Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Mbajeni mendjen të ngulitur te gjërat në qiell»

«Mbajeni mendjen të ngulitur te gjërat në qiell»

«Mbajeni mendjen të ngulitur te gjërat në qiell, jo te gjërat në tokë.»KOLOS. 3:2.

1, 2. (a) Pse kongregacioni i Kolosesë në shekullin e parë ishte në rrezik të madh? (b) Cila këshillë iu dha vëllezërve në Kolose që të qëndronin të patundur?

KONGREGACIONI i Kolosesë në shekullin e parë ishte në rrezik të madh. Disa pjesëtarë të tij po krijonin përçarje duke këmbëngulur të zbatohej Ligji i Moisiut. Të tjerë ishin tifozë të filozofisë pagane të asketizmit, që përfshinte vetëmohimin ekstrem. Duke iu kundërvënë atyre mësimeve të rreme, apostulli Pavël u shkroi kolosianëve një letër zemërdhënëse si edhe paralajmëruese. Ai u tha: «Ruhuni që të mos ju bëjë ndokush prenë e vet nëpërmjet filozofisë dhe mashtrimeve boshe, sipas traditës së njerëzve, sipas gjërave elementare të botës, e jo në përputhje me mësimet e Krishtit.»Kolos. 2:8.

2 Po ta ngulitnin mendjen te ‘gjërat elementare të botës’, ata të mirosur do t’i kthenin shpinën masës së Jehovait për shpëtim. (Kolos. 2:20-23) Nëse donin të ruanin marrëdhënien e vyer me Perëndinë, duhej të vepronin siç i nxiti Pavli: «Mbajeni mendjen të ngulitur te gjërat në qiell, jo te gjërat në tokë.» (Kolos. 3:2) E pra, vëllezërit e Krishtit duhej të  mbanin ndër mend shpresën e tyre për trashëgiminë e paprishshme që ‘ruhej për ta në qiej’.Kolos. 1:4, 5.

3. (a) Cilën shpresë mbajnë në mendje të mirosurit? (b) Cilat pyetje do të shqyrtojmë në këtë artikull?

3 Edhe sot të mirosurit e mbajnë mendjen të ngulitur te Mbretëria qiellore e Perëndisë dhe te shpresa për të qenë «bashkëtrashëgimtarë me Krishtin». (Rom. 8:14-17) Por si zbatohen fjalët e Pavlit për ata që kanë shpresë tokësore? Si mund ta mbajnë mendjen te «gjërat në qiell» «delet e tjera»? (Gjoni 10:16) Pavarësisht nga shpresa jonë, si mund të nxjerrim dobi nga shqyrtimi i shembujve të besnikëve të lashtësisë, si Abrahami dhe Moisiu që, me gjithë hallet e tyre, e mbanin mendjen të ngulitur te gjërat në qiell?

Ç’DO TË THOTË TA MBAJMË MENDJEN TË NGULITUR TE GJËRAT NË QIELL

4. Si mund ta mbajnë mendjen të ngulitur te gjërat në qiell delet e tjera?

4 Ndonëse nuk kanë shpresë qiellore, edhe delet e tjera mund ta mbajnë mendjen te gjërat në qiell. Si? Duke i dhënë përparësi Perëndisë Jehova dhe Mbretërisë së tij. (Luka 10:25-27) Për këtë ndjekim si model Krishtin. (1 Pjet. 2:21) Ashtu si vëllezërit në shekullin e parë, në sistemin e Satanait bombardohemi me arsyetime të shtrembëra, filozofi të botës dhe qëndrime materialiste. (Lexo 2 Korintasve 10:5.) Si imitues të Jezuit, duhet të jemi syçelë e të ruhemi nga këto orvatje për të na dëmtuar frymësisht.

5. Si mund ta shqyrtojmë pikëpamjen tonë për të mirat materiale?

5 A jemi ndikuar nga pikëpamja e botës për të mirat materiale? Mendimet dhe veprimet tona zakonisht zbulojnë çfarë duam më shumë. Jezui tha: «Ku të jetë thesari yt, atje do të jetë edhe zemra jote.» (Mat. 6:21) Që të kuptojmë ku po na çon zemra, bëjmë mirë që herë pas here të shqyrtojmë veten me pyetje të tilla: «Sa kohë harxhoj duke menduar për punë parash? A më hanë goxha kohë shqetësimet për mundësitë dhe investimet në biznes, ose planet për kushte më të mira? Apo përkundrazi, bëj çmos ta mbaj syrin te gjërat frymore?» (Mat. 6:22) Jezui shpjegoi se ata që i kushtojnë më tepër rëndësi ‘grumbullimit të thesareve në tokë’, e rrezikojnë seriozisht gjendjen frymore.Mat. 6:19, 20, 24.

