LIBRI I BIBLËS NR. 29
Joeli
FOKUSI: Profeci që paralajmërojnë Judën se po vjen «dita e Jehovait»
SI LIDHET ME TEMËN E BIBLËS: Tregon se Jehovai do të shpëtojë këdo që thërret emrin e Tij kur të sjellë gjykimin
SHKRIMTARI: Joeli
KU U SHKRUA: Judë
KUR PËRFUNDOI: Rreth vitit 820 p.e.s. (?)
Pse është me vlerë
1. Cilën shprehje thekson libri i Joelit dhe për çfarë përdoret ajo?
LIBRI i Joelit na zbulon detaje për një temë të rëndësishme që Jehovai dëshiron ta dinë të gjithë, sidomos adhuruesit e Tij—«dita e Jehovait». Joeli mund të jetë shkrimtari i parë i Biblës që e përdor këtë shprehje, madje plot 5 herë. (1:15; 2:1, 11, 31; 3:14) Në Shkrime, shprehja «dita e Jehovait» përdoret për raste të veçanta kur Jehovai i jep lavdi emrit të vet të madh dhe ekzekuton gjykimin ndaj kundërshtarëve.
Joeli mund të jetë shkrimtari i parë i Biblës që përdor shprehjen «dita e Jehovait»
2. Si lidhen disa libra të tjerë të Biblës me profecinë e Joelit për ‘ditën e Jehovait’?
2 Në libra të tjerë të Biblës gjejmë informacione domethënëse që lidhen me profecinë e Joelit për ‘ditën e Jehovait’. (Shih kutinë 29-A.) Për shembull, Joeli profetizoi për një pushtim simbolik karkalecash. Kjo u përmbush në vitin 607 p.e.s., kur babilonasit (kaldeasit) u sulën si karkaleca në territorin e Judës dhe shkatërruan Jerusalemin, një fakt që e konfirmuan edhe Jeremia me Ezdrën. (Jo 1:6; 2:1, 8-11, 20, 25; krahaso 2Kr 36:17, 19; Jr 32:43.) Shekuj më vonë, Jezui përdori fjalë të ngjashme me ato të Joelit, për të përshkruar një kohë gjykimi në të ardhmen. (Jo 2:31; Mt 24:29, 30) Në Festën e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s., kur dishepujt e Jezuit u mirosën me frymën e shenjtë, apostulli Pjetër tha se po përmbushej një profeci e Joelit. (Jo 2:28-32; Ve 2:16-21) Siç del në pah nga fjalët e Pjetrit, kjo ngjarje ndodhi «në ditët e fundit» të sistemit judaik, që mori fund në vitin 70 të e.s. kur romakët shkatërruan Jerusalemin. Kjo ishte një ‘ditë e Jehovait’. Për më tepër, apostujt Pjetër dhe Pavël folën për një tjetër ‘ditë të Jehovait’ që do të vinte në të ardhmen, duke lënë të kuptohej se profecia e Joelit do të kishte një përmbushje më të madhe.—2Pj 3:12, 13; 1Se 5:2-4.
3. Cilat kombe ndëshkoi Jehovai dhe pse?
3 Joeli shpalli se «dita e Jehovait është afër» për kombet që keqtrajtonin popullin e Perëndisë. (3:2-6, 12, 14, 19) Ai profetizoi se Jehovai do të ndëshkojë qytetet fenikase të Tirit e të Sidonit, si edhe Edomin, Filistinë (Ashdodin, një nga qytetet e saj kryesore) dhe Egjiptin. Profecitë e Joelit janë të ngjashme me disa mesazhe gjykimi që shkruan profetë të tjerë kundër këtyre kombeve. (Krahaso Ezk 29:14-18; Am 1:8; Ma 1:3, 4.) Historia vërteton se këto profeci u përmbushën. Kjo na forcon besimin se edhe profecitë e Joelit për të ardhmen do të përmbushen patjetër.
4. Ç’gjë të rëndësishme mësojmë nga libri i Joelit?
4 Nëpërmjet Joelit, zbulojmë çelësin për t’i mbijetuar «ditës së Jehovait». Ai shkroi se «kushdo që thërret emrin e Jehovait, do të shpëtojë». (2:31, 32) Duke cituar Joelin, Pavli shpjegoi se të krishterët duhet të thërrasin emrin e Jehovait që të shpëtojnë. E një mënyrë si e bëjmë këtë është duke treguar besim tek Ai.—Ro 10:13, 14.
5. Çfarë mësojmë për Jehovain nga libri i Joelit?
5 Libri i Joelit na kujton se Jehovai është «i mëshirshëm, nuk zemërohet shpejt dhe është plot dashuri besnike». (Jo 2:13; Eks 34:6) Ai i fton përzemërsisht të gjithë ata që janë larguar prej tij, të kthehen; Jehovai mezi pret t’i falë e t’i bekojë. (2:12-14, 21) Gjithsesi, nuk do t’ua kursejë ndëshkimin e merituar mëkatarëve që nuk pendohen dhe atyre që keqtrajtojnë popullin e Tij.—1:15; 3:19.
Para se të fillosh leximin . . .
