Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A po jep fryt e vërteta tek ata që mëson?

A po jep fryt e vërteta tek ata që mëson?

A po jep fryt e vërteta tek ata që mëson?

PRINDËRIT e një të riu me emrin Erik u tronditën kur ky u tha se nuk donte të ishte më Dëshmitar i Jehovait. Nuk kishin kuptuar asgjë më parë. Eriku gjithmonë kishte marrë pjesë në studimin familjar të Biblës, kishte shkuar në mbledhjet e krishtere dhe kishte dalë në shërbim me kongregacionin. Ishte në të vërtetën, ose të paktën kështu dukej. Por tani që kishte ikur nga shtëpia, prindërit e kuptuan se e vërteta e Biblës nuk i kishte prekur zemrën. Kur e kuptuan, kjo jo vetëm që i tronditi thellë, por në të njëjtën kohë edhe i zhgënjeu.

Edhe të tjerë kanë provuar zhgënjim të ngjashëm kur ata me të cilët studionin Biblën, papritur kanë lënë studimin. Shpesh në këto raste ata pyesin veten: ‘Pse nuk e kuptova më parë?’ Atëherë, a është e mundur të kuptojmë nëse e vërteta po jep fryt tek ata që mësojmë, para se të vijë katastrofa frymore? Nga ana tjetër, si mund të jemi të sigurt nëse e vërteta po ndikon edhe te ne, përveçse tek ata njerëz që po ua mësojmë këtë të vërtetë? Ilustrimi i njohur i Jezuit për mbjellësin, na ndihmon të gjejmë përgjigjet e këtyre pyetjeve.

E vërteta duhet të prekë zemrën

Jezui tha: «Fara është fjala e Perëndisë. Sa për atë [që u mboll] në tokën e shkëlqyer, këto janë ata që pasi e dëgjojnë fjalën me një zemër të shkëlqyer e të mirë, e mbajnë dhe japin fryt me qëndrueshmëri.» (Luka 8:11, 15) Kështu që, para se e vërteta e Mbretërisë të japë fryt te studentët tanë, ajo duhet të zërë rrënjë në zemrën e tyre. Jezui na siguron se, kur e vërteta hyjnore prek një zemër të mirë, ajo fillon menjëherë të ndikojë dhe të japë fryt, ashtu si fara e mirë në tokën e shkëlqyer. Por, për çfarë duhet të kërkojmë?

Duhet t’u kushtojmë vëmendje zemrës dhe cilësive që ajo shfaq, jo asaj që mund të duket nga jashtë. Fakti që dikush është i rregullt në veprimtaritë frymore, nuk tregon gjithnjë se çfarë ka vërtet në zemër. (Jeremia 17:9, 10; Mateu 15:7-9) Duhet të shohim më thellë. Duhet të ketë një ndryshim të qartë në dëshirat, motivet dhe përparësitë e tij. Duhet të zhvillojë personalitetin e ri, që është në përputhje me vullnetin e Perëndisë. (Efesianëve 4:20-24) Ta ilustrojmë: kur selanikasit dëgjuan lajmin e mirë, Pavli tha se ata e pranuan menjëherë si fjalën e Perëndisë. Por ishte qëndrueshmëria e tyre e mëvonshme, besnikëria dhe dashuria, që e ndihmuan Pavlin të kuptonte se e vërteta ishte «në veprim tek [ata]».​—1 Selanikasve 2:13, 14; 3:6.

Sigurisht, ashtu si dhe në rastin e Erikut, herët ose vonë, sjellja do të tregojë se çfarë ka në zemër studenti. (Marku 7:21, 22; Jakovi 1:14, 15) Mjerisht, atëherë kur disa veçori të këqija bëhen të dukshme nga veprimet e tij, mund të jetë tepër vonë. Pra, sfida është si të dallojmë disa dobësi specifike para se këto të bëhen shkak për rënien frymore. Duhet të dimë mënyrën se si të zhbirojmë në zemrën e tij. Si mund ta bëjmë këtë?

