Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një dritë për kombet

Një dritë për kombet

Kapitulli njëzet e tetë

Një dritë për kombet

Isaia 66:15-24

1, 2. Pse është jetësore drita dhe ç’lloj errësire e mbulon tokën sot?

JEHOVAI është Burimi i dritës, ai «që ka dhënë diellin për dritën e ditës dhe i ka dhënë ligje hënës dhe yjeve për dritën e natës». (Jeremia 31:35, Dio) Edhe vetëm në bazë të kësaj, ai duhet pranuar si Burimi i jetës, përderisa drita do të thotë jetë. Nëse toka nuk do të ngrohej dhe ndriçohej vazhdimisht nga dielli, jeta siç e njohim ne do të ishte e pamundur. Planeti ynë do të ishte i pabanueshëm.

2 Prandaj, është me shumë interes për ne fakti që Jehovai, duke folur për kohën tonë, paratha një periudhë errësire dhe jo drite. Nën frymëzim, Isaia shkroi: «Ja, terri mbulon tokën dhe një errësirë e dendur mbulon popujt.» (Isaia 60:2, Dio) Natyrisht, këto fjalë kishin të bënin me errësirën frymore dhe jo fizike, por serioziteti i tyre nuk duhet nënvlerësuar. Përfundimisht, jeta bëhet e pamundur për ata që nuk kanë dritë frymore, ashtu siç u ndodh edhe atyre që privohen nga drita e diellit.

3. Në këto kohë të errëta, ku mund të drejtohemi për dritë?

3 Gjatë këtyre kohëve të errëta, nuk mund t’ia lejojmë vetes ta shpërfillim dritën frymore që na vë në dispozicion Jehovai. Është thelbësore t’i drejtohemi Fjalës së Perëndisë për të ndriçuar rrugën tonë, duke e lexuar Biblën përditë nëse është e mundur. (Psalmi 119:105) Mbledhjet e krishtere na japin mundësi që të nxitim njëri-tjetrin për të qëndruar në ‘shtegun e të drejtëve’. (Proverbat 4:18, Dio; Hebrenjve 10:23-25) Forca që marrim nga studimi i zellshëm i Biblës dhe nga shoqëria e shëndoshë e krishterë na ndihmon që të mos zhytemi në errësirën e këtyre ‘ditëve të fundit’, të cilat do të marrin fund me «ditën e [madhe të] zemërimit të Zotit». (2 Timoteut 3:1; Sofonia 2:3, Dio) Ajo ditë po vjen me të shpejtë! Ardhja e saj është po aq e sigurt sa qe edhe ardhja e një dite të ngjashme mbi banorët e Jerusalemit të lashtë.

Jehovai ‘merr në dorë polemikën’

4, 5. (a) Në ç’mënyrë vjen Jehovai kundër Jerusalemit? (b) Pse mund të nxjerrim si përfundim se vetëm një numër relativisht i vogël do të mbijetojë gjatë shkatërrimit të Jerusalemit në vitin 607 p.e.s.? (Shih shënimin.)

4 Në vargjet përmbyllëse të profecive drithëruese të Isaisë, Jehovai përshkruan në mënyrë të gjallë ngjarjet që do të çojnë deri në ditën e zemërimit të tij. Lexojmë: «Jehovai vetë vjen si një zjarr dhe karrocat e tij janë si një tufan, për të lëshuar zemërimin e tij me tërbim dhe qortimin e tij me flakë zjarri. Sepse si zjarri, Jehovai vetë do të marrë në dorë, në të vërtetë, polemikën, po, me shpatën e tij, kundër çdo mishi dhe të vrarët nga Jehovai do të bëhen, me siguri, shumë.»​—Isaia 66:15, 16.

