Kalo te përmbajtja

TË RINJTË PYESIN

Si t’i mbaj nën kontroll ndjenjat?

Si t’i mbaj nën kontroll ndjenjat?

«Një ditë ndihem shkëlqyer fare, ditën tjetër jam copë-copë. Gjërat që dje s’dukeshin ndonjë kushedi, sot e kam të vështirë t’i përballoj.»​—Kerisa.

A të duket sikur luhatjet emocionale që provon i ngjajnë një rruge me gunga? a Nëse po, ky artikull mund të të ndihmojë.

 Pse ndodh

 Ulje-ngritjet emocionale janë të zakonshme teksa përjeton ndryshimet e pubertetit. E megjithatë, edhe po ta kesh kaluar pubertetin, mund të habitesh nga sa të ndryshueshme dhe të paparashikueshme mund të jenë ndjenjat që provon.

 Nëse ndihesh konfuz nga luhatjet emocionale, mos harro se shumë prej këtyre ndjenjave janë pasojë e ndryshimeve hormonale, si edhe e pasigurive dhe e dyshimeve, pjesë normale e rritjes. Lajmi i mirë është se ti mund t’i kuptosh e të mësosh t’i mbash nën kontroll ndjenjat.

 Fakt: Është e rëndësishme të mësosh si t’i mbash nën kontroll ndjenjat kur je i ri, pasi kjo aftësi do të të hyjë në punë në shumë rrethana kur të rritesh.

Ndjenjat negative janë si gropat në një rrugë. Me ca aftësi mund t’i shmangësh ato më të këqijat e të vazhdosh rehat udhëtimin

 Tri gjëra që mund të bësh

 Fol. Bibla thotë: «Shoku i vërtetë të do në çdo kohë, dhe të bëhet vëlla në ditë të vështira.»​—Proverbat 17:17.

 «Kemi një mike të ngushtë familjeje që e konsideroj si teze. Ajo më kushton vërtet vëmendje kur flas dhe e kam shumë të lehtë t’i tregoj si ndihem. Nëse kam pikëpamjen e duhur për gjërat, është krenare për mua. Ndërsa kur e kam gabim, më ndreq në mënyrën më të mirë.»​—Jolanda.

 Sugjerim: Në vend që të flasësh vetëm me bashkëmoshatarët​—të cilët mund të jenë duke kaluar të njëjtat luhatje emocionale si ti​—fol me një prind ose me një të rritur tjetër që i beson.

 Shkruaj. Bibla tregon se, kur Jobi ishte zhytur në dëshpërim të thellë, u shpreh: «Do ta shfrej brengën. Do të flas në vrerin e shpirtit tim.» (Jobi 10:1) Përveçse të flasësh më dikë, një tjetër mënyrë si t’i shprehësh ndjenjat është duke i shkruar.

 «Unë mbaj gjithnjë me vete një bllok të vogël shënimesh. Dhe, kur ndodh ndonjë gjë që më mërzit, e shkruaj. Më bën mirë si të jetë terapi.»​—Iliana.

 Sugjerim: Mbaj një ditar ku mund të shkruash ndjenjat që përjeton, shkakun e tyre dhe si t’i mbash nën kontroll. Fleta e punës që shoqëron këtë artikull mund të të ndihmojë.

 Lutu. Bibla thotë: «Hidhja barrën tënde Jehovait, dhe ai vetë do të të mbështetë. Ai nuk do të lejojë kurrë që i drejti të lëkundet.»​—Psalmi 55:22.

 «I lutem vazhdimisht Jehovait kur jam e dëshpëruar. Dhe gjithmonë ndihem e lehtësuar pasi ia zbraz zemrën.»​—Jasmina.

 Sugjerim: Pavarësisht nga ankthi që ndien, mendo për tri gjëra në jetën tënde për të cilat je mirënjohës. Lutju Jehovait për ndihmë, ama mos harro ta falënderosh për gjërat e mira që ke.

a Në këtë artikull flitet për shqetësimet emocionale të zakonshme për shumë të rinj. Nëse po vuan nga një çrregullim bipolar ose ndonjë lloj tjetër depresioni, shih artikullin: «Si ta luftoj dëshpërimin?»