FJALA E PERËNDISË ËSHTË E VËRTETA—EKSPLORO BIBLËN

Libri i Biblës nr. 28—Hozea

shqip
Libri i Biblës nr. 28—Hozea
https://cms-imgp.jw-cdn.org/img/p/1102026528/univ/art/1102026528_univ_sqr_xl.jpg
gwt book 28

LIBRI I BIBLËS NR. 28

Hozea

Hozea

FOKUSI: Gjykime kundër mbretërisë dhjetëfisëshe të Izraelit dhe thirrja e mëshirshme e Jehovait për t’u kthyer tek Ai

SI LIDHET ME TEMËN E BIBLËS: Tregon se Jehovai është Sovran i mëshirshëm dhe se është gjithnjë në të mirën tonë t’i qëndrojmë besnikë

SHKRIMTARI: Hozea

KU U SHKRUA: Rajoni i Samarisë

KUR PËRFUNDOI: Ndërmjet viteve 745 p.e.s.–740 p.e.s.

PERIUDHA KUR NDODHËN NGJARJET: Para 804 p.e.s.–pas 745 p.e.s. (të paktën 59 vjet)

Pse është me vlerë

1. Cilën nga cilësitë e Jehovait nxjerr në pah libri i Hozesë, dhe si është ilustruar kjo?

 A ËSHTË Jehovai një Sovran i dashur? A interesohet vërtet për ata që e adhurojnë? Absolutisht që po! Libri i Hozesë na e vërteton më së miri këtë, duke theksuar një nga cilësitë e mrekullueshme të Jehovait: mëshirën e tij. Jehovai përdor marrëdhënien e Hozesë me gruan e tij tradhtare, për të treguar se është gati të shfaqë mëshirë, edhe nëse s’ka parë akoma shenja pendimi. (3:1) Vështirë se mund të kishte gjetur krahasim më të goditur. Është e qartë se Jehovai e donte popullin e vet rebel ‘me vullnetin e tij të lirë’.—14:1-4.

2. Çfarë na tregon tjetër për Jehovain libri i Hozesë?

2 Nëpërmjet librit të Hozesë, Jehovai na njeh edhe me aspekte të tjera të personalitetit të tij, si besnikëria dhe durimi. (2:19, 20) Ndonëse izraelitët e kishin bërë rrugë ta braktisnin Jehovain për të adhuruar perëndi të tjera, Ai vazhdonte ‘t’i tërhiqte me kordonët e dashurisë’. (11:1-4) Megjithatë durimi i Jehovait ka kufi; ai nuk do ta tolerojë përgjithmonë ligësinë. (10:9-12) Jehovai e urren hipokrizinë dhe e çmon kur e adhurojmë me motivin e duhur, pra nga dashuria besnike.—6:4, 6; 10:1, 2.

Jehovai tregon mëshirë, edhe nëse s’ka parë akoma shenja pendimi

3. Ç’gjë të rëndësishme mësojmë nga libri i Hozesë?

3 Në librin e Hozesë, Jehovai na jep një mësim të rëndësishëm: s’ka jetë më të mirë se të ecësh në «udhët e Jehovait». (14:9) Populli i Izraelit a i kishte varur shpresat te kombet e tjera dhe te perënditë e tyre me idenë se do t’u dilte më mirë. (7:11; 9:10; 12:1) Por shpejt ato kombe do t’i linin në baltë, ndërsa perënditë e tyre s’do të lëviznin dot as gishtin për t’i ndihmuar. (8:8, 9; 10:5) Krejt ndryshe, Jehovai u ishte gjendur gjithmonë dhe u kishte premtuar se do t’i bekonte nëse do t’i bindeshin.—2:8, 18.