5 Këto fjalë duhet t’i ndihmojnë bashkëkohësit e Isaisë të kuptojnë seriozitetin e situatës së tyre. Po afron koha kur babilonasit, si ekzekutuesit e dërguar nga Jehovai, do të vijnë kundër Jerusalemit dhe karrocat e tyre do të ngrenë re pluhuri porsi një tufan. Ç’pamje tmerruese do të jetë! Jehovai do t’i përdorë pushtuesit për të ekzekutuar gjykimet e tij të zjarrta kundër çdo «mishi» jude jobesnik. Do të jetë sikur vetë Jehovai të luftojë kundër popullit të tij. ‘Tërbimi’ i tij nuk do të frenohet. Shumë judenj do të bien si ‘të vrarë nga Jehovai’. Në vitin 607 p.e.s., kjo profeci përmbushet. *

6. Cilat praktika të qortueshme kryhen në Judë?

6 A është i justifikuar Jehovai për të ‘marrë në dorë mosmarrëveshjen’ me popullin e tij? Sigurisht! Shumë herë gjatë trajtimit të librit të Isaisë kemi parë që judenjtë, ndonëse pohonin se ishin dedikuar ndaj Jehovait, qenë zhytur në adhurimin e rremë dhe Jehovai nuk i kishte mbyllur sytë para veprimeve të tyre. Të njëjtën gjë e shohim përsëri në fjalët vijuese të profecisë: «‘Ata që shenjtërohen dhe pastrohen për kopshtet pas dikujt në qendër, që hanë mishin e derrit dhe gjënë që ngjall krupë, madje miun, do të shkojnë të gjithë bashkë drejt fundit të tyre’,​—është shprehja e Jehovait.» (Isaia 66:17) A «shenjtërohen dhe pastrohen» ata judenj për t’u përgatitur për adhurimin e pastër? Është e qartë që jo. Në vend të kësaj, ata praktikojnë rite pagane pastrimi në kopshte të veçanta. Pas kësaj, me grykësi gllabërojnë mishin e derrit dhe të krijesave të tjera që konsiderohen të papastra sipas Ligjit të Moisiut.​—Levitiku 11:7, 21-23.

7. Në ç’mënyrë i ngjan i ashtuquajturi krishterim Judës idhujtare?

7 Ç’gjendje e neveritshme për një komb me të cilin Perëndia i vetëm i vërtetë ka bërë një besëlidhje! Por shqyrtoni: Një situatë e ngjashme e neveritshme ekziston sot mes feve të të ashtuquajturit krishterim. Ngjashëm, këto fe pohojnë se i shërbejnë Perëndisë dhe shumë nga udhëheqësit e tyre hiqen si të përshpirtshëm. Megjithatë, ato ndoten me mësime dhe tradita pagane, duke treguar se janë në errësirë frymore. Sa e madhe është kjo errësirë!​—Mateu 6:23; Gjoni 3:19, 20.

‘Do t’u duhet të shohin lavdinë time’

8. (a) Çfarë do t’i ndodhë Judës dhe të ashtuquajturit krishterim? (b) Në cilin kuptim do ta ‘shohin lavdinë e Jehovait’ kombet?

8 A i vë re Jehovai veprat e qortueshme dhe mësimet e rreme të të ashtuquajturit krishterim? Lexoni fjalët e mëposhtme të Jehovait, të dokumentuara nga Isaia dhe shikoni ç’përfundim do të nxirrni: «Sa për veprat dhe mendimet e tyre, unë po vij për të mbledhur bashkë të gjitha kombet e gjuhët dhe kanë për të ardhur e kanë për të parë lavdinë time.» (Isaia 66:18) Jehovai është i vetëdijshëm dhe i gatshëm të gjykojë jo vetëm veprat, por edhe mendimet e atyre që pohojnë se janë shërbëtorët e tij. Juda pohon se beson te Jehovai, por veprat idhujtare dhe praktikat pagane të saj e përgënjeshtrojnë këtë pohim. Është e kotë që qytetarët e saj «pastrohen» sipas riteve pagane. Kombi do të shkretohet dhe, kur kjo të ndodhë, të gjithë fqinjët e saj që adhurojnë idhujt do ta shohin qartë. Këta do të ‘shohin lavdinë e Jehovait’ në kuptimin që do të jenë dëshmitarë të ngjarjeve dhe do të jenë të detyruar të pranojnë që fjala e Jehovait ka dalë e vërtetë. Si zbatohet e gjithë kjo për të ashtuquajturin krishterim? Kur atij t’i vijë fundi, shumë nga ish-miqtë dhe partnerët e tij të biznesit do të jenë të detyruar të bëjnë sehir e të shohin pa pasur fuqi të ndërhyjnë, ndërkohë që përmbushet fjala e Jehovait.​—Jeremia 25:31-33; Zbulesa 17:15-18; 18:9-19.

