FJALA E PERËNDISË ËSHTË E VËRTETA—EKSPLORO BIBLËN

Libri i Biblës nr. 27—Danieli

shqip
Libri i Biblës nr. 27—Danieli
https://cms-imgp.jw-cdn.org/img/p/1102026527/univ/art/1102026527_univ_sqr_xl.jpg
gwt book 27

LIBRI I BIBLËS NR. 27

Danieli

Danieli

FOKUSI: Profeci që hodhi me shkrim Danieli dhe ngjarje që përjetoi në Babiloni

SI LIDHET ME TEMËN E BIBLËS: Zbulon se kur do të shfaqej Mesia dhe kur do ta themelonte Jehovai Mbretërinë qiellore

SHKRIMTARI: Danieli

KU U SHKRUA: Babiloni

KUR PËRFUNDOI: Rreth vitit 536 p.e.s.

PERIUDHA KUR NDODHËN NGJARJET: 618 p.e.s.–536 p.e.s. (rreth 82 vjet)

Pse është me vlerë

1. Kur e caktoi Jehovai Danielin si profet?

 JEHOVAI e caktoi Danielin të shërbente si profet gjatë një kohe kritike të historisë. Mbretin e Judës e kishin burgosur në Babiloni. Qyteti dhe tempulli që mbanin emrin e Jehovait dergjeshin në rrënoja. Kurse populli i Perëndisë ishte në mërgim. Pikërisht në këtë periudhë të errët, Jehovai zbulon detaje drithëruese për sovranitetin e tij universal, përmes librit të Danielit.—2:20; 6:26, shën.

Jehovai është Zbulues i të fshehtave, Shpëtimtar, Shpërblyes dhe Tejet i Larti

2. Çfarë detajesh na zbulon libri i Danielit (a) për Mbretërinë? (b) për Mesinë?

  2 Në këtë libër Jehovai na zbulon mjaft detaje të reja për qeverisjen e tij të përjetshme. Jehovai i tregon Danielit se çfarë do të realizojë Mbretëria Mesianike, deri ku do të shtrihet qeverisja e saj, mbi kë do të qeverisë dhe cilët do të qeverisin në të. (2:35, 44; 7:13, 14, 18) Ai zbulon edhe se kur do të identifikohet Mesia, kur do të vritet dhe kur do të nisë të qeverisë në qiell. Në një profeci mbresëlënëse, Jehovai zbulon tri ngjarje kyçe: se Mesia do të vijë, por do të vritet aty nga fundi i ‘70 javëve’, dhe se Jerusalemi do të shkatërrohet pak pas kësaj. (9:24-26; shih  kutinë 27-A.) Më vonë, Nehemia regjistron ngjarjet që shënojnë fillimin e kësaj periudhe. (Ne 2:1, 5-8) Danieli shkruan një profeci tjetër që tregon se Mesia do ta nisë qeverisjen kur të mbarojnë ‘shtatë kohët’. (4:16, 17; shih  kutinë 27-C.) Ndërsa kur po fliste për shenjën e pranisë së tij si Mbret në qiell, Jezui e quajti të njëjtën periudhë «kohët e caktuara të kombeve».—Lu 21:20-24; Mt 24:1-3, 15.

3. Çfarë mësojmë për qeveritë njerëzore nga libri i Danielit?

3 Jehovai na zbulon edhe detaje për ngritjen dhe rënien e disa qeverive njerëzore. Kapitujt 2, 7, 8 dhe 10-12, janë në thelb histori e shkruar paraprakisht. Kjo sepse Jehovai i tregon Danielit fuqitë botërore që do t’i zënë vendin njëra-tjetrës, nga Babilonia e lashtë dhe deri «në kohën e fundit». (12:4; nwt shtojca B9) Jehovai parathotë se qeveritë njerëzore do t’i kundërvihen qeverisjes së tij, do të persekutojnë popullin e tij dhe në fund do të shkatërrohen nga Mbretëria e Perëndisë. (7:23-26) Veç kësaj, vegimet për bishat në këtë libër na ndihmojnë të kuptojmë se bishat që përmenden te Zbulesa janë fuqi politike.—Dn 7:15-17; Zb 13:1, 2; 17:3.

4. Çfarë mësojmë nga eksperiencat personale të Danielit?

