FJALA E PERËNDISË ËSHTË E VËRTETA—EKSPLORO BIBLËN

Libri i Biblës nr. 26—Ezekieli

shqip
Libri i Biblës nr. 26—Ezekieli
https://cms-imgp.jw-cdn.org/img/p/1102026526/univ/art/1102026526_univ_sqr_xl.jpg
gwt book 26

LIBRI I BIBLËS NR. 26

Ezekieli

Ezekieli

FOKUSI: Vegime dhe profeci që lidhen me shkatërrimin e Jerusalemit dhe me kthimin e judenjve të mërguar nga Babilonia

SI LIDHET ME TEMËN E BIBLËS: Thekson se s’ka asgjë më të rëndësishme se pastrimi i emrit të Jehovait, pra i reputacionit të tij, nga çdo sharje

SHKRIMTARI: Ezekieli

KU U SHKRUA: Babiloni

KUR PËRFUNDOI: Rreth vitit 591 p.e.s.

PERIUDHA KUR NDODHËN NGJARJET: 613 p.e.s. deri rreth 591 p.e.s. (rreth 22 vjet)

Pse është me vlerë

1-2. Çfarë na zbulon libri i Ezekielit për emrin e Jehovait?

 «KENI për ta marrë vesh se unë jam Jehovai.» (36:11) Jehovai e frymëzoi Ezekielin ta shprehte mbi 60 herë këtë mendim në librin që mban emrin e tij. Veç kësaj, shprehja «Zotëria Sovran Jehova» shfaqet më tepër se 200 herë. Në librin e Ezekielit, Jehovai thekson më shumë se në çdo libër tjetër sa i rëndësishëm është emri, pra reputacioni i Tij. Na zbulon edhe qëllimin që ka për të shenjtëruar emrin e vet, pra për ta pastruar nga çdo gënjeshtër. (36:22; 39:7) E kur ta bëjë këtë, të gjithë adhuruesit besnikë do të shijojnë një mal me bekime.—34:25-28; 39:25.

2 Çfarë nënkupton Jehovai me shprehjen «keni për ta marrë vesh se unë jam Jehovai»? Me pak fjalë, njerëzit s’do të kenë rrugë tjetër veçse të pranojnë sovranitetin e tij dhe se ai bën gjithnjë atë që premton. Judenjtë në kohën e Ezekielit e kuptuan këtë aspekt të personalitetit të Jehovait kur ai i ndëshkoi për mosbindjen, siç i kishte paralajmëruar. (6:9, 10) Në të ardhmen, kombet «kanë për ta marrë vesh» rolin e Jehovait si Gjykatës, kur të ekzekutojë gjykimin mbi ta. (25:17) Kurse adhuruesit e vërtetë ‘kanë për ta marrë vesh se ai është Jehovai’, kur të përmbushë premtimet dhe t’i shpërblejë me paqe e lumturi të përhershme.—28:26.

Shprehja «Zotëria Sovran Jehova» del mbi 200 herë në librin e Ezekielit

3. Cilat detaje për Mesinë e premtuar gjejmë te libri i Ezekielit?

3 Në librin e Ezekielit gjejmë detaje për Mesinë e premtuar, i cili do të ishte pasardhës i Davidit. Për shembull, ndonëse froni i Davidit do të mbetej bosh për një kohë të gjatë, Jehovai u betua se, në fund, Mbretëria do t’i kalonte atij që kishte të drejtën ligjore, pra Mesisë. (21:27) Veç kësaj, tha se ‘do të caktonte një bari të vetëm, shërbëtorin e tij David’. (34:23, 24) Këto profeci i përmbushi Jezui, pasardhës i Davidit. (Lu 1:32, 33; Gjo 10:11) Libri i Ezekielit përmban mjaft profeci të tjera që na forcojnë besimin.—Shih  kutinë 26-A.

4. Çfarë na mësojnë vegimet e Ezekielit për pjesën qiellore të organizatës së Jehovait?