9. Cilin lajm të mirë shpall Jehovai?

9 A nënkupton shkatërrimi i Jerusalemit në vitin 607 p.e.s. se Jehovai nuk do të ketë më dëshmitarë në tokë? Jo. Individë besnikë të shquar, të tillë si Danieli dhe tre shokët e tij, do të vazhdojnë t’i shërbejnë Jehovait, madje edhe kur të jenë të mërguar në Babiloni. (Danieli 1:6, 7) Po, grupi i dëshmitarëve besnikë të Jehovait do të mbetet i paprekur dhe në fund të 70 vjetëve, burra besnikë e gra besnike do të largohen nga Babilonia dhe do të kthehen në Judë për të rivendosur atje adhurimin e pastër. Në vazhdim, Jehovai flet pikërisht për këtë gjë: «Do të vendos midis tyre një shenjë dhe disa prej atyre që kanë ikur do t’i dërgoj nëpër kombe: në Tarshish, në Pul dhe në Lud, tek ata që tendosin harkun, në Tubal dhe Javan, në ishujt e largët, të cilët nuk kanë dëgjuar për mua dhe as e kanë parë lavdinë time dhe, me siguri, do të flasin për lavdinë time mes kombeve.»​—Isaia 66:19.

10. (a) Në cilin kuptim do të shërbejnë si një shenjë judenjtë besnikë të çliruar nga Babilonia? (b) Cilët shërbejnë sot si një shenjë?

10 Moria e burrave besnikë dhe e grave besnike që kthehen në Jerusalem në vitin 537 p.e.s. do të shërbejë si një shenjë mahnitëse, si një dëshmi që Jehovai e ka çliruar popullin e tij. Kush e kishte menduar që judenjtë e robëruar do të çliroheshin një ditë për të praktikuar adhurimin e pastër në tempullin e Jehovait? Në mënyrë të ngjashme, në shekullin e parë, ata që shërbyen «si shenja dhe si mrekulli» ishin të krishterët e mirosur, drejt të cilëve vërshuan personat zemërbutë që donin t’i shërbenin Jehovait. (Isaia 8:18; Hebrenjve 2:13) Sot, të krishterët e mirosur që lulëzojnë në vendin e tyre të ripërtërirë, shërbejnë si një shenjë mahnitëse në tokë. (Isaia 66:8) Ata janë një dëshmi e gjallë e fuqisë që ka fryma e Jehovait, duke tërhequr pranë tyre ata individë zemërbutë që i shtyn zemra t’i shërbejnë Jehovait.

11. (a) Pas rivendosjes, si do të ndodhë që njerëzit e kombeve do të mësojnë për Jehovain? (b) Si u përmbush fillimisht Zakaria 8:23?

11 Por, si do të ndodhë që, pas rivendosjes në vitin 537 p.e.s., njerëzit e kombeve që nuk kanë dëgjuar për Jehovain do ta njohin atë? Po ja, jo të gjithë judenjtë besnikë do të kthehen në Jerusalem në fund të periudhës së robërisë babilonase. Disa, si Danieli, do të qëndrojnë në Babiloni. Të tjerë do të shpërndahen në të katër skajet e tokës. Aty nga shekulli i pestë p.e.s. kishte judenj që jetonin në gjithë Perandorinë Perse. (Estera 1:1; 3:8) Pa dyshim, disa prej tyre u folën fqinjëve të tyre paganë për Jehovain, pasi shumë individë nga këto kombe u bënë prozelitë judenj. Me sa duket, një gjë e tillë kishte ndodhur edhe në rastin e eunukut etiopas, të cilit i predikoi në shekullin e parë dishepulli i krishterë Filipi. (Veprat 8:26-40) E gjithë kjo ishte një përmbushje fillestare e fjalëve të profetit Zakaria: «Në ato ditë dhjetë burra nga të gjitha gjuhët e kombeve do të zënë një Jude nga cepi i rrobës dhe do të thonë: ‘Ne duam të vijmë me ju sepse kemi dëgjuar se Perëndia është me ju.’» (Zakaria 8:23, Dio) Jehovai ua dërgoi vërtet dritën e tij kombeve!​—Psalmi 43:3.