4 Jehovai na dha mësime të vyera, duke e frymëzuar Danielin të shkruante disa nga eksperiencat e tij. Për shembull, historia e Danielit dhe e shokëve të tij hebrenj, që nuk pranuan të shkelnin ligjet e Perëndisë, na mëson vlerën e besnikërisë. (1:8; 3:16-18; 6:10) Mësojmë si të shfaqim përulësi, teksa shohim se Danieli nuk mbështetej te vetja, por i lutej gjithmonë Jehovait për drejtim. (2:19-23; 9:3-19) Gjithashtu mësojmë se Jehovai mund të na bëjë edhe ne guximtarë si Danieli, i cili u shpalli mesazhe gjykimi mbretërve dhe përfundoi në gropën e luanëve, ngaqë nuk pranoi t’i ndalte lutjet.—4:27; 5:22, 23; 6:6-10, 16, 17.

5. Çfarë na zbulon Jehovai për veten në librin e Danielit?

5 Nëpërmjet librit të Danielit, Jehovai na prezanton me aspekte të mrekullueshme të personalitetit të tij. Ai tregon se është Zbulues i të fshehtave, sepse u zbulon me shumë dëshirë shërbëtorëve të tij ngjarjet e së ardhmes. (2:47) Ai është edhe Shpëtimtar, ngaqë shpëton nga vdekja shërbëtorët e tij, por edhe premton t’i ringjallë ata që vdesin besnikë. (6:27; 12:13) Gjithashtu Jehovai tregon se i shpërblen besnikët e vet duke u dhënë gjykim të thellë, aftësi për të kuptuar dhe forcë. (1:17; 10:19) Ç’është më e rëndësishmja, Jehovai jep prova se është Sovrani Suprem. Danieli është i vetmi që e përshkruan Jehovain si «Sovran në mbretërinë e njerëzve» dhe si ‘Tejet i Larti’. a—4:17; 7:18.

Para se të fillosh leximin . . .

6. Çfarë dimë për Danielin?

 6 Shkrimtari: Danieli, emri i të cilit ka kuptimin «Gjykatësi im është Perëndia», vinte nga fisi i Judës. Ai mund të ketë pasur prejardhje mbretërore. Më 617 p.e.s., Danielin e morën rob në Babiloni kur ishte i ri, mbase adoleshent. (1:1-3, 6) Atje shërbeu në pallatin e mbretit babilonas dhe, më vonë, si zyrtar në qeverinë medo-perse. (1:4; 6:1, 2) Danieli fitoi mençuri të jashtëzakonshme dhe reputacion të shkëlqyer që në moshë të re. Kjo del në pah edhe nga ajo që shkroi profeti Ezekiel. (Ezk 14:14, 20; 28:3; Dn 1:17-20) Danieli filloi të profetizonte rreth vitit 606 p.e.s. (2:1, 19) Kurse vegimin e fundit e mori në vitin 536 p.e.s. (10:1) Danieli mund të ketë jetuar rreth 100 vjet, 78 prej të cilave nën sundimin babilonas dhe të paktën 3 vjet nën sundimin medo-pers. Danieli e përfundoi librin rreth vitit 536 p.e.s. Gjithsesi, disa ngjarje kulmore të jetës së tij i kishte shkruar përpara këtij viti.—7:1; shih  kutinë 27-B.

7. Cilat të dhëna historike na ndihmojnë të kuptojmë librin e Danielit?

7 Sfondi historik: Në vitin 620 p.e.s., Babilonia e detyroi popullin e Judës të paguante haraç. Në fund, mbreti i Judës u rebelua, prandaj mbreti babilonas, Nabukodonosori, sulmoi Jerusalemin dhe e pushtoi në vitin 617 p.e.s. (2Mb 24:1, 10-12) Pastaj mori rob në Babiloni pjesëtarë të familjes mbretërore dhe «të parët e vendit», ndër ta edhe Danielin. (2Mb 24:15) Ca vite më vonë, më 607 p.e.s., Babilonia shkatërroi Jerusalemin dhe mori rob një numër edhe më të madh judenjsh. Në vitin 539 p.e.s., Babilonia u pushtua nga medët dhe persët, të cilët i komandonte Kiri i Madh. Mbreti Kir emëroi si guvernator të Judës, Zorobabelin, një bashkëkohës të Danielit. Ai udhëhoqi një grup judenjsh për në Judë.—Ezd 1:1-8; 2:1, 2; Hg 1:1.

