SI TA PËRDORËSH KËTË LIBËR
Ky libër është bërë enkas që të na ndihmojë të studiojmë Biblën. Ai përmban mjaft veçori nga Shkrimet e Shenjta—Përkthimi Bota e Re (nwt), si shkrime referuese, shtojcat dhe fjalorthin.
NËNTEMAT E KAPITUJVE
PSE ËSHTË ME VLERË
Nëntema e parë shpjegon çfarë vlere ka për ne sot libri i Biblës për të cilin flet kapitulli. Ajo fokusohet te Jehovai si Autor i Biblës dhe shpjegon pse na e dha këtë libër. Gjithashtu tregon si lidhet libri me temën e Biblës dhe me libra të tjerë të saj. Ç’është më e rëndësishmja, na ndihmon të mësojmë më shumë për Jehovain dhe për cilësitë e tij.
PARA SE TË FILLOSH LEXIMIN . . .
Nëntema e dytë përmban informacione shtesë. Ajo na tregon kush e shkroi librin, kur mbaroi së shkruari, për kë u shkrua fillimisht dhe pse, kontekstin historik, personazhet kryesore, idetë kyçe, stilin dhe si është i organizuar.
PËRMBLEDHJE
Nëntema e tretë bën një përmbledhje të shkurtër. Në shumicën e rasteve, ngjarjet paraqiten sipas radhës që tregohen në Bibël. Por ndonjëherë paraqiten edhe sipas argumentit. Veç kësaj, në këtë pjesë gjejmë informacione të dobishme për kontekstin historik, për kohën dhe vendin ku ndodhën ngjarjet, si edhe për stilin që ka përdorur shkrimtari.
Kjo nëntemë plotëson pjesën «Përmbajtja» të Përkthimit Bota e Re. «Përmbajtja» tregon shkurtimisht se për çfarë flet çdo kapitull dhe na ndihmon të gjejmë më thjesht vargje specifike.
NXIRR DOBI
Nëntema e katërt ka pyetje që të ndihmojnë të përfitosh sa më shumë nga libri që po shqyrtohet. Falë tyre mund të forcosh miqësinë me Jehovain, të kuptosh më plotësisht historitë e Biblës dhe të zbatosh atë që mëson nga vargjet e cituara. Disa pyetje të drejtojnë te veçori të këtij botimi ose të Përkthimit Bota e Re, si tabela, harta, tabela kronologjike dhe paraqitje grafike. Këto veçori do të të ndihmojnë të nxjerrësh sa më shumë dobi nga kapitulli që ke lexuar.
ELEMENTET E KAPITULLIT
INFORMACIONE BAZË
Kjo kuti përmban të dhëna të rëndësishme për librin e Biblës. Në rastet kur nuk dihet me saktësi shkrimtari ose vendi ku u shkrua, përdoret shenja e pikëpyetjes (?). Shumë data janë vendosur me përafërsi. Shkurtimi p.e.s. do të thotë «para erës sonë», ndërsa e.s. do të thotë i «erës sonë».
TABELË E LIBRAVE TË BIBLËS
Siç e dimë, librat e Biblës nuk u shkruan sipas radhës që gjenden sot në Bibël. Ndaj kjo tabelë që del në çdo kapitull do të të ndihmojë të kuptosh cilët libra të Biblës kishin përfunduar, cilët mund të kishin përfunduar dhe cilët nuk ishin shkruar ose nuk kishin përfunduar në kohën kur u shkrua libri që po shqyrtojmë. Gjithsesi, data kur përfundoi shkrimi i shumë librave, është vendosur me përafërsi. Ja pse s’mund ta themi me siguri se në cilën radhë u shkruan 66 librat e Biblës.
ELEMENTE TË TJERA
KUTI INFORMATIVE
Këto kuti janë emërtuar sipas numrit të kapitullit dhe një shkronje në rend alfabetik. Ato janë emërtuar sipas radhës që shfaqen në formatin e shtypur, jo sipas radhës që përmenden në tekst ose që shfaqen në formatin digjital.
TABELA KRONOLOGJIKE
Tabelat kronologjike na ndihmojnë të kuptojmë kohën kur kanë ndodhur ngjarje të caktuara. Në disa raste periudha kohore në bosht paraqitet nëpërmjet palosjeve, sepse është ngjeshur që të përshtatet me përmasat e figurës. (Shih shembullin.) Në raste të tjera, palosjet paraqesin një periudhë kohe të papërcaktuar.
TABELA
Këto kuti informative nxjerrin në pah lidhjen mes librave të Biblës. Për shembull, shkrimtari i një libri mund të ketë cituar pjesë nga libra të tjerë të Biblës dhe anasjelltas, librin që po shqyrtojmë mund ta kenë cituar shkrimtarë të tjerë. Me raste, një profeci mund të jetë shkruar në një libër, por e ka përmbushjen në një libër tjetër. Gjithashtu, libra të ndryshëm mund të përmendin të njëjtat histori, parime dhe ide kryesore.
HARTA
Hartat na e bëjnë më të lehtë të kuptojmë pozicionin gjeografik të vendeve që përmenden. Të gjitha hartat paraqiten me drejtim nga veriu. Ato përmbajnë edhe një shkallë që na ndihmon të përllogaritim distancat. Në shumë raste nuk dihet vendndodhja e saktë e vendeve ose e rrugëve. Simbolet vijuese përdoren për të identifikuar veçoritë e hartës.
PEMË GJENEALOGJIKE
Pemët gjenealogjike na ndihmojnë të kuptojmë lidhjet familjare mes disa personazheve kryesore të Biblës. Si rrjedhojë, mund ta bëjnë më domethënëse një histori.