6. Ku dhe kur mund të ketë profetizuar Joeli?
6 Shkrimtari: Për profetin Joel nuk kemi shumë informacion, por dimë se emri i tij ka kuptimin «Jehovai është Perëndi». (1:1, shën.) Joeli shkroi për Judën, Jerusalemin dhe tempullin. Kjo na lë të kuptojmë se mund të ketë jetuar në Jerusalem dhe të ketë profetizuar në Judë. (1:9, 14; 2:17, 32; 3:1, 2, 16-20) Në Shkrimet Hebraike libri i Joelit renditet mes librit të Hozesë dhe të Amosit. Ndaj ka gjasa që Joeli të ketë shërbyer rreth së njëjtës kohë me këta profetë, në fund të shekullit të nëntë p.e.s. Ka mundësi që Joelin ta ketë cituar Amosi, i cili e përfundoi librin rreth vitit 804 p.e.s. (Jo 3:16; Am 1:1, 2) Nëse kjo është e vërtetë, atëherë Joeli e shkroi librin e tij profetik para Amosit, ndoshta rreth vitit 820 p.e.s. E nëse kjo datë është e saktë, ka të ngjarë që Joeli të ketë shërbyer në të njëjtën kohë edhe me profetin Jona.
7. Përshkruaj mesazhin e Joelit dhe stilin e shkrimit që përdori në librin e tij.
7 Sfondi historik: Në vitin 820 p.e.s., në Judë mbretëronte Uziahu (që quhej edhe Azariah). Ai «bëri atë që ishte e drejtë në sytë e Jehovait» dhe në kohën e tij, kombi fitoi mjaft luftëra dhe kishte mirëqenie ekonomike. (2Kr 26:3-14) Gjithsesi, shumë nga populli ishin zhytur në adhurimin e rremë. (2Mb 15:1-4) Ja pse mesazhi i Joelit ishte fiks në kohën e duhur. Profeti i nxiti ata izraelitë të pendoheshin dhe të ktheheshin tek adhurimi i pastër. (2:1, 12) Në librin e Joelit gjejmë veçori të poezisë hebraike, e cila karakterizohet nga një stil i gjallë dhe shprehës. Joeli përdor përsëritje dhe krahasime të fuqishme për të theksuar ide kyçe, siç del në pah te përshkrimi i pushtimit simbolik të karkalecave. (1:4, 6; 2:7) Në pamje të parë mesazhi i Joelit mund të tingëllojë i zymtë, por faktikisht na siguron se Jehovai i mbron përherë adhuruesit besnikë kur gjykon armiqtë e vet.
Përmbledhje
8. Çfarë dëmi shkakton murtaja e karkalecave?
8 Vendi shkretohet nga një pushtim simbolik karkalecash. (1:1–2:11) Joeli përshkruan një vegim të tmerrshëm për një mori karkalecash që gllabërojnë gjithë bimësinë. Si rrjedhojë, nuk ka më ushqime për t’u ofruar si flijim në shtëpinë e Jehovait. Karkalecat krahasohen me një komb që është «i fuqishëm e i panumërt» dhe me një ushtri «që përmbush fjalën [e Perëndisë]» ‘në ditën e Jehovait’.—1:6; 2:11; shih kutinë 29-B.
9. Çfarë thirrjeje i bën Jehovai popullit të tij rebel?
9 Jehovai e nxit popullin e tij të pendohet dhe të kthehet tek ai. (2:12-32) Nëse veprojnë kështu, ai do t’u tregojë dhembshuri dhe nuk do t’i shkatërrojë ashtu siç kishte ndër mend. Jehovai do t’i bekojë, do t’i falë dhe do të derdhë frymën e tij mbi ta.
10. Si do të veprojë Jehovai me ata që e keqtrajtojnë popullin e tij?
10 Jehovai ndëshkon kombet që e kanë keqtrajtuar popullin e tij. (3:1-21) Perëndia do ta kthejë popullin në Judë dhe në Jerusalem. Pastaj do të mbledhë kombet dhe do t’i gjykojë në «luginën e Jehozafatit» që quhet ndryshe ‘Lugina e Vendimit’. (3:12, 14) Libri mbyllet me shprehjen: «Jehovai do të banojë në Sion.» (3:21) Me këto fjalë Jehovai e siguron popullin e tij se do ta bekojë e do ta mbrojë.
Nxirr dobi nga libri i Joelit
-
1. FORCO MIQËSINË ME JEHOVAIN
-
a. Çfarë na tregon për durimin e Jehovait shprehja «megjithatë nuk është vonë» te Joeli 2:11-13?
-
b. Si ndihesh kur lexon për cilësitë e Jehovait që përmenden te Joeli 2:13?
-
-
2. ZHYTU MË THELLË
-
a. Cilat detaje për tufat e karkalecave na ndihmojnë të kuptojmë profecinë e Joelit? (1:4; shih kutinë 29-B.)
-
b. Jehovai e plotësoi premtimin për të derdhur frymën e tij mbi shërbëtorët e vet. Si ndikon kjo te ti? (Jo 2:28-32; Ve 2:16-21)
-
-
3. SI TA ZBATOSH
-
a. Çfarë duhet të bëjmë për t’i mbijetuar ‘ditës së Jehovait’ në të ardhmen? (Jo 2:12, 13, 32; krahaso 1Se 5:2-6.)
-
b. Lexo Joelin 2:23-26. Si e tregojnë këto vargje se Jehovai është bujar? Si mund ta imitojmë shembullin e Jehovait?
-
-
4. ÇFARË MËSOVE TJETËR NGA LIBRI I JOELIT?