8. Si është i organizuar libri i Danielit dhe në cilat gjuhë u shkrua?

8 Detaje të tjera: Libri i Danielit mund të ndahet në dy pjesë. Te kapitujt 1-6 lexojmë disa ngjarje të jetës së Danielit dhe të shokëve të tij, si edhe disa mesazhe profetike drejtuar mbretërve babilonas. Këto tregime janë shkruar në rend kronologjik. Kapitujt 7-12 përmbajnë vegime që mori Danieli. Në cilat gjuhë e shkroi Danieli librin? Kapitullin e parë e shkroi në hebraisht, kurse kapitujt 2-7 i shkroi kryesisht në aramaisht. (2:4b–7:28) Pastaj kapitujt 8-12 i shkroi prapë në hebraisht. Në këta kapituj përshkruhet se çfarë do të ndodhte me popullin e Perëndisë gjatë sundimit të disa fuqive botërore.

Përmbledhje

9. Çfarë ndodh me Danielin dhe me shokët e tij kur mbërrijnë në Babiloni?

9 Stërvitja në Babiloni. (1:1-21) Në vitin 617 p.e.s., Danieli, Hananiahu, Mishaeli dhe Azariahu b mbërrijnë në Babiloni. Aty trajnohen për të kryer detyra qeveritare. Mirëpo pasi refuzojnë të hanë ushqimet e zgjedhura të mbretit, Jehovai i shpërblen për integritetin, dhe ata bëhen të njohur për mençurinë e tyre.—1:20.

10. Çfarë ndodh rreth një vit pas shkatërrimit të Jerusalemit?

10 Shëmbëlltyra tejet e madhe. (2:1-49) Rreth vitit 606 p.e.s., Nabukodonosori sheh në ëndërr një shëmbëlltyrë tejet të madhe. I shqetësuar, ai kërcënon se do t’i vrasë të gjithë të mençurit e Babilonisë nëse nuk gjejnë çfarë ka parë në ëndërr dhe domethënien e saj. Kur Danieli i tregon ëndrrën dhe kuptimin e saj, Nabukodonosori pranon se Jehovai është «Zbulues i të fshehtave»; emëron Danielin si sundimtar të provincës së Babilonisë; dhe cakton në krye të administratës Hananiahun, Mishaelin dhe Azariahun.

11. Çfarë sprove hasin tre hebrenjtë dhe çfarë ndodh më pas?

11 Furra e zjarrtë. (3:1-30) Gjatë ose pas vitit 606 p.e.s., Nabukodonosori përuron një statujë të madhe prej ari. Ama kur Hananiahu, Mishaeli dhe Azariahu nuk pranojnë ta adhurojnë statujën, Nabukodonosori i hedh në furrën e zjarrtë. Në atë moment Jehovai dërgon engjëllin e tij për t’i shpëtuar. Si rezultat, Nabukodonosori lëvdon Jehovain, nxjerr një dekret për të mbrojtur adhurimin e Tij dhe i ngre në pozitë tre hebrenjtë në provincën e Babilonisë.

12. Çfarë përmban kapitulli i katërt i Danielit?

 12 Pema me lartësi marramendëse. (4:1-37) Ky kapitull përmban një letër që shkroi Nabukodonosori, ndoshta pak pas vitit 600 p.e.s. Ai thotë se pa në ëndërr një pemë që e prenë dhe e lidhën për «shtatë kohë». Veç kësaj, mbreti tregon shpjegimin që i kishte bërë Danieli ëndrrës. (4:25; shih  kutinë 27-C.) Ëndrra përmbushet kur Nabukodonosori çmendet dhe nuk është më në gjendje të mbretërojë. Më vonë, ai vjen në vete dhe kthehet në fron. Nabukodonosori e mbyll letrën duke lëvduar Jehovain dhe duke pranuar se Ai është Sovran.

13. Cila profeci përmbushet në vitin 539 p.e.s.?

13 Shkrimi në mur. (5:1-31) Më 5 tetor të vitit 539 p.e.s., mbreti babilonas Belshazar, sheh një dorë që shkruan një mesazh të mistershëm në mur. Prandaj thërret Danielin që ta lexojë dhe ta shpjegojë mesazhin. Danieli, që tani me shumë gjasa është në të 90-at, i tregon se Babilonia do të mposhtet nga Perandoria Medo-Perse. Po atë natë, vrasin Belshazarin, pushtohet Babilonia dhe në fron vjen Dari, medi.—5:30, 31.