4. Cilat informacione domethënëse për të krishterët përmban libri i Hozesë?

4 Libri i Hozesë ka informacione domethënëse për të krishterët. Ai citohet nga Jezui dhe nga të tjerë në Shkrimet e Krishtere Greke dhe përmban profeci që janë përmbushur. (Shih  kutinë 28-A.) Për shembull, Jehovai paratha për Mesinë: «Nga Egjipti e thirra tim bir.» (11:1) Kjo u përmbush kur prindërit e çuan Jezuin në Egjipt dhe u kthyen në Izrael pas vdekjes së Herodit. (Mt 2:14, 15) Ndërsa apostulli Pavël shpjegoi se disa nga profecitë e Hozesë nënkuptonin se edhe joizraelitët do të bëheshin pjesë e popullit të Perëndisë dhe do të quheshin «bijtë e Perëndisë së gjallë». (1:10; 2:23) Si rrjedhojë, do të qeverisnin bashkë me Krishtin.—Ro 9:25, 26; krahaso 1Pj 2:9, 10.

Para se të fillosh leximin . . .

5. Çfarë dimë për profetin Hozea?

5 Shkrimtari: Emri Hozea është formë e shkurtuar e emrit Hoshajah, që do të thotë «i shpëtuar nga Jah; Jah ka shpëtuar». (1:1, shën.) Hozea ishte profet për mbretërinë veriore të Izraelit, edhe pse disa nga profecitë e tij u drejtoheshin mbretërisë jugore të Judës. Ai shërbeu si profet nga rreth vitit 804 p.e.s. deri pas vitit 745 p.e.s. Kjo do të thotë se profetizoi për të paktën 59 vjet. Ka të ngjarë që Hozea të ketë mbaruar së shkruari librin ndërmjet viteve 745 p.e.s.-740 p.e.s. b Ai ishte profet në të njëjtën kohë me Amosin dhe Odedin në Izrael dhe me Isainë e Mikenë që shërbenin në Judë.—2Kr 28:9.

6. Si ishte situata në Izrael në kohën e Hozesë?

6 Sfondi historik: Hozea shërbeu me besnikëri për dekada në një periudhë të errët të historisë: kombi i kishte kthyer krahët Jehovait, kurse situata politike ishte e paqëndrueshme. Hozea nisi të profetizonte kur në Izrael sundonte mbreti i lig Jeroboami II. Gjithsesi, kombi kishte fituar shumë luftëra e gëzonte mirëqenie ekonomike. (2Mb 14:24-28) Ama izraelitët s’donin t’ia dinin fare për Jehovain. Ata mendonin se çdo gjë e mirë u vinte falë Baalit dhe e adhuronin duke u dehur e duke kryer marrëdhënie seksuale me prostitutat e tempullit. (4:11-13) Pas vdekjes së Jeroboamit, Izraeli u përfshi nga trazirat politike; filluan komplotet dhe vrasjet. (2Mb 15:8-20) Mbretërit pasues donin të lidhnin aleancë me Egjiptin dhe me Asirinë—asnjëri prej tyre nuk kishte besim te Jehovai.

7. Çfarë u tha Jehovai izraelitëve me anë të Hozesë?

7 Me anë të Hozesë, Jehovai paraqiti çështjen e Tij ligjore kundër Izraelit. Ai ia numëroi një më një kombit mëkatet e shumta dhe i paralajmëroi për pasojat. (4:1, 2, 9) Megjithatë u kujtoi edhe se është i mëshirshëm dhe mezi pret të falë. Jehovai iu përgjërua për herë të fundit Izraelit të kthehej tek Ai, para se ta lejonte Asirinë të pushtonte Samarinë.

8. Ç’mund të themi për stilin e shkrimit që përdori Hozea?

8 Detaje të tjera: Pjesa më e madhe e librit të Hozesë është shkruar në stil poetik. Aty lexojmë si qortime të forta, edhe thirrje të përzemërta për pendim. (10:1; 14:1, 2) Hozea përdor mjaft krahasime të fuqishme.—4:16; 5:13, 14; 6:3, 4.

Përmbledhje

9. Çfarë i kërkoi Jehovai Hozesë dhe çfarë na tregon kjo për mëshirën e Jehovait?