Të mësojmë nga Jezui

Sigurisht, Jezui mund t’i lexonte zemrat në mënyrë të pagabueshme. (Mateu 12:25) Ndërsa ne nuk mund ta bëjmë këtë. Megjithatë, ai na tregoi se edhe ne mund t’i dallojmë dëshirat, motivet dhe përparësitë e dikujt. Ashtu si një doktor i mirë, i cili përdor mënyra të ndryshme për të diagnostikuar problemet e zemrës së një pacienti, po kështu Jezui përdorte Fjalën e Perëndisë për të kuptuar dhe për të ‘nxjerrë’ në pah «mendimet dhe qëllimet e zemrës», madje edhe në rastet kur të tjerët nuk arrinin t’i kuptonin.​—Fjalët e urta 20:5; Hebrenjve 4:12.

Për shembull, në një rast Jezui e ndihmoi Pjetrin që të kuptonte te vetja një dobësi, e cila më vonë iu bë vërtet një pengesë. Ai e dinte se Pjetri e donte. Në të vërtetë, Jezui sapo i kishte besuar atij «çelësat e mbretërisë». (Mateu 16:13-19) Jezui e dinte edhe se Satanai i kishte vënë apostujt në shënjestër. Në ditët e mëpasshme, ata do të ishin nën presion të madh për të bërë kompromis. Me sa duket, Jezui e kuptonte se në disa aspekte besimi dishepujve ishte i dobët. Kështu që, nuk ngurroi t’ua bënte të qartë se ku duhej të punonin. Shiko se si e hapi bisedën për këtë çështje.

Te Mateu 16:21 thuhet: «Që nga ajo kohë, Jezu Krishti nisi t’u tregonte dishepujve të tij se ai duhej . . . të vuante . . . dhe të vritej.» Jezui nuk u mjaftua vetëm duke u thënë atë që do t’i ndodhte, por ka shumë të ngjarë që t’ua ketë shpjeguar duke cituar vargje të tilla nga Bibla, si Psalmi 22:14-18 ose Isaia 53:10-12, ku tregohet se Mesia do të vuante dhe do të vdiste. Sidoqoftë, duke u lexuar dhe duke u cituar drejtpërdrejt nga Shkrimet, Jezui u dha mundësi Pjetrit dhe të tjerëve për t’u përgjigjur nga zemra. Si do të reagonin ndaj faktit që në të ardhmen mund të hasnin përndjekje?

Për çudi, megjithëse Pjetri ishte i guximshëm dhe i zellshëm, në këtë rast përgjigjja e nxituar që dha zbuloi në mënyrën e tij të të menduarit një të metë serioze. Ai tha: «Ji i mirë me veten, Zotëri; ti nuk do të kesh aspak këtë përfundim.» Dukej qartë se Pjetri po mendonte në mënyrë të gabuar, sepse siç tha Jezui, Pjetri nuk mendonte me ‘mendimet e Perëndisë, por me ato të njerëzve’, dhe kjo ishte një e metë serioze që mund t’i sillte pasoja të rënda. Po çfarë bëri Jezui? Pasi e qortoi, Jezui i tha Pjetrit dhe dishepujve të tjerë: «Nëse ndokush dëshiron të vijë pas meje, le ta mohojë veten, të marrë shtyllën e tij të torturës dhe të më ndjekë vazhdimisht.» Duke marrë shkas nga Psalmi 49:8 dhe 62:12, ai me butësi u kujtoi se shpresa e jetës së përhershme nuk varej nga njerëzit, të cilët nuk mund të na shpëtojnë dot, por nga Perëndia.​—Mateu 16:22-28.

Megjithëse më pas, Pjetrin për pak kohë e mposhti frika dhe e mohoi Jezuin tri herë, pa dyshim kjo bisedë dhe të tjera si këto e përgatitën atë që ta rimerrte veten shpejt frymësisht. (Gjoni 21:15-19) Vetëm 50 ditë më vonë, Pjetri u ngrit me guxim para një turme të madhe për të dëshmuar për ringjalljen e Jezuit. Gjatë javëve, muajve dhe viteve që pasuan, ai i përballoi me guxim arrestimet e shpeshta, rrahjet dhe burgimin, duke lënë kështu një shembull të shkëlqyer me besnikërinë e tij të patundur.​—Veprat 2:14-36; 4:18-21; 5:29-32, 40-42; 12:3-5.