14. Çfarë sprove besnikërie has Danieli në moshë të shkuar?

14 Danieli në gropën e luanëve. (6:1-28) Pak pas pushtimit të Babilonisë, Dari emëron Danielin si zyrtar të lartë në qeveri. Mirëpo, zyrtarë të tjerë bëhen xhelozë dhe komplotojnë që ta vrasin. Kështu ai përfundon në gropën e luanëve. Jehovai e shpëton profetin, dhe Dari nxjerr një urdhër për të gjithë nënshtetasit e tij: të nderojnë thellësisht Jehovain.

15. Në vegimin e katër bishave, kujt i hiqet autoriteti për të mbretëruar dhe kujt i jepet?

15 Katër bishat. (7:1-28) Më 553 p.e.s., Danieli, që tani është nga fundi i të 70-ave ose fillimi i të 80-ave, sheh në vegim katër bisha që përfaqësojnë katër mbretëri, pra qeveri. Bisha e katërt ka dhjetë brirë, tre prej të cilëve zëvendësohen nga një bri i vogël që ‘del midis tyre’. (7:8) Danieli sheh dikë si një bir njeriu, të cilit i jepet autoriteti që të mbretërojë përgjithmonë. (7:13, 14) Ai merr vesh se briri i vogël do t’i persekutojë ‘të shenjtët’ për tri kohë e gjysmë. (7:21, 25) Jehovai ia heq bririt autoritetin për të mbretëruar, bisha shkatërrohet dhe «të shenjtëve të Tejet të Lartit» u jepet mbretëria e përjetshme.—7:26, 27.

16. Çfarë ndodh me dashin dhe cjapin që përshkruhen në kapitullin 8 të Danielit?

16 Dashi dhe cjapi. (8:1-27) Më 551 p.e.s., një vit para se Kiri të krijonte Perandorinë Medo-Perse, Danieli sheh në vegim një dash me dy brirë që vritet nga një cjap me një bri që spikaste. Dashi përfaqëson mbretërit e Medisë dhe të Persisë, ndërsa cjapi përfaqëson Greqinë. Cjapit i thyhet briri dhe në vend të tij dalin katër brirë të tjerë. Nga njëri prej tyre del një bri i vogël, pra një mbret tjetër që bëhet shumë i egër. Në kohën e fundit, ai e lartëson veten dhe i shkakton shkretim vendit të shenjtë. Pas 2.300 ditësh, vendi i shenjtë ‘rikthehet në gjendjen e duhur’. (8:14) Në fund, ky mbret i egër «thyhet pa vënë dorë njeriu».—8:25.

17. Çfarë mëson Danieli pasi i përgjërohet Jehovait?

17 70 vjetët dhe 70 javët. (9:1-27) Ka shumë mundësi që Danieli ta ketë kuptuar që në vitin 539 p.e.s. se shkretimit 70-vjeçar të Jerusalemit po i vinte fundi, pra kohë përpara se Kiri të jepte urdhrin për të lënë të lirë robërit judenj. c (2Kr 36:23; Ezd 1:1-11; 2:64) Ai i përgjërohet Jehovait që judenjtë të kenë mundësi ta adhurojnë sërish në tempull. Ndërkohë, i shfaqet engjëlli Gabriel që i tregon Danielit për një periudhë prej ‘70 javësh’, ku secila javë do të zgjatë shtatë vjet. (9:24, shën.) Në këtë profeci përshkruhen shumë ngjarje: do të shlyhet faji i izraelitëve; do të rindërtohet Jerusalemi; do të shfaqet dhe do të vritet Mesia; do të shkatërrohet ‘qyteti dhe vendi i shenjtë’; besëlidhja do të ngelet në fuqi deri në fund të javës së 70-të; dhe në mes të kësaj jave do të ndërpriten flijimet.—9:26.

18. Çfarë mësojmë për «ditët e fundit» nga vegimi i Danielit për mbretërit rivalë?