4 Nëpërmjet vegimeve të Ezekielit, Jehovai na jep mundësinë e rrallë të shohim pakëz çfarë ndodh në qiell. Për shembull, i tregoi profetit një karrocë qiellore gjigante që ilustron sa mbresëlënëse dhe e organizuar është pjesa qiellore e organizatës së Tij. (1:15-28) Gjithashtu, Jehovai zbuloi detaje për rolin e engjëjve, sidomos të kerubinëve.—1:4-14; 10:3-22; 11:22.

5. Çfarë mësojmë për Jehovain nga libri i Ezekielit?

5 Në librin e Ezekielit, shpaloset zemërmirësia dhe mëshira e Jehovait. Ai ishte zemëruar me të drejtë me kombin e Izraelit, sepse i kishin braktisur standardet e tij. (22:26, 31) Megjithatë, i paralajmëroi plot mirësi izraelitët rebelë për pasojat e veprimeve të tyre dhe u premtoi se do t’i falte nëse pendoheshin. (3:17; 33:14-16) Ndonëse lejoi që t’i çonin rob në Babiloni, Jehovai vazhdoi të kujdesej për ta. Madje, tha se do t’i ndëshkonte kombet që do t’i keqtrajtonin. (25:6, 7) Gjithashtu, Jehovai dha fjalën se do ta kthente popullin e tij në Jerusalem dhe do ta bekonte.—36:37, 38.

6. Ç’mësime me vlerë gjejmë në librin e Ezekielit?

6 Në këtë libër, Jehovai thekson mësime jetësore për të gjithë adhuruesit e tij. Secili prej nesh mban përgjegjësi para Jehovait për veprimet e veta. a (18:30) Sjellja jonë ndikon te ndjenjat e Jehovait dhe tek emri i tij. (6:9; 20:39) E për sa kohë të nderojmë emrin e Jehovait dhe t’i bëjmë adhurim të pastër siç e meriton Ai, do ta kemi të garantuar jetën.—18:5-9.

Para se të fillosh leximin . . .

7. Çfarë dimë për profetin Ezekiel?

7 Shkrimtari: Emri Ezekiel ka kuptimin «Perëndia forcon». Ka shumë mundësi që Ezekieli të ketë lindur rreth vitit 643 p.e.s. Babanë e kishte prift në Jerusalem. (1:3, shën.) Më 617 p.e.s., kur ishte rreth 26 vjeç, Ezekielin e çojnë në Babiloni, pasi mbreti Jehojakin i dorëzohet Nabukodonosorit. (2Mb 24:11-15) Në vitin 613 p.e.s., kur ishte diku te 30 vjeç, Jehovai e cakton të shërbejë si profet. (1:1, 2; 2:3) Ezekieli shërbeu si profet në të njëjtën kohë me Abdinë, me Jereminë, i cili shërbente në Judë, dhe me Danielin, që shërbente në Babiloni.

8. Për kë u shkruan profecitë e Ezekielit?

8 Sfondi historik: Disa nga profecitë e Ezekielit ishin të ngjashme me profecitë e Jeremisë e të Danielit dhe u shkruan për judenjtë e mërguar në Babiloni. (3:4, 5; shih  kutinë 26-B.) Një pjesë e të mërguarve, ndër ta edhe Ezekieli, erdhën në Babiloni para se të shkatërrohej Jerusalemi, ndërsa të tjerë erdhën pas shkatërrimit.

9. Çfarë duhej të kuptonin të mërguarit judenj?

9 Jehovai e caktoi Ezekielin t’i ndihmonte të mërguarit ta pranonin disiplinën. Me anë të Ezekielit, u shpjegoi se ishin në mërgim, ngaqë kishin çnderuar emrin e Tij duke adhuruar perëndi të rreme. Ata duhej të kuptonin se Jehovai e meritonte t’i bindeshin dhe ta adhuronin siç kërkonte ai. Në fillim, Jehovai i kërkoi Ezekielit të demaskonte ligësinë që kishte mbërthyer Jerusalemin. Por fill pas shkatërrimit të qytetit, Jehovai ndryshoi qëllimin e profecive dhe i ktheu në mesazhe shprese. Disa judenj u tallën me këto fjalë, ndërsa të tjerë ua vunë veshin.