Çfarë mësimi nxjerrim nga kjo? A e dalloni se çfarë bëri Jezui për të kuptuar dhe për të nxjerrë në pah atë që kishte në zemër Pjetri? Së pari, zgjodhi shkrime të përshtatshme për ta drejtuar vëmendjen e Pjetrit te një problem specifik. Së dyti, i dha atij mundësinë për t’u përgjigjur nga zemra. Dhe së treti, me anë të këshillave nga Shkrimet, e ndihmoi Pjetrin të ndreqte mënyrën e të menduarit dhe t’i vinte ndjenjat në përputhje me të. Ju ndoshta mendoni se nuk jeni aq të aftë sa të arrini këtë nivel mësimdhënieje, por le të shikojmë pak dy përvoja, të cilat tregojnë se si përgatitja dhe mbështetja te Jehovai mund të na ndihmojnë të gjithëve që të ndjekim shembullin e Jezuit.

Të nxjerrim çfarë ka në zemër

Kur një baba i krishterë mori vesh se dy djemtë e tij, njëri në klasë të parë dhe tjetri në të dytën, kishin vjedhur disa ëmbëlsira nga tavolina e mësueses, u ul dhe arsyetoi me ta. Në vend që ta konsideronte këtë si një lojë fëmijësh të padëmshme, ai thotë: «U përpoqa të nxirrja nga zemra e tyre motivin që i kishte shtyrë të bënin një gjë të tillë.»

Ai u tha fëmijëve të kujtonin çfarë i kishte ndodhur Akanit, siç tregohet në kapitullin e shtatë të librit të Jozueut. Djemtë menjëherë e kuptuan dhe e pranuan gabimin. Tashmë ndërgjegjja i kishte ngacmuar edhe para se të flisnin me babanë. Ai u tha të lexonin Efesianëve 4:28 ku thuhet: «Vjedhësi le të mos vjedhë më, por më mirë të punojë pa u lodhur . . . që të ketë diçka për t’i shpërndarë ndonjë nevojtari.» Për të kompensuar atë që kishin bërë, u tha fëmijëve të blinin ëmbëlsira për t’ia kthyer mësueses, dhe kjo gjë ua nguliti më mirë në mend këshillën e Biblës.

Babai shprehet: «Sapo dallonim ndonjë motiv të gabuar te fëmijët, përpiqeshim që ta çrrënjosnim dhe, duke arsyetuar me ta, e zëvendësonim me motive të mira e të pastra.» Duke imituar Jezuin kur edukuan fëmijët e tyre, sigurisht që me kalimin e kohës këta prindër patën rezultate të mira. Kur u rritën, të dy djemtë i ftuan të bëheshin anëtarë të familjes Bethel, në selinë e Bruklinit, ku njëri prej tyre është duke shërbyer që prej 25 vjetësh.

Ja si e ndihmoi një e krishterë tjetër studenten e saj të Biblës. Studentja shkonte në mbledhje, dilte në shërbim dhe kishte shprehur dëshirën për t’u pagëzuar. Megjithatë, me sa dukej, ajo mbështetej më shumë te vetja sesa te Jehovai. Dëshmitarja tregon: «Duke qenë e pamartuar, ishte bërë më e pavarur nga sa mendonte. Kisha frikë se mos, për shkak të kësaj pavarësie, pësonte ndonjë krizë nervore ose rënie frymore.»

Prandaj, duke u bazuar te Mateu 6:33, Dëshmitarja mori iniciativën për të arsyetuar me studenten, duke e inkurajuar t’i jepte përparësi gjërave të duhura, pra, të vendoste në vend të parë Mbretërinë dhe të kishte besim te Jehovai se gjërat do të shkonin vërtet më mirë për të. E pyeti hapur: «Mos vallë ngaqë jeton vetëm, e ke të vështirë të mbështetesh te të tjerët, e madje edhe te Jehovai?» Studentja pranoi se pothuajse nuk lutej më. Pastaj lajmëtarja e inkurajoi të ndiqte këshillën që gjendet te Psalmi 55:22, pra të hidhte barrën mbi Jehovain, sepse siç na siguron edhe shkrimi te 1 Pjetrit 5:7 ‘ai interesohet për ne’. Këto fjalë i prekën zemrën. Dëshmitarja thotë: «Ky ishte një nga rastet e pakta që e pashë të qante.»