9 Jehovai përdor marrëdhënien e Hozesë me gruan e tij tradhtare për të ilustruar mëshirën që do t’i tregojë Izraelit. (1:1–3:5) Jehovai i thotë Hozesë të martohet «me një grua që do të kryejë prostitucion». (1:2) Hozea martohet me Gomerën, dhe ajo i lind një djalë. Kurse dy fëmijët e tjerë të saj janë fryt i tradhtisë. c Kuptimi i emrave të tre fëmijëve zbulon se Jehovai do ta gjykojë dhe do ta hedhë poshtë Izraelin. Në kapitullin 2, Jehovai parathotë se pasi t’i ketë dhënë ndëshkimin e merituar Izraelit jobesnik, do ta falë dhe do ta ndihmojë përzemërsisht të kthehet tek ai. Për të treguar sa i gatshëm ishte ta falte Izraelin, Jehovai i thotë Hozesë ta marrë sërish gruan e tij tradhtare.—3:1.

10-11. Si e kanë lënduar izraelitët Jehovain?

10 Gjykimet profetike. (4:1–13:16) Hozea paraqet çështjen ligjore të Jehovait kundër Izraelit, duke renditur mëkatet e shumta të kombit. (4:1, 2) Ai përmend edhe mëkatet e Judës. (5:5) Hozea e nxit kombin e Izraelit të kthehet te Jehovai. (6:1) Por Izraeli u drejtohet për ndihmë kombeve të tjera. (7:11) Izraelitët do të vuajnë pasojat. (8:7-10) Jehovai do t’i ndëshkojë dhe do t’i hedhë poshtë.—9:17; 10:15.

11 Jehovai u kujton izraelitëve se i ka dashur gjithmonë. (11:1-3) Por krejt ndryshe, ata nuk i kanë treguar pikë dashurie. (11:7; 12:1) Kombi është fajtor për rebelim, ndaj kryeqyteti, Samaria, do të shkatërrohet.—13:16.

12. Ç’të mira do të ketë populli nëse kthehet te Jehovai?

12 Jehovai u bën thirrje për herë të fundit izraelitëve që të kthehen tek ai. (14:1-9) Jehovai e nxit popullin që të kthehet tek ai. Nëse pranojnë, ai premton se do t’i mbulojë me dashuri dhe mëshirë.

Nxirr dobi nga libri i Hozesë

  1. 1. FORCO MIQËSINË ME JEHOVAIN

    1. a. Çfarë mësove për Jehovain nga Hozea 2:13, 14, 19, 20?

    2. b. Si tregon Jehovai se e do popullin e tij? (11:1-4)

  2. 2. ZHYTU MË THELLË

    1. a. Sa profetë kishte dërguar Jehovai te mbretëria dhjetëfisëshe para se të dërgonte Hozenë? (12:10, shkrimet referuese; nwt shtojca A6) Çfarë të tregon kjo për Jehovain?

    2. b. Si u përmbush Hozea 1:7? (2Mb 19:32-35)

  3. 3. SI TA ZBATOSH

    1. a. Çfarë vlerëson në veçanti Jehovai te ne? (6:6)

    2. b. Hozea paratha se Jehovai do të pranonte në popullin e tij edhe joizraelitë. (2:23) Si mund ta imitojmë dashurinë e Jehovait për të gjithë njerëzit kur predikojmë?

  4. 4. ÇFARË MËSOVE TJETËR NGA LIBRI I HOZESË?

a Në librin e Hozesë mbretëria dhjetëfisëshe e Izraelit quhet shpesh Efraim, ngaqë ishte fisi më i rëndësishëm, ose Samari, sepse ishte kryeqyteti.

b Hozea përmend mbretin Hezekia, i cili filloi qeverisjen në vitin 745 p.e.s. Gjithashtu profetizoi shkatërrimin e Samarisë, që ndodhi më 740 p.e.s. Megjithatë Hozea nuk shkroi se Samaria u shkatërrua, ja pse duhet ta ketë përfunduar librin para se të shkatërrohej qyteti.—1:1; 13:16.

c Ka të ngjarë që këta fëmijë të kenë lindur nga marrëdhëniet jashtëmartesore të Gomerës, meqë Hozea nuk i përmend si fëmijët e vet.—1:3, 6, 8.