Sjellin «një dhuratë për Jehovain»

12, 13. Në ç’mënyrë do të sillen «vëllezërit» në Jerusalem duke filluar nga viti 537 p.e.s.?

12 Pas rindërtimit të Jerusalemit, judenjtë që gjenden të shpërndarë shumë larg vendit të tyre do ta shohin këtë qytet bashkë me priftërinë e tij të rivendosur si qendrën e adhurimit të pastër. Shumë prej tyre do të bëjnë një rrugë të gjatë për të marrë pjesë në festat vjetore që kremtohen atje. Nën frymëzim, Isaia shkruan: «‘Nga të gjitha kombet ata do t’i sjellin në të vërtetë tërë vëllezërit e tu si një dhuratë për Jehovain, mbi kuaj, mbi karroca, mbi qerre të mbuluara, mbi mushka dhe mbi deve femra të shpejta, lart për në malin tim të shenjtë, në Jerusalem,​—ka thënë Jehovai,​—porsi atëherë kur bijtë e Izraelit sjellin dhuratën në një enë të pastër në shtëpinë e Jehovait. Dhe edhe nga ata do të marr disa për priftërinjtë, për levitët.»​—Isaia 66:20, 21.

13 Disa nga këta ‘vëllezër nga të gjitha kombet’ ishin të pranishëm në festën e Ditës së Pesëdhjetë, kur fryma e shenjtë u derdh mbi dishepujt e Jezuit. Tregimi thotë: «Në Jerusalem banonin judenj, njerëz plot nderim për Perëndinë, nga të gjitha kombet nën qiell.» (Veprat 2:5) Ata erdhën në Jerusalem për të adhuruar sipas zakonit jude, por kur dëgjuan lajmin e mirë për Jezu Krishtin, shumë ushtruan besim tek ai dhe u pagëzuan.

14, 15. (a) Në ç’mënyrë të krishterët e mirosur grumbulluan ‘vëllezër’ të tjerë frymorë pas Luftës I Botërore dhe si u sollën këta para Jehovait si një ‘dhuratë në një enë të pastër’? (b) Në ç’mënyrë i ‘mori disa për priftërinjtë’ Jehovai? (c) Cilët ishin disa të krishterë të mirosur që morën pjesë në grumbullimin e vëllezërve të tyre frymorë? (Shih kutinë në këtë faqe.)

14 A ka një përmbushje në kohën e sotme kjo profeci? Sigurisht që po. Pas Luftës I Botërore, shërbëtorët e mirosur të Jehovait dalluan nga Shkrimet se Mbretëria e Perëndisë ishte vendosur në qiell në vitin 1914. Nëpërmjet studimit të kujdesshëm të Biblës, mësuan se duheshin mbledhur të tjerë trashëgimtarë të Mbretërisë ose ‘vëllezër’. Shërbëtorë të patrembur udhëtuan deri në «skajin më të largët të tokës», duke përdorur çdo mjet transporti, në kërkim të pjesëtarëve të mundshëm të mbetjes së mirosur, shumica prej të cilëve dolën nga kishat e të ashtuquajturit krishterim. Kur u gjetën, këta u sollën si një dhuratë për Jehovain.​—Veprat 1:8.