10. Si është i organizuar libri i Ezekielit?

10 Detaje të tjera: Libri i Ezekielit është i organizuar sipas temave, dhe ngjarjet janë shkruar kryesisht në radhë kronologjike. Pasi tregon për caktimin e Ezekielit si profet, libri vazhdon me profeci dhe vegime që ndahen në tri kategori: (1) shkatërrimi i Jerusalemit, (2) gjykime kundër kombeve përreth dhe (3) kthimi i të mërguarve për të rivendosur adhurimin e pastër. Ezekieli regjistroi vitet, muajt dhe ditët kur Jehovai i dha profecitë, me sa duket duke nisur nga viti 617 p.e.s., kur mbretin Jehojakin e çuan në mërgim.—2Kr 36:9, 10, shën.; Ezk 1:2; shih  kutinë 26-C.

11. Çfarë i kërkoi Jehovai Ezekielit, dhe pse?

11 Shpesh, Jehovai i kërkoi Ezekielit t’i demonstronte mesazhet profetike. Për shembull, atij iu desh të shtrihej në njërin krah përpara një tulle, të përgatiste e të mbartte plaçkat, të rruante kokën dhe mjekrën dhe të bashkonte dy shkopinj në një të vetëm. (4:1-4; 5:1-4; 12:3-7; 37:15-17) Pa dyshim, veprimet e pazakonta të Ezekielit duhet t’u kenë tërhequr vëmendjen të mërguarve drejt mesazhit të tij.—2:5.

Përmbledhje

12. Çfarë sheh Ezekieli kur merr caktimin si profet?

12 Jehovai cakton Ezekielin si profet. (1:1–3:27) Në vitin 613 p.e.s., qiejt hapen dhe Ezekieli fillon ‘të shohë vegime nga Perëndia’. (1:1) Ai sheh ‘krijesa të gjalla’ të jashtëzakonshme që më vonë kupton se janë kerubinë. (1:5; 10:20) Sheh edhe një karrocë qiellore e një dritë rrëzëllitëse që «ngjante si lavdia e Jehovait». (1:28) Më pas, Jehovai cakton Ezekielin si rojë dhe si profet. Ezekieli duhet të vazhdojë t’i paralajmërojë izraelitët, pavarësisht nëse e dëgjojnë ose jo, përndryshe do të vdesë.—2:3; 3:17-19.

13. Cilat mesazhe profetike demonstron Ezekieli?

13 Ezekieli parathotë gjykimin e Jerusalemit dhe të popullit të tij rebel. (4:1–24:27) Jehovai i kërkon Ezekielit të demonstrojë rrethimin e ardhshëm të Jerusalemit dhe zinë e bukës që do të përjetojnë banorët e tij. (4:1-3, 10) Pastaj, i thotë Ezekielit të rruajë kokën dhe mjekrën, si edhe e udhëzon çfarë të bëjë më tej me qimet që mblodhi. Kjo paraqet atë që do të ndodhte me popullin kur të shkatërrohej Jerusalemi. (5:1, 2) Për më tepër, i thotë të profetizojë kundër izraelitëve, ngaqë janë përfshirë në idhujtari.—6:1-4.

14-15. Çfarë parathotë Jehovai për Jerusalemin dhe popullin e tij?

14 Në vitin 612 p.e.s., Jehovai e çon Ezekielin në Jerusalem nëpërmjet një vegimi dhe i tregon adhurimin e neveritshëm që bëhet atje. (8:1-3) Një burrë kalon përmes qytetit dhe vë një shenjë mbi ata që psherëtijnë e rënkojnë për atë që po ndodh. Më pas, disa burra ekzekutojnë të gjithë ata që nuk e kanë shenjën. (9:1-6) Po, Jehovai do ta ndëshkojë kombin. (11:9, 10) Megjithatë, disa të mërguar do të kthehen në Jerusalem.—11:17.

15 Jehovai i kërkon Ezekielit të demonstrojë mërgimin e judenjve. (12:3-7) Pastaj e urdhëron të profetizojë kundër profetëve të rremë të Izraelit. (13:2) Pleqtë e Izraelit në Babiloni flasin me Ezekielin, dhe ai u tregon se asgjë s’mund ta ndalë shkatërrimin e Jerusalemit.—14:1, 14.