6. Si e fitojmë betejën kundër prirjeve të mishit të papërsosur?

6 Mishi ynë i papërsosur na shtyn të jepemi pas gjërave që na kënaqin shqisat. (Lexo Romakëve 7:21-25.) Po të mos veprojë në jetën tonë fryma e shenjtë e Perëndisë, mund t’u dorëzohemi ‘veprave që i përkasin errësirës’. Këto mund të përfshijnë veprime të tilla, si ‘ahengje të shfrenuara e dehje . . . marrëdhënie seksuale të paligjshme dhe sjellje të shthurur’. (Rom. 13:12, 13) Për të fituar betejën kundër ‘gjërave në tokë’, pra gjërave që i duken tërheqëse njeriut, duhet ta mbajmë mendjen të ngulitur te gjërat në qiell. Kjo kërkon përpjekje. Ja pse apostulli Pavël tha: «E rrah me grushte trupin tim dhe e drejtoj si një skllav.» (1 Kor. 9:27) Pra, nëse duam të mbetemi në garën për jetë, duhet të jemi të rreptë me veten. Le të shohim çfarë bënë dy besnikë të lashtësisë që ‘t’i pëlqenin Perëndisë’.Hebr. 11:6.

ABRAHAMI «TREGOI BESIM TE JEHOVAI»

7, 8. (a) Çfarë telashesh hasën Abrahami dhe Sara? (b) Ku i rrinte mendja Abrahamit?

7 Kur Jehovai e udhëzoi Abrahamin  të transferohej në Kanaan me gjithë njerëzit e shtëpisë, ai nuk ia bëri fjalën dysh. Për shkak të besimit dhe të bindjes së Abrahamit, Jehovai bëri një besëlidhje me të. I premtoi: «Unë do të bëj nga ti një komb të madh, do të të bekoj.» (Zan. 12:2) Mirëpo rrodhën vite dhe Abrahami me të shoqen, Sarën, akoma s’kishin fëmijë. Mos iu duk sikur Jehovai e kishte harruar premtimin që i kishte bërë Abrahamit? Të mbajmë parasysh edhe se jeta në Kanaan ishte goxha e vështirë. Abrahami dhe njerëzit e vet lanë shtëpinë e të afërmit në Ur, një qytet i begatë në Mesopotami. Bënë mbi 1.600 kilometra rrugë për në Kanaan. Atje jetuan në tenda, vuajtën nga zia e bukës dhe u kërcënuan nga kusarët. (Zan. 12:5, 10; 13:18; 14:10-16) Prapëseprapë as u shkonte ndër mend të ktheheshin te rehatitë e Urit.Lexo Hebrenjve 11:8-12, 15.

8 Në vend që të përqendrohej te «gjërat në tokë», Abrahami «tregoi besim te Jehovai». (Zan. 15:6) E nguliti mendjen te gjërat në qiell, domethënë u përqendrua te premtimet e Perëndisë. Prandaj, besimi i Abrahamit u shpërblye kur Perëndia më i Lartë iu shfaq dhe i tha: «‘Të lutem, ngriji sytë drejt qiellit dhe numëro yjet, nëse mund t’i numërosh.’ Dhe vazhdoi: ‘Kështu do të bëhet fara jote.’» (Zan. 15:5) Sa shumë duhet t’i ketë dhënë zemër kjo! Sa herë të sodiste qiellin yjeplotë, Abrahamit do t’i kujtohej ky premtim i Jehovait se do ta shumonte pasardhjen e tij. Kur erdhi koha e Perëndisë, i lindi një trashëgimtar, pikërisht siç premtoi Ai.Zan. 21:1, 2.