15 Të mirosurit që u grumbulluan në vitet e para nuk pritnin që Jehovai t’i pranonte ashtu siç ishin para se të njihnin të vërtetën e Biblës. Ata ndërmorën hapa për t’u pastruar nga ndotjet frymore dhe morale, në mënyrë që ta paraqitnin veten si një ‘dhuratë në një enë të pastër’, ose siç tha apostulli Pavël, ‘si një virgjëreshë të dëlirë para Krishtit’. (2 Korintasve 11:2) Veç flakjes së gabimeve doktrinale, të mirosurve iu desh të mësonin si të qëndronin krejtësisht asnjanës në çështjet politike të kësaj bote. Në vitin 1931, kur shërbëtorët e tij ishin pastruar në një masë të përshtatshme, Jehovai u dha me dashamirësi privilegjin që të mbanin emrin e tij si Dëshmitarë të Jehovait. (Isaia 43:10-12) Por, në ç’mënyrë i ‘mori disa për priftërinjtë’ Jehovai? Si grup, këta të mirosur u bënë pjesë e një ‘priftërie mbretërore, një kombi të shenjtë’, që i ofron sakrifica lëvdimi Perëndisë.​—1 Pjetrit 2:9; Isaia 54:1; Hebrenjve 13:15.

Grumbullimi vazhdon

16, 17. Me cilët ka të bëjë shprehja «pasardhësit tuaj», pas Luftës I Botërore?

16 Numri i plotë i kësaj ‘priftërie mbretërore’ është 144.000, dhe me kalimin e kohës grumbullimi i tyre përfundoi. (Zbulesa 7:1-8; 14:1) A nënkuptoi kjo fundin e veprës së grumbullimit? Jo. Profecia e Isaisë vazhdon: «‘Ashtu si qëndrojnë para meje qiejt e rinj dhe toka e re që po bëj,​—është shprehja e Jehovait,​—kështu do të vazhdojnë të qëndrojnë pasardhësit tuaj dhe emri juaj.’» (Isaia 66:22) Në përmbushjen fillestare të këtyre fjalëve, judenjtë që kthehen nga robëria babilonase do të fillojnë të rritin fëmijë. Kështu, mbetja judeje e rivendosur, pra ‘toka e re’, nën administratën e re judeje, ‘qiejt e rinj’, do të vendoset fortësisht. Megjithatë, kjo profeci ka pasur një përmbushje të jashtëzakonshme në kohën tonë.

17 «Pasardhësit» që prodhon kombi i vëllezërve frymorë janë pjesëtarët e ‘shumicës së madhe’ që kanë shpresën e jetës së përhershme në tokë. Ata vijnë «nga të gjitha kombet, fiset, popujt dhe gjuhët» e qëndrojnë «përpara fronit dhe përpara Qengjit». Këta «i kanë larë petkat e tyre të gjata e i kanë zbardhur në gjakun e Qengjit». (Zbulesa 7:9-14; 22:17) Sot, ‘shumica e madhe’ po kalon nga errësira frymore në dritën që siguron Jehovai. Pjesëtarët e saj ushtrojnë besim te Jezu Krishti dhe ashtu si vëllezërit e tyre të mirosur dhe motrat e tyre të mirosura, përpiqen të qëndrojnë të pastër frymësisht e moralisht. Si grup ata vazhdojnë të shërbejnë nën drejtimin e Krishtit dhe do të «vazhdojnë të qëndrojnë» përgjithmonë.​—Psalmi 37:11, 29.

18. (a) Në ç’mënyrë kanë vepruar pjesëtarët e shumicës së madhe si vëllezërit e tyre të mirosur? (b) Në ç’mënyrë e adhurojnë Jehovain të mirosurit dhe shokët e tyre «nga hëna e re në hënë të re dhe nga sabati në sabat»?

18 Këta burra e gra të palodhur me shpresë tokësore e dinë që ndonëse është jetësore të qëndrojnë të pastër moralisht dhe frymësisht, për t’i pëlqyer Jehovait kërkohet më shumë. Vepra e grumbullimit është në kulmin e saj dhe ata duan të marrin pjesë në të. Libri i Zbulesës profetizon për ta: «[Ata] janë përpara fronit të Perëndisë; dhe i bëjnë atij shërbim të shenjtë ditë e natë në tempullin e tij.» (Zbulesa 7:15) Këto fjalë na sjellin ndër mend vargun e parafundit të profecive të Isaisë: «‘Me siguri do të ndodhë që nga hëna e re në hënë të re dhe nga sabati në sabat çdo mish do të vijë për t’u përkulur para meje’,​—ka thënë Jehovai.» (Isaia 66:23) Kjo po ndodh sot. «Nga hëna e re në hënë të re dhe nga sabati në sabat»​—domethënë rregullisht, çdo javë të çdo muaji​—të krishterët e mirosur dhe shokët e tyre, shumica e madhe, mblidhen së bashku për të adhuruar Jehovain. Ndër të tjera, këtë e bëjnë, duke marrë pjesë në mbledhjet e krishtere dhe duke marrë pjesë në shërbimin publik. A je një nga ata që ‘vijnë dhe përkulen para Jehovait’ rregullisht? Populli i Jehovait gjen gëzim të madh teksa bën këtë dhe ata të shumicës së madhe presin me padurim kohën kur «çdo mish»​—gjithë njerëzit e gjallë​—do t’i shërbejnë Jehovait «nga hëna e re në hënë të re dhe nga sabati në sabat», për gjithë përjetësinë.

Fundi i armiqve të Perëndisë

19, 20. Për çfarë shërbente Gehena në kohët biblike dhe çfarë simbolizon?

19 Nga profecitë e Isaisë na ka mbetur për të studiuar edhe një varg. Libri mbyllet me këto fjalë: «Në të vërtetë, do të dalin dhe do të vështrojnë kufomat e njerëzve që po kryenin shkelje kundër meje, sepse krimbat mbi ta nuk do të ngordhin e zjarri i tyre nuk do të shuhet dhe ata kanë për t’u bërë diçka e pështirë për çdo mish.» (Isaia 66:24) Ka mundësi që Jezu Krishti të kishte ndër mend këtë profeci kur i nxiti dishepujt e tij të thjeshtësonin jetën e tyre dhe të vinin interesat e Mbretërisë në radhë të parë. Ai tha: «Nëse syri yt të bën të pengohesh, flake tej; për ty është shumë më mirë të hysh në mbretërinë e Perëndisë me një sy, sesa të hidhesh me dy sy në Gehenë, ku krimbi i tyre nuk vdes e zjarri nuk shuhet.»​—Marku 9:47, 48; Mateu 5:29, 30; 6:33.

20 Ç’është ky vend i quajtur Gehena? Shekuj më parë, studiuesi jude David Kimhi shkroi: «Ky është një vend . . . afër Jerusalemit dhe është një vend i neveritshëm, ku ata hedhin gjërat e tyre të papastra dhe kufomat. Gjithashtu, këtu kishte një zjarr të vazhdueshëm për të djegur gjërat e papastra dhe eshtrat e kufomave. Prandaj, gjykimi i të ligjve quhet në mënyrë parabolike, Gehinom.» Nëse Gehena, siç thotë ky studiues jude, përdorej për hedhjen e plehrave dhe të kufomave të njerëzve që konsideroheshin të padenjë për t’u varrosur, zjarri do të ketë qenë një mjet i përshtatshëm për të eliminuar këto plehra. Atë që nuk e konsumonte zjarri e konsumonin krimbat. Ç’përshkrim i goditur për fundin e të gjithë armiqve të Perëndisë! *

21. Për cilët përfundon në mënyrë pozitive libri i Isaisë dhe pse?

21 Duke përmendur kufomat, zjarrin dhe krimbat, a nuk është e vërtetë që profecitë drithëruese të Isaisë përfundojnë në mënyrë të frikshme? Armiqtë e betuar të Perëndisë, pa dyshim, do të mendonin që po. Por miqve të Perëndisë, përshkrimi që i bën Isaia shkatërrimit të përhershëm të të ligjve, u jep shumë zemër. Populli i Jehovait ka nevojë për sigurinë që armiqtë e tij nuk do ta fitojnë kurrë më kontrollin. Ata armiq, që u kanë shkaktuar adhuruesve të Perëndisë kaq shumë vuajtje dhe kanë sjellë kaq shumë sharje mbi emrin e Perëndisë, do të shkatërrohen përgjithmonë. Atëherë «vuajtja nuk do të ngrihet për herë të dytë».​—Naumi 1:9.

