Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si i kanë marrë disa përgjigjet?

Si i kanë marrë disa përgjigjet?

Si i kanë marrë disa përgjigjet?

MILIONA njerëz luten. Disa janë të bindur se marrin përgjigje për lutjet. Të tjerë pyesin veten nëse dëgjohen ndonjëherë lutjet e tyre. Gjithashtu të tjerë kërkojnë përgjigje, por nuk e kanë çuar nëpër mend që t’ia paraqesin kërkesat Perëndisë në lutje.

Bibla e identifikon Perëndinë e vërtetë si ‘Dëgjuesin e lutjes’. (Psalmi 65:2, BR) Në qoftë se luteni, a jeni të sigurt se lutjet tuaja i drejtohen Perëndisë së vërtetë? A janë lutjet tuaja të tilla që ai t’u përgjigjet atyre?

Për shumë njerëz në të gjitha anët e tokës, përgjigjja ka qenë po! Si morën përgjigje? Çfarë mësuan?

Perëndia: Kush është ai?

Një mësuese në Portugali, e cila ishte arsimuar nga murgeshat dhe priftërinjtë, e praktikonte me çiltërsi besimin e saj. Kur kisha ndryshoi dhe braktisi praktika të cilat ia kishin mësuar se ishin shumë të rëndësishme, mbeti e pështjelluar. Kur shkoi në një vend tjetër, pati mundësinë të njihej me mënyrat orientale të adhurimit dhe filloi të pyeste veten nëse ka apo jo një Perëndi të vërtetë. Si duhej të adhuronte? Kur e pyeti priftin për disa gjëra në Bibël, ajo u zhgënjye që ai nuk pranoi t’i shqyrtonte pyetjet.

Kisha katolike kishte shpërndarë në qytetin e kësaj mësueseje një broshurë që i paralajmëronte anëtarët e kishës të mos bisedonin me Dëshmitarët e Jehovait. Megjithatë mësuesja vazhdonte të kishte pyetje. Një ditë kur Dëshmitaret erdhën në derë, i dëgjoi dhe tregoi interes për atë që dëgjoi. Ishte hera e parë që po fliste me Dëshmitarët e Jehovait.

Për të gjetur përgjigjet e shumë pyetjeve që kishte, kjo grua filloi të studionte Biblën me Dëshmitaret. Çdo javë kishte një listë të gjatë me pyetje. Donte të dinte emrin e Perëndisë, a ka vetëm një Perëndi të vërtetë dhe a e miraton ai përdorimin e shëmbëlltyrave në adhurim, si edhe shumë gjëra të tjera. Vuri re se të gjitha përgjigjet ishin nga Bibla, dhe jo mendimet e tyre, prandaj ishte e befasuar dhe e kënaqur nga ajo që po mësonte. Pak nga pak mori përgjigje për pyetjet e saj të shumta. Sot ajo e adhuron Jehovain me frymë dhe të vërtetë, ashtu siç tha Jezu Krishti se duhej të bënin «adhuruesit e vërtetë».​—Gjoni 4:23.

Në Sri-Lanka, pjesëtarët e një familjeje rregullisht e lexonin Biblën së bashku, por nuk po gjenin përgjigje për shumë pyetje të rëndësishme për ta. Edhe pse kishin nevojë për ndihmë, prifti nuk ishte në gjendje t’ua jepte. Megjithatë familjen e vizituan dy Dëshmitare të Jehovait dhe i lanë literaturë biblike të dobishme. Më vonë, kur Dëshmitarët e Jehovait u dhanë anëtarëve të kësaj familjeje përgjigje të kënaqshme për pyetjet e tyre biblike, ata pranuan një studim biblik. Ajo që mësuan sa herë që bënë studimin u ngjalli shumë interes.

Prapëseprapë, mësimet që i ishin ngulitur që në fëmijëri kur shkonte në kishë e pengonin gruan që të kuptonte se Ati i Jezu Krishtit është, siç e tha vetë Jezui, ‘i vetmi Perëndi i vërtetë’. (Gjoni 17:1, 3) Asaj i kishin mësuar se Jezui është i barabartë me Atin dhe se ky «mister» është i padiskutueshëm. Me sinqeritet dhe e dëshpëruar iu lut Jehovait, duke përdorur emrin e tij, dhe i kërkoi që t’i tregonte se kush është Jezui. Pastaj shqyrtoi me kujdes edhe një herë shkrimet përkatëse. (Gjoni 14:28; 17:21; 1 Korintasve 8:5, 6) Ndjeu sikur iu hapën sytë dhe tanimë e kuptoi qartë se Jehovai, Krijuesi i qiellit e i tokës dhe Ati i Jezu Krishtit, është Perëndia i vërtetë.​—Isaia 42:8; Jeremia 10:10-12.

Vuajtjet: Pse ekzistojnë?