18 Mbretërit rivalë. (10:1–12:13) Më 536 p.e.s., kur është rreth 100 vjeç, Danieli merr vegimin e tij të fundit, që flet për ngjarje të së ardhmes që shtrihen deri «në ditët e fundit». (10:14) Danieli merr vesh se mbreti i Persisë «do të ngrejë çdo gjë kundër mbretërisë së Greqisë». (11:2) Në fund, mbretëria e një mbreti të fuqishëm ndahet në katër pjesë. Gjithashtu, mbreti i jugut dhe mbreti i veriut luftojnë për pushtet. Gjatë asaj kohe, mbreti i veriut përdhos shenjtëroren e Perëndisë, heq flijimin e vazhdueshëm dhe ndihmon të vihet në vend ‘gjëja e neveritshme që shkakton shkretim’. (11:29-31) Në kohën e fundit, mbretërit rivalë «shtyjnë» njëri-tjetrin. Më vonë, mbreti i veriut hyn «në vendin e Stolisë». (11:40-45) Në një periudhë plot vuajtje, Mikaeli ngrihet në mbrojtje të popullit të shenjtë të Perëndisë. Një engjëll pyet: «Sa kohë do të kalojë derisa të përmbushen këto gjëra të mrekullueshme?» Një engjëll tjetër përmend një periudhë prej tri kohësh e gjysmë. Pastaj përmend edhe dy periudha të tjera kohore, njëra prej 1.290 ditësh dhe tjetra prej 1.335 ditësh. Ky engjëll i thotë Danielit se do të prehet, por do të ngrihet «në fund të ditëve». (12:6, 7, 11-13) Pak pas këtij vegimi, Danieli përfundon së shkruari librin.

Nxirr dobi nga libri i Danielit

  1. 1. FORCO MIQËSINË ME JEHOVAIN

    1. a. Si u tregua Jehovai Mik besnik për Danielin gjatë gjithë jetës së tij? (1:9, 17; 2:23; 6:22; 9:4) Çfarë të mëson kjo për Jehovain?

    2. b. Emri i Jehovait përmendet gjithsej 19 herë te libri i Danielit, 14 prej të cilave i gjejmë te një nga lutjet e tij. (9:4-19) Ku duhet të përqendrohen lutjet e tua, dhe pse? (Mt 6:9)

  2. 2. ZHYTU MË THELLË

    1. a. Çfarë të mëson Danieli 7:13, 14, 18 për Mbretërinë e Perëndisë dhe për qëllimin e Jehovait për të ardhmen? (Zb 1:6; 14:1)

    2.  b. Si të ndihmon Danieli 9:24-27 të kuptosh vitin e saktë kur u shfaq Mesia? (Shih  kutinë 27-A.) Cilat ngjarje të tjera u parathanë në këtë profeci dhe kur u përmbushën?

  3. 3. SI TA ZBATOSH

    1. a. Çfarë tundimesh përballuan me sukses Danieli dhe shokët e tij në Babiloni, ndonëse të rinj dhe larg nga familja? (1:3-8) Çfarë mund të mësoni ju prindër nga kjo histori?

    2.  b. Danieli njihej si njeri që ‘i shërbente vazhdimisht’ Jehovait. (6:16, 20) Çfarë mësimesh nxjerr nga shembulli i Danielit që nga rinia e deri në moshë të shkuar? (Ezk 14:14; Dn 10:11, 19; shih  kutinë 27-B.)

  4. 4. ÇFARË MËSOVE TJETËR NGA LIBRI I DANIELIT?

a Libri i Danielit përmban edhe detaje të tjera që nuk gjenden askund tjetër në Shkrimet Hebraike. Për shembull, vetëm në këtë libër përmenden emra engjëjsh dhe shprehja ‘koha e fundit’.—8:17; 9:21; 12:1.

b Shokët e Danielit njihen më shumë me emrat babilonas Shadrak, Meshak dhe Abednego. Ndërsa Danieli, emrin babilonas e kishte Belteshazar.—1:6, 7.

c Ka të ngjarë që Kiri t’i ketë liruar judenjtë në fillim të pranverës së vitit 537 p.e.s. Kjo u dha mjaftueshëm kohë që të udhëtonin për në Jerusalem dhe të ngrinin një altar ditën e parë të muajit tishër (që në kalendarin judaik fillonte në mes të shtatorit dhe mbaronte në mes të tetorit)—fiks 70 vjet nga koha kur ‘u shkretua’ vendi.—2Kr 36:20-23; 2Mb 25:22-26; Ezd 3:1, 2.