Proverbat 12:1-28
12 Kush e do disiplinën, do njohurinë,+ por kush e urren qortimin, është i paarsyeshëm.+
2 Kush është i mirë, merr miratimin e Jehovait,+ por njeriun me ide të liga, ai e shpall të lig.+
3 Asnjë njeri nuk do të vendoset patundshmërisht me anë të ligësisë,+ por rrënja e të drejtëve nuk do të lëkundet.+
4 Një grua e zonja është kurorë për burrin* e saj,+ por si kalbësirë në kockat e tij është ajo që vepron në mënyrë të turpshme.+
5 Mendimet e të drejtëve janë plot gjykim;+ të drejtohesh nga të ligjtë është mashtrim.+
6 Pritë e ngritur për gjak+ janë fjalët e të ligjve, por të drejtët do t’i çlirojë goja e tyre.+
7 Të ligjtë mposhten dhe nuk janë më,+ por shtëpia e të drejtëve ka për të qëndruar.+
8 Njeriu do të lëvdohet për maturinë e gojës së tij,+ por kush ka një zemër të shtrembër, do të përçmohet.+
9 Më mirë ai që vlerësohet pak, por që ka një shërbëtor, se ai që i jep lavdi vetes, por i mungon buka.+
10 I drejti kujdeset për shpirtin e kafshës së tij shtëpiake,+ por mëshira e të ligjve është mizore.+
11 Kush e punon tokën, do të ngopet me bukë,+ por ai që ndjek gjëra të kota, ka një zemër pa gjykim të mirë.*+
12 I ligu dëshiron prenë e zënë në rrjetën e të këqijve,+ por rrënja e të drejtëve jep fryt.+
13 Njeriu i keq zihet në lak prej shkeljeve të buzëve të tij,+ por i drejti del nga ankthi.+
14 Prej frytit të gojës së vet njeriu ngopet me të mira,+ dhe ato që kanë bërë duart e tij, do të kthehen tek ai.+
15 Udha e tij i duket e drejtë të marrit,+ por i mençur është ai që e dëgjon këshillën.+
16 Njeriu i marrë e tregon brenda ditës acarimin e tij,+ por njeriu mendjehollë mbulon një çnderim.+
17 Kush thotë fjalë të besueshme, do të tregojë të drejtën,+ kurse dëshmitari i rremë, mashtrimin.+
18 Ka nga ata që flasin pa u menduar si me goditje shpate,+ por gjuha e të mençurve është shërim.+
19 Buzët e së vërtetës+ do të jenë përgjithmonë të qëndrueshme,+ kurse gjuha gënjeshtare do të zgjatë veç një çast.+
20 Mashtrim ka në zemrën e atyre që sajojnë të keqen,+ kurse ata që këshillojnë paqe, kanë gëzim.+
21 Asgjë e dëmshme s’do t’i ndodhë të drejtit,+ por të ligjtë kanë për t’u mbushur me të këqija.+
22 Buzët gënjeshtare janë të pështira për Jehovain,+ por ata që veprojnë me besueshmëri, janë kënaqësi për të.+
23 Njeriu mendjehollë e mbulon njohurinë,+ kurse zemra e budallenjve e shpall marrëzinë.+
24 Dora e atyre që ngulmojnë, do të sundojë,+ kurse dora e ngathët do të jetë për punë të detyruar.+
25 Nga ankthi i zemrës njeriu kërruset,+ kurse fjalët e mira e gëzojnë.+
26 I drejti e vëzhgon kullotën e vet, por udha e të ligjve i bën ata të shkojnë sa andej-këtej.+
27 Ngathtësia nuk e nxjerr gjahun nga strofulla,+ por ngulmimi është pasuri e çmuar për njeriun.
28 Në shtegun e drejtësisë ka jetë,+ dhe të ecësh në udhën e saj do të thotë të mos kesh vdekje.+