Një njeri që quhej Job vuajti tej mase. Të gjithë fëmijët iu vranë gjatë një stuhie dhe ai u varfërua. Po ashtu vuajti nga një sëmundje e dhembshme dhe hasi presionin që ushtruan miqtë e rremë. I gjendur në këto rrethana Jobi tha disa gjëra të nxituara. (Jobi 6:3) Por Perëndia i mori parasysh rrethanat. (Jobi 35:15) Ai e dinte se çfarë kishte Jobi në zemër dhe i dha atij këshillën e nevojshme. Po kështu vepron edhe me njerëzit sot.

Kastroja nga Mozambiku ishte vetëm dhjetë vjeç kur i vdiq mamaja. Ai ishte tejet i pikëlluar. «Pse duhej të vdiste e të na braktiste?»,​—pyeste. Edhe pse ishte rritur nga prindër me frikë Perëndie, tani nuk arrinte të kuptonte asgjë. Çfarë do t’ia qetësonte mendjen dhe zemrën? Gjeti ngushëllim duke lexuar një Bibël të vogël në gjuhën çiçeua dhe duke diskutuar për të me vëllezërit më të rritur.

Pak nga pak Kastroja arriti të kuptonte se mamaja nuk kishte vdekur për shkak të ndonjë padrejtësie nga ana e Perëndisë, por për shkak të papërsosmërisë së trashëguar. (Romakëve 5:12; 6:23) Premtimi i Biblës për ringjalljen i dha ngushëllimin më të madh, sepse në të gjeti bazën për të besuar se do ta shihte përsëri mamanë. (Gjoni 5:28, 29; Veprat 24:15) Mjerisht vetëm katër vjet më vonë i vdiq babai. Por këtë herë Kastroja ishte më në gjendje për ta përballuar humbjen. Sot ai e do Jehovain dhe e përdor me besnikëri jetën në shërbim të Jehovait. Gëzimi që ka gjetur është i dukshëm për të gjithë që e njohin.

Shumë njerëz që kanë humbur të dashurit e tyre gjejnë ngushëllim në të njëjtat të vërteta biblike që i sollën ngushëllim Kastros. Disa që kanë vuajtur shumë për shkak të veprimeve të njerëzve të ligj, pyesin si Jobi: «Pse, pra, jetojnë të pabesët [të ligjtë, BR]?» (Jobi 21:7) Kur njerëzit dëgjojnë vërtet përgjigjen e Perëndisë nëpërmjet Fjalës së tij, mësojnë se në fakt mënyra se si i trajton çështjet u sjell atyre dobi.​—2 Pjetrit 3:9.

Barbara që u rrit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk i përjetoi drejtpërsëdrejti tmerret e luftës. Por u rrit në mes të një bote në luftë. Raportet për mizoritë e luftës ishin përditë në lajme. Gjatë studimeve në shkollë u ndie e pështjelluar kur mësoi për ngjarje të historisë që ishin zhvilluar në mënyra që dukeshin të paparashikueshme. Si shpjegohej kjo? A interesohej Perëndia për atë që po ndodhte? Barbara besonte se Perëndia ekziston, por kishte ndjenja kontradiktore për të.

Gjithsesi shoqëria me Dëshmitarët e Jehovait e ndihmoi Barbarën të ndryshonte pak nga pak pikëpamjen e saj për jetën. Ajo i dëgjoi dhe studioi Biblën me ta. Ndoqi mbledhjet në një Sallë Mbretërie. Madje shkoi edhe në një nga kongreset e tyre të mëdha. Për më tepër vuri re se sa herë bënte pyetje, nuk merrte mendime të ndryshme nga Dëshmitarë të ndryshëm. Përkundrazi Dëshmitarët flitnin në harmoni, sepse mendimet e tyre bazoheshin në Bibël.

Dëshmitarët i treguan me anë të Biblës prova se bota ndikohet nga Satana Djalli, sundimtari i saj, dhe pasqyron frymën e tij. (Gjoni 14:30; 2 Korintasve 4:4; Efesianëve 2:1-3; 1 Gjonit 5:19) I shpjeguan se ngjarjet që e kishin pështjelluar Barbarën ishin parathënë në Bibël. (Danieli, kapitujt 2, 7 dhe 8) Perëndia i paratha ato ngjarje sepse ka aftësinë për të parë të ardhmen, kur vendos ta bëjë këtë. Disa prej atyre ngjarjeve i kishte shkaktuar Perëndia. Të tjera vetëm sa i kishte lejuar të ndodhnin. Dëshmitarët i treguan Barbarës se Bibla parathotë edhe ngjarjet e mira dhe të këqija të ditëve të sotme dhe se ajo shpjegon domethënien e tyre. (Mateu 24:3-14) I treguan premtimet e Biblës për një botë të re në të cilën do të mbretërojë drejtësia dhe vuajtjet do të jenë një gjë e së kaluarës.​—2 Pjetrit 3:13; Zbulesa 21:3, 4.