9. Pse nuk do të plogështohemi në shërbimin e Perëndisë po të ndjekim shembullin e Abrahamit?

9 Ashtu si Abrahami, edhe ne presim të plotësohen premtimet e Perëndisë. (2 Pjet. 3:13) Nëse nuk e mbajmë mendjen të ngulitur te gjërat në qiell, rrezik të na duket sikur plotësimi i këtyre premtimeve po vonohet dhe mund të plogështohemi frymësisht. Për shembull, a ke bërë sakrifica në të kaluarën që të shërbeje si pionier a të zgjeroje shërbimin në ndonjë mënyrë tjetër? Nëse po, bravo të qoftë! Po tani? Mos harro se Abrahami s’e hiqte mendjen kurrë nga ‘qyteti që ka themele të vërteta’. (Hebr. 11:10) Ai «tregoi besim te Jehovai, dhe kjo iu llogarit si drejtësi».Rom. 4:3.

MOISIU PA «ATË QË ËSHTË I PADUKSHËM»

10. Si u rrit Moisiu?

10 Një tjetër që e mbajti mendjen të ngulitur te gjërat në qiell ishte Moisiu. Në rini «mësoi gjithë mençurinë e egjiptianëve» që nuk ishte arsimim dosido. Egjipti ishte superfuqia e kohës, e madje Moisiu ishte pjesë e familjes së faraonit. S’është çudi që nga ai arsimim i lartë, Moisiu u bë «i fuqishëm në fjalë e në vepra». (Vep. 7:22) Përfytyro çfarë perspektivash do t’i kishte hapur kjo! Sidoqoftë, Moisiu e mbajti mendjen te diçka më fisnike—të bënte vullnetin e Perëndisë.

11, 12. Cilin arsimim çmonte Moisiu dhe si e dimë këtë?

11 S’ka dyshim se që në moshë të njomë, e ëma, Jokebeda, i kishte mësuar Moisiut për Perëndinë e hebrenjve. Ai e çmonte njohurinë e Jehovait; për të ajo kishte më shumë vlerë se çdo pasuri tjetër. Prandaj hoqi dorë nga përparësitë dhe privilegjet që i përkitnin si pjesëtar i familjes së faraonit. (Lexo Hebrenjve 11:24-27.) Arsimimi frymor dhe besimi  te Jehovai e nxitën Moisiun ta mbante mendjen te gjërat në qiell.

12 Moisiu mori arsimimin më të mirë që ofronte bota asokohe. Mirëpo, a e përdori që të bënte karrierë në Egjipt, të fitonte famë ose të rronte mes luksit? Jo. Përndryshe s’do të ndodhte siç thotë Bibla: «Nuk pranoi të quhej biri i bijës së faraonit dhe zgjodhi të keqtrajtohej me popullin e Perëndisë, në vend që të gëzonte kënaqësinë e përkohshme të mëkatit.» Është më se e qartë se Moisiu përkrahu qëllimin e Jehovait duke përdorur arsimimin frymor.

13, 14. (a) Ç’e ndihmoi Moisiun të kualifikohej për caktimin që do të merrte nga Jehovai? (b) Ashtu si Moisiu, për çfarë mund të kemi nevojë?

13 Moisiu e kishte për zemër Jehovain dhe popullin e Tij. Në moshën 40-vjeçare ai pandehu se ishte gati të bënte pjesën e tij për të çliruar popullin e Perëndisë nga vargonjtë e Egjiptit. (Vep. 7:23-25) Mirëpo, para se Jehovai t’i jepte këtë caktim, Moisiut i duhej diçka tjetër. Duhej të zhvillonte cilësi të tilla, si përulësinë, durimin, butësinë dhe vetëkontrollin. (Prov. 15:33) I nevojitej një stërvitje që do ta përgatiste t’u bënte ballë sprovave e vështirësive që e pritnin. Disa dekada si bari do t’i jepnin stërvitjen e nevojshme për të zhvilluar këto cilësi hyjnore.

14 A i vlejti Moisiut stërvitja praktike si bari? Pa diskutim! Fjala e Perëndisë thotë se Moisiu u bë «më zemërbuti ndër të gjithë ata që rronin mbi faqen e dheut». (Num. 12:3) Kishte zhvilluar përulësi, që e ndihmoi të trajtonte me durim lloj-lloj njerëzish dhe probleme të koklavitura. (Dal. 18:26) Edhe ne mund të kemi nevojë të zhvillojmë cilësi frymore që do të na duhen për të kaluar ‘shtrëngimin e madh’ e për të hyrë në botën e re dhe të drejtë të Perëndisë. (Zbul. 7:14) A shkojmë mirë me të tjerët, përfshirë ata që, sipas nesh, kanë luhatje humori të befta ose janë tepër të ndjeshëm? Bëjmë mirë t’u vëmë veshin fjalëve të apostullit Pjetër kur i nxiti bashkëbesimtarët: «Nderoni njerëzit e çdo lloji, kini dashuri për gjithë vëllazërinë.»1 Pjet. 2:17.

