Proverbat 17:1-28
17 Më mirë një copë bukë e thatë me qetësi,+ se një shtëpi plot flijime, por me sherre.+
2 Shërbëtori që tregon gjykim të thellë, do të sundojë mbi birin që vepron në mënyrë të turpshme+ dhe do të ketë një pjesë trashëgimie mes vëllezërve.+
3 Kazani i rafinimit është për argjendin dhe furra për arin,+ por ai që shqyrton zemrat+ është Jehovai.
4 Keqbërësi u kushton vëmendje buzëve që bëjnë dëm.+ Gënjeshtari i vë veshin gjuhës që shkakton halle.+
5 Kush përqesh të vobektin, poshtëron Bërësin e tij.+ Kush gëzon për katastrofën e tjetrit, nuk do të lihet pa u ndëshkuar.+
6 Kurora e të moshuarve janë nipërit,+ dhe bukuria e bijve janë etërit e tyre.+
7 Buzët e drejtësisë nuk i shkojnë për shtat të pamendit,+ e aq më pak një fisniku buzët gënjeshtare!+
8 Për atë që e ka, dhurata është një gur i çmuar për të gjetur hir.+ Ngado të kthehet, ai ia del mbanë.+
9 Kush e mbulon shkeljen, kërkon dashuri,+ dhe kush vazhdon të flasë për një çështje, ndan shokët e ngushtë.+
10 Më thellë vepron një qortim te njeriu me kuptueshmëri,+ se njëqind goditje te budallai.+
11 Njeriu i keq kërkon vetëm rebelim,+ dhe mizor është lajmëtari që dërgohet kundër tij.+
12 Është më mirë për njeriun t’i dalë përpara një arushë që ka mbetur pa këlyshët e saj,+ se një budalla në marrëzinë e tij.+
13 E keqja s’do të largohet nga shtëpia e atij+ që e kthen të mirën me të keqe.+
14 Fillimi i grindjes është sikur t’u çelësh rrugë ujërave;+ largohu, pra, përpara se të plasë sherri.+
15 Edhe ai që e shpall të ligun të drejtë,+ edhe ai që e shpall të drejtin të lig,+ që të dy janë të pështirë për Jehovain.+
16 Pse është në dorë të budallait çmimi për të blerë mençuri,+ kur ai ka një zemër që s’kupton?+
17 Shoku i vërtetë të do në çdo kohë,+ dhe të bëhet vëlla në ditë të vështira.+
18 Njeriu që ka një zemër pa gjykim të mirë* e jep dorën në shenjë marrëveshjeje,+ duke u bërë plotësisht garant për shokun e tij.+
19 Kush e do shkeljen, do grindje.+ Kush e bën të lartë portën e hyrjes, kërkon rrëzimin.+
20 Kush është dredharak në zemër, nuk do të gjejë mirë,+ dhe kush bën dredha me gjuhë, do të bjerë në telashe.+
21 Kush lind një fëmijë budalla, ka hidhërim,+ dhe ati i një fëmije të pamend s’gëzon.+
22 Një zemër e gëzuar të bën mirë porsi ilaç,+ por një frymë e dërrmuar i than kockat.+
23 I ligu e merr ryshfetin që del fshehurazi nga gjiri,+ që të shtrembërojë shtigjet e gjykimit.+
24 Mençuria është para fytyrës së njeriut me kuptueshmëri,+ por sytë e budallait enden nëpër skajet e tokës.+
25 Një bir budalla është vrer për të atin+ dhe hidhësi për atë që e ka lindur.+
26 S’është mirë t’i vësh gjobë të drejtit.+ Të godasësh fisnikët është kundër asaj që është e drejtë.+
27 Kush i frenon fjalët e veta, zotëron njohuri,+ dhe njeriu me aftësi dalluese është gjakftohtë.+
28 Edhe i marri, kur rri në heshtje, do të shihet si i mençur,+ dhe kush i mbyll buzët, si një që ka kuptueshmëri.