Dalëngadalë Barbara filloi të kuptonte që edhe pse Perëndia Jehova nuk është përgjegjës për vuajtjet njerëzore, ai nuk i parandalon ato duke i detyruar njerëzit që t’u binden urdhërimeve të tij kur vendosin të veprojnë ndryshe. (Ligji i përtërirë 30:19, 20) Perëndia ka marrë masa me anë të të cilave mund të jetojmë përgjithmonë të lumtur, por tani po na jep mundësinë që të tregojmë nëse do të jetojmë në harmoni me udhët e tij të drejta. (Zbulesa 14:6, 7) Barbara vendosi të mësonte kërkesat e Perëndisë e të jetonte sipas tyre. Gjithashtu gjeti mes Dëshmitarëve të Jehovait atë lloj dashurie që Jezui tha se do të identifikonte ithtarët e vërtetë.​—Gjoni 13:34, 35.

Këto masa që ndihmuan atë mund t’ju sjellin dobi edhe juve.

Jetë që ka kuptim

Edhe ata që duken sikur janë të kënaqur në jetë, mund të kërkojnë përgjigjet e pyetjeve që i pështjellojnë. Për shembull, Methju, një i ri në Britani, kishte pasur gjithnjë një dëshirë të zjarrtë për të gjetur Perëndinë e vërtetë dhe qëllimin e jetës. Atij i vdiq babai kur ishte 17 vjeç. Pas kësaj, Methju u diplomua në universitet për muzikë. Më pas filloi të bëhej gjithnjë e më i vetëdijshëm për kotësinë e mënyrës së tij materialiste të jetesës. Iku nga shtëpia për të jetuar në Londër dhe atje merrte drogë, shkonte nëpër klubet e natës, merrej me astrologjinë, spiritizmin, si dhe me budizmin zen e me filozofi të tjera. Të gjithë këtë e bëri në kërkim të një mënyre të kënaqshme jetese. I dëshpëruar i thirri Perëndisë që ta ndihmonte të gjente të vërtetën.

Dy ditë më vonë Methju takoi një mik të vjetër dhe i shpjegoi gjendjen e tij të vështirë. Ky burrë kishte studiuar me Dëshmitarët e Jehovait. Kur i tregoi Methjut 2 Timoteut 3:1-5, ai u habit se sa saktë e përshkruan Bibla botën që na rrethon. Ndërsa lexoi Predikimin në Mal, zemra e tij u prek. (Mateu, kapitujt 5-7) Në fillim ngurroi, sepse kishte lexuar disa materiale që i kritikonin Dëshmitarët e Jehovait, por së fundi vendosi të ndiqte mbledhjet në një Sallë Mbretërie aty afër.

Methju u kënaq nga ajo që dëgjoi dhe filloi të studionte Biblën me një nga pleqtë e kongregacionit. Shpejt kuptoi se ajo që po mësonte ishte ajo që po kërkonte, përgjigjja e lutjes së dikurshme ndaj Perëndisë. Braktisi praktikat që nuk i pëlqenin Jehovait dhe si rrjedhojë përjetoi shumë bekime. Ndërsa kultivonte një frikë të shëndoshë për Perëndinë, u nxit që ta përshtaste jetën në harmoni me urdhërimet e tij. Methju mësoi se një jetë e tillë ka kuptim të vërtetë.​—Predikuesi 12:13.

Nuk ishte paracaktuar që Methju ose të tjerë të përmendur në këtë artikull do të gjenin një mënyrë të kënaqshme jetese. Megjithatë, ata mësuan se Perëndia Jehova ka një qëllim të dashur që përfshin të gjithë ata që zgjedhin me gëzim t’u binden urdhërimeve të tij. (Veprat 10:34, 35) Ky qëllim përfshin jetën e përhershme në një botë pa luftëra, të çliruar nga sëmundjet e uria, dhe madje pa vdekje. (Isaia 2:4; 25:6-8; 33:24; Gjoni 3:16) A është kjo ajo që doni ju? Po qe se po, mund të mësoni më shumë se si të gjeni çelësin për një jetë të kënaqshme duke ndjekur mbledhjet e bazuara në Bibël në ndonjë Sallë Mbretërie të Dëshmitarëve të Jehovait. Ju ftojmë me përzemërsi ta bëni këtë!

[Figura në faqen 7]

Lutjuni me zjarr Perëndisë, duke përdorur emrin e tij personal

[Figura në faqen 7]

Studioni Biblën me ata që vërtet mësojnë atë që përmban ajo

[Figurat në faqen 7]

Ndiqni mbledhjet në Sallën e Mbretërisë

[Burimi i figurës në faqen 4]

Ekskursionisti: Chad Ehlers/Index Stock Photography