TA MBAJMË MENDJEN TË NGULITUR TE GJËRAT NË QIELL

15, 16. (a) Pse është jetësore ta mbajmë mendjen aty ku duhet? (b) Pse është e rëndësishme të kemi përherë sjellje të mirë?

15 Jetojmë në «kohë kritike, të vështira për t’u përballuar». (2 Tim. 3:1) Ndaj, që të mbetemi zgjuar frymësisht, duhet ta mbajmë mendjen aty ku duhet. (1 Sel. 5:6-9) Të shohim si mund ta bëjmë këtë në tri aspekte të jetës.

16 Sjellja: Pjetri e kuptoi sa rëndësi ka sjellja e mirë. Ai tha: «Mbajeni të shkëlqyer sjelljen tuaj mes njerëzve nga bota, me qëllim që . . . t’i japin lavdi Perëndisë, si rrjedhim i veprave tuaja të shkëlqyera, për të cilat janë dëshmitarë okularë.» (1 Pjet. 2:12) Kurdoherë, në shtëpi, në punë, në shkollë, në kohën e lirë a në shërbim, bëjmë të pamundurën t’i japim lavdi Jehovait me sjelljen tonë të shkëlqyer. S’diskutohet, si të papërsosur të gjithë bëjmë gabime. (Rom. 3:23) Por, nëse vazhdojmë ‘të bëjmë luftën e shkëlqyer të besimit’, mund ta fitojmë betejën kundër mishit të papërsosur.1 Tim. 6:12.

17. Si mund ta imitojmë qëndrimin mendor të Krishtit Jezu? (Shih figurën hapëse.)

17 Qëndrimi: Sjellja e shkëlqyer lidhet ngushtë me qëndrimin e duhur. Apostulli Pavël thotë: «Mbani po atë qëndrim mendor që kishte edhe  Krishti Jezu.» (Filip. 2:5) Jezui kishte natyrë të përulur. Përulësia e shtynte të ishte vetëmohues në shërbim. Predikimi i lajmit të mirë për Mbretërinë e Perëndisë zinte vend parësor në mendjen e tij. (Mar. 1:38; 13:10) Për Jezuin, Fjala e Perëndisë ishte autoritet absolut. (Gjoni 7:16; 8:28) I studionte me etje Shkrimet e Shenjta ndaj arrinte t’i citonte, t’i mbronte e t’i shpjegonte. Përulësia e zelli në shërbim dhe studimin personal të Biblës do të na ndihmojnë të mendojmë më shumë si Krishti.

Predikimi i lajmit të mirë për Mbretërinë e Perëndisë zinte vend parësor në mendjen e Jezuit (Shih paragrafin 17.)

18. Ç’përpjekje të rëndësishme mund të bëjmë në veprën e Jehovait?

18 Përpjekjet tona: Jehovai ka si qëllim që ‘në emër të Jezuit, të përkulet çdo gju i atyre në qiell dhe i atyre mbi tokë’. (Filip. 2:9-11) Edhe në pozitën e tij të lartësuar, Jezui do t’i nënshtrohet përulësisht vullnetit të të Atit. (1 Kor. 15:28) Kështu duhet të bëjmë edhe ne. Si? Duke u përpjekur me gjithë shpirt në veprën që na është caktuar, pra ‘të bëjmë dishepuj njerëz nga të gjitha kombet’. (Mat. 28:19) Gjithashtu duam «të bëjmë atë që është e mirë ndaj të gjithëve», ndaj vëllezërve tanë dhe ndaj të tjerëve.Gal. 6:10.

19. Për çfarë duhet të jemi të vendosur?

19 Faleminderit Jehovait që na kujton ta mbajmë mendjen të ngulitur te gjërat në qiell! Për këtë duhet «të vrapojmë me qëndrueshmëri në garën që na është vënë përpara». (Hebr. 12:1) Punofshim «me gjithë shpirt si për Jehovain», dhe Ati ynë qiellor do t’i shpërblejë këto përpjekje të sinqerta.Kolos. 3:23, 24.