22, 23. (a) Shpjegoni disa nga mënyrat në të cilat kemi nxjerrë dobi nga studimi i librit të Isaisë. (b) Pasi kemi studiuar librin e Isaisë, çfarë jemi të vendosur të bëjmë dhe çfarë shprese kemi?

22 Ndërsa përfundojmë studimin e librit të Isaisë, sigurisht kuptojmë që ky libër biblik nuk është histori e vdekur. Përkundrazi, ai përmban një mesazh për ne sot. Kur meditojmë rreth kohëve të zymta në të cilat jetoi Isaia, mund të shohim ngjashmëritë mes asaj kohe dhe tonës. Trazirat politike, hipokrizia fetare, korrupsioni në sistemin gjyqësor, si dhe shtypja e besimplotëve dhe e të varfërve karakterizonin kohën e Isaisë, por karakterizojnë edhe kohën tonë. Judenjtë besimplotë në shekullin e gjashtë p.e.s. duhet të kenë qenë mirënjohës për profecitë e Isaisë dhe ne që jetojmë sot ngushëllohemi kur i studiojmë ato.

23 Në këto kohë kritike, kur terri mbulon tokën dhe errësira e dendur grupet kombëtare, të gjithë ne i jemi thellësisht mirënjohës Jehovait që, nëpërmjet Isaisë, ka siguruar dritë për gjithë njerëzimin! Kjo dritë frymore, në të vërtetë, nënkupton jetë të përhershme për të tërë ata që e pranojnë me gjithë zemër, pavarësisht nga origjina kombëtare ose përkatësia etnike. (Veprat 10:34, 35) Le të vazhdojmë, pra, të ecim në dritën e Fjalës së Perëndisë, duke e lexuar atë përditë, duke medituar rreth saj dhe duke e çmuar mesazhin e saj! Kjo do të sjellë bekimin tonë të përjetshëm dhe lëvdimin e emrit të shenjtë të Jehovait.

[Shënimet]

^ par. 5 Lidhur me situatën pas rënies së Jerusalemit në duart e Babilonisë, Jeremia 52:15 flet për «të varfër të popullit; [dhe] pjesën e popullit që kishte mbetur në qytet». (Dio) Duke komentuar këto fjalë, në librin Mendjehollësi mbi Shkrimet, Vëllimi 1, faqja 415, anglisht, thuhet: «Shprehja ‘që kishte mbetur në qytet’, me sa duket, tregon se një numër i madh njerëzish kishin vdekur nga uria, sëmundjet, zjarri ose ishin vrarë në luftë.»

^ par. 20 Meqenëse në Gehenë konsumohen kufoma dhe jo njerëz të gjallë, ky vend nuk është simbol i mundimit të përjetshëm.

[Pyetjet]

[Kutia në faqen 409]

Të mirosurit, dhurata për Jehovain nga të gjitha kombet

Në vitin 1920, Huan Munizi u nis nga Shtetet e Bashkuara për në Spanjë e më pas udhëtoi për në Argjentinë, ku organizoi kongregacione të mirosurish. Që nga viti 1923, drita e së vërtetës shndriti mbi njerëzit me zemër të sinqertë në Afrikën Perëndimore, kur misionari Uilliam R. Brauni (shpesh i quajtur Brauni i Biblës) u nis për të predikuar mesazhin e Mbretërisë në vende të tilla, si: Sierra-Leone, Gana, Liberia, Gambia dhe Nigeria. Po atë vit, kanadezi Xhorxh Jang shkoi në Brazil dhe më pas udhëtoi për në Argjentinë, Kosta-Rikë, Panama, Venezuelë e madje për në Bashkimin Sovjetik. Pothuajse në të njëjtën kohë, Eduin Skineri lundroi nga Anglia për në Indi, ku punoi për shumë vjet në veprën e korrjes.

[Figura në faqen 411]

Disa judenj në festën e Ditës së Pesëdhjetë ishin ‘vëllezër të sjellë nga të gjitha kombet’

[Figura që zë gjithë faqen 413]