E vërteta le të vazhdojë të veprojë te ju

Për ne është gëzim i madh kur shohim se ata që mësojmë reagojnë mirë ndaj të vërtetës biblike. Por, nëse duam që përpjekjet tona për t’i ndihmuar të tjerët të kenë sukses, duhet të jemi ne të parët për të lënë një shembull të mirë. (Juda 22, 23) Të gjithë kemi nevojë që ‘të vazhdojmë të punojmë për shpëtimin e vetes sonë me frikë dhe me dridhma’. (Filipianëve 2:12) Kjo do të thotë se vazhdimisht duhet të lejojmë që drita e Shkrimeve t’i ndriçojë zemrat tona, duke ndikuar në qëndrimin, dëshirat dhe gjërat që kemi për zemër, të cilat mund të kenë nevojë për t’u ndrequr.​—2 Pjetrit 1:19.

Për shembull, a vazhdon të kesh të njëjtin zell si më parë për veprimtaritë e krishtere? Nëse jo, përse? Një arsye mund të jetë se mbështetesh tepër te vetja. Si mund ta kuptosh nëse kjo është e vërtetë? Lexo Hagain 1:2-11, dhe medito sinqerisht për arsyetimin që përdori Jehovai me judenjtë e riatdhesuar. Pastaj pyet veten: ‘A shqetësohem së tepërmi për sigurinë financiare dhe për komoditetet? A kam vërtet besim se Jehovai do të kujdeset për familjen time, nëse vë në vend të parë gjërat frymore? Apo mendoj se duhet të kujdesem së pari për veten?’ Nëse qëndrimi yt mendor ose ndjenjat e tua kanë nevojë për rregullime, mos ngurro. Këshillat biblike, si ato që gjenden te Mateu 6:25-33, Luka 12:13-21 dhe 1 Timoteu 6:6-12, hedhin bazën për të pasur një pikëpamje të drejtpeshuar për nevojat dhe gjërat materiale, gjë që sjell bekime të vazhdueshme nga Jehovai.​—Malakia 3:10.

Ky vetëshqyrtim i sinqertë mund të jetë kthjellues. Kur dikush na nxjerr në pah një dobësi, mund të jetë e vështirë për ta pranuar emocionalisht. Megjithatë, kur ti me dashuri merr iniciativën për të ndihmuar fëmijën, studentin biblik ose veten, pavarësisht se sa personale apo delikate është çështja, ky mund të jetë hapi i parë për të shpëtuar jetën e tij ose jetën tënde.​—Galatasve 6:1.

Po sikur përpjekjet e tua të mos japin fryt? Mos u dorëzo menjëherë! Ndreqja e një zemre të papërsosur mund të jetë një punë delikate, e gjatë dhe nganjëherë sfilitëse. Por mund të jetë edhe shpërblyese.

Në fakt Eriku, djali i ri që u përmend në fillim të artikullit, pas njëfarë kohe erdhi në vete dhe filloi përsëri ‘të ecte në të vërtetën’. (2 Gjonit 4) «Vetëm kur e kuptova çfarë kisha humbur, u ktheva te Jehovai.»​—thotë ai. Me ndihmën e prindërve, tani Eriku po i shërben me besnikëri Perëndisë. Ndonëse më parë nevrikosej kur prindërit e nxitnin të shikonte thellë në zemër, tani është tepër mirënjohës për atë që bënë. «Prindërit e mi janë të mrekullueshëm,​—shprehet ai.​—Dashuria e tyre për mua nuk reshti kurrë.»

Të ndihmosh ata që mëson, në mënyrë që Fjala e Perëndisë t’u ndriçojë zemrën, është shprehje dashamirësie. (Psalmi 141:5) Vazhdo të shqyrtosh zemrën e fëmijëve dhe të studentëve të tu të Biblës për të kuptuar nëse po veshin personalitetin e ri të krishterë. Bëj që e vërteta të veprojë si te ti, ashtu edhe te të tjerët, ‘duke përdorur drejt fjalën e së vërtetës’.​—2 Timoteut 2:15.

[Figura në faqen 29]

Fjalët e Jezuit zbuluan një dobësi të Pjetrit

[Figura në faqen 31]

Përdor Biblën për të kuptuar se çfarë ka në zemër