16-18. Çfarë krahasimesh bën Jehovai?

16 Jehovai përdor ilustrime të gjalla për të shpjeguar arsyet pse do të shkatërrohet Jerusalemi. Ai e krahason Jerusalemin me një hardhi që vlen vetëm për dru zjarri dhe me një grua e cila, ndonëse i shoqi e do shumë, bëhet prostitutë e pacipë. (15:6; 16:3, 8, 28) Me anë të një gjëegjëze, Jehovai e krahason mbretin Zedekia me një hardhi që do të thahet. (17:7, 9, 12) Megjithatë e siguron kombin se çdokush do të gjykohet për veprat e veta dhe se i drejti do të vazhdojë të jetojë. (18:20-22) Më pas, Ezekielit i kërkohet të këndojë një këngë të përvajshme për prijësit e Izraelit.—19:1.

17 Pleqtë flasin prapë me Ezekielin në vitin 611 p.e.s. (20:1) Përmes Ezekielit, Jehovai u kujton izraelitëve se e kishin bërë rrugë rebelimin. Ja pse do ta shkatërrojë kombin e lig. Ama nuk janë fare pa shpresë. Kur të vijë «ai që ka të drejtën ligjore», Jehovai do ta bëjë mbret. (21:27) Pasi rendit mëkatet e Jerusalemit, Jehovai e krahason Samarinë dhe Jerusalemin me Oholën dhe Oholibën, dy motra që u bënë prostituta. Samaria, kryeqyteti i mbretërisë dhjetëfisëshe të Izraelit ishte shkatërruar; tani e ka radhën Jerusalemi.—Ezk 23:4; krahaso Jr 3:6-8.

18 Në vitin 609 p.e.s., Jehovai i thotë Ezekielit se Jerusalemi është rrethuar. (24:1, 2) Qyteti i ngjan një kazani të ndryshkur që duhet të hidhet në zjarr. (24:6, 12) Ditën që rrethohet qyteti, Ezekielit i vdes gruaja, por Jehovai i thotë të mos mbajë zi për vdekjen e saj.—24:16, 18.

19-20. Cilat kombe do të ndëshkojë Jehovai, dhe pse?

19 Gjykime kundër popujve që iu bë qejfi për shkatërrimin e Jerusalemit. (25:1–32:32) Jehovai premton se do të hakmerret ndaj amonitëve, moabitëve, edomitëve dhe filistinëve. Më pas, në vitin 607 ose 606 p.e.s., Jehovai parathotë shkatërrimin e Tirit dhe të Sidonit, si edhe i kërkon Ezekielit të këndojë një këngë të përvajshme për Tirin.—26:3; 27:1, 2; 28:22.

20 Kapitujt 29-32 përmbajnë profeci kundër Egjiptit që Jehovai ia tha Ezekielit mes viteve 607 - 591 p.e.s. Në këto profeci Jehovai parathotë se Egjipti do të pushtohet nga Babilonia.

21-22. Cilat profeci inkurajuese shpall Ezekieli?

21 Jerusalemi shkatërrohet, por Ezekieli profetizon për një rivendosje. (33:1–48:35) Jehovai i rikujton Ezekielit përgjegjësinë e tij si rojë. (33:7) Ka mundësi që më 607 p.e.s., një i mbijetuar nga shkatërrimi i Jerusalemit, e informon Ezekielin se qyteti ka rënë. b (33:21) Ezekieli u thotë të mërguarve se nuk ka asnjë shpresë që Juda t’i shpëtojë shkatërrimit. Pastaj Jehovai qorton barinjtë e rremë të Izraelit. Ai premton se do të kujdeset për delet e tij dhe ‘do të caktojë një bari të vetëm që t’i kullotë, shërbëtorin e tij David’.—34:23.

22 Ezekieli profetizon shkretimin e Edomit, ngaqë është sjellë armiqësisht me Izraelin. (35:5, 15) Jehovai premton se populli i Izraelit do të kthehet në vendin e vet. (36:8) Ezekieli sheh në vegim një luginë të mbushur plot me eshtra që kthehen në jetë. (37:2, 10) Më pas, Jehovai i kërkon Ezekielit të afrojë me njëri-tjetrin dy shkopinj, për të ilustruar se mbretëria dyfisëshe e Judës dhe e Beniaminit dhe mbretëria dhjetëfisëshe e Izraelit (Efraimi) do të bëhen sërish një komb i vetëm.—37:19.

23-24. (a) Si do të veprojë Jehovai kur Gogu të sulmojë popullin e tij? (b) Çfarë vegimi sheh Ezekieli?

23 Ezekieli profetizon se Gogu do të sulmojë popullin e Perëndisë. (38:14-16) Por Jehovai do ta mbrojë popullin e vet e do të shkatërrojë Gogun dhe ushtrinë e tij. Ai do ta shenjtërojë emrin e vet duke e kthyer popullin në Jerusalem që të rivendosë adhurimin e pastër.—39:25.

24 Më 593 p.e.s., Jehovai e çon Ezekielin në Izrael me anë të një vegimi. (40:1) Ai i tregon një tempull madhështor dhe pjesët e tij të ndryshme bashkë me përmasat. Lavdia e Jehovait mbush tempullin. Ezekieli merr udhëzime për flijimet, për detyrat e priftërinjve dhe për ndarjen e tokës. Ai sheh një përrua që rrjedh nga tempulli. Më pas toka ndahet si trashëgimi mes 12 fiseve të Izraelit, dhe Ezekieli sheh një qytet me emrin «Jehovai Është Atje». (48:35) Nëpërmjet këtij vegimi, Jehovai nxjerr në pah standardet e tij të drejta dhe i siguron të mërguarit se adhurimi i pastër do të rivendoset.—Shih  kutinë 26-Ç.

Nxirr dobi nga libri i Ezekielit

  1. 1. FORCO MIQËSINË ME JEHOVAIN

    1. a. Çfarë të mëson Ezekieli 18:19-22 për mënyrën si gjykon Jehovai?

    2. b. Si do të veprojë Jehovai kur Gogu të sulmojë popullin e Tij? (38:18, 19, 22) Për çfarë të siguron kjo?

    3. c. Jehovai i premtoi popullit të tij: «Bekimet do të derdhen si shirat e bollshme.» (34:26) Po ty, si të ka bekuar Jehovai?

  2. 2. ZHYTU MË THELLË

    1. a. Pse u quajt «bir njeriu» Ezekieli? (3:17; nwt Fjalorthi) Kush tjetër u thirr kështu? (Mt 20:28)

    2. b. Si u përmbush Ezekieli 17:16? (Jr 52:11)

    3. c. Në kapitullin e parë të Mateut lexojmë linjën gjenealogjike të Jezuit. Si e vërteton kjo se Jezui kishte «të drejtën ligjore» për të marrë «kurorën»? (21:26, 27)

  3. 3. SI TA ZBATOSH

    1. a. Nëse të mundojnë ndjenjat e fajit për gabimet e së kaluarës, si mund të të ngushëllojë Ezekieli 18:21, 22?

    2. b. Si tregon Ezekieli 3:18, 19 se vepra e predikimit është tejet e rëndësishme?

    3. c. Çfarë mësojnë pleqtë e kongregacionit nga Ezekieli 34:11-16? (1Pj 5:2)

  4. 4. ÇFARË MËSOVE TJETËR NGA LIBRI I EZEKIELIT?

a Ky mësim del edhe më herët në Bibël. (Lp 24:16; 30:19) Megjithatë theksohet më shumë te libri i Ezekielit.—18:14-18.

b Në disa dorëshkrime të lashta, tek Ezekieli 33:21 shkruhet «vitin e 11-të» në vend se «vitin e 12-të». Kjo lë të kuptohet se burri që ia mbathi nga Jerusalemi, mund të ketë mbërritur në Babiloni në dhjetor të vitit 607 p.e.s. Kjo periudhë kohore përputhet me kohëzgjatjen e udhëtimit, meqë për të shkuar nga Jerusalemi në Babiloni duheshin disa muaj.