriu i dëmshëm, ecën me një të folur dredharak,+
13 duke shkelur syrin,+ duke bërë shenja me këmbë, duke treguar me gishta.+
14 Mbrapshti ka në zemrën e tij.+ Gjithë kohën sajon të këqija.+ Mbjell vetëm grindje.+
15 Ja pse befas do t’i vijë katastrofa;+ në çast do të thyhet dhe s’do të ketë asnjë shërim.+
16 Ka gjashtë gjëra që Jehovai i urren;+ po, shtatë janë gjërat e pështira për shpirtin e tij:+
17 sytë krenarë,+ gjuha gënjeshtare+ dhe duart që derdhin gjak të pafaj,+
18 zemra që sajon plane të dëmshme,+ këmbët që turren drejt së keqes,+
19 dëshmitari i rremë që përhap gënjeshtra+ dhe kushdo që mbjell grindje mes vëllezërve.+
20 Ruaje, o biri im, urdhërimin e atit tënd+ dhe mos e braktis ligjin e nënës sate.+
21 Mbaji vazhdimisht të lidhur në zemrën+ tënde, lidhi rreth qafës.+
22 Kur të ecësh, do të të drejtojnë;+ kur të shtrihesh, do të të ruajnë;+ e kur të jesh zgjuar, do të kujdesen për ty.
23 Sepse urdhërimi është llambë,+ dritë është ligji+ dhe qortimet e disiplinës janë udha e jetës,+
24 për të të ruajtur nga gruaja e keqe,+ nga lajkat e gjuhës së gruas imorale.*+
25 Mos e dëshiro bukurinë e saj në zemrën tënde+ dhe mos të kaptë ajo me sytë e saj të ndritshëm,+
26 sepse për një prostitutë njeriu katandiset për një copë bukë+ dhe gruaja e një burri tjetër gjuan një shpirt+ të çmuar.
27 A mund të grumbullojë një burrë zjarr në gji e të mos i digjen rrobat?+
28 Ose, a mund të ecë një burrë mbi thëngjij e të mos i përcëllohen këmbët?
29 Kështu ndodh me këdo që ka marrëdhënie me gruan e tjetrit:+ kushdo që e prek atë, nuk do të mbesë i pandëshkuar.+
30 Njerëzit nuk e përbuzin hajdutin që vjedh për të ngopur shpirtin, kur është i uritur.
31 Por kur ta gjejnë, ai do të dëmshpërblejë shtatë herë aq sa ka marrë; do të japë gjithë sendet me vlerë të shtëpisë së tij.+
32 Kushdo që kryen kurorëshkelje me një grua, ka një zemër pa gjykim të mirë;*+ ai që e bën këtë, e çon shpirtin e vet në rrënim.+
33 Plagë dhe çnderim do të gjejë+ dhe poshtërimi i tij nuk do të hiqet.+
34 Sepse xhelozia+ e tërbon burrin dhe ai s’do të tregojë dhembshuri ditën e hakmarrjes.+
35 S’do të marrë parasysh asnjë lloj shpërblese, as ka për t’u treguar i gatshëm, sado e madhe të jetë dhurata.
Shënimet
^ Ose «sytë rrezatues».
^ Fjalë për fjalë «gruas së huaj».
^ Fjalë për fjalë «i mungon